







Sokol Paja/
New York më 3 Shtator 2022 – Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra përkujtoi me nderim, lutje e përshpirtshmëri 25 vjetorin e kalimit në amshim të Shenjtores së Kombit Shqiptar, Nënë Terezës, nënës së dashurisë, sakrificës, besimit e shpresës në Zot dhe respektit e dinjitetit për qëniet njerëzore. Në një ceremoni solemne të organizuar posaçërisht nga Federata Vatra, me pjesëmarrjen masive të udhëheqësve të Vatrës e vatranëve më të spikatur, të mbështetur dhe nga përfaqësuesit më të dënjë të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, Vatra tregoi edhe një herë lidership të padiskutueshëm si organizimi patriotik e kulturor më i fuqishëm në të gjitha diasporat shqiptare kudo në botë për organizime në nderim të figurave të shquara të kombit, datave e ngjarjeve të shënuara për identitetin, kulturën dhe historinë e kombit shqiptar. Nën prezantimin e Editorit të Diellit, në kumtesën hapëse të ceremonisë në nderim të Nënë Terezës, kryetari i Vatrës PhD Elmi Berisha ndër të tjera theksoi se: “Shënjëtorja e trungut tonë vazhdon të jetë frymëzim, motivim dhe engjëll mbrojtës i njerëzimit dhe pa dilema ne si komb dhe personalisht besoj se besimi i jonë në zot dhe lidhja shpirtërore me Hyun na lidhë edhe më fuqishëm përmes shënjëtores sonë. E Shënjta Nënë Tereza, është simbol i dashurisë dhe i përkushtimit ndaj njerëzimit (sidomos ndaj atyre që kishin më së shumti nevojë), por edhe ndaj Zotit. Ajo e lidhi përkushtimin ndaj njeriut me përkushtimin ndaj Hyjit, duke krijuar simbiozën e dashurisë së përhershme, të cilën ia dhuroi njerëzimit” tha ndër të tjera z.Berisha. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj përshëndeti ceremoninë e nderimit ndaj Nënë Terezës duke u treguar të pranishmëve detaje nga vizita në shtëpinë e Motrave të Nënë Terezës në Bronx 25 vite më parë kur Nënë Tereza kaloi në amshim dhe përpjekjet e vazhdueshme së bashku dhe me patriotë të tjerë në punën e madhe për ngritjen e shtatoreve të Nënë Terezës në viset shqiptare dhe solli ndërmend ndihmën për ndërtimin e Katedrales së Prishtinës “Nënë Tereza” ku me Marjan Cubin kryetar të mbledhjes së fondeve u arrit një shifër rekord mbi 2 milion dollarë. PhD Ines Murzaku në kumtesën e saj u ndal te gjashtë revolucionet e Nënë Terezës: Revolucioni i Lutjes, Vuajtjes, Varfërisë, Shërbimit, Shpresës dhe Brishtësisë. Ndër të tjera studiuesja Murzaku u ndal te Revolucioni i Brishtësisë – Ku dashuria zëvendëson hidhërimin. “Nënë Tereza e mësoi butësinë në moshë të re. E reja Gonxhe ishte e rrethuar me shumë butësi nga familjarët e saj, veçanërisht nga e ëma. Familja e nënës nuk ishte familja e përsosur; ishte një familje e zakonshme me të metat dhe papërsosmëritë e saj. Por besimi dhe butësia e tyre e zakonshme doli të ishte transformuese dhe e jashtëzakonshme në ndikimin që do të kishte te shenjtoria e ardhshëm dhe butësia që ajo do t’u ofronte falas të gjithë atyre që do të prekte. Së dyti, Nënë Tereza e praktikonte butësinë teologjikisht. Kjo ishte butësi nga identifikimi me arketipin (Jezusin) dhe Marinë. Veç kësaj, ajo ishte një butësi e zbatueshme ndaj kujt po i shërbente. Ajo, me butësi, identifikohej me të gjitha kategoritë e njerëzve që u shërbente dhe të cilëve shoqëria donte t’i hidhte poshtë. Ajo jetoi dhe ishte një me ta, duke shkuar në nivelin e “errësirës” dhe të varfërisë së njerëzve të cilëve u shërbente; ajo lehtësoi barrën e njerëzve duke e bërë errësirën e tyre me butësi. Teologjia e nënës për të buzëqeshur është e lidhur me revolucionin e saj të butësisë” citoi ndër të tjera PhD Ines Murzaku. Gazetari Frank Shkreli në kumtesën e tij “Amerika për Nënë Terezën – rastësi apo dora e Zotit në veprim “prej sot je bijë e Amerikës” tha ndër të tjera se: “Komuniteti shqiptaro-amerikan kishte lidhje të ngushta, dashuri dhe respekt, pa kushte, për veprimtarinë në shërbim të varfërve në botë dhe për personin e Nenë Terezës gjatë afër 50-viteve të fundit të shekullit të kaluar. Në të vërtetë – dukej sikur e mbarë Amerika – pa dallim feje dhe pa dallime politike — ishte në dashuri me këtë murgeshë shqiptare, me trup të vogël, por me shpirt dhe zemër të madhe – e cila i kishte caktuar vetes misionin e jetës së saj për t’u kujdesur për “më të varfërit e të varfërve në botë.” Kjo dashuri e Amerikës me Nënë Terezën kishte filluar në vitin 1960 – që shënon vizitën e parë të saj në Shtetet e Bashkuara. Vizita e parë e Nenë Terëzës në Amerikë është e datës 7 Nëntor, 1960” tha ndër të tjera z.Shkreli. Amerikanët e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë gjithnjë veprën dhe personin — Gonxhen e shqiptarëve dhe shën Nënë Terezën e Amerikës dhe të botës. Ajo ishte shpallur Qytetare Nderi e SHBA, një titull i dhënë Nenë Terezës shumë vite më parë nga Presidenti republikan Ronald Reagan, kujtoi z.Shkreli. Studiuesi Dr. Paulin Marku ndër të tjera në kumtesën e tij u shpreh se: “Nene Tereza na jep mundësinë te njohim nga afër dhe te hyjmë ne jetën e njeriut te urte e te dashur qe fale lutjeve, sakrificave dhe ndihmave për popuj te ndryshëm hyri ne zemrën e secilit. Kjo është një dhunti e Zotit qe pa sponsor, pa propagande televizive dhe mediatike apo lobim te kishës katolike, ajo arriti te ketë impakt pozitiv ne mbare globit. E them botërore sepse veprimtaria e Nene Terezës ishte e atille dhe gjithashtu po aq e gjere dhe e ndjeshme për shtresa te ndryshme sociale-ekonomike dhe kulturore, tek fëmijët, pleqtë, te sëmurë, te varfrit, neper popuj te dhunuar dhe te frustruar nga luftra te ndryshme, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme qe te ngrejë raporte jo vetëm shpirtërore e religjione por edhe institucionale ne mbare boten” tha ndër të tjera studiuesi Dr. Marku. Gazetari Sinan Kamberaj në kumtesën e tij dha detaje nga takimi me Nënë Terezën dhe vizita e saj në New York. Ai kujtoi për të pranishmit: “Nënë Tereza falënderonte për fjalët e mira dhe uronte pa ndërprerë. Për një çast pata ndjesinë se fytyra e saj ishte një mishërim i të gjitha fytyrave të nënave shqiptare, një fytyrë tipike e atyre plakave fisnike, të cilave, sa më shumë që u rëndojnë vitet mbi supe, fytyrat u bëhen gjithnjë e më ëngjëllore, duke rrezatuar ngrohtësi qiellore. Në këtë çast ajo uroi në gjuhën shqipe: “Zoti e baftë mirë”!” citoi ndër të tjera gazetari Kamberaj. Ceremonia e nderimit për Nënë Terezën Shenjtoren e Kombit tonë në Vatër u përmbyll me një koktejl të organizuar posaçërisht nga patrioti Toni Musaj i cili mbështet Federatën Vatra e gazetën Dielli në çdo organizim. Federata Vatra dhe Gazeta Dielli i shprehin mirënjohje të veçantë z.Toni Musaj dhe z.Adem Belliu me televizionin “Kultura Shqiptare” të cilët ndjekin Vatrën dhe aktivitetet e saj në çdo organizim dhe veprimtari, me profesionalizëm dhe bujari.