Nga Gëzim Kabashi/- Veprat e artistëve italianë që iu dhuruan bashkisë së Durrësit në nderim të piktorit Ibrahim Kodra do të ekspozohen për herë të parë në Durrës, në 8 vjetorin e ndarjes nga jeta të mjeshtrit të pictures shqiptare./
Burime nga drejtoria muzeale e qytetit bënë të ditur për ATSH-në se në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” do të ekspozohen një pjesë nga 119 veprat në pikturë dhe skulpturë që mbërritën në Durrës në fundin e vitit 2005 me ndërmjetësinë e Fondacionit kulturor “Kodra” me qendër në Milano. Tablotë e miqve dhe kolegëve të artistit shqiptar po ekspozohen për herë të parë në një numër të konsiderueshëm-thanë burimet.
“Projekti i vitit 2005 për ngritjen e një galerie me vepra të autorit të madh shqiptar dhe kolegëve të tij italianë nuk është realizuar ende për mungesë fondesh”, shtuan burimet nga drejtoria e muzeve.
Në vitin 2005, kur Kodra ishte ende gjallë, një grup artistësh italianë bashkëkohës nga qytete të ndryshëm të Italisë dhuruan secili nga një vepër në shenjë respekti për kontributin e mjeshtrit shqiptar me përmasa evropiane. Marrëveshja mes bashkisë së Durrësit dhe fondacionit “Kodra” parashikonte edhe hartimin e një katalogu me të dhëna për krijuesit dhe punimet përkatëse. “Tablotë me përmasa mesatare dhe të mëdha aktualisht ruhen në mjediset e shtëpisë muze “Aleksandër Moisiu” dhe vetëm 20 prej tyre janë ekspozuar në veprimtarinë kombëtare “Poeteka 2009”, shtuan burimet, sipas të cilave deri më tani katalogu nuk është hartuar .
Ibrahim Kodra, i cili mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, mbylli sytë më 7 shkurt të vitit 2006 dhe nuk arriti të shohë të realizuar projektin e kolegëve të tij nga Italia, vendi në të cilin ai punoi dhe ku u bë mjaft i njohur si piktor krejtësisht i veçantë. Ibrahim Kodra është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare të shekullit të kaluar.
Mjeshtri Kodra, i cili u largua nga Shqipëria në moshën 18-vjeçare për të studiuar në Akademinë e Arteve Figurative në Breras, pranë Milanos ku dhe ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare. Trupi i tij tashmë prehet në kodrën e Ishmit, vetëm disa qindra larg fshatit Likmetaj ku u lind në 18 prill të vitit 1918(Kortezi ATA)