
Dom NIKË UKGJINI
SHKODËR/
Nga fundi i shekullit të XIX, Rusia dhe Austro – Hungaria, ishin bërë arkitektet e Ballkanit politik, duke i shkëputur një e nga një popujt e kësaj hapësire nga kthetrat e Perandorisë Osmane. Austro – Hungaria, përmes traktateve të shumta të nënshkruara me Perandorinë Osmane, kishte arritur që ajo të pranonte nënshkrimin e një protekorati fetar dhe etnik për shqiptarë. Qendra më e fuqishme Perandorake e katoliçizmit së bashku me Romën, kishte marrë në dorë fatet tona, si fillim përmes hapjes së shkollave shqipe, ndërtimit të objekteve katolike të kultit, dhe në vijim Perandoria dualiste kishte meritën e arritjes, harmonizimit dhe balancimit nga ana fetare e krahinore të shqiptarëve në të gjitha trevat tona shekullore.
Pjekja e kushteve politike e arritja e unitetit ndërmjet shqiptarëve, ndezi zjarrin e revoltës dhe nxiti organizimin e kryengritjeve të njëpasnjëshme kundër pushtuesve osmanë, që u zhvilluan në krahinat: Malësi e Madhe dhe e Vogël, Dukagjin, Shkodër, Pukë, Lezhë, Mirditë, Kurbin, dhe në Jug të Shqipërisë.
Klerikët vizionarë të kohës, ishin të bindur se liria dhe qytetërimi tek shqiptarët, arrihet jo vetwm pwrmes shkrim-leximit, botimit të librave në gjuhën shqipe, por edhe përkrahjes dhe nxitjes sw kryengritjet të shumta kundër pushtuesit barbar turk, në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit kombëtar. Ata në këto raste udhëhiqeshin edhe nga ideja filozofike e kohës moderne, të artikuluar më vonë dhe nga filozofi francez, Joan Paul Sartre se: “Nuk mund të jesh intelektual po qe se nuk zotëron, përveç dijes, edhe guximin”.
Në vorbullën e kryengritjeve të popullit, për të arritur pavarësinë e shumë pritur të atdheut, u angazhuan, krahas Kryeipeshkvit Pashk Guerrini, nga viti 1910, Imzot Jak Sarreqit dhe klerikët e shquar të letrave shqipe, si: liriku e diplomati, Abati i Mirditës Preng Doçi, romancieri i parë shqiptar, Dom Ndoc Nikaj, poeti më i shquar i Rilindjes, Dom Ndre Mjeda, folkloristi dhe diplomati, Dom Nikollë Kaçorri, dramaturgu, satiriku, liriku më i madh i kombit tonë, Atë Gjergj Fishta etj..
Lëvizjet dhe kryengritjet e armatosura çlirimtare në gjysmën e dytë të shek. XIX në veri të vendit në të cilat mori pjesë gjallërisht edhe kleri së bashku me kryebarijtë e tyre, (ipeshkvijtë), përmbanin karakteristika të mirëfillta me orientim mbarëkombëtar, duke e ngritur çështjen fetare dhe nacionale shqiptare në tryezat e diplomacisë evropiane.
Bartësi fillestar i këtyre aksioneve qe Kryeipeshkvi Pashk Guerrini me prejardhje shqiptare nga Kotorri. Sipas arkivit të Kryedioqezës së Shkodrës krahas, kërkesave për ndihma materiale dhe bisedimeve diplomatike, u përpoq t’a zgjonte popullin në kryengritje për çlirimin e vendit.
Lëvizjet e para të Malësorëve, për mbrojtjen e tërësisë territoriale, dalin në pah, në korespodencën e Kryeipeshkvit të Shkodrës, Guerrit, me Patriarkun Armen, Stefan Azarjan dhe Propaganda Fide në Romë, që në vitin 1883, si dhe në vitin 1886, ku nga Patriarkut Armen, i kërkohej që zyrtarisht, të ndërhynte tek Porta e Lartë, për ndalimin e dhunës që ushtrohej ndaj shqiptarëve katolikë nga Perandoria Osmane.
Në dos. 55, të vitit 1888, në arkivin e kryedioqezës se Shkodrës, gjejmë dhe Promemorien e Guerrinit, drejtuar, Konsullatës austriake në Shkodër, për gjendjen e vështire të popullatës në Shqipëri, si dhe për mundësitë për zbutjes së kësaj situate. Guerrini, çështjen nuk e lë me kaq. Në vitin 1892, personalisht merr rrugën për në Vjenë, duke u takuar me autoritet e larta perandorake, për t’i informuar për gjendjen në terren si dhe për rrugëdaljen nga kjo situatë. shpërthyese në popull.
Se lëvizjet e para shpërthyese kryengritëse të mirë organizuara ishin në dukje, dëshmohet dhe në dos. 12, dt. 29, 8. 1903, ku Guerrini, i përgjigjet Guvernatorit të Shkodrës, mbi ankesën e tij për organizimin e lëvizjeve kryengritëse të disave atdhetarëve malësorë në Malësinë e Madhe. Atdhetarizmi i klerikëve nuk kishte të sosur, kjo dhe nga fakti së në vitin 1904, ata morën guximin që Valiut të Shkodrës, Bedri Pasha, t’i kishin propozonin, kremtimin zyrtar të 500-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit, 1404, dhe realizimin e një medaljeje përkujtimore me këtë rast. Kjo ide, vinte si rrjedhojë e faktit se, për çdo vit, në Shkodër kremtoheshin solemnisht datëlindjet e mbretit Franc Jozefit dhe të sulltanit të Stambollit.
Përfshirja i klerikëve të letrave shqipe
në arritjen e Pavarësisë të vendit 1912
Në këto momente jetike për popullin tonë, në mesin e atyre të cilët, krahas veprimtarive të tyre shkruese e botuese, jepnin përkrahje popullit për një qëndresë të mëtejshme, si edhe qëndronin pranë tyre, ishin figurat e spikatura klerikale, letrare dhe kombëtare, të lart përmendura: Doçi, Nikaj, Kaçorri, Mjeda, Fishta e shumë të tjerë. Sipas kujtimeve të Dom Ndoc Nikajt, mbledhja e vitit 1893, organizuar në famullinë e Shkrelit (Malësia e Madhe), me emrin “Bashkimi Shqyptar”, gjykuar nga pjesëmarrës, si: Abat Preng Doçi, Dom Jak Sarreqi, Dom Dod Koleci, Dom Mark Shllaku, etj., hartimi i platformës dhe gjallërimi i saj, ishte momenti kyç, që nxiti organizimin e kryengritjeve popullore në veri të vendit, botimin e librave në gjuhën shqipe dhe një nxitje për ngjarjet e viteve 1911-1912.
Në vazhdim Nikaj shprehet se: “Nuk bame shkresa qe mos të ndodhte rrezik zbulimi nga ana e qeverisë turke edhe të n`anxente me prova në dorë”(…) “U lidhme më shkrue ne giuhe shqype seicili mbas andjes së vet dhe mbas prirjet përkatse“.
Në mbledhjen e Shkrelit, Dom Ndoc Nikaj dhe Abat Preng Doçi ishin zotuar se do të merreshin me afrimin e shqiptarëve të dy besimeve: katolikë dhe myslimanë. “Në qytetin e Shkodrës, përçarja e shkaktuar nga turqit, ishte evidente”, – thekson Nikaj. Sipas këtij konstatimi, rezulton se afrimi i shqiptarëve të dy besimeve do të ishte puna bazë për përgatitjen e lëvizjeve dhe kryengritjeve, të cilat do të zhvilloheshin kundër Perandorisë Osmane, deri në shpalljen e plotë të pavarësisë së Shqipërisë.
Në janar të vitit 1910, Nikaj filloi të botonte së bashku më Abat Preng Doçin, gazetën “Koha”, e cila, nga numri i dytë doli me emrin “Bashkimi”. Gazeta kishte si motiv të vetin “kujdesin për punët kombëtare dhe të diturisë”.
Nga ana tjetër Abati Preng Doçi, shkrimtar, hulumtues dhe diplomat, në vitin 1897, kishte paraqitur para krerëve të Mirditës në Orosh programin me të cilin parashikonte organizimin e lëvizjeve dhe kryengritjeve nga 1897-1912, të tri krahinave: Malësisë së Madhe, Dukagjinit dhe Mirditës. Gjithashtu, Abati përkrahu dhe nxiti mbajtjen e kuvendit të Rubikut, në vitin 1911, në të cilën u hartua projekt-kushtetuta për Shqipërinë autonome, e cila në raportet e konsujve quhej “Memorandumi i mirditasve”. Kjo projekt-kushtetutë qe prezantuar përmes delegacionit mirditor dhe në Besëlidhjen e Shkupit, më 10 gusht 1912.
Dom Ndoc Nikaj dhe Abat Preng Doçi, gjatë muajt mars-gusht vitit 1911, kanë qenë pjesëmarrës në kryengritjet e malësorëve në Malësinë e Mbishkodrës. Aq më tepër si klerik i lartë kishtar nga viti 1903 në 1912 dhe në vazhdim, Preng Doçi pati letërkëmbim të vazhdueshëm me Ismail Qemalin, kur ky ishte deputet i Perandorisë Osmane, e më vonë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.
Ëndrra e popullit liridashës për t’u liruar nga zgjedha e vuajtjeve shekullore, nuk kishte si të mos shqetësonte dhe të mos e nxiste për t’iu bashkëngjitur popullit, edhe poeti dhe gjuhëtarin i spikatur i kombit tonë, Dom Ndre Mjedën. Më 26 shkurt 1902 Mjeda hartoi në të gjitha gjuhët e diplomateve në Shkodër, një memorandum, në emër të krerëve mirditorë të Oroshi, Spaçit, Kushnenit, Fandit, Dibrrit dhe bajraqeve të Pukës së sipërme të cilin e dërgoi vetë, në dyert e të gjithave konsullatave të akredituara në Shkodër. Në vitet 1910- 1912, ai kërkonte që të tria besimet e një kombi të bashkoheshin në një lëvizje të vetme kombëtare, me qëllim që të fitohej autonomia për shqiptarët me mënyrë paqësore dhe, më vonë të bëhej shkëputja e plotë nga Perandoria Osmane.
Por, natën e 1-2 nëntorit 1912, duke iu bastisur shtëpia, Mjeda arrestohet nga turqit për herë të dytë. Me këtë rast i digjen dorëshkrimet e vyera në qelën e kishës se Kuklit, ku kryente shërbesat fetare. As ky gjest i shëmtuar i pushtuesit turk, nuk e ndaloi poetin që në nëntorin e vitit 1912, të merrte pjesë aktive tashmë në mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, nga sulmet pushtuese malazeze e serbe, të cilëve u ishte rritur oreksi ndaj tokave shqiptare.
Nënkryetari i Qeverisë së Vlorës, Dom Nikollë Kaçorri
Në vazhdën e lëvizjeve dhe kryengritjeve në veri të Shqipërisë, bëjnë pjesë dhe ato të Kurbinit të viteve 1903-1912. Kjo krahinë, si të gjitha viset e tjera, kërkonte të drejtën e vetëqeverisjes. Me këtë rast, në skenën politike doli, Dom Nikollë Kaçorri, për të cilin Dom Markë Dushi, famullitari i Tiranës, në dorëshkrimin e tij, me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Kaçorrit, ndër të tjera shkruante: “Shkëndijën e parë në zemrat e malësorëve trima të Kurbinit për një kryengritje të përgjithshme kundër turkut, që e ndezi Dom Nikollë Kaçorri”. Dushi, duke komentuar cilësitë e Kaçorrit, do të nënvizonte: “I lindur në vend burrash, i mprehtë për nga mendja, orator për nga goja dhe vullkan për nga zemra, për dashuni ndaj atdheut, të gjitha këto e bajn Kaçorrin një personalitet të dalluem në Shqipërinë e skllavërueme, por jo të mposhtun, një shërbëtor të denjë të atdheut”.
Dom Kaçorri, në vazhdën e punës së tij atdhetare, qe zgjedhur anëtar i Kongresit të Manastirit në vitin 1908 si dhe të Kongresit të Elbasanit. Po atë vit qe zgjedhur si delegat i Durrësit edhe në Kongresin e Dibrës, në vitin 1909. Pasi u zunë disa delbenishtas duke sjellë armë për kryengritësit në Kurbin, Dom Nikollë Kaçorri u arrestua, si nxitës i kryengritësve. Gjyqi i Durrësit më 25 qershor 1910 e burgosi dhe e dënoi Kaçorrin me 4 vjet burg. Por, kjo ngjarje e shëmtuar nuk e shoi dashurinë e Kaçorrit ndaj atdheut, edhe më tepër e ndezi zjarrin e pa fikur në shpirtin e tij për çlirimin e vendit.
Kaçorri njoftonte dhe njoftohej me letra për kryengritje, nga Ismail Qemali, Sali Nivica, Imzot Preng Bardhi, Imzot Jak Sarreqi e tjerë. Në njoftimet që dërgonte ai përdorte pseudonimin “Kunora . Në momentet më kulmore për popullin tonë, Nikollë Kaçorri, si Nën/kryetar i Qeverisë së Përkohshme, qëndroi krah për krah me Ismail Qemalin, duke e ngritur Flamurin kombëtar më 28 Nëntor 1912, në Vlorë. Kryeipeshkvi i Durrësit, Imzot Preng Bardhi (Bianchi), meqenëse nëpërmjet Kaçorrit ishte bërë pjesë e jetës së kryengritësve, e përhapi me gëzim të madh lajmin nga në katër anët e Kurbinit për ngritjen e Flamuri kombëtar edhe në Milot, po më 28 Nëntor 1912, nga dora e Gjin Pjetrit.
Kryengritjet e Malësisë së Mbishkodrës dhe Pavarësia
Pakënaqësia e popullit shqiptar ishte shtuar dhe më tepër pas aprovimit të kushtetutës xhonturke të Perandorisë Osmane më 1908, e sidomos pas një operacioni tejet ndëshkimor të udhëhequr nga Shefqet Turgut Pasha, ndaj Malësisë së Mbishkodrës në vitin 1911, ku qindra familje ishin detyruar t’i lëshonin shtëpinë e tyre, duke u shpërngulur në Podgoricë, sipas marrëveshjes me ndërkombëtarët.
Në këto rrethana, malësorët të udhëhequr nga prijësit e tyre shpirtërorë, kishin vazhduar, në stil të gjërë, luftën e tyre me turqit nga Gryka e Shkrelit dhe Kastrati, deri në Dinoshë, në afërsi të Tuzit. Si rezultat i këtyre luftimeve ka qenë marrja e fortifikimit të Deçiqit, me 6 prill 1911, kur në të cilin më përpara valonte flamuri i Turqisë, dhe tani dhe po atë ditë valoi Flamuri kombëtar, në majën e Bratilës së Deçiqit.
Qëndrimi i malësorëve në arrati u shoqërua me kujdesin e vazhdueshëm të Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Jak Serreqit, së bashku me Abat P. Doçin, Atë Gj.Fishtën, Dom L. Bumçin, Dom Nd. Mjedën. Figurat e njohura klerikale u përfshinë gjerësisht në ngritjen në këmbë të opinionit diplomatik evropian, duke u angazhuar gjerësisht në modelimin e bisedimeve në mes të kryengritësve dhe të autoriteteve turke.
Meqenëse qeveria turke nuk i plotësoi kërkesat e shqiptarëve, të Kuvendit e Gërçës, qershor 1911, për autonomi, përkatësisht bashkimin e katër vilajeteve në një të vetëm, shqiptarët me nxitjen e klerikëve vazhduan kryengritjet në intervale edhe deri në pikën kulmore, kur me ndihmën e Austro-Hungarisë, Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri, Mithat Frashëri, Myfit Libohova, e të tjerët, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë.
Kontribuuesit për shpalljen e Pavarësisë, si: Fishta, Mjeda, Nikaj, Doçi, e tjerë, për shkak të sulmeve malazeze në Shkodër, tetor-nëntor 1912, që vijonin edhe gjatë muajit nëntor 1912, nuk munden të jenë të pranishëm në ngjarjen e Vlorës, por shpirtërisht e ndanin gëzimin me bashkëvëllezërit e tyre të cilët të bashkuar rreth flamurit, shprehnin vullnetin e të gjithë shqiptarëve, kudo që ata ndodheshin.
Për flamurin dhe ngjarjen në Vlorë, i mallëngjyer ishte dhe Kryeipeshkvi i Shkupit, Imzot Lazër Mjeda, i cili duke qëndruar për bisedime diplomatike në Vjenë, rreth lëvizjeve të armatosura dhe të mos lejimit të copëtimin e trojeve. Ai, sipas revistës Leka, ndihmoi financiarisht, Luigj Gurakuqin dhe Ismail Qemalin që të arrinin me vapor, nga Trieste për në Durrës, e më pas të shkonin drejt Vlorës.
Megjithatë edhe pse me insistimin e Rusisë arriti në vendimet e Konferencën e Ambasadorëve nw Londwr, më 1913, t’i shkëpuste prej shkëputën prej trojeve tona, më shumë se gjysmën e territorit dhe popullsisë, të cilën ua hodhi dhanë krijesave të saj, përqark nesh, pozicionimi i klerikëve katolikë për çështjet në fjalë ishte sa i qartë, aq edhe i prerë historikisht.
Misioni i tyre ishte i mbështetur në trinomin, ‘Për Zot, për Atme e Përparim’, që do të sillte dinjitetin e shtetit shqiptar dhe shqiptarit, kudo që ata do të ndodheshin.