Shkruar nga Sheila Kamerman, Nrc Handelsblad, Hollandë/
E përktheu nga italishtja Eugjen Merilka/
Ilir Cani, 22 vjeç, arrin me motorrin e kuq të vëllait të madh. Është gjithë muskuj e i nxirë nga dielli, jo sepse shkon në plazh apo në palestër, por sepse punon si murator shtatë ditë në javë. Ulet në një karrige plastike para një kafehaneje të ndotur të Kamzës, një lagje e kryeqytetit Tirana. Si je ? Kërkon të iki.
Në maj Cani hipi në një aeroplan nga Rotterdami në Shqipëri. Në fluturimin çarter të organizuar enkas për ta ishin tridhjetë shqiptarë që kishin kërkuar të punonin ilegalisht në Vëndet e Ulta apo në Britaninë e Madhe. Cani ishte arrestuar në Europort, porti i Rotterdamit, ku po hipte në një kamion të drejtuar për n’Angli. Në aeroplan çdo shqiptar ishte i shoqëruar nga dy policë, madje kishte edhe një skuadër policësh të stërvitur për të mbajtur në fre cilindo që kundështonte. Deri atëherë asnjëri nuk bëri qëndresë, por nuk dihet kurrë.
Qëllimi i fluturimit dhe i reklamës që i u bë ishte të shërbente si frikësues. Në tetë muajt e parë të 2016, së paku 1351 shqiptarë kanë kërkuar strehim në Vendet e Ulta, grupi më i madh mbas sirianëve dhe eritreasve. Por nuk kanë të drejtë t’a fitojnë, sepse Shqipëria quhet një Vend i sigurtë ku nuk ka as luftëra dhe as përndjekje.Bën pjesë në Nato dhe është kandidate të hyjë në Bashkimin evropian. Për shqiptarët, ashtu si edhe për të tjerë evropianë të Lindjes, kërkimi i strehimit në muajt e fundit është bërë pothuaj i pamundur. Kthehen mbrapsht me një proçedurë të përshpejtuar dhe, gjatë qëndrimit në qendrat e grumbullimit, kanë vetëm ushqim e banesë, jo para. Së fundi Qeveria hollandeze ka vendosur të përjashtojë shqiptarët nga shuma prej dyqind eurosh, që ishte një nxitje për t’u kthyer n’atdhe, e me të cilën mund të paguanin fluturimin e kthimit.
Për shqiptarët dhe të tjerë strehimkërkues t’ardhur nga Ballkani Perëndimor, ishte fshirë një kontribut që jepej për të rifilluar jetën në Vendin e origjinës. Shqiptarët që arrijnë në Vendet e Ulta në kërkim të punës si Cani, me gjasë janë shumë më tepër se shtrehimkërkuesit. Mbi puntorët e parregullt nuk ka të dhëna sepse nuk janë të regjistruar.
Dyqind euro
Por përse kaqë të rinj lënë Vendin ? Shqipëria është vërtetë një vend kaq i frikshëm ? Për Canin përgjigja është e thjeshtë. Në Shqipëri nuk mund të bësh asgjë nëse nuk ke paratë ose miqtë e duhur. Gjëja më absurde, thotë, është fakti se askush nuk zemërohet. Duket se të gjithë janë nënështruar ndaj faktit se vetëm me paratë apo njohjet mund të gjindet ndonjë punë, e se aftësitë vetiake nuk vlejnë aspak. Shqipëria është një vend i varfër : ka afër 2,7 milion banorë, pak a shumë sa të njëjtët e provincës së Amsterdamit, por PPB i saj është sa një e dhjeta. Në treguesin e korrupsionit të përceptuar nga Transparency international, që mat besimin e qytetarëve në qeverinë e tyre, Shqipëria është pothuaj në vëndin e fundit ndër Vendet evropiane : vetëm 33% e shqiptarëve beson tek politikanët, kundrejt 83% të hollandezëve.
Simbas Canit do t’ishte e lehtë të ndalohej ikja e të rinjve shqiptarë : “Nëse do të fitonin të gjithë dyqind euro më shumë në muaj, askush nuk do të ikte”. Ai e don Vendin e tij. Gjindja është shumë më e përzemërt se n’Evropën perëndimore. Klima është e butë, plazhet janë të bukur e peisazhi i shkëlqyer. Është krenar që është shqiptar. Por problemi është e ardhmja : nëse njeriu mund të ketë projekte nuk mund t’i sendërtojë. Cani fiton gati dhjetë euro në ditë.
Të rinjtë shqiptarë thonë të gjithë të njëjtën gjë : politikanët mendojnë vetëm për interesat e tyre. Një shëmbull është sheshi qëndror i Tiranës, një hapësirë vezake e bllokuar nga një trafik histerik. Duket se nuk ka një kod rrugor, vlen vetëm ligji i më të fortit. Gjatë rrugëve që çojnë në shesh janë edhe pistat e kuqe të biçikletave, të sapondërtuara, të kopjuara nga ato të Vendeve t’Ulta, përfshirë edhe biçikletën e famshme të bardhë të vizatuar me bojë vaji n’asfalt. Pistat fillojnë diku nga asgjëja dhe kur arrijnë në shesh, pikërisht aty ku do t’ishin më të dobishme, papritmas ndërpriten : më tutje çiklistët duhet të rregullohen vetë. Si gjithë të tjerët.
Shqiptarët flasin me ironi dhe nënështrim. Pistat çiklistike janë një ndër aqë projekte, që përdorin politikanët për t’u reklamuar, por që nuk duhen gjë. Megjithatë nuk janë të hidhëruar. Në trafik askush nuk shan. Shoferi i taxisë sonë ngre gishtin e madh të dorës kur ndonjëri i kalon para pa i gërvishtur karrocerinë. “Me një shtet më pak të korruptuar mund të ishim si Zvicra”, thotë. Punon dymbëdhjetë orë në ditë. Kur zbret nga taxia hipën vëllai i tij, që bën dymbëdhjetë orë të turnit të natës. Mbas një jave shkëmbehen. Për të fituar mesatarisht treqind euro në muaj.
Prapambetja e Shqipërisë varet, mbi të gjitha, nga e shkuara komuniste. “Pesëdhjetë vite kemi jetuar n’errësirë”, thotë Simon Mirakaj, 72 vjeç. Është i ulur në tryezën e tij të punës, në një zyrë me pluhur në qendrën e Tiranës, muret e së cilës janë të mbushur me portrete gjysëm trupi. Është kryetari i një shoqate të viktimave të diktaturës së Enver Hoxhës, që u ngjit në pushtet mbas luftës së dytë botërore dhe nuk kishte mëshirë për kundërshtarët e tij, siç ishte babai i Mirakajt që iku në male.Dy javë mbas lindjes Simoni hyri në një kamp riedukimi komunist së bashku me nënën e tij. Kur doli nga kampi ishte 44 vjeç.
Komunizmi ka lënë trashëgim një etikë të mangët politike e, për pasojë, korrupsion. Mbas dhjetëvjeçarësh, në të cilët fati i njerëzve kishte qënë në dorën e shtetit, në vend mungon një shoqëri civile, një shtyp vërtetë i paanshëm, organizata të vullnetarizmit, një kulturë me peshë dhe një elitë intelektuale e politike, e vendosur të luftojë për idealet.
Kalimi nga komunizmi në kapitalizëm në fillim, të viteve nëntëdhjetë nuk ka qënë aspak pozitiv. Shqiptarët vunë të gjitha kursimet e tyre në fonde investimesh të një origjine të dyshimtë, që premtonin interesa prrallore. Në fund të djetëvjeçarit sistemi u shëmb dhe Vendi u zhyt në një kaos të tillë sa që qe e nevojshme ndërhyrja e një fuqie ndërkombëtare ushtarake, për të rivendosur rendin e për të shpërndarë ndihmat ushqimore.
Kështu Shqipëria hyri në shekullin e njëzetenjëtë pre e një zhgënjimi, me pothuaj asnjë reformë shoqërore të kryer. Ishte një shoqëri kryesisht bujqësore, ku ligjet diktoheshin nga klanet. Një pjesë e vogël e popullsisë është pafundësisht e pasur, shumica dërmuese zotëron pak ose asgjë.
“Në Shqipëri pasuria varet ende nga prejardhja e familjes”shpjegon Mirakaj. “Klasa drejtuese rrjedh e gjitha nga të njëjtat familje. Me rrogat e tyre politikanët nuk mund të kishin vilat e shkëlqyera në të cilat banojnë. Por në këtë Vend paraja u shkon atyre e gjitha, jo për të siguruar rroga më të larta e pensione më të mira”. Për të ndryshuar këtë gjëndje, thotë Mirakaj, duhet një brez i ri politikanësh guximtarë e të drejtë.
Në shërbim
Ata politikanë të drejtë duhet të godasin edhe trafikun e drogës. Malet, thotë Mirakaj, janë të mbushura me plantacione mariuhane, të mbarështuara nga banda kriminelësh, shpesh të lidhur me familjet më të fuqishme. Në fshatra të gjithë shohin mikrobusët që sjellin puntorët në male në mëngjez e i marrin në mbrëmje. Por banorët bëjnë sikur nuk i shohin , kur nuk hipin edhe ata vetë në to. Në fshatrat mungojnë ende kanalizimet e ujrave të zeza dhe korrenti elektrik, dhe nuk ka shumë alternativa.
Mirakaj i është nënështruar faktit se nuk do të jetë i pranishëm në reforma serioze. Shpreson që i biri 21-vjeçar, në vitin e tretë të juridikut, të shohë përmirësimet. Por tani të rinjtë shqiptarë me ndonjë synim gjinden përballë zbrazësirës së lënë nga komunizmi. Janë të gjithë krenarë që janë shqiptarë, por ky patriotizëm nuk mjafton për të shpërblyer mungesën e mundësive.
Fjorida Dida dhe Genada Xurre, 18 vjeçe, janë shtrirë mbi barin e një parku të Tiranës. Mbas pushimeve verore do të shkojnë në universitet, Fjorida të studjojë kimi dhe Denada psikologji. Natyrisht, do të donin të studionin jashtë, por është e pamundur ekonomikisht : vetëm më të mirët mund të synojnë në një bursë studimi. Ҫfarë duan të bëjnë më vonë ? Buzëqeshin me një vështrim të humbur. Sigurisht, nuk presin të gjejnë punë si kimiste e si psikologe. Këtu vajzat bëhen operatore kall centeri dhe djemtë kamarierë, shpjegon Fjorida. “Pjesa dërmuese e taxistëve kanë dy mastera “.
Edison Shahu, 22 vjeç, punonte në një bar, por tani kalon tetë orë në ditë në një agjensi bastesh, duke futur parashikimet në kompiuter. Banon në të njëjtën lagje të Ilir Canit. Edhe ai në maj ishte në atë fluturim kthimi nga Vendet e Ulta. Po kërkon një punë të dytë : mendon të arrijë të punojë 16 orë në ditë. Kështu, së paku, mund të verë mënjanë ndonjë gjë për një tjetër udhëtim n’Evropën Perëndimore e për të larë borxhet e udhëtimit të shkuar. Shahu e Cani, për disa ditë, kanë ndarë së bashku qelinë në një komisariat të Rotterdamit. Shahu kishte ardhur në Hollandë duke fluturuar nga Tirana në Bruksel së bashku me dy kushërinj. Dy ditë më vonë janë kapur ndërsa kapërcenin rrethimin e Europortit. Ishte përpjekja e tyre e dytë. Në Mbretërinë e Bashkuar do të kishin kërkuar punë në ndërtim.
Në gjithë kafet e hapura në Kamëz të rinjtë flasin për alternativat që kanë. Të shkojnë në Vendet e Ulta është mjaft e lehtë : nuk duhet të ndërmarrin asnjë rrugëtim të rrezikshëm si sirianët, thjesht mund të marrin një autobuz. Por parapëlqejnë të shkojnë në Mbretërinë Bashkuar. Gjetja e një pune në të zezë në Hollandë është e vështirë, sepse punëdhënësit janë më të matur se kolegët e tyre britanikë. Gjobat për sipërmarrësit e zënë në faj janë të larta.
Të kaluarit ilegalisht të La Manche-it po bëhet gjithënjë e më i vështirë. Kudo ka më shumë kontrolle, jo vetëm për shkak të puntorëve jo në rregulla, por edhe për frikën e terrorizmit. Të gjithë kanë ndonjë kushuri, një shok apo një të njohur që ja ka dalë mbanë sipërmarrjes, por ka qenë kohë më parë me ndihmën e ndonjë trafikanti ose një fati të mbarë. Të gjithë njohin ndonjë që fushon prej muajsh në Dieppe, në Francë, në pritje të ndonjë mundësie. Ka kohë që Calais nuk është më një opsion.
E pra, para një gote rakije tregohen qyfyre dhe hartohen plane të marra. Të martuarit me një grua hollandeze apo britanike është në krye të listës. Metoda më e fundit është të gjindet një patentë e rreme kamionisti dhe të kalohet La Manche si shofer rezervë mbi një tir. Pastaj kamioni kthehet me vetëm një shofer, por asnjëri nuk i vë re. Shahu njeh njerëz të ndryshëm që i kanë dalë mbanë me këtë sistem. Pastaj është historia e tifozëve të futbollit : pesëdhjetë shqiptarë kanë shkuar në Londër, duke bërë sikur donin të shihnin ndeshjen Itali – Angli. Ka ndodhur vite më parë, por tregohet ende.Për t’organizuar gjithshka i kishin paguar trafikantëvet nga dymijë deri në tremijë euro. Sot punojnë të gjithë n’Angli, thotë Shahu me pamje triumfuese. Ose së paku kështu thuhet. Këtë verë, mbas evropianit në Francë, kishte menduar të përzihej me tifozët anglezë gjatë rrugës së kthimit, por nuk kishte para.
Edisoni llogarit se pesëdhjetë shokë të tij e kanë lënë Shqipërinë. “Shpesh kur dal nuk e marr celularin, këtu nuk ka më asnjeri” thotë. Zgjedhja është ndërmjet mërgimit dhe kriminalitetit. Ai parapëlqen mërgimin, kriminaliteti i duket më i rrezikshëm. Po të hapë një ndërmarrje të tijën ? Përgjigjet me një buzëqeshje të çiltër : në këtë Vënd as nuk mund të bisedohet. Në pak ditë konkurrenca të hedh n’erë lokalin, e ndërkaq mund të besojë në mbrojtjen e ndonjërit.
Por në Shqipëri ka ende ndonjë që ka besim në t’ardhmen. Shkojmë në Bashkinë e Tiranës për të folur me kryetarin. Para derës janë dy roje t’armatosura. Njëra hyn për të paraqitur kërkesën. U desh të prisnim pak minuta në karriget e hyrjes, më pas u futëm në zyrën e madhe të bojatisur me ngjyrë të verdhë në okër të qytetarit të parë.
Shumë filozofë
Erion Veliaj, 37 vjeç, ka pamjen e një djaloshi dhe, gjë shumë e rrallë në Shqipëri, flet përsosmërisht gjuhën angleze. Ka studjuar shkenca politike në Shtetet e Bashkuara. Gjëja e habitëshme, thotë, është se pastaj u kthye në Shqipëri. Përse ? Sepse beson tek Vendi.
Veliaj është socialist dhe kërkon të arsimojë popullin e tij. Është i bindur se duhet të kthehemi e të mësojmë zanatet : hidraulik, elektriçist, zdrukthëtar, guzhinier, pastiçier. Prandaj është e nevojshme të krijohen përsëri shkollat profesionale. Sot të rinjtë studjojnë filozofi ose sociollogji : “Për çfarë do të filozofojnë të gjithë ata ?” Shqipëria është e mbushur me universitete, nga më të këqijat. Shumë prej tyre janë mbyllur dhe të tjerët do të kenë të njëjtën fund.
Kryebashkiaku don të mbështetet mbi brezat e rinj. Nuk është aspak i kënaqur për sistemin e ndërresave mësimore para dhe mbas dite në shkollat, sepse mungojnë godinat. Nuk duhet të mësojnë vetëm gjuhën shqipe dhe matematikën, por edhe të mos hedhin plehrat në rrugë, të thonë “të lutem” e “faleminderit”, të ndalohen kur semafori është i kuq.
Veliaj beson se jeta në bashkësi është thelbësore. Don që njerëzit të çojnë përsëri në rrugë karriget për të biseduar me gjitonët. Kujton se nën karrigen e sallës së ngrënies së prindërvet ishin gdhendur shkronjat e para të emrit e mbiemrit të babait, kështu sillej në shtëpi ajo e duhura. Jeta në bashkësi ishte dhe Veliaj don t’a risjellë. Po korrupsioni ? Ai ka të bëjë me sistemin e pushtetit, jo me karakterin e njerëzve, thotë kryebashkiaku. “Un dua të përballoj sistemin. Të gjithë duhet të paguajnë taksat, të gjithë. E gjithshka duhet të bëhet me kompiuter, kështu asnjeri nuk do të mund të favorizojë shokët. Por duhet kohë. Më jepni kohë”.
Shkrimtarja dhe gazetarja Flutura Açka, 50 vjeçe, do të donte t’i besonte fjalëve të bukura të kryetarit të bashkisë. Në fillim i ka besuar atij, siç i kishte besuar parardhësit të tij, Edi Rama, piktori që në 2000 u zgjodh kryetar bashkije i Tiranës e sot është kryeministër. Janë njerëz që me karizmën dhe optimizmin e tyre i kanë dhënë shpresa shqiptarëve. “Ne ishim të gatshëm t’i jepnim kohë”, thotë Açka. “Por na kanë zhgënjyer. Kryeministri banon në një gated community jashtë qytetit. Janë vila të rrethuara që kushtojnë milionë. Shumë politikanë jetojnë në vende të tilla”.
Açka përmend rastin e ndërmarrjes së grumbullimit të plehrave të Tiranës, që bën pjesë në një sistem të ri të pastrimit qytetar e për të cilën kryebashkiaku është krenar. U zbulua se punonin në të të mitur, kur një djalë 17 vjeç u vra nga një eskavator. Gazetarja që botoi lajmin u hoq nga puna menjëherë. Edhe Açka që ka një blog shumë të njohur, pengohet në të gjitha mënyrat, tregon. Por është e martuar me një hollandez e kështu e gjen rrugëdaljen : gjysmën e kohës banon në Utrecht. Të tjerë zëra kritikë e kalojnë shumë më keq.
Megjithatë Açka nuk është vetëm pesimiste. Me brezin e ri do të vijnë edhe mundësi të reja. Biri i saj, gjashtëmbëdhjetë vjeç vazhdon Shkollën Ndërkombëtare të Hilversum-it në Vendet e Ulta. Nëse nga brezi i tij do të dalë një grup politikanësh të ndershëm, gjërat mund të fillojnë të ndryshojnë.
Një javë mbas bisedës Shahu më dërgoi një mesazh në Whatsapp : “A mendon se mund të më gjejsh një grua hollandeze ?”.
Marrë nga e përjavëshmja italiane “Internazionale” 1180 , 18 nëndor 2016
E përktheu nga italishtja Eugjen Merilka/
***
NJË PASQYRIM OBJEKTIV
Shkrimi i gazetares hollandeze Sheila Kamerman, i botuar në një nga katër gazetat më të njohura të Vendeve t’Ulta, Nrc Handelsblad, me një tirazh prej 200.000 kopjesh, i përkthyer e botuar në revistën e përjavëshme italiane të politikës ndërkombëtare, “Internazionale”, mendoj se vlen të lexohet edhe nga shqiptarët, si një pasqyrim objektiv i realitetit shqiptar të ditëve tona. Është shëmbull i gazetarisë hetuese, që kërkon t’a prekë të vërtetën me dorë e t’a paraqesë pa e gjykuar, mbasi misioni i gazetarit nuk është ai i gjykatësit por i treguesit të saktë të ngjarjeve, mjediseve, dukurive.
Sheila Kamermani takon vetë personazhet e realitetit për të cilin është e interesuar, bisedon me ta, përpiqet të hyjë në psikologjinë e tyre, të bindet për vërtetësinë e pohimeve, t’i verë përballë njëri tjetrit argumentët, të hyjë në brendësi të tyre, për të dhënë të plotë idenë. Për t’arritur synimin ajo zgjedh një rreth të gjërë bashkëbiseduesish të moshave e profesioneve të ndryshme. Krahas të rinjve që janë objekti kryesor i hetimit të saj, për të zhbiriluar t’ardhmen, ajo bisedon me Kryetarin e njërës nga shoqatat e ish të përndjekurvet politikë, me një shkrimtare e blogere 50 vjeçare, me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, me një shofer taksije, të dashuruar me një lidhje të lashtë përfytyresash Shqipëri – Zvicër, duke përcaktuar jo vetëm konturet e Shqipërisë bashkëkohore, por duke u munduar të depërtojë, qoftë edhe vetëm me mendim, në t’ardhmen e saj. Përfundimi është zhgënjyes deri në dëshpërim.
Edhe mbas një të katërt shekulli regjimi mbetet i pranishëm në jetën reale, jo vetëm nëpërmjet njerëzve që drejtojnë, por edhe të mendësisë e të metodave. Pasojë e këtij vendqëndrimi është klientelizmi, që trashëgohet e zhvillohet në të njëjtin hullì, n’atë të parapëlqimit të pushtetit, i cili si dikur, ka në dorë gjithshka. Prandaj, simbas të riut murator Ilir Cani, që me punën e tij fiton vetëm 10 euro në ditë, “Në Shqipëri nuk mund të bësh asgjë, nëse nuk ke paratë dhe miqtë e duhur”, mbasi ”…. aftësitë vetiake nuk vlejnë aspak”. A është kjo vetëm një përshtypje vetiake e një djali të ri, që ëndërron një punë të thjeshtë në zanatin e tij n’Evropë, apo një tregues i së vërtetës shqiptare ? Vështirë të kundërshtosh djaloshin kur, në të gjitha hallkat e jetës politike e shtetërore, janë gjithmonë të njëjtat fytyra që prej 25 vitesh.
Cili është ndryshimi i këtyre 25 viteve në treguesit ekonomikë e shoqërorë ? Po të bëjmë krahasimin me 1990, sigurisht ai është i madh, sepse n’atë fund regjimi ishte arritur edhe fundi i honit. Por a duhet të mjaftohemi me këtë lloj krahasimi, nëse duam të jemi të vetëdijshëm për aftësitë tona në arritjen e synimeve të standarteve të një bote, të cilën, fatmirësisht, e kemi pranuar të gjithë si objektivin tonë ? Gazetarja hollandeze na ve përpara shifrat që, në lakuriqësinë e tyre, nuk na lenë shteg vetëkënaqësie : “Shqipëria është një vend i varfër : ka rreth 2,7 milion banorë, pak a shumë sa ata të provincës së Amsterdamit, por Ppb i saj është një e dhjeta”. Për pasojë edhe t’ardhurat janë n’atë raport. Pa u zgjatur në arsyet e kësaj dukurie, që janë të hershme, por edhe të vona, kjo prapambetje e theksuar ka në psikën e përgjithëshme të banorëve efektin e saj, i cili shprehet në prirjen për t’ikur, por edhe në mosbesimin e tyre kundrejt poltikës, që, me të drejtë apo jo, mbetet në përfytyresën e përgjithëshme përgjegjësja kryesore. Simbas Trasparency international, vetëm 33% e shqiptarëve shprehin besim tek politika, kundrejt 83% të hollandezëve. Gazetarja hollandeze duket se i jep të drejtë atyre, sepse treguesit e korrupsionit e rendisin Shqipërinë në vendin e parafundit n’Evropë.
Sheila Kamerman bisedon në një zyrë të njërës nga shoqatat e ish të përndjekurve politikë, me Kryetarin e saj, një njeri që ka thyer “rekordet” e qëndrimit në kampet e internimit të socializmit shqiptar me 44 vjet të pandërprera!!! Ndër të gjitha bisedat që zhvillon në kryeqytetin shqiptar, ajo me Simon Mirakajn konsiderohet prej gazetares si më interesantja, jo vetëm për përmbajtjen e saj por edhe për faktin se prek me dorë një relike të gjallë të përbindshmërisë së regjimit komunist në një Vend evropian. Kryetari i ish të përndjekurve mundohet t’i argumentojë një përfaqësueseje të shtypit të lirë evropian se sa vazhdon të peshojë e shkuara mbi Shqipërinë e sotme e sa shumë e kushtëzon ecjen e saj përpara sepse “… mungon një elitë intelektuale e politike e vendosur të luftojë për idealet”
Në krahasim me të shkuarën komuniste, shoqëria shqiptare ka bërë një hop të madh përpara, nëpërmjet shkollimit të rinisë së saj. Por ky hop gjen një pasqyrim shumë të zbehtë në hallkat e ndryshme të Shtetit e të politikës, ku meritokracia është një mizë e bardhë. “Në Shqipëri pjesa më e madhe e taksistëve ka dy mastera” thotë Fjorida, një aspirante kimiste. Nuk dij sa është i vërtetë ky pohim, por mbiprodhimi i kuadrove të larta është një fakt, që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, simbas këndvështrimit nga i cili shihet. Nuk e di sa ka të drejtë Kryetari i bashkisë, kur vërsulet kundër “universiteteve shumë të këqija” e kur ve në thumbin e kritikës studentët e filozofisë e të sociologjisë, sigurisht ka të drejtë kur kërkon ringritjen e arsimit të mesëm profesional.
Mungesa e drejtpeshimit mes aftësive dhe mundësive që ofron tregu dhe shteti, pa dyshim është një tjetër pamje problematike e realitetit shqiptar. Në përballjen mes sfinksave të shtetit dhe një brezi, të cilit ëndërrat i janë reduktuar në “mrekullinë” e kalimit të La Manche-t, ngrenë krye dukuri që shumëzojnë me zero ëndërrat e synimet fisnike. Paligjshmëria, pasurimi i marramendshëm nëpërmjet trafiqeve, ligjësimi që tërthorazi politika i njeh këtyre imituesve të pjesës më të keqe të shoqërisë së globalizuar në rang botëror, përbëjnë jo vetëm pengesën më të madhe që gjen formimi moral i rinisë së sotme shqiptare, por edhe pikëpyetjet më të forta për qëndrueshmërinë e vetë sistemit.
Sheila Kamerman ka meritën të mos tërhiqet në diagnozën e saj nga këto dukuri, aq më pak t’i përgjithësojë, por as që t’i quajë anësore e të parëndësishme. Në vlerësimin e saj ajo është shumë dashamirëse me shqiptarët, mbasi përceptimi i opinionit që fiton nga bisedat me të rinjtë, i krijon bindjen se shumica dërmuese e tyre janë njerëz të ndershëm e të punës. Ka një evolucjon të dobishëm mendimi në këta 25 vite, në të cilët shqiptarët janë shpërndarë nëpër botë, mbasi ata i a kanë arritur të përmbysin përshtypjet e viteve të para, kur njëjtësoheshin me parazitë, dembelë, trafikantë, keqbërës, kontigjente të krimit, në faqet e shtypit evropian. Ilir Cani, Edison Shahu, Fiorida Dida, Denada Xurre e bashkëmoshatarët e tyre janë të rinj që e duan Vendin e tyre e janë krenarë për vlerat e tij. Por nuk mjafton vetëm atdhedashuria, për të ndërtuar jetën në të, duhet edhe baza konkrete e mundësive për të sendërtuar projektet jetësore të s’ardhmes. Atyre do t’u mjaftonin edhe vetëm dyqind euro më shumë në muaj, për të jetuar në Vendin e tyre, pa kthyer sytë nga bota e madhe.
Por…. përfundimi i gazetares është se për ta “zgjedhja është ndërmjet mërgimit dhe kriminalitetit”. Është një pohim tepër i hidhur, pika kulmore e rrëfimit të saj mbi Shqipërinë e ditëve tona. Akoma më i hidhur bëhet ai konstatim kur të tjerë të mërguar edhe më të hershëm se shqiptarët, sot kthehen në Vendet e tyre që quhen Poloni, Republika Ҫeke, Hungari, Sllovaki. Në ndryshim nga Erjon Veliaj apo shkrimtarja Flutura Açka, gazetarja hollandeze nuk sheh dritë në fundin e tunelit të kalesës shqiptare dhe largohet me dhimbje nga ata njerëz “që janë shumë më të përzemërt se sa gjindja në Evropën Perëndimore”. Por, si një vërejtëse e hollë e atij realiteti, nuk mungon të verë pikat mbi “i”, të ngacmojë me brishtësinë e evropianes së kulturuar, klasën politike shqiptare që mbetet arkitektja kryesore e godinës së Shqipërisë pas komuniste.
Dhjetor 2016 Eugjen Merlika
Ajo qe ska pike rendesie ne Shqiperine e stme ,eshte etdhetarizmi apo Patriotizmi i semure ,qe asnjehere nuk eshte u mjaftueshem per te jetuar normalisht .Faktet tregojne dhe dicka tjeter me tedhimbeshme akoma –Shqiptari eshte perlur fatit ,eshte bere servil ndaj kapove ,sahanlepires dhe i pajtuar plotesisht me situaten .Behen pre e lehte per kapot dhe shiten per ca oriz e mikroeuro ,Shitet vota dhe zgjedhjet jane nje opcion per te bere pak para .Sa per kenget , festvalet ,llotarite e plot hahahara te tjera me skena nga Italia e cdo emisjona program ,i sterkopjuar nga Italia gjitheshtu ,nuk duan tja dijne me per situaten dhe varferine eskajshme te 90% te popullsise qe mbushin kafene te qysh ne 7 te mengjezit per lloqe e pazarlleqe .KJo eshte Shqiperia e sotme ku friksohesh te bredhesh vetem e pa dy tre shoqerues .Islami radikal qe fshihet pas fjalimeve egzaluese ben propagande perdite duke derguar bandite ne Siri sic bejne edhe kosovaret ,boshnjaket e malazezet ..Si zgjidhje te vetme shqiptari i sotme eshte i prirur te bej tregeti te paligjeshme me drogat ne sasira te frikeshme .Nuk ka dite qe nuk i degjojme ne lajme ku ne cdo grup qe kapet jasht shtetit ,eshte e pamundur qe te mungojne shqiptaret ,mjeshtra te kontrabandes nderkombetare .Ska zgjidhje tjeter vec asaj qe kam propozuar dhjetra here ,perndryshe do te mbeten ne pluhurin ku kane lere .