VATRA & ” DIELLI”-SHQIPERIA E LIRË & “LIRIA”/
VATRA- SHFLETIM I DOSJES TË SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST (4)/
-Relacioni i Vitit 1953: Të mbështetet Gazeta”Liria” me 2 mijë dollarë, të demskohet gazeta”Dielli” dhe të luftohet për heqjen e Editorit Qerim Panariti!
– Relatori i Ministrisë së Brendshme, shqetësohet se shumë nga djemtë e të arratisurëve po martohen me vajzat e emigrantëve ekonimikë, pasi prindërit e vajzave nuk preferojnë t’i martojnë me të huaj.
– Sekti Muhamedan ka në krye agjentin e Ahmet Zogut dhe të amerikanëve Imam Vehbi Ismailin dhe sekti Bektashi ka në krye agjentin e amerikanëve Dervish Rexhepin.
Nga Dalip Greca/
Qeveria Komuniste e Tiranës ka luftuar që diasporën shqiptare të Amerikës ta mbante të përçarë. Një nga format e luftës përçarëse ka qenë largimi i vatranëve të lëkundur nga Vatra dhe anëtarësimi i tyre tek Shqipëria e Lirë, e cila ishte në shërbim të Qeverisë së Enver Hoxhës.Një projekt tjetër ishte krijimi i një Vatre të dytë që të bashkëpunonte me Tiranën.
Mjafton të shfletojmë një prej relacioneve, të Dosjes së Vatrës dhe të bindemi për preferencat e Qeverisë komuniste ndaj Shqipërisë së Lirë dhe gazetës së saj”LIRIA” dhe luftë të ashpër kundër Vatrës dhe gazetës së saj DIELLI.
Le të shohim fillimisht se si e përshkruan përbërjen e diasporës shqiptare në Amerikën e Veriut Ministria e Brendshme:Kolonia Shqiptare e Amerikës është një nga kolonitë më të mëdha dhe më të pasura të shqiptarëve në Perëndim.
Sipas relacionit në SHBA jetonin në fillim vitet ’50-të të shekullit të shkuar rreth 40 mijë shqiptarë, 20 për qind e të cilëve kishin tërheqë në SHBA edhe familjet e tyre.Shqiptarët ishin përqëndruar në qytetet: Boston, Uster,Nju Jork, Nju Xhersi, Michigan, Çikago, San Francisko, Uashington, Ohajo,Filadelfia etj. Konstatohej sipas tyre se nga niveli arsimor shumica ishin analfabetë ose dinin pak të lexonin, por ishin shumë fetarë.Emigrantët ekonomikë ishin të ndarë në dy shoqëri: VATRA dhe Gazeta DIELLI, si dhe SHQIPËRIA E LIRË dhe Gazeta”LIRIA”. Vatra kryesohej, sipas tyre, kishin prijës real Fan Nolin, Dielli udhëhiqej nga Qerim Panariti, Liria nga Dr.Xhon Nase, me origjinë nga Berati dhe Dhimiter Trebicka nga Korça.Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk ishin të anëtarësuar në këto dy organizata, por shumë prej tyre merrnin gazetat Dielli dhe LIria. Vatra përbëhej në përgjithësi nga pjesa më e pasur e emigrantëve ekonomikë shqiptarë, nga që kjo ishte organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, ndërkohë(raportonte relatori) në krye të saj ishin vënë gjithmonë agjentë të amerikanëve.
Raporti nënvizon: ” Qëndrimi Vatrës dhe gazetës së saj Dielli ndaj nesh nuk është i mirë. Gazeta DIELLI dhe kryesisht editori i saj Qerim Panariti zhvillojnë një propogandë armiqsore kundër Republikës sonë dhe kampit të socializmit. Kjo vjen nga që në këtë organizatë ka njerëz jo të mirë, edhe pse në radhët e saj nuk mungojnë patriotët. Shqipëria e Lirë dhe Gazeta “Liria” mbajnë një qëndrim shumë të mirë ndaj Republikës sonë dhe janë patriotë të mirë, pjesa më e madhe e tyre janë punëtorë.”
…Ndërmjet VATRËS dhe Shqipërisë së Lirë ka kundërshti parimore, më thelbsore është qëndrimi ndaj Republikës sonë Socialiste, këtu ndahen.Ka patur diskutime për bashkimin e dy organizatave, por Vatra këmbëngul që bashkimi të bëhet nën platformën e saj, Shqipëria e Lirë kërkon që ajo të diktojë.
Në Amerikë ka dhe organizata të tjera lokale me karakter filantropik, por aktiviteti i tyre nuk është i madh.
Konstatimi i dytë: Shqiptarët në Amerikë kanë edhe institucionet fetare; Kisha orthodokse me kryetar Fan S. Nolin është më e fuqishme. Po ashtu sekti Muhamedan ka në krye agjentin e Ahmet Zogut dhe të amerikanëve Imam Vehbi Ismailin dhe sekti Bektashi me në krye agjentin e amerikanëve Dervish Rexhepin.
Organet e vendit ushtrojnë presion në koloninë shqiptare dhe përpiqen ti shkëpusin shqiptarët nga ne, duke shfrytëzuar edhe institucionet fetare dhe elementin reaksionar.Ka dhe organizata Vorio-Epirote, por aktiviteti i tyre është me hope.
Riatdhesimi ecen ngadalë. Ka vonesa në Ministrinë e Jashtme për dokumentet.Amnistia është bërë e ditur në koloni, por propoganda kundër saj është shumë e madhe dhe keqinterpretohet.
Pasi paraqet gjendjen e detajuar të kolonisë shqiptare, relatori i Ministrisë së Brendshme, arrin në këto përfundime:
-1- Pjesa dërmuse e kolonisë shqiptare vuan nga ndjenjat patriotike dhe është nën pushtetin tonë.
2- Të bëhen përpjekje nga ana jonë që të largohet si sekretar i Vatrës dhe Editor i Diellit Qerim Panariti.
3- Gazetës”Liria” t’i jepen 2 mijë dollarë që të marrë frymë lirisht.
4-Të demaskohet Gazeta “Dielli” me artikuj në shtypin tonë, pa përmendur direkt Qerim Panaritin me emër.
5-Të dërgohen letra nga familjarët e këtushëm të cilët kanë influencë tek shqiptarët e Amerikës, veçanërisht atyre që janë anëtarë të Vatrës.
6- Me anë të shtypit të bëhet demaskimi i elemtit reaksionar, veçanërisht atij që nuk mbanë qëndrim të mirë ndaj nesh.
7- Të përshpejtohen procedurat e riatdhesimit.
8-Të organizohet shpejt grupi i vizitorëve në vendin tonë me qëllim që t’i shfrytëzojmë për interesat tona.
9-Të organziohet dërgimi i shtypit, filmave, dhe materialeve të tjera propogandistike në koloninë shqiptare të Amerikës dhe të shfrytëzohet në favorin tonë.
10-Emisionet që trasmeton Radio-Tirana të shfrytëzohen edhe për qëllimet tona(Ministrisë së Brendshme).
11-Të bëhet një punë e organizuar për interpretimin e drejtë të Aminsitisë dhe të goditen interpretimet e gabuara.
Punëtori operativ, Togeri S. Memetko, që ka studiuar relacionin ka bërë edhe këtë shënim me shkrim dore: Të mbështetet Shqipëria e Lirë. Të shihet mundësia edhe e hapjes së shkollës shqipe në qytete ku ata kanë influencë ata të Shqipërisë së Lirë. Krahas mjeteve të tjera propogandistike të dërgojmë edhe libra.
Memetko konstaton se: Me ndihmën e amerikanëve në koloninë shqiptare kanë depërtuar shumë prej reaksionit.Relatori shqetësohet se shumë nga djemtë e të arratisurëve po martohen me vajzat e emigrantëve ekonimikë, pasi prindërit e vajzave nuk preferojnë t’i martojnë me të huaj.
Ministria e Brendshme përpiqet që të shfrytëzojë për informacione nga kolonia gazetën proqeveritare”Liria” madje dhe kundër Vatrës e Diellit.
Për t’i dhënë informacion Ministrisë së Brendshme gazeta LIRIA që po sponsorizohej nga Tirana, botonte në faqet e saj informacione rreth Vatrës dhe degëve të saj. Ndër të tjera nga ky raport marrim një informacion, që nuk e gjejmë në arkivin e Vatrës, emërtesat e degëve jo vetëm me numra, siç i kishte regjistruar vetë Vatra por me emra. Kështu psh Degat e Detroitit thirrej dega” Presidenti Wilson”, një degë në Boston ishte emërtuar”Themistokli Gërmenji”, dega në Manchester thirrej”Manastiri”, një degë në Kliveland kishte emrin” Petro Nini Luarasi”, dega e Nju Jorkut thirrej’Naim Frashëri” një degë në Akron- Ohajo thirrej “Vani Qiraxhi” etj.
Duke u ndalur në marrdhëniet e Vatrës me Shqipërinë e Lirë, Ministria e Brendshme konstatonte se: Vijonte procesi i bisedimeve mes dy organizatave, por dukej se nuk do të arrihej asnjë mirëkuptim.Mosmarrveshjet vazhdonin. Kur shkoi delegacioni ynë në Nju Jork dhe deshi të merrej me atë punë, kishte arritë më parë një letër nga Hysni Kapo, që udhëzonte të lihej njëherë ajo puna e bashkimit. Nga ana tjetër, në të dy organizatat kishte polemika të pafundme dhe mosmarrveshje e keqkuptime nga elementë brenda dy organizatave. Psh, Nini Luarasi,anëtar i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, demaskojë me 2-3 artikuj të botuar në Dielli Dr. Nase, përse ky i fundit paska bërë dy mbledhje për të diskutuar letrat e tradhëtarit Stavro Skëndi. Nga ana e saj edhe Vatra ka pësuar tronditje për arsye se disa nga anëtarët e Komitetit të saj si Qerim Panariti, Shefqet Bença, refuzuan të marrin pjesë në Komitetin për ndihmat e Shqipërisë, që u formua disa kohë më parë në Nju Jork. Kjo ka zemruar anëtarët e thjeshtë të Vatrës, madje kryetari i degës së Nju Jorkut , Halil Bozgo,(elemnt i ndershëm) ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit të Vatrës për të kërkuar llogari ndaj personave të mësipërm.
“Luani” raportonte: Shqiptarët e Amerikës kanë qenë gjithmonë të alarmuar për gjendjen e mjerushme ekonomike në Shqipëri.Dielli pat botuar e komentuar një frazë të Gjeneralit të U.N.R-as, Rooks, i cili thoshte: Në asnjë vend të Europës, nuk pashë më tepër uri se sa në Shqipëri.” Dhe më poshtë”duke parë këtë gjendje, Kryeministri Enver Hoxha më tha që jemi gati të bashkëpunojmë me çdo organizatë ndërkombëtare me karakter ekonomik”…
Relatori arrin në përfundimin se: Këto shprehje, shqiptarët i marrin kallëp. Pastaj, Vatra dhe Shqipëria e Lirë, për të patur më shumë sukses e alarmonin vetë çështjen. Këtu edhe kanë përfituar elementët e këqinj, si Qerim Panariti, që ta godisnin indirekt pushtetin tonë.Para disa muajësh bëhej më tepër propogandë për të grumbulluar miell, por me ndërhyrjen e delegacionit qeveritar, po u jepet më shumë rendësi sendeve të tjera.Për këtë punë me inisiativën e delegacionit të qeverisë dhe me mbështetjen e shokëve jugosllavë, u krijua një komision i përbashkët për të gjitha ndihmat.U morëm vesh me shokët jugosllavë që vaporët jugosllavë të merrnin vetëm plaçka e këtij komiteti, që u aprovua nga qeveria e Tiranës, por Vatra e kundërshtoi dhe nuk mori pjesë.
Sigurimi, përmes relatorit me nënshkrimin”Luani” shfaqte shqeteësimin se në drejtimin e Vatrës kishin hyrë elementë reaksionarë, si:Peter Konja, që kish qenë Ministër i Zogut më 1943 në Washington.
Raporti: Petër Kolonja dhe Qerim Panariti shkojnë në harmoni të plotë mes tyre.Sa herë shkon në Washington Qerimi takohet me Peterin dhe Kostë Chekrezin dhe së bashku shkojnë në Departamentin e Shtetit, ku takojnë Shefin e Marrdhënieve për Ballkanin , një farë James Charls. Qerim Panariti dhe Peter Kolonja nuk e fshehin se kanë miq në departamentin e Shtetit. Sipas një bisede që bëri Sh. Duka me P.K. , ky i dyti i paska thënë se QP kishte shkuar në Departamentin e Shtetit me gjithë ambasadorin e Jugosllavisë dhe ka premtuar se do ta kthente politikën kundër Shqipërisë sapo të shihte rastin e volitshëm.(Vijon)