Sokol Paja/
Romani “Velloja e Kryqëzuar” e autorit Prend Ndoja është një himn për skrificat e shqiptarëve në luftë me pushtuesit serbë, një paralele tragjike mes botës serbe barbare dhe botës fisnike e bujare shqiptare. Një roman historiko-tragjik që qëndron si një homazh për qëndresën e trimërinë shqiptare përballë regjimit gjenocidal e fashist serb. Romani është një triumf i jetës, i dashurisë, i mirësisë, i trimërisë, i bujarisë, i familjes, sakrificës, i vlerave më të larta të popullit e kombit shqiptar. Romani rrezaton kulturë, autenticitet, vlera të larta artistike dhe letrare. Proza moderne e Prend Ndojës është një shërbim i çmuar për komunitetin shqiptaro-amerikan, gjuhën dhe kulturën kombëtare në mërgatën e Amerikës.
Romani “Velloja e Kryqëzuar” e autorit Prend Ndoja ka meritë të veçantë nga pikëpamja gjuhësore, stilistikore e figurative. Prend Ndoja ka arritur mjeshtërisht të rrëfejë, përshkruajë, skalisë çaste e detaje dhe të krijojë personazhe e situata në një nivel shumë të arrirë. Autori Prend Ndoja arkivon katër botime me shumë vlera gjuhësore e letrare duke u renditur ndër autorët serioze e dinjitozë të mërgatës shqiptare të Amerikës. Autori Ndoja përmes rrëfimit të tij bën një udhëtim të shkëlqyer artistik nga romanticizmi në idealizëm. Personazhet kryesore të romanit Lisi dhe Era mbartin vlerat dhe idealet më të vyera të rinisë shqiptare. Lisi dhe Era janë personazhe që frymëzojnë. Çdo shqiptar patriot dhe i mërguar prej vendlindjes e gjen veten sado pak në këtë roman aq më tepër kur flitet për ngjarje e personazhe që marrin jetë në një kohë të tmerrshme sidomos për shqiptarët e Kosovës. Me autorë si Prend Ndoja letërsia e mërgatës po jep gjithnjë e më shumë kontribute në letërsinë shqipe në Shqipëri e Kosovë.