Sokol Paja/
Florida, 6 Tetor 2022- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA zhvilloi mbledhjen e radhës së Këshillit në Fort Lauderdale. Me një pjesëmarrje masive të anëtarëve të Këshillit e Kryesisë së Vatrës fizikisht dhe në platformën dixhitale zoom, të gjithë anëtarët dhanë diskutime e tyre, ide, forma e metoda sesi të zhvillohet Vatra e shekullit të 21. Në panelin e drejtuar nga kryetari i Këshillit Z.Kolec Ndoja, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj dhe nënkryetari i Këshillit Kolonel Dritan Demiraj, mbledhjen e hapi kryetari i Këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja i cili ishte organizatori dhe mikpritësi i këtij takimi vëllazëror. Në fjalën e hapjes z. Kolec Ndoja theksoi se Vatra prezantoi dhe mbrojti shtetin shqiptar në ditët më të vështira e nevojitet që ky mision i shenjtë të vazhdojë. Në fillim të takimit u mbajt një minutë heshtje për Dr. Gjon Buçaj, Zef Balaj, Dalip Greca, Zef Përndocaj, vatranë e personalitete të shquara shqiptare në mërgatën e Amerikës. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha deklaroi në fjalën e hapjes: “Jam këtu për t’iu falënderuar dhe kërkuar falje për gabimet e bëra në punën për sukseset tona kolosale të përbashkëta”. Z. Berisha diskutoi rreth vizionit të lidershipit të Vatrës, përfshirjes së intelektualëve në Vatër, të rinjve e të rejave, elementit femëror në Vatër dhe fuqizimi i Vatrës duke u kthyer në substancën e saj. Kryetari Berisha kërkoi respekt, vëllazëri, bashkëpunim të fortë mes vatranëve. Z.Kolec Ndoja kërkoi Organizim të strukturave të brendshme të Vatrës, fuqizim i pushtetit të Këshillit, Degëve, Vatranëve. Hartimi i Rregulloreve dhe akteve nënligjore që funksionalizojë veprimtarinë e Vatrës e vatranëve, krijimi i komisioneve që do hartojnë rregulloren e Vatrës. Ndër komisionet do jenë: Komisioni i financës dhe administratimit, Auditorit, investimeve e donatorëve, degëve të Vatrës, trashëgimisë së Vatrës, kulturës dijes e historisë, komisioni i të përndjekurve politikë, i ligjeve dhe ankesave. Ai kërkoi që Vatrën ta mbështesin shqiptarët e Amerikës. “Vatra do jetë mbi politikën. Vatra do rrijë si shqipja mbi male” përfundoi z.Ndoja. Lek Mirakaj në fjalën e tij diskutoi rreth temës së të përndjekurve politikë, pastërtisë së figurës për personat që do konkurojnë për poste drejtuese në Vatër, votimi mbi kanunoren e Vatrës në Kuvend, mandatin, mosbotimet në gazetën Dielli, diskutime mbi skemën e financimeve në Vatër etj. Julian Çefa vatran që nga viti 1968 deklaroi: Vatra organizata ma dinjitoze e ma serioze e kombit shqiptar. Vatra e Vatranët të kenë bashkim e bashkëpunim për të ecur përpara. Mark Mërnaçaj kërkoi nga arkëtari i Vatrës gjendjen financiare të arkës së Vatrës, diskutoi rreth Kuvendit të fundit, Kanunores etj. Merita Bajraktari ndër të tjera kërkoi që të gjendet mënyra më e mirë për të ecur përpara, bord editorial për gazetën, jo personalizim të çështjeve por idealizëm dhe dashuri për atdheun. Agustin Mirakaj kishte pyetje rreth Kanunores, votimit në Kuvend, diskutimeve, ngjarjeve të brendshme në Vatër etj. Ervin Dine diskutoi rreth themelit të Vatrës dhe fuqizimit ekonomik të Federatës. Astrit Gjonpalaj diskutoi rreth donacioneve, kontributeve dhe meritave në Vatër. Ilir Cubi kërkoi mirëkuptim dhe vazhdimësi prej të gjithë vatranëve. Ai solli në kujtesë aktivitetin e tij nga koha e Prof. Arshi Pipës. Z.Gëzim Nika deklaroi se Vatra është gjëja me e shenjtë e kombit shqiptar dhe kërkoi zhvillim të mendimit të lirë e situatat të kalohen dhe të ecin përpara. Angjelina Nika kërkoi bashkim dhe unitet prej të gjithë vatranëve. Bashkim Musabelliu arsyetoi votimin e Kanunores në Kuvend dhe kërkoi historinë e krijimit të fondit të studentëve. Mehmet Kadrija foli rreth ndihmës që ka dhënë Vatra e Vatranët për shtetin e kombin shqiptar. Ai listoi disa raste të ndihmës financiare të Vatrës ndaj shtetit e personaliteteve të larta të shtetit. Gjok Deçkaj foli rreth vështirësive në të cilat ka kaluar Vatra dhe përpjekjet për vazhdimësinë e saj. Tasim Ruko ndër të tjera kërkoi që nga Vatra të propozohen deputetë apo kryetarë bashkisë në Shqipëri. Mondi Rakaj diskutoi rreth fuqizimit të financave të Vatrës, dhe riinvestimit në të ardhmen të godinës së Vatrës. Adriatik Spahiu kërkoi që të punohet për Vatrën e shekullit të ri.
Ylli Dosku dha mesazhe paqësore për Vatranët, kujtoi sukseset e Vatrës dhe kërkoi që Vatra të ngrejë zërin për pluralizmin në Shqipëri. Shpresa Gallaj kërkoi transparencë financiare dhe raport për çdo mbledhje të financave të Vatrës dhe kërkoi që të krijohet një fondacion non-profit. Dr. Pashko Camaj foli rreth rëndësisë së diversitetit në Vatër dhe nevojës së avancimit të vendimeve të shumicës për të ecur përpara për të mirën e Vatrës, vatranëve e kombit shqiptar. Ndrek Tonaj e cilësoi domosdoshmëri vazhdimësinë të gjithë së bashku, vëllazëri, mirëkuptim e bashkëpunim për të mirën e të gjithë vatranëve. Studiuesi Dr. Paulin Marku kërkoi nga vatranët pjesëmarrje aktive në aktivitete të Vatrës, bashkëpunim me gazetën Dielli, organizimin e Bibliotekës Shkencore të Vatrës, projekte afatgjata për zhvillimin e Vatrës. Dr. Iris Halili vlerësoi simbolikën e takimit në Florida si shenjë respekti e vlerësimi ndaj shqiptarëve që po fuqizohen në shtetin e Floridës. Kërkoi që të bëhen përpjekje për fuqizimin e femrës në Vatër dhe brezit të ri. Paulin Mërnaçaj vlerësoi bashkimin e vatranëve për të ecur përpara. Nesti Nikaj kërkoi mbështetje ndaj luftëtarëve të UÇK, votën e diasporës, deputetët e diasporës. Anton Raja kërkoi prej të gjithëve që të punojnë në çdo kohë për të mirën e Vatrës. Drita Vushaj vlerësoi punët e vatranëve dhe afrimin e njerëzve vullnet mirë në Vatër. Kryetari i Këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja mbajti fjalën e përmbylljes së takimit vëllazëror. Në përfundim u hodhën ide rreth fuqizimit të rolit të Vatrës dhe përfshirjes së Vatrës në procese vendimmarrëse për të mirën e të gjithë vatranëve e shqiptarëve kudo në botë.