

Një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, William Walker, pritet të vizitojë Bostonin, ku do të zhvillojë dy aktivitete të rëndësishme me komunitetin shqiptar.
Kjo vizitë organizohet nga Vatra – Dega Boston, në bashkëpunim me Fan S. Noli Cultural Center & Library pranë Kishës së Shën Gjergjit dhe Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvard University, duke sjellë kështu në Boston një figurë historike që lidhet drejtpërdrejt me ngjarjet më të rëndësishme të Kosovës.
Vizita e Walker vjen si pjesë e një serie aktivitetesh që Vatra po organizon për të sjellë në Boston figura kyçe që kanë kontribuar për çështjen shqiptare. Vetëm pak kohë më parë, në kuadër të festës së Pavarësisë së Kosovës, Vatra solli në Boston ish-kongresmenin amerikan Joseph DioGuardi dhe bashkëshorten e tij Shirley DioGuardi, dy prej mbështetësve më të mëdhenj të shqiptarëve në SHBA.
Aktiviteti i parë do të zhvillohet të shtunën, më 28 mars 2026, në orën 10:00 AM në Harvard University (Boylston Hall 105, 5 Harvard Yard, Cambridge, MA), ku ambasadori Walker do të flasë për Kosovën, rolin e tij historik dhe zhvillimet aktuale. Moderimin e këtij takimi do ta bëjë gazetarja Entela Sula Prifti.
Më pas, në orën 12:30 PM, aktiviteti do të vijojë në Fan S. Noli Cultural Center & Library (523 E. Broadway St., Boston), ku do të zhvillohet një diskutim mbi librin “Reçaku – Historia e një krimi lufte”. Moderimin e këtij aktiviteti do ta bëjë editorja e gazetës “Dielli”, Rafaela Prifti.
Aktivitetet do të përfshijnë diskutim, shfaqje filmi dhe mundësinë për të marrë librin me firmën e Ambasadorit Walker.
Kjo vizitë konsiderohet një moment i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Boston, ndërsa organizatorët bëjnë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në këto aktivitete.