
Washington, 20 Shkurt 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” zhvilloi një vizitë zyrtare në Departamentin e Shtetit Amerikan. Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha, Sekretari Dr. Pashko Camaj dhe aktivisti i çështjes kombëtare z.Bardh Tomaj u pritën në takim nga zonja Colleen Hyland – drejtoreshë e Zyrës së Europës Jugore Qendrore në Departamentin e Shtetit Amerikan. Tema të diskutimit ishin: Zgjedhjet dhe proceset demokratike në Kosovë, nevoja për formimin e qeverisë dhe institucioneve ligjzbatuese, nevoja e forcimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim sa më të shpejtë euroatlantik, roli i Vatrës në forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane dhe rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve shtetëtore amerikane dhe atyre të Kosovës e Shqipërisë, situata dhe zhvillimet politike në Shqipëri, vazhdimësia e partneritetit shqiptaro-amerikan dhe mbikëqyrja proceseve dhe zhvillimeve demokratike në Kosovë dhe Shqipëri. Zonja Colleen Hyland- drejtoreshë e Zyrës së Europës Jugore Qendrore në Departamentin e Shtetit Amerikan vlerësoi rolin e Vatrës dhe këmbënguli për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes Federatës Vatra e Departamentit të Shtetit Amerikan.