
“Koka mbi katror” është dëshmia e rrallë e një romancieri që, në vend të konkurrencës, zgjedh mirënjohjen, duke na ofruar një nga veprat më të pasura dhe më njerëzore të mendimit kritik shqiptar.
Nga Bujar HUDHRI
“E kam patur zakon që përgjatë viteve të jetës, ta ngrejë kokën herëpashere përmbi katrorin e letrave të mia dhe ta kthej vëmendjen nga kolegët…” Me këtë akt bujarie letrare, Zija Çela na fton në “koncertin” e tij personal, ku mjeshtri i prozës bëhet dëshmitar i mjeshtrave të tjerë. Ky libër nuk është një vështrim i ftohtë kritik, por një ditar intim takimesh, një dialog i thellë dhe një homazh i sinqertë për figurat që kanë formësuar letërsinë shqipe.
Përmes “partiturave” të tij, Çela zbulon për herë të parë shënimet autentike nga bisedat me enigmatikun Petro Zheji; rrëfen takimin në “Kafe Piazza” ku i sugjeroi Ismail Kadaresë një tjetër mbyllje për “Pallatin e Ëndrrave”; dhe tregon historinë e pabesueshme të përballjes me zyrtarin e lartë komunist, të cilit i kërkoi dorëheqjen.
Me mprehtësi dhe pa mëri, autori u kushton faqe Dritëro Agollit, Mehmet Krajës, Rexhep Qosjes, Veton Surroit, Helena Kadaresë, At Zef Pllumit, Petro Markos, e deri tek Ernesto Sabato e Orhan Pamuk. “Koka mbi katror” është dëshmia e rrallë e një romancieri që, në vend të konkurrencës, zgjedh mirënjohjen, duke na ofruar një nga veprat më të pasura dhe më njerëzore të mendimit kritik shqiptar.