Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA përshëndet dhe uron popullin shqiptar për hapjen e negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Kjo ditë historike është një arritje e madhe për të gjithë shqiptarët. Kjo ngjarje e shumëpritur është një hap shumë historik në përpjekjet kilometrike për anëtarësimin e Shqipërisë e shqiptarëve në familjen europiane. Vatra i dërgon urimet më të përzemërta e të sinqerta popullit shqiptar, liderëve politikë, autoriteteve fetare, shoqërisë civile, medias e publikut të gjërë jo vetëm për këtë arritje historike por edhe për punën e jashtëzakonshme që të gjithëve bashkë na pret në vazhdim. Vatra do të jetë një mbështetje e pakursyer në këtë proces kaq të rëndësishëm për popullin e kombin tonë. Vatra shpreh bindjen se vendimi i Këshillit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të jetë një sinjal optimist që edhe Kosova të gëzojë sa më parë liberalizimin e vizave me BE dhe anëtarësimin në NATO. Ky hap i jashtëzakonshëm për popullin dhe institucionet e Shqipërisë shpreh nevojën për bashkëpunim e reforma të thella e të gjithanshme institucionale. Nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe RMV tregon qartë se e ardhmja europiane e rajonit të Ballkanit dhe e të gjithë shqiptarëve është pashmangshmërisht në Bashkimin Europian. Gëzuar dhe urime mbarë popullit shqiptar.
Kryetari i VATRËS
Elmi BERISHA