Sokol Paja/
New York, 22 Shtator 2022 -Federata Panshqiptare të Amerikës “VATRA” promovoi tri vepra studimore të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Studime shumë të rëndësishme për historinë tonë kombëtare veprat “Shkupi, vetë historia e Kosovës”, një ngjarje ekskluzive për shqiptarët e Amerikës. Vepra e autorëve Skender Asani, Mehmet Prishtina dhe Albert Rama, vjen si raport i diplomatëve italianë të kohës dhe është dëshmia më e fuqishme dhe më e freskët e pranisë dhe e autoktonisë shqiptare në Shkup. Libri “Bisedime mbi -Historin bujqësore të Shqipnis-“ i autorit Eqrem Bej Vlora, përgatitur për botim nga Albert Ramaj e Skender Asani, paraqet vlerat e mendimit intelektual shqiptar mbi problematika që ishin më pak të trajtuara në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, siç ishte, bie fjala, çështja e tokës dhe sidomos menaxhimi i saj në pikëpamje agroteknike. Vepra tjetër voluminoze dyvëllimëshe është “Propozime për drejtshkrimin”, e cila promovohet me rastin e shënimit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që paraqet një jubile të madh të gjuhës sonë standarde.
Në emër të Federatës Panshqiptare Vatra përshëndeti Dr. Pashko Camaj i cili theksoi rëndësinë e këtyre botimeve dhe promovimeve në Vatër. Sekretarja e Vatrës Zonja Nazo Veliu theksoi se me këto promovime forcojmë rrënjët e kombit nëpërmjet ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare. Vatra do të mbështesë këtë Institut që ashtu si Vatra i shërben çështjes kombëtare, argumentoi zonja Veliu. Studiuesi Sefer Tahiri prezantoi punën e Institutit, veprimtarinë hulumtuese e shkencore dhe ekspozoi punën e jashtëzakonshme që konsiston te mbrojtja e identitetit etnik gjuhësor, kulturor shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Drejtori i Institutit Prof.Dr. Skender Asani deklaroi në fjalën e tij: “Mirënjohje për Vatrën, Diellin e Marjan Cubin që na ka mbështetur ne dhe patriotët e tjerë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Maqedoni gjendet trashëgimia më e madhe e autoktonisë shqiptare. Trashëgimia kulturore në Maqedoni është shumë e pasur dhe e fuqishme. Puna e Institutit është konsideruar si detyrë në zbulimin dhe dokumentimin e trashëgimisë shqiptare, tha ndër të tjera prof. Asani teksa u shpjegoi të pranishmëve punën e Institutit, Departamentet dhe objektivat për të ardhmen. Izmit Nura – zv.drejtor i Agjencisë së Migracionit në Qeverinë e Maqedoni e Veriut foli mbi luftën e drejtë të UÇK, punën e Institutit dhe rolin e Vatrës. Ai tha se kolegët e mi sot janë një armatë, një ushtri kulturore e kombëtare për çështjen tonë.
Dr. Sevdail Demiri – Kryetar i Këshillit të Institutit deklaroi se Vatra dhe Dielli po thyejnë një rekord me vazhdimësinë historike dhe rolin e tyre patriotik e kulturor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zeqirja Ibrahimi Kryeredaktor i Revistës Shkencore të Institutit, foli rreth 50 vjetorit të Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe propozimet e Institutit, gjithashtu u ndal si gjuhëtar te roli i gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Asllan Bushati lavdëroi punën e Institutit dhe solli detaje rreth luftërave në trojet shqiptare në Maqedoni dhe kërkoi që të mësohet arti luftarak, gjuha osmane dhe greqishtja e lashtë. Drejtori Prof. Dr. Skënder Asani foli gjithashtu rreth elementit katolik në Shkup dhe përpjekjeve për eliminimin dhe asimilim në dekadat e mëparshme. Ai i dhuroi Vatrës në përfundim të ceremonisë së përurimit, një dhuratë simbolike: Boçe nga Bredhi i Nënë Terezës në Shkup. Për nder të profesorëve dhe studiuesve, Federata Vatra dhe Marjan Cubi shtruan një darkë vëllazërore në shenjë mikpritje, respekti e vlerësimi.