
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, gazeta Dielli, mbarë vatranët e shqiptaro-amerikanët përkujtojnë me nderim, respekt dhe vlerësim patriotin e shquar, vatranin e përkushtuar, aktivistin e flaktë të çështjes kombëtare, atdhetarin fisnik Zef Balaj. Tri vite pas largimit, zemërbardhi e shpirtmadhi Zef Balaj i mungon shumë familjes së tij e kujtdo që e ka njohur e bashkëpunuar me të.
Zef Balaj la gjurmë të paharrueshme e kujtime të pashlyeshme në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi në të gjitha proceset patriotike të diasporës, lëvizjet politike, demonstratat, protestat, qëndrimet e komunitetit, tubimet, organizimet, ndihmat për komunitetin e kombin shqiptar, për mbi 60 vjet Zef Balaj ishe aty duke kontribuar e dhuruar për komb, atdhe, flamur e komunitet. Nga Washingtoni e Institucionet e Shtetit Amerikan, te Liga Shqiptaro-Amerikane, Kisha Katolike, institucionet arsimore e deri te Vatra, Zef Balaj kontribuoi me shpirt pa u ndalur për asnjë moment. Zef Balaj ishte fisnik, vizionar, besnik dhe atdhetar.
Zef Balaj la pas një emër të mirë e të nderuar dhe një trashëgimi të shkëlqyer familjare, komunitare e atdhetare.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra ka akorduar për Zef Balaj titull nderimi SENATOR I PËRJETSHËM I VATRËS me motivacion: “Shembull i atdhetarit të vërtetë, anëtarit të denjë të Federatës Vatra, kontribues dhe veprimtar i palodhur, bamirësit të madh dhe mbi të gjitha, njeriut të mirë”.
Presidenca e Republikës së Shqipërisë e ka nderuar patriotin Zef Balaj për veprimtari patriotike e merita të veçanta atdhetare me Titullin e Lartë: “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”.
Qoftë i përjetshëm nderimi dhe kujtimi për jetën dhe veprën e Zef Balaj.
Me mirënjohje dhe respekt të veçantë
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha