Nga MILENA GABANELLI dhe SIMONA RAVIZZA/
Përktheu nga “Corriere della Sera”, 28 prill 2020 – Eugjen Merlika /
Çdo ditë të gjithë Vëndet e Evropës (e jo vetëm) njoftojnë gazetat zyrtare me infektimet e vdekjet. Por, në veçanti mbi numurin e vdekjeve sa janë të besueshëm Italia, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Suedia, Zvicra dhe Vëndet e Ulta? Për Gjermaninë dhe Belgjikën nuk është e mundur të dihet, sepse nuk njoftojnë ende të dhënat e nevojshme për t’a zbuluar. Në bazë të statistikave zyrtare, sot Italia është Vendi evropian më i goditur mbas Spanjës. Bilanci dramatik i viktimave, tashmë rreth 27 mijë, është në të vërtetë më i lartë. Për të kuptuar dëmin e vërtetë të virusit mbi Vendin tonë, në krahasim me pjesën tjetër t’Evropës duhet ditur kush thotë të vërtetën dhe sa është reduktuar numëri i vdekjeve. Të dhënat mbi të vdekurit nga Covid – 19, që na njoftohen çdo ditë, bëjnë fjalë për vetëm ata pacientë që kanë një diagnozë të përcaktuar me siguri nëpërmjet tamponit, pra janë më të ulta në krahasim me të vërtetën. E njëjta gjë ndodh edhe në Vendet e tjera evropiane të marrë në shqyrtim. Një përpunim i Institurit për studimin e Politikës ndërkombëtare (Ispi) mbi të vdekurit e regjistruar nga Institutet përkatëse të statistikave kombëtare, që Dataroom shqyrton më parë, na lejon të krahasojmë Vend për Vend, numërin e të vdekurve të këtij viti me atë të viteve të shkuara. Ndryshimi duhet t’i përkasë të vdekurve me Covid-9, por simbas të dhënave të njoftuara gjatë muajve të epidemisë ka një ndryshim të madh. Çfarë do të thotë? Që janë të vdekurit e paregjistruar, pra pacientë që e kanë takuar sëmundjen, por të cilëve nuk u është bërë tamponi dhe ata që kanë ndërruar jetë për pasojat anësore të koronavirusit: nga pacientët me infarkt, iktus, aneurizma, ose të tjera patologji, të pavizituar e të pandihmuar në kohë për shkak të spitaleve plot. Mbasi të jetë përcaktuar ku numër mund të dihet se cilët Vende kanë gënjyer më shumë në njoftimet dhe cilët kanë treguesin më të lartë të vdekësisë për një milion banorë.
Përballja me vitet e mëparëshme
Periudha e marrë në shqyrtim ndërmjet një vendi apo një tjetri, mund të luhatet me ndonjë ditë, por në bazë të përditësimit që secili bën, gjithmonë analizohen të dhënat e të vdekurve të regjistruara nga Institutet e statistikave kombëtare ndërmjet marsit e prillit 2020, të krahasuara me mesataren e katër viteve të fundit (2015 – 2019). Për të patur një përballje të besueshme, natyrisht nuk mund të krahasohen të dhënat e minutit të fundit. Të harrojmë për një çast gazetat zyrtare e të shohim të vdekurit e regjistruar nga zyrat e gjendjeve civile. Spanja numëron 68.056 të vdekur kundrejt 39.981 të së njëjtës periudhë të viteve të mëparëshme. Është Vendi në të cilin rritja është më e madhe: 70 % më shumë. Hollanda shënon 50 % më shumë (22.352 kundrejt 14.895). Vazhdon Italia me 78.757 vdekje më 4 prill kundrejt 57.882. Të dhënat e njohura të Institutit të statistikave na thonë se shtimi mesatar në nivelin italian është 36 % (e dijmë mirë se më e goditura është Lombardia me shtesë që arrin deri në dhjetëfish në komunat e zonës së Bergamos). Edhe Mretëria e Bashkuar regjistron 36 % më shumë (63.842 kundrejt 46.877). Pastaj Zvicra me 25 % më shumë, Franca e Suedia me 20 % më shumë.
Viktima reale dhe vdekje të njoftuara
Kjo shtesë vdekjesh, në gjuhën e statistkës përcaktohet si “tejkalim vdekësie”. Për të bërë një hap më përpara duhet të gjejmë ndryshimin sasior ndërmjet viktimave më shumë që numërohen këtë vit dhe të vdekurit që na njoftohen çdo ditë nga Mbrojtja qytetare dhe autoritetet e Vendeve të tjera. Përballja nxjerr në pah një numër: atë të viktimave të papërfshira nga buletinet Covid-19, ose më mirë nënvlerësimi. Në majë të renditjes është në terma absolutë Britania e Madhe (8.184 më pak), pastaj Spanja (7.326 më pak), Italia (5.547 më pak), Hollanda (3.797 më pak), Franca (3.679 më pak), Zvicra (339 më pak) dhe Suedia (298). Vë re studjuesi i Ispi-t Matteo Villa: “Kështu kuptojmë akoma më mirë se çfarë mungon për një përparim më sistematik drejt Fazës 2: t’arrijmë të ruajmë gjurmët e njerëzve të vdekur është shumë e rëndësishme për të kuptuar si po vazhdon realisht epidemia në secilin Vend”
Mungesa e llogaritjes së vdekjeve të Covid-19
Është e natyrshme që jo të gjitha vdekjet në tejkalim mund të quhen me siguri të shkaktuar nga Covid-19. Por numëri është treguesi më i besueshëm që mund të kemi mbi përqindjen e vërtetë të ndikimit t’epidemisë mbi popullsinë, t’ashtuquajturave “pasoja anësore”, që përfshijnë pikërisht vdekjet jo nga koronavirusi, por të pacientëve që nuk kanë arritur të kuroheshin më së miri, për arsye të çastit në të cilin spitalet ishin të përlara nga të sëmurët me Covid-19. Këtu marrim në shqyrtim ndryshimin ndërmjet vdekjeve reale dhe atyre të njoftuara jo më në terma absolutë, por në përqindje. Del në dritë renditja e Vendeve me buletinet më pak të besueshme. Mos llogaritja më e madhe është e Hollandës (104 %), mbas saj Mbretëria e Bashkuar (93 %), Franca (41 %), Italia (36 %), Suedia dhe Spanja (35 %) dhe Zvicra (34 %). “Nuk është e vërtetë që Italia nuk llogarit vdekjet shumë më tepër se Vëndet e tjera evropiane – nënvizon Villa – Përkundrazi është e habitëshme të vërtetohet se janë pak a shumë të gjithë në të njëjtën vijë ndërmjet 30 e 40 %, veç Hollandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, që janë shumë larg nga të tjerët”. Në përgjithësi e vërteta është që të dhënat e njoftuara janë të nënvlerësuara për 49 %. Shkurt i mungon thirrjes një viktimë në tre.
Ndikimi mbi popullsinë
Të dhënat reale – ose të vdekurit më shumë në krahasim me vitet e shkuara – na lejojnë të dijmë se cili është Vendi evropian me të vërtetë i goditur më shumë për një milion banorë. Spanja 663 vdekje, Italia 586, Mbretëria e Bashkuar 554, Hollanda 524, Franca 482, Suedia 295, Zvicra 246. “Kjo renditje është shumë më realiste se ajo që do të kishim duke përdorur vetëm numërat e njoftuara” përsiat Villa.
Çështja Belgjikë
Belgjika është një rast në vete, madje pothuajse i panjohur. Nuk është e mundur të llogaritet numëri real i të vdekurve të shkaktuar nga pandemia, sepse nuk është përditësuar regjistri me numërin e përgjithshëm të vdekjeve në mars e prill. Por qeveria belge thotë se është më e tejpamëshme në krahasim me pjesën tjetër t’Evropës sepse, brënda 7200 të vdekur Covid të njoftuara, fut edhe sintomatikët e patestuar dhe vdekjet e dyshimta në shtëpitë e pushimit, ku po kryhet një plojë e heshtur. Pothuajse 50 % e të vdekurve. Edhe po t’a marrim këtë numër për të mirë, mbeten jashtë llogarisë gjithë të tjerët. Në fakt edhe po të merret për bazë e vetmja e dhënë e njohur, mesatarja e vdekjeve të viteve 2009 – 2018, mund të shihet për shembull se nga data 7 deri në 13 prill numëri i të vdekurve nga Covid-19 kalon atë të gjithë shkaqeve të tjera të marra së bashku.
Nëse duam t’i përmbahemi buletineve zyrtare të komunikuar nga gjthë Vendet, Belgjika sot ka numërin më të lartë të vdekjeve të gjithë kontinentit (ndoshta edhe të botës): 597 për një milion banorë, kundrejt 480 të Spanjës e 430 të Italisë. Një e dhënë rrënuese nëse mbahet parasysh që nuk është vetëm një Vend i vogël i Bashkimit (11 milion banorë), por përfaqëson vetë zemrën e Evropës. Brukseli është selia e Parlamentit dhe e Komisionit evropian dhe rinisja fillon edhe që aty. Megjithatë mbi mbarështimin e pandemisë është edhe Vendi mbi të cilin ka më pak njohuri.
Përktheu nga “Corriere della Sera”, 28 prill 2020 – Eugjen Merlika /