
Arben Iliazi/
Para pak kohësh kam lexuar një intervistë të shkrimtarit Dashnor Kokonozi për ObserverKult, mbi krijimtarinë dhe procesin krijues ku, mes të tjerash, thuhet: Te romani “Portret vrasësish në grup”, mjaft më parë se të përvijoja subjektin, realiteti shqiptar dhe i ndonjë vendi tjetër me kishte shtyrë drejt idesë se procesi i shndërrimit të diktaturave në demokraci nuk mund të funksiononte normalisht si më parë me demokracitë e mëdha, se ai ishte mbyllur tashmë, sikurse ishte mbyllur procesi magjik i evolucionit të shndërrimit të majmunit në njeri. Duheshin gjetur rrugë të tjera, të cilat edhe parashtrohen në roman në mënyrë gati provokuese, nisur nga “përvoja” politike e primatëve”.
Intrigohem menjëherë kur dëgjoj fjalën “provokim” nga një shkrimtar, ndaj u interesova për ta gjetur librin.
Ja një fragment nga romani:
“ – Atëherë a mund të thuhet se edhe veprimtaria, të themi politike e majmunëve është provë tjetër e prejardhjes sonë prej tyre? – pyeti Kloteska duke qeshur.
– Ne nuk rrjedhim nga majmunët, – tha prof. Waal, duke e kërkuar me sy nëpër sallë, – ne jemi majmunë. Bashkë me ta, majmunët, njerëzit bëjnë pjesë në klasën e hominidëve. Më thjesht nuk bëhet.
Në sallë shpërthyen të qeshura, që u shoqëruan nga duartrokitje të gjata”.
***
Kisha lexuar vetëm romanin e parë të Dashnor Kokonozit, “Shtrati i Prokustit” (1989), ku sfidohet infantilizmi i diktaturës.
Një njohës i mirë i regjimit totalitar, autori edhe në këtë roman, ravijëzon një këndvështrim të tijin, duke shenjuar një realitet historik, ku neurozat ndjekin njëra-tjetrën. Në parantezë mund të them se Kokonozi nuk është nga ata shkrimtarë që bien pre e nostalgjisë.
“Portret vrasësish në grup”, është një roman modern, me një intrigë turbulluese, duke artikuluar disa universe semantike, ku tregohet se çfarë ndodh me njeriun demokratik në procesin e shndërrimit antropologjik të shoqërive moderne. Antropologjia ka ndikuar mbi shkrimtarin në integrimin mes dimensionit sintaksor dhe dimensionit semantik.
Në qendër të romanit është historia e një grupi studentësh, të cilët duke zgjedhur të mos largohen nga vendi vihen në kërkim të një të ardhmeje tjetër, këtë herë nisur nga zbulimet më të fundit të antropologëve. Ishin këta që duke vëzhguar primatët kishin zbuluar se edhe paraardhësit, kur punët nuk shkonin mirë, ndodheshin para mëdyshjes nëse duhej të braktisnin koloninë, apo t’i zgjidhnin problemet duke vënë në jetë protokollet e ritualeve të tyre, mjaft të lashtë.
Shoqëritë njerëzore, ashtu si individët, në lojërat e tyre, ëndërrat dhe deliret e tyre, nuk krijojnë asnjëherë modele në mënyrë absolute, porse e kufizojnë veten duke zgjedhur kombinime të caktuara të një repertori ideal.
Romani flet për një filozofi tjetër të historisë, ku demokracia nuk ka skema të gatshme, por duket pikërisht në gjestet e thjeshta të jetës së përditshme, ku gjithë kombet e rruzullit kanë mënyrën e tyre për të qenë të pashembullt dhe të papërsëritshëm. I armatosur me imperativat e antropologjisë sociale, autori ka meritën se i fut bëmat njerëzore brenda kontekstit dhe i gjykon të pashkëputura nga konteksti ku janë përftuar, në bazë të kritereve jashtëkohore. Asgjë nuk zhvillohet ashtu siç mendojnë njerëzit. As rendi shoqëror dhe liria nuk mund të jenë “deus absconditus” (Perëndia i fshehur). Vetëm njeriu i iluminuar mund të quhet i lirë. Në vend t’ua nënshtrojë faktet normave ideale, autori vë në dukje se vetë normat kanë një gjenezë e një kontekst të tyren. Nuk ka asgjë absolute, por vetëm ndodhi rajonale dhe parime rrethanore. Në këtë roman thjesht jemi përpara historisë së shpagimit, si përshembull vetëvrasjes së një vajze, dashuria e së cilës vdes në zyrat e policisë dhe kjo mbetet për t’u vërtetuar, sikundër mbetet për t’u vërtetuar edhe ideja apo ambicia e dikujt, që kërkon të mbrojë doktoraturën e tij duke u ofruar vendeve të dështuara për eksperimentim një alternativë të demokracisë athinase. Është e vërtetë që retë e mendimit të turbullt u përhapën nga dielli i Athinës, pasi miti ia dorëzoi armët arsyes, dhe kjo ngjarje do të shënonte fillimin e historisë së mirëfilltë. Por për autorin, kjo mënyrë të menduari të veçantë dhe të përkohshëm, në mungesë të sensit historik, të bën të dalësh nga vetja. Nuk mund t’i qasesh një epoke të re të historisë njerëzore, duke prekur kafkat e antikitetit. Epoka e re mund të ketë rrënjë filozofike në shekujt e kaluar, por progresi moral i njerëzimit duhet lidhur me progresin e tij intelektual, duke u vendosur njëkohësisht në truallin politik të mbrojtjes së lirive dhe në atë kulturor të formimit të individëve.
Pra nuk mund t’ia nënshtrosh epshmërinë e pafundme njerëzore një vetie kinse identike për të gjithë, apo një mase të njëtrajtshme. Sokrati duhet të krahasohet më njerëzit e kohës së tij dhe të merret si model për atë kohë, jo për kohët moderne.
Platoni dhe Aristoteli, pas Sokratit, ditën të vënë re se njeriu është thelbësisht një qënie shoqërore. Ajo që bënë pasardhësit e tyre është parashtrimi si i lartë i idealit të njeriut të urtë të shkëputur nga jeta shoqërore. Por lidhja e ideve nuk mund të jetë gjithmonë e tillë, ndaj ndryshimet e gjera politike ndodhin jashtë skemave tradicionale.
Njeriu nuk është produkt i të gjitha kohëve, ndaj çdo periudhe historike dhe çdo kombi të rruzullit tokësor i përgjigjet një tip specifik i antinomisë së lirisë, që është në origjinë të ekzistencës, në transhendencën e tij.
Shkrimtari ynë është i sigurtë në kuptimësinë e kohës, se njeriu është i pandarë nga situata, ndryshe nga disa autorë “modernë”, që nisen ta pushtojnë botën e historisë duke u armatosur me norma universale. Opusi krijues i Dashnor Kokonozit është mjaft i pasur, me vepra si: Shtrati i Prokustit, Habia, Trans, Transaksioni, Familja e Shenjtë, Martesa e palumtur e Stanishit, e të tjera.