
New York, 18 Prill 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra përshëndet liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës me shtetet e Bashkimit Europian. Ky është një vendim historik dhe i drejtë që ka gëzuar popullin e Kosovës dhe çdo shqiptar kudo ku ndodhet. Kosova ka qenë historikisht pro perëndimore dhe ky vendim i Parlamentit Evropian e afron Kosovën një hap më afër familjes europiane.
Liberalizimi i vizave është një ngjarje e jashtëzakonshme për kombin tonë jo vetëm se tregon aspiratën shekullore pro perëndimore, pro amerikane, pro atlantike por sjell një zhvillim të fuqishëm ekonomik, konsolidim të institucioneve, vazhdimësi të reformave, demokraci aktive, shtet të fortë e qytetarë me mundësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e tyre.
Votimi i liberalizimit të vizave në Parlamentin Evropian krijon një marrëdhënie dhe lidhje edhe më të fuqishme të institucioneve dhe qyetarëve të Republikës së Kosovës me Europën.
Shpresojmë që Kosova të jetë sa më shpejt anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Republikës së Kosovës dhe kurdoherë do të jetë në mbështetje të interesit të kombit, çështjes kombëtare dhe qytetarëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe viset e tjera etnike.
Me gëzim të veçantë
Kryetari i Vatrës
Elmi Berisha
