Nga Fuat Memelli
Organizohet festival i parë ku mernin pjesë disa qindra shqiptarë si dhe miq të tyre.
Pas dy vite e ca mbyllje për arsye të kovidit, kjo ngjarje ishte shumë e mirëpritur nga shqiptarët. Ata prisnin si të thuash një “sinjal” për të dalë nga kjo qetësi, për t’u mbledhur e festuar së bashku. Dhe ja, “sinjalin” e dhanë organizatorët e kësaj veprimtarie të bukur që ishin Katedralja e Shën Gjergjit në Boston, “Alba restorant” me pronar Leonard Keka si dhe Shoqata “Mass. Besa”. Ishte një program miks ku kishte ushqime të përgatitura nga restorant “Alba”, muzikë, valle, këngë, fotografi nga mjeshtri i kësaj fushe, Bujar Veseli, lodra zbavitëse për fëmijë, etj. Flamujt e simbolet e tjera shqiptare, e zbukuronin këtë festë. Në podiumin e ngritur me këtë rast, dy violinistet shqiptare Rina Sojli dhe Rozita Fishta, performuan me mjeshtëri duke u ”shpërblyer” me duartrokitjet e të pranishmëve. Nga qyteti i Usterit kishte ardhur grupi i fëmijëve “ Vallet tona” i krijuar para 16 vjetësh, që drejtohet nga koreografi i pasionuar, Dhimitraq Demiri. Vallet e bukura të fëmijëve tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve, të cilët disa herë iu bashkuan grupit të tyre. Nxënësit e Shkollës Shqipe në Boston emocionuan të pranishmit me poezinë e bukur të Fan Nolit “Jepni për nënën”. Pas çdo strofe që recitonte drejtuesi i grupit, Robert Ngjele, fëmijët vazhdonin në kor:” Mbaju nëno mos ki frikë/ se ke djemtë në Amerikë”. Kjo poezi është shkruar nga Noli në vitin 1917 për t’i dhënë kurajo Shqipërisë dhe popullit shqiptar në ato ditë të vështira kur rezikohej ekzistenca e tyre. Poezia mbetet aktuale, pasi është si një apel edhe për emigrantët e sotëm për të ndihmuar Shqipërinë dhe popullin shqiptar, pasi kanë nevojë edhe për ndihmën e tyre.
Një moment i veçantë i kësaj veprimtarie ishte vlerësimi për kancelarin e Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, At Artur Liolinin. Para disa muajsh ai ka dalë në pension, por gjurmët që ka lënë te kjo kishë ky pasues i Nolit, janë të pashlyera. Si gazetar më ka rënë rasti të ndjek mesha dhe veprimtari të ndryshme të zhvilluara në Katedralen e Shën Gjergjit të drejtuara nga At Arturi, ku kanë marë pjesë shqiptarë të besimeve të ndryshme fetare si dhe nga qytete të ndryshëm të Amerikës. Për to mund të shkruash gjatë, por le tja lemë fjalën atyre që folën në këtë veprimtari. Për kontributin e tij foli në fillim Gazmend Aga, imam i xhamisë në Waterbury, shprehje kjo jo vetëm e miqësisë së tyre, por edhe e harmonisë fetare. “At Artur Liolini është bërë model frymëzimi edhe për ne klerikët e tjerë” theksoi folësi ndër të tjera. Në emër të Katedrales së Shën Gjergjit, përshëndeti At Jani Trebicka. Ai theksoi se “puna e palodhur e At Artur Liolinit në shërbim të perëndisë, është një shëmbull jo vetëm për ne klerikët por edhe për komunitetin shqiptar. Në gjithë veprimtarinë e tij ka spikatur dashuria e respekti për njerëzit e të gjitha besimeve. Dyert e kësaj kishe kanë qënë të hapura për gjithë shqiptarët. Në fillimet e demokracisë, në vitin 1991, ai ishte ndër të parët që shkoi në Shqipëri dhe bëri disa mesha e pagëzime. Përkushtimi i tij për kishën dhe besimtarët shqiptarë të Bostonit për një periudhë 50 vjeçare, do të kujtohet gjithmonë”. Një përmbledhje të jetës dhe kontributit 50 vjeçar të At Artur Liolinit, bëri edhe e reja, Polikseni Manxhari. Për kontributin e tij të shquar, At Arturi u nderua me çmimin “Fan Noli” nga Kisha Orthodokse Shqiptare e Amerikës. Shumë pjesëmarrës e uruan At Arturin pas mbarimit të ceremonisë dhe bënë fotografi me të.
Atmosferën festive e “ndezi” pastaj këngëtarja e njohur kosovare, Arbërije Hadërgjonaj, duke kënduar jo vetëm këngë kosovare, por edhe të krahinave të tjera të Shqipërisë. Një paradë e vogël e një grupi fëmijësh me veshje tradicionale, ishte pjesë e kësaj veprimtarije festive, ose “festivali” siç quhet nga amerikanët, por që ky term po përdoret edhe nga shqiptarët.(Zakonisht në gjuhën shqipe “festival” quhet një program (konkurim) me këngë. Për dy fëmijët që u vlerësuan për kostumin më të bukur shqiptar, pronari i restorant “Alba” Leonard Keka, dha nga 250 dollarë .
Kështu u mbyll kjo veprimtari e bukur e zhvilluar për herë të parë në zonën e Bostonit. (Theksoj se veprimtari të tilla në shtetin e Massachuttses janë organizuar nga shqiptarët në qytetin Worcester.) E ftohta dhe era, nuk i pengoi shqiptarët për të marë pjesë, megjithatë ata sugjeruan që veprimtari si kjo që zhvillohen jashtë, të organizohen në një muaj tjetër, jo në tetor kur nis e ftohta. Shkrimtari Sami Milloshi duke parë shqiptarët e shumtë që kishin ardhur në këtë veprimtari, theksoi se për të mbajtur gjallë frymën e shqiptarizmit, në Boston dhe qytetet e tjerë të shtetit të Massachuttses, ka mundësi të organizohen më shumë veprimtari me karakter artistik e kulturor.