Nga Dr. Gjon Bucaj*/
Asht nderë e kënaqësi për vatranët dhe për të gjithë neve, t’ju përshëndesim me nderime e dashamirësi sonte në mesin tonë. Përshëndetje të përzemërta klerikëvet tanë dhe mirëseardhje Ambasadorit të Shqipnisë në Washington, zotit Gilbert Galanxhi që ju përcjell gjatë kësaj vizite në Shtetet e Bashkueme, Sekretarit të Shërbimit Diplomatik zotit Besnik Konçi, dhe Konsullit të Përgjithshëm zotit Dritan Mishto me zonjën, i cili asht shumë i afërt me Vatrën dhe me komunitetin në përgjithësi. Jemi mirënjohës të gjithëvet që na nderoni me prezencën tuej.
Familja vatrane po ju pret bashkë përfaqësuesit e institucionevet fetare që, krahas me shërbimet fetare përkatëse, zhvillojnë edhe aktivitete të dobishme me karakter kombëtar.
Vizitën tuej sot në selinë e “Vatrës”, si dhe takimin në këtë darkë familjare, i shohim si vlerësim nga ana e juej, për kontributin që kjo organizatë e shqiptarëve t’Amerikës i ka dhanë kombit për ma se një shekull. E shohim, gjithashtu, si mbështetje për vatranët e tashëm dhe për komunitetin shqiptar të Amerikës në përgjithësi, në përpjekjet për t’a shtri “Vatrën” në të gjithë Amerikën dhe në Kanada, tue sjellë në gjinin e saj brezin e ri, për t’a projektue me besim drejt së ardhmes, në frymën kombëtare të trashigueme nga themeluesit e saj. “Vatra” synon të jetë një za i fortë kombëtar, objektiv, i pavarun nga rrymat politike.
Për zgjedhjet e 23 qershorit të kaluem, shumica e vatranëvet patën shprehë mendimin që proceset e integrimit dhe planet ekonomike të vazhdonin pa u ndërpre nga ndërrimi i administratës. Megjithate, në përgjithësi u vlerësue pozitivisht zbatimi i normavet demokratike me njohjen e rezultatit dhe me dorëheqjen e ish Kryeministrit Berisha nga drejtimi i Partisë Demokratike, si kontribut i randësishëm për krijimin e klimës së bashkëpunimit paszgjedhor.
Administratës së re i dëshirojmë qeverisje të drejtë, në frymë demokratike, me suksese në interesin e Shqipnisë dhe të popullit shqiptar. Pozitës dhe opozitës u dëshirojmë bashkëpunim konstruktiv, tue mos lejue rivalitetet partiake të cenojnë interesat e përbashkëta të kombit e të atdheut. Konfliktualiteti politik asht i damshëm për vendin dhe i dobishëm për askend.
Në takimet e së kaluemes me zyretarët e lartë të Shqipnisë, kemi vlerësue arritjet në periudhën e tranzicionit, si në ndërtimin e infrastrukurës, në procesin e integrimit në NATO dhe të liberalizimit të vizave, në përkrahjen e fuqishme të Kosovës për pavarësi, si dhe në ecjen drejt integrimit në Europë. Vazhdimisht kemi sjellë në vemendje nevojën e thellimit të matejshëm të reformavet dhe zgjidhjen e problemevet që shqetsojnë shqiptarët si: integrimi dhe damshpërblimi i shtresës së të përndjekunvet, këthimi i pronave të konfiskueme nga regjimi komunist, hapja e dosjeve të diktaturës, ligji i lustracionit dhe korrupsioni i lartë. Kemi besim se me ju, zoti President, në krye të shtetit dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, realizimi i këtyne dhe tjera reformave të nevojshme, do ta ketë rrugën ma të lehtë për të kalue, në se ato arrijnë mbi tavolinën tuej. Këtë herë po përqendrohemi tek randësia që harmonia ndërfetare e shqiptarëvet ka për stabilitetin dhe për mirëqenjen e kombin tonë. E shohim nevojën që, organet shtetnore e kulturore, të tregojnë ma shumë vlerësim, përkrahje dhe mbrojtje, për institucionet fetare dhe për klerikët të cilët, shërbimin shpritnor, e ushtrojnë me përkushtim për besimin përkatës dhe, në të njejtën kohë, ia njofin vleren dhe i dalin zot vëllaznimit të gjakut shqiptar. Asht krenari dhe kënaqësi për ne që shembullin e klerikëve të tillë e kemi këtu bashkë me, në pritjen e Presidentit të Republikës së Shqipnisë.
Ju urojmë sukses në takimet e rëndsishme të këtyne ditëve, në Nismën Globale Klintoni 2013.
Ju urojmë shëndet e të mira familjare dhe energji e suksese në krye të Shtetit Shqiptar.
*Përshëndetja e kryetarit të Vatrës gjatë darkës me presidentin Bujar Nishani me 24 shtator 2013