
New York, 21 Prill 2025 – Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra i shpreh ngushëllimet më të dhimbshme Selisë së Shenjtë, Kishës Katolike të Shqipërisë dhe çdo besimtari katolik për ndarjen nga jeta tokësore të Atit të Shenjtë Papa Françeskut, mikut të madh të kombit shqiptar e Federatës Vatra. Bota humbi një frymëzues të madh, kisha prijësin e saj shpirtëror e shoqëria humbi modelin e thjeshtësisë, përulësisë, dashurisë e përshpirtshmërisë.
Falenderues përjetë i jemi Atit të Shenjtë për pritjen e Vatrës në Vatikan më 25 Tetor 2023, për vizitën e tij Apostolike që zhvilloi në Shqipëri më 21 shtator 2014 dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kishës Katolike Shqiptare e kombit shqiptar gjithë këto vite.
Papa Françesku deri në frymën e fundit bekoi dhe apeloi për paqe e dashuri duke dënuar luftën, armatimet dhe kërcënimet. Papati i tij luftoi fort për paqe në botë, për familjen si të shenjtë, për drejtësi sociale, për besimtarët e thjeshtë, për njerëzit në nevojë, të varfërit, emigrantët, të sëmurët, të braktisurit e nevojtarët.
Ishte shumë emocionuese dhe nuk do ta harroj kurrë përjetë bekimin dhe pritjen që Papa Françesku na rezervoi në Vatikan si vatranë e shqiptaro-amerikanë teksa i dhurova një bust në miniaturë të Shenjtores shqiptare Shën Nënë Tereza.
Papa Françesku ishte reformator e vizionar, mbajti kishën të bashkuar, zhvilloi dialogun ndërfetar dhe ngriti fort zërin për çështje që shqetësojnë e kërcënojnë mbarë njerëzimin.
Pusho në paqe Atë i Shenjtë
Gjithë njerëzimi do të kujtojë për testamentin e jashtëzakonshëm që trashëgoi prej Shenjtërisë suaj.
Me dhimbje të thellë e pikëllim në zemër
Përjetë mirënjohës
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha