Sokol Paja/
Vatrani Prof. Dr. Rifat Latifi, kryetar dhe Profesor i Kirurgjisë në Kolegjin Mjekësor të New York, Shkolla e Mjeksisë dhe Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë në Rrjetin Shëndetësor të Qendrës Mjekësore Westchester në Valhalla, New York është emëruar Ministër i Shëndetësisë në Kosovë. Prof. Dr. Rifat Latifi është Shefi i Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Mjekësore Westchester dhe anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (ACS), Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve (ICS) dhe të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Prof.Latifi shërben në bordet editoriale të shumë revistave ndërkombëtare. Prof. Latifi është anëtar i një numri të organizatave të shumta kirurgjikale shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Pas emërimit, në fjalën falenderuese Ministri i Shëndetesise Dr. Latifi tha: “Faleminderit për nderin e madh që më keni bërë me këtë detyrë të jashtëzakonshme. Do të angazhohem me gjithë qenien për t’i ngritur standardet shëndetësore. Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore, ne do të investojmë në rritjen e kualitetit të shërbimeve. Shërbimet do të krijojnë të ardhura, me të ardhurat e shërbimeve ne investojmë sërish në kualitet”, tha ministri i ri, Latifi. Dr. Rifat Latifi gjatë vizitës së fundit në Vatër u shpreh: “Jam shumë i gëzuar që jam sot në mesin tuaj. U gëzova shumë kur erdha dhe e gjeta derën e Vatrës të hapur. Kjo derë duhet të qëndrojë e hapur përgjthmonë për secilin prej nesh që të kontribuojmë me aq sa mundemi. Unë kam qenë pjesë e Vatrës që kur kam qenë në specializim në Yale University në vitet 90. Përveç gëzimit që përjetoja në sallat kur operacionet dilnin me sukses, gëzimi dhe kënaqësia e dytë ishte kur vija në Vatër. Edhe pse kam shetit shumë shtete të botës dhe Amerikës, kurrë Vatrën nuk e kam hequr nga zemra e mendja ime. Lidhja me Vatrën është një lidhje me atdheun, me tokën tonë, kjo lidhje e shënjtë duhet të adaptohet dhe të respektohet prej të gjithëve neve sa jemi e kudo që jemi. U jam mirënjohës për ftesën z.kryetar, por ju nuk duhet të na ftoni, ne duhet të vijmë vetë këtu. Se kjo është toka jonë, kjo është Shqipëria jonë, Kosova jonë, struktura jonë, krejt jeta jonë. Para 20 vitesh ne filluam implementimin në Kosovë të telemjeksisë e teleshëndetësisë. Ishte një hap gjigand për kohën, ndërsa sot krejt bota e ka adaptuar atë sistem. Sot Shqipëria ka 47 qendra të telemjeksisë ndërsa Kosova ka vetëm 9 qëndra. Ne e kemi pasur si vizion që tash 20 vjet. Ne sapo kemi themelu Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës. Kemi lidh besë për me e ndërru faqen e mjeksisë shqiptare. Ne duhet të ndihmojmë sa më shumë shtetin tonë e kombin shqiptar. Nëse para 30 vitesh do më thonte dikush se do ishe pjesë e një tavoline, e një zyre, e një organizate ku ka kontribu Noli e Konica do më dukej si një ëndërr e largët. Të jesh sot në Vatër është nder dhe krenari. Sot përbetohem se krejt energjinë time fizike, kapacitetin tim shkencor e intelektual kam për t’ia dedikuar kauzës me të cilën Vatra jeton tash e më shumë se një shekull” pati deklaruar në Vatër Dr. Rifat Latifi.