NGA MARJANA BULKU/NEW YORK/
Aty mund të “takosh ” Portrete historike që koha nuk i fshiu, as distancat e largëta që na ndanë, foto historike që flasin sa një mijë fjalë dhe fjalë që mbartin larminë informative të qindra fotove edhe pse bardhë e zi. Aty mund të kuptosh se cfarë ishte dhe është transparenca,dallon se si ato kontribute që shqiptarët e Amerikës ia dërgonin vendit amë publikohen në mënyrë të detajuar jo si reklamë por si mirnjohje, jo si mburrje por si detyrim që vjen natyrshëm nxitur nga atdhedashuria.Aty mund te ndjesh se si shkruhet dhe ruhet historia edhe pse permes debatesh .
Për herë të parë Vatrën e vizitova me artisten e madhe shqiptare Tinka Kurti e m’u duk sikur po asistoja në ndonje nga rolet e saj gjigande ende te painterpretuara,ekluzive,sidomos kur ajo i afrohet botimit me foton e Nanë Terezës dhe reciton vargje që i kishte shkruar për të në vitin 1997.Në fakt nuk ishin thjesht vargje por tingellonin si lutje që artikuluar prej Artistes se Popullit Tinka Kurti mbartin fuqi të jashtëzakonshme (sa keq që nuk asistuam me kamerat e Albanian Culture TV një moment si ky). U perlot, na perloti…sic vetem artistet dijne.
Portretet historike qe duket sikur te urojne mirseardhjen ne Vater e që për mua janë aq të dashur edhe nga pikpamja letrare; Konica dhe Noli, më flasin shumë mbi dualitetet tona historike shpesh konfliktuale për shkak të moskuptimit apo mospranimit të pluralizmit të ideve.Ata janë në dy këndet e sallës modeste të sistemuara si dy kreret e simbolit tone mbi flamur dhe pasaporta per te cilin te huajt pyesin jo pa kureshtje, mirmbajtur shkelqyer dhe që prezantohen në mënyrë të palodhur nga editorialisti i Diellit dhe ciceroni (nëse mund ta quaj kështu) i këtij muzeumi të improvizuar shqiptar tashmë, Zotit Dalip Greca, mu në New Yorkun gjigand. Me sytë e fiksuar pas Konicës nëpër mendim më vijnë aktet e tij aq qytetare e pro shqiptare, personazhet delikatë e kualitativë që ndesheshin me realitetin e egër synatë që mbillte politika e padrejtë për të asfiksuar të drejtën, të bukurën, të moralshmen. “Unë doja të zbusja shkëmbin…” një mision i pamundur zulluland…
E pamundur ti ikësh asaj cka izolimi nuk na la të dijmë rreth këtyre shqiptarëve të mëdhenj që i bëjnë nder gjithkujt.Ata e njohën aq mirë Shqipërinë dhe shqiptarët, e bënë aq të njohur atë në botën gjigande, shkruajtën për të, kontribuan letersise,politikes diplomacise , u zhgënjyen, nuk e harruan kurrë Shqiperine edhe kur ajo i mohoi sepse ndërtuan Shqipërinë tjetër, atë që e pagëzuan 104- vjet më parë me emrin Vatra. E ruajtën Shqipërinë edhe kur asaj i bënte roje kufiri me gjëmba, e deshën Shqipërinë edhe kur ajo dhunohej nga diktatura, e mbrojtën atë kur lakmitë e gërryejtën, e sollën deri në ditët tona me libra e shkrime, ngjarje e veprime që meritojnë mirënjohje dhe nderim. Sa debitore është letërsia shqipe ndaj të madhit Faik Konica duke ia mohuar kryevendin në piramidën e letërsisë shqiptare dhe historisë së saj të realizmit socialist aspak realist.Sa debitor eshte shteti shqiptar ndaj atyre qindra persekutimesh te padrejta qe mbartin fisniket qe lane Shqiperine por historite e tyre shkruhen e ruhen ne Vater. Aty kupton se historia është plurale, ajo flet përmes të shkuarës dhe të tashmes duke tentuar të nesërmen. Ajo nuk mund të jetë kurrsesi pronë e partive apo mllefeve personale. Vatra ne syte e mi është një copëz e vogël Shqipërie që e duan njerëzit e mëdhenj, të thjeshtët dhe të zakonshmit por që e lartësojnë veprat e mira, ato që xhelozitë dhe smirat, tinëzitë dhe babëzitë nuk i arrijnë dot.
Muret e vatrës janë histori, plot me shkrime, ngjarje, personazhe që historia jonë e shkruar njëanshmërisht, e diktuar nga miopizmi diktatorial nuk na i mësoi kurrë. Mjediset e Vatrës mbartin plot ndodhi, promovime e ngjarje te thjeshta e madhore që e mbajnë atë në jetë.Nëpër bisedat tona me zotin Greca kemi përsëritur se nxënësit që mësojnë shqip në SHBA pse jo edhe në Shqipëtari kanë rastin më të mirë që ekskursionet studimore ti kryejnë në Vatër. ”Është si teqe”, -shprehet Greca, në kuptimin se aty qoftë edhe duke e vizituar ndjen një lloj qetësimi që të sjell takimi me etërit e Kombit tonë, ata që e lindën e që ndofta mund ta rilindin sërishmi Kombin dhe vetveten duke mos ia asfiksuar historinë. Në librin me përshtypje të vatrës janë plot emra që hyjnë e dalin, kontributorë dhe dashamirës, kritikë dhe nihilistë, indiferentë dhe nga ata që kanë dhënë mjaft nga djersa dhe mundi i tyre sepse Vatra është një copë atdhe diku në Amerikën e largët, ku flitet shqip, festohet shqip, debatohet shqip ëndërrohet shqip.