Sokol Paja/
New York, 14 Nëntor 2024 – Shoqata Humanitare “Duart e Hapura” në New York festoi 10 vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë humanitare në shërbim të njerëzve në nevojë. Veprimtarët energjikë, bamirësit zemërmirë, humanistët shpirtbardhë dhe vullnetarët e pa lodhur shqiptarë në New York janë shembull për tu ndjekur, frymëzim shpirtëror dhe krenari kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Shqiptarë si Aleksandër Nilaj, Toni Musaj e Vera Markaj e vullnetari i shquar Viktor Popaj, janë pika reference për komunitetin shqiptar në Bronx, New York me veprat e tyre, dashurinë, përkushtimin e tyre të palodhur e dedikimin profesional e shpirtëror në shërbim të komunitetit shqiptar. Shoqata Humanitare Shqiptaro-Amerikane “Duart e Hapura” në Bronx, New York, e themeluar nga Aleksandër Nilaj dhe drejtues z.Saimir Burgaj me ndihmën e organizatave, donatorëve, vullnetarëve e bamirësve kanë shënuar një emër të ndritur e të nderuar në historinë e mërgatës së Amerikës. Kjo shoqatë bamirëse me vullnetarë shqiptarë të përkushtuar lartësojnë çdo ditë emrin, vlerat, historinë dhe krenarinë tonë kombëtare. Në veprimtarinë e tyre patriotike dhe komunitare shqiptarët gjithmonë shkëlqejnë dhe tregojnë vlerat më të çmuara si popull, si kulturë dhe si komb karshi kombeve, kulturave, komuniteteve e popujve të tjerë të botës.
Në festën e përvjetorit të shoqatës, ishte e pranishme një mike speciale nga Shqipëria, ish – kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë zonja Jozefina Topalli. Ajo u shpreh e mahnitur nga veprimtaria humanitare dhe patriotike e shqiptarëve në New York. Ndër të tjera në fjalën e saj para të pranishmëve u shpreh: “Të dashur miq dhe bashkëpunëtorë të shoqatës shqiptare të bamirësisë “Duart e Hapura”. Sot, në këtë ditë të veçantë, kemi ardhur së bashku për të festuar një moment të rëndësishëm 10-vjetorin e një pune të palodhur, të një përkushtimi të madh dhe të një zemre të jashtëzakonshme shqiptare.
Në këto 10 vite, shoqata juaj e bamirësisë ka ndriçuar jetë, ka përkrahur ëndrra dhe ka treguar se, edhe pse jemi larg nga vendlindja, jemi gjithmonë afër me zemër. Ju, anëtarët e kësaj shoqate, keni qenë shtylla që mban lart frymën e solidaritetit shqiptar, duke bërë që komuniteti ynë të ndihet i bashkuar dhe i fuqishëm.
Faleminderit secilit prej jush për përkushtimin dhe sakrificën tuaj të vazhdueshme. Keni dhënë ndihmë për fëmijët që kanë nevojë, keni mbështetur të moshuarit dhe keni kontribuar në të gjitha iniciativat që nderojnë emrin shqiptar. Keni dëshmuar se solidariteti ynë është i pakufishëm dhe se fuqia e bashkimit tonë mund të sjellë ndryshime reale.
Falenderoj gjithashtu të gjithë ata që mbështetën në çdo hap të rrugëtimit tonë, nga donatorët bujarë te vullnetarët që kanë sakrifikuar kohën dhe energjinë e tyre, te komuniteti që gjithmonë është bashkuar për çdo iniciativë të mirë. Sot festojmë të kaluarën dhe shohim drejt së ardhmes. Le të vazhdojmë ta rrisim këtë shoqatë me të njëjtën dashuri dhe përkushtim, për t’u shërbyer atyre që kanë nevojë dhe për të lënë një trashëgimi të denjë për brezat që do të vijnë. Faleminderit për gjithçka që bëni. Gëzuar për 10 vitet e kaluara dhe për shumë vite të tjera përpara” deklaroi ndër të tjera zonja Topalli. Së bashku me grupin shqiptarë të vullnetarëve ajo shërbeu për njerëzit në nevojë duke ngjallur emocion dhe përjetuar shpirtërisht punën fisnike të bamirësve shqiptarë në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.