Xheladin Zeneli/
Uroj bashkëkombasit e mi të Malësisë në inagurimin e përmendorës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, në Tuz, në ditën e Festës më të rëndësishme tonë kombëtare, 28 Nëntorin-Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit. Përgëzoj për punën e të gjithë atyre që u angazhuan në realizimin e këtij projekti madhështor, në rend të parë kontribuesit financiar të cilët ishin kryesisht shoqatat shqiptare të Mërgatës së Malësisë në SHBA.
S’ka dyshim se një meritë e posaçme për ngritjen e shtatorës së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, brenda një afati të arsyeshëm kohor, ka Komuna e Tuzit dhe administrata e saj. Gjithashtu, realizimi i këtij projekti me rëndësi të rëndësishme për identitetin kulturor dhe historik për shqiptarët në Mal të Zi, është një shembull suksesi dhe një model bashkëpunimi në mes pushtetit vendor të Komunës së Tuzit dhe shoqatave shqiptare të Malësisë që veprojnë në SHBA çka dëshmon respektin që kjo Komunë ka për mërgatën e saj.
Pse Ulqini vazhdon të jetë zhgënjim ?
Derisa të gjithë i gëzohemi inagurimit të monumentit të heroit tonë kombëtar në Tuz, nuk mund e të mos përmendet fakti se në një komunë tjetër ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë , pra në Ulqin, realizimi i projektit të njëjtë është një zhgënjim.
Muajin e kaluar u mbushëm plot 6 vite nga dita kur Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar ngritjen e momunentit të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në qytetin e vet,por që deri më sot ky projekt jo vetëm që nuk është realizuar por edhe pas gjithë kësaj kohe, ende nuk ka filluar!? Siç e dini pjesën financiare të realizimit këtij projekti duke përfshirë ndërtimin e shtatorës bashkë me pediastalin, e ka marrë mbi sipër Mërgata shqiptare në SHBA me prejardhje nga kjo komunë, përkatësisht Fondacioni “Dom Simon Filipaj” me seli në New York në bashkëpunim me shoqatat e tjera të këtij komuniteti.
Që nga viti 2018 , pra që nga koha kur është aprovuar vendimi për realizimin e këtij projekti janë ndërruar katër kryetarë komune, por asnjëri prej tyre deri më sot ,nuk ka arritur që ta vendos nënshkrimin e tij në egzekutimin e vendimit për realizimin e monumentit në fjalë !?
S’ka aspak dyshim se përgjegjësinë për zvarritjen kaq të gjatë e realizimit të këtij projekti kryesisht e mban pushteti lokal në Ulqin dhe kryetarët e Komunës të cilët kanë shërbyer në gjashtë vitet e fundit dhe që asnjëri prej tyre deri më sot, nuk e ka nënshkruar formalisht egzekutimin e vendimit të marrë nga Kuvendi i KU, në tetor të vitit 2018 për ndërtimin e shtatorës në fjalë.
Kryetari aktual i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu i cili gjindet në këtë detyrë vetëm disa muaj, ka mundësinë që të bëj ate çka nuk e kanë bërë tre para ardhësit e tij.Gjithashtu, z.Nimanbegu përfaqëson një parti nacionale shqiptare, e cila e ka për obligim angazhimin në aspektin e ruajtjes dhe kultivimit të trashigimisë, kulturës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi, ku përshihet edhe ngritja e monumenteve të figurave tona historike e kombëtare në vendbanimet ka ata gravitojnë.
Gjergj Kastrioti-Skenderbeu jo vetëm që është krye heroi i popullit tonë por për shqiptarët në Mal të Zi ai është njëherit simbol i cili përfaqëson identitetin e tyre kulturor e kombëtar dhe këtu qëndron rëndësia ngritja e shtatorës së tij edhe në qytetin e Ulqinit.
Ky shkrim le të jetë edhe një apel i rradhës për kryetarin aktual të Komunës së Ulqinit për fillimin, sa më parë të punës në ngritjen e shtatorës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në qendrën e këtij qyteti dhe me këtë të zbatohet një vendim i Kovendit komunal të Ulqinit dhe një kërkesë e Mërgatës shqiptare në SHBA nga kjo Komunë.