


Sokol Paja/
New York, 7 Qershor 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi librin publicistik “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese”, të diplomatit Imer Lladrovci. Libri përmbledh në mënyrë të shkëlqyer paraqitjet publike dhe qëndrimet e dokumentuara në: kumtesa, trajtesa, intervista, opinione, shkrime autoriale, fjalime, analiza, komente etj., të cilat trajtojnë elementë themelore të shoqërisë, diplomacisë, shtetit, politikës e mërgatës shqiptare. Vepra e Lladrovcit është një kontribut i vyer publicistik që përmbledh një rrugëtim sa politik dhe diplomatik të autorit dhe institucioneve që ka shërbyer e përfaqësuar.
Veprimtari i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës z.Shpend Gjocaj diskutoi rreth rëndësisë së kombit shqiptar si faktor i unitetit kombëtar dhe dënoi ndasitë mes shqiptarëve me përdorimin e termit “kombi kosovar”. Ambasador Bujar Skendo theksoi rëndësinë dhe nevojën e botimeve publike mbi përvojën diplomatike të diplomatëve shqiptarë që kanë shërbyer në trupin diplomatik.
Shkrimtari Mhill Velaj vlerësoi veprimtarinë e Imer Lladrovcit dhe theksoi se kombi ka nevojë për diplomatë aktivë e përfaqësues dinjitozë. Gazetari Bekim Adili nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup theksoi se na nevojitet unitet dhe platformë të përbashkët kombëtare me qëllim shtetndërtimin e Kosovës dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve. Ai e cilësoi librin e Imer Lladrovcit si një udhërrëfyes për diplomacinë dhe politkbërjen në Kosovë. “Vatra e Nolit na fton e na kujton për detyrimet që kemi ndaj kombit tonë e ndaj atdheut të përbashkët. Mirënjohje vatranëve e patriotëve shqiptarë të mërgatës së Amerikës që mbajnë gjallë frymën e Fan Nolit në mënyrë që ta duam atdheun pa kushte e pa interes” tha ndër të tjera gazetari Adili. Artisti i komunitetit Shaban Lajçi u shpreh se vepra publicistike e Lladrovcit është një shkëndijë drite në veprat publicistike e kombëtare.
Diplomati Imer Lladrovci fjalën e mirënjohjes dhe falenderimit për Vatrën e filloi me mbështetjen ndaj luftës së UÇK dhe duke denoncuar padrejtësinë ndaj saj. “Shpreh indinjatën e thellë për padrejtësinë që po iu bëhet në Hagë themeltarëve, luftëtarëve dhe çlirimtarëve të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e bashkëluftëtarëve të tyre. Kjo është një padrejtësi historike” tha në fjalën e tij diplomati Lladrovci. Përgjatë fjalës së tij, ai solli në vëmëndje shembullin e kontributin e Skënderbeut, Fan Nolit, Pashko Vasës e rilindasve shqiptarë për shembullin dhe kontributin historik për kombin.
Imer Lladrovci si diplomat, publicist, veprimtar politik veprimtar, kontribuues dhe bashkëpunëtor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë përfaqësues i shtetit të Kosovës në Stuttgart në Gjermani( 2009-2013), Konsull dhe shef i seksonit konsullor në Vjenë të Austrisë ( 2013-2018), Konsull dhe shef i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtuttgart të Gjermanisë (2018-2022).