


Sokol Paja/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi romanin historik “Humbja” të autorit Mark Pashku. Me pjesëmarrjen e posaçme të Shoqatës Malësia e Madhe e drejtuesve të saj më të lartë, Vatra u kthye në shtëpinë e promovimit të letërsisë, historisë e kulturës kombëtare në mërgatën e Amerikës. Dr. Pashko Camaj uroi mirëseardhjen në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. “Fillimi i autorit është mbresëlënës. Vlerësimet e marra deri tani tregojnë një arritje madhështore. Është shumë i rëndësishëm përkthimi në gjuhën angleze e kësaj vepre për letërsinë shqiptare dhe historinë tonë” tha ndër të tjera dr. Camaj. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Mhill Velaj ndër të tjera tha se romani historik “Humbja” është një klithmë për humbjen dhe dhimbjen e një kombi. Është një thirrje për humbjen e etnitetit tonë ndër kohëra. Si romani më i mirë i vitit 2021 në trojet shqiptare përshkruan jetën kolektive të malësorëve që e duan Malësinë. Epiqendra e rrefimit të Mark Pashkut është rrënja e lashtë etnike e shqiptarëve në vazhdën e shekujve. Në këtë roman përplasen kohërat në kërkim të së vërtetës historike. Ky roman është në vetvete një dimension historik dhe filozofik. Substrakti i romanit historik është etnokultura shqiptare” tha ndër të tjera z.Velaj. Autori i romanit “Humbja” Mark Pashku në fjalën e tij falënderoi e përgëzoi organizatorët dhe tha se Vatra është Ambasada reale e popullit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai shpjegoi idenë qëndrore të librit si nevoja e faktimit të historisë e kulturës kombëtare, problemet e rinisë në Malësi ku kultura, edukata, leximi janë e vetmja shpresë nga mbrojtja nga e keqja në ditët e sotme, tha aitori. Në libër gërshetohet e tashmja dhe e kaluara. Tema qëndrore e librit është: Rinia të orientohet në drejtim të shëndoshë dhe si një ftesë që ta duan historinë, kulturën, kombin tonë, përfundoi shpjegimin e tij autori Mark Pashku. Z.Nikollë Junçaj prezantoi autorin dhe rrënjët e tij familjare historike. Ai tha se autori Mark Pashku përshkruan jetën reale të kohës sonë. Personazhi na vjen në një prozë moderne. I kushtohet rëndësi rolit të familjes, edukimit, jetës dhe përshkrimit të ngjarjeve në Malësi. Përmes Mateos, kryepersonazhit të romanit, tregohet se jeta është më e vlefshme se çdo gjë tjetër, tha ndër të tjera z.Junçaj. Në promovim Z. Abdyl Hajredinaj ndër të tjera i uroi autorit jetë aktive krijuese dhe të nxisë kritikën letrare në letrat shqipe. Gjithashtu edhe Zef Hoti Gojçaj përgëzoi autorin dhe organizatorët për promovimin. Për të gjithë të pranishmit, në Selinë e Vatrës, kryetari z.Elmi Berisha shtroi një koktejl vëllazëror.