
Prof. Besim Muhadri/
Ditë më parë doli në dritë romani “Velloja e kryqëzuar”, i krijuesit shqiptaro-amerikan, Prend Ndoja. Proza e shpërfaqur në këtë roman është një prozë sa tradicionale, aq edhe moderne. Një rrëfim tepër i sinqertë, i bazuar edhe në ngjarje reale të marra nga një kohë tepër e vështirë e atdheut të shkrimtarit. Romani, përveç thurjes së ëndrrave dhe realizimit të një dashurie të sinqertë në mes dy të rinjve, shpërfaq edhe nuanca idealiste, për të mos thënë edhe romantike, të cilat aspak nuk ia dëmtojnë qëllimin autorit për të dhënë mesazhe artistike përmes kësaj forme letrare.
Përveç gjendjes së rëndë në kushte robërie të njeriut shqiptar të Kosovës, autori lexuesit i ofron shumë informacione që ndërlidhen me kushtet e rënda dhe dramatike të një populli që jeton dhe ndërpritet dhunshëm në zhvillimin e tij normal nga një shtet dhe pushtet kriminal siç ishte Serbia apo bota sllave në përgjithësi, karshi popullit shqiptar.
Ngjarjet në roman zhvillohen brenda një periudhe bukur të gjatë kohore, ndoshta 12-vjeçare, ku shpërfaqen shumë aspekte, siç është mungesa e lirisë, dhuna psikologjike dhe fizike ndaj popullit të tij e veçanërisht ndaj rinisë studentore, intelektualëve dhe të gjithë atyre që në forma të ndryshme kundërshtuan robërinë dhe dhunën, duke aspiruar lirinë. I tillë është edhe personazhi kryesor i romanit, Lisi, që në roman përfaqëson një brez që lind, rritet, shkollohet dhe zhvillohet në kushte të rënda okupimi. Lisi është sinonim i të riut idealist, të guximshëm, i cili, në një moment të vështirë të jetës, detyrohet të lëshojë atdheun dhe të ik në perëndim, përkatësisht në Amerikë, duke lënë prapa vetes një dashuri të filluar dhe një atdhe të pranguar. Atje ai ndërton ëndrra të tjera, perspektivë të re, duke treguar përkushtim, guxim dhe arritje në fushën e biznesit, por pa e harruara asnjëherë atdheun dhe dashurinë e lënë peng në Kosovën e tij, që digjej e përvëlohej në flakët e luftës. Krahas kësaj, autori Ndoja, përmes prozës së tij, arrin të na jap tablo nga lufta për liri që zhvillohet në Kosovë, por edhe të ndërtojë imazhin e një populli që punon dhe lufton për lirinë e vet, pavarësisht sakrificave dhe pasojave.
Në anën tjetër, e dashura e tij, Era, një emër sa simbolik aq edhe domethënës, simbolizon bukurinë, karakterin, mençurinë dhe besnikërinë e femrës shqiptare. Përveç kësaj, Era është edhe sinonim i femrës shqiptare të legjendave dhe të këngëve të lashta, që sakrifikohen për të mirën e përgjithshme, duke ruajtur nderin dhe besën e dhënë.
Më duhet të themi se romani “Velloja e kryqëzuar” i Prend Ndojës është një roman që karakterizohet për shumë aspekte, si në aspektin tematik, ashtu edhe në atë narrativ dhe sintaksor. Është një prozë që lexohet me një frymë, jo për shkak të temës dhe ngjarjeve që trajtohen, por edhe për shkak të bukurpërshkrimit dhe bukurndërtimit. Është i shkruar mirë, bukur dhe rrjedhshëm, që lexuesin përveç që e bën kurioz, atë e mban gjithnjë në ankth dhe të interesuar për ato që do të ndodhin na faqet në vazhdim……
Me një fjalë, romani “Velloja e kryqëzuar” i Prend Ndojës është romani për dashurinë dhe lirinë. Roman për sakrificën e brezave shqiptarë për liri dhe krahas saj, edhe roman i besës së dhënë dhe i ëndrrave të vrara e të ndërprera dhunshëm nga pushtuesit e Atdheut të shkrimtarit.