NGA VISAR ZHITI/
Kohët e fundit është botuar në Tiranë vepra “Kartela të Realizmit të Dënuar” me autor Visar Zhitin, nga botuesi “Uegen”, nën kujdesin e shkrimtarit dhe studiuesit Xhevair Lleshi.
Kjo sprovë e gjerë letrare, rezultat i një pune shumë vjeçare, na sjell “letërsinë tjetër”, kur zyrtarisht ushtrohej Realizmi Socialist, me shkrimtarë të paguar nga shteti diktatorial, i cili i konsideronte dhe i trajtonte ata si oficerë të vetin, ndërkohë shkrimtarët kundërshtarë, ata që nuk e donin socrealizmin apo nuk e ushtruan, etj, u komplotuan me heshtje e margjinim, por një pjesë dhe u internuan, u burgosën apo u pushkatuan. U dënuan dhe veprat e tyre, madje dhe lexuesi.
Këtë gjëmë sjell dhe libri “Kartela të Realizmit të Dënuar”, letërsinë tjetë, që sipas Visar Zhitit solli ato që mungonin, të vërtetat dhe moralin e letërsisë. Vepra ka patur jehonë në media brenda dhe jashtë vendit, në diasporë dhe vazhdon të kërkohet nga lexuesi.
Lexuesit po i sjellim disa faqe nga libri “Kartela të Realizmit të Dënuar” i Visar Zhitit kushtuar Vehbi Skënderit, Elida dhe Skënder Buçpapajt. Ndodh jo shpesh që Zoti i bën bashkë në një familje poetët. Kujtojmë se Vehbi Skënderi është babai i Elidës dhe vjehrri i Skënder Buçpapajt.
NJË KARTELË NGA MESI:
Vehbi Skënderi
dhe bija e tij e poezisë…
…s’po dukej më në faqet e gazetave, as në vitrinat e librarive emri i poetit Vehbi Skenderi. E kanë ndaluar… Ku i kishin çuar, në ç’internim?
Ishte poeti që më jepte kurajo, kur trokisja redaksive për botim e më prapsin.
…bir i një familjeje të një kleriku të njohur nga Korça, nga fshati Strelcë, ku dhe lindi në maj të vitin 1927 dhe aty kreu dhe shkollën fillore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore e rrëmbeu me forcë ushtria greke dhe e dërgoi në front, të punonte për rrugët.
Ikën në Tiranë dhe studion në “Medresenë e Lartë” nga vitet 1941-1943, por i ndërpret dhe del malit partizan, të luftojë me armë në dorë pushtuesin. Plagoset dy herë. Dhe shkruante. Boton së pari në gazetën “Bashkimi” historinë tronditëse të një çami.
Mbas luftës i kthehet gazetarisë, punon në revistën “Miqësia” e më pas në “Hosteni” dhe kalon në “Ylli” dhe me propozim të poetit Lasgush Poradeci, në vitin 1950 pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në vitin 1953 nxjerr librin “Këngët e para”. Më pas “Vjersha”.
Përfundon studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1961, diplomohet për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe boton librat “Fletë nga ditari im” (1964), “Vazhdim i një bisede” (1971), “Vdekja e Ofelisë” (1971), vjersha, poema, antologji, etj. Ndërkaq është bërë redaktor i poezisë në shtëpinë e vetme botuese “Naim Frashëri”, kur ka filluar përplasjet ideore me regjimin, madje dhe hapur, kur me një grup intelektualësh të njohur si profesor Selman Riza, kolonel Dilaver Radëshi, historiani Zija Shkodra, etj. përgatisin një “Brigadë shtypi”, por partia do e cilësonte si veprimtari armiqësore, nacionaliste, ngrinin çështjen e Kosovës, duke e parë atë si pjesë të robëruar të atdheut dhe kështu nisin kundër tyre senanca gjyqesh absurde dhe të ankthshme. Dënohet grupi dhe me burgje.
Poeti Vehbi Skënderi shpallet “i ndaluar”, hiqet nga Partia dhe e dëbojnë nga Tirana, e dërgojnë larg të punojë si punëtor krahu në digat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Kalojnë 5 vjet dhe “puna korrektuese” vazhdon, në kantiere të tjera.
Viti 1973 do të jetë fatal për letrat shqipe. Pleniumi IV i Partisë dënoi liberalizmin në art, “ndikimet e huaja revizioniste dhe borgjeze”, atë pakëz pranverë shqiptarë, që u tha shpejt. U dënuan autorë dhe vepra dhe u ridënuan të dënuar. Vehbi Skënderin e internojnë, e dërgojnë familjarisht në një fshat pas Malit të Dajtit. Do të donte të vriste veten, por kishte gruan dhe vajzën e tij të vetme, që po ndjehet jetime me babanë gjallë, se kishin filluar ta shihnin shtrembër e me dyshime dhe atë, si me “biografi të keqe”.
Pas 10 vjetësh përndjekje Vehbi Skënderi mundi të kthehet në Tiranë, i plakur befas duke punuar në Kombinatin Poligrafik fillimisht si hamall..
Vajza, Elida Skënderi, do të ishte një nxënëse e shkëlqyer, e donte poezinë dhe po shkruante si i ati. Por ajo s’mund të botonte si ata të rinj e të reja “me biografi të keqe”, që madje ndodhte të shaheshin dhe rrugëve nga militantët e gjimnazeve, të edukuar me frymën e re të luftës së klasave.
Mbaron shkollën e mesme dhe bën gati librin e saj të parë me poezi “Vij”. Jo libri që s’mund të botohej, por nuk e lejuan as të vazhdojë universitetin, por e derguan të punojë punëtore në fabrikën e pllakave dhe në Varrezën e Sharrës. Megjithatë shkruante prapë dhe mësonte gjuhë të huaja në kujdesin e babait dhe të gjuhëtarit, përkthyesit të shkëlqyer, mistikut Petro Zheji.
Mbas vdekjes së dikatorit Enver Hoxha në vitin 1985, Elidës i jepet e drejta të japë provime në shkollën e lartë, pa u shkëpur nga puna, në fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, pasi kishte dhënë me shkrim një dëshmi se “kishte talent” kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli.
Elida kryen universitetin brenda tre vjetëve. Babai i saj, poeti i ndaluar Vehbi Skënderi, merr disa poezi, jo të vetat, por të së bijës tani dhe shkon në gazetën “Drita”, kërkon që të botohen. Aty ishte redaktor poeti, tashmë i njohur, Skënder Buçpapaj. Vinte nga bjeshkët e Tropojës, i gjatë dhe i heshtur si ato, se ç’kishte dhe ai në biografi, thoshin, por në “vitet e liberalizmit” e lejuan të studiojë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku dhe e njoha, unë sapo e mbarova dhe më dërguan mësues fshatrave të Kukësit e ai sapo e filloi. Prapë me një letër nga Kryetari Dritëro Agolli, Skënder Buçpapaj çohet të kryejë studimet në kryeqytet, në Tiranë, kur kishte botuar ndërkaq librin e parë me poezi, “Zogu i bjeshkës”, 1973, i pritur mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika.
Poeti Skenderi Buçpapaj do të botonte ciklin e parë me poezi të Elidës, madje dhe përkthime të saj, poezi nga Carl Sundberg etj. dhe do të bëhej bashkëshorti i saj.
Duhej të binte komunizmi, që poetja Elida Buçpapaj të botonte librin e parë me poezi në vitin 1994, ndërkohë do të jetë dhe reporterja e parë si gazetare e “Zërit të Amerikës”.
Pasi emërohet drejtor i Radio-televizionit shqiptar, Skënder Buçpapaj dërgohet si diplomat në Zvicër dhe aty mbeten familjarisht përgjithmonë.
Poeti Vehbi Skënderi rinohet me poezinë e tij, nxjerr përmbledhjet “Hënë e vjedhur” në vitin 2000 dhe “Zvicra, Shqipëria ime” në 2004 “Mirëmëngjes, Shqipëri” në 2009.
Në qershor të 2011 mbyll sytë përgjithmon:në Zvicrën e bukur.
E bija e tij, poetja Elida, do të vazhdonte me poezinë, nxjerr 6 libra, 2 me publicistikë, ndërsa poeti Skënder Buçpapaj do të nxirrte vëllimin poetik “Frikë nga atdheu”, “Vetëm të vdekurit pendohen”, së fundmi librin me poezi “Imgur”
Ata prej vitesh drejtojnë në Zvicër revistën kulturore elektronike “Voal.ch”…
https://www.voal.ch/kartela-nga-realizmi-i-denuar-nga-visar-zhiti/embed/#?secret=qBbIKPrkTI