Adnan Mehmeti
President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
New York, 29 dhjetor 2024
Viti 2024 për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë shënoi një kapitull të suksesshëm në historinë e saj. Me një axhendë të pasur, e mbushur me aktivitete letrare, promovime librash, çmime ndërkombëtare dhe botime cilësore, Shoqata e Shkrimtarërve Shqiptaro-Amerikanë dëshmoi përkushtimin e saj ndaj ruajtjes dhe promovimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare në Amerikë.
Më 7 prill 2024, Shoqata e Shkrimtarëve zhvilloi zgjedhje të reja. Drejtimin e saj e morën figura të njohura të letërsisë shqipe. Kryetare u zgjodh Dr. Yllka Filipi. Nenkryetare Arjeta Ferlushkaj Kotrrri dhe sekretar Dr. Bexhet Asani. Presidenti aktual, Adnan Mehmeti do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij. Kjo kryesi e re vjen me energji dhe vizion për të çuar përpara misionin e Shoqatës. Në këtë kontekst, falenderime të veçanta ju drejtojmë kryesisë së mëparshme, të drejtuar nga Mëhill Velaj për kontributin dhe angazhimin gjatë viteve.
Panairi i 3-të i Librit Shqip në Amerikë.
Ky event ishte një nga ngjarjet kulturore më të mëdha të vitit në Amerikë, ku mblodhi shkrimtarë dhe lexues nga të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara në bibliotekën “Ferguson Library” në Stamford, Connecticut. Ngjarja u cilësua si një moment kulmor për diasporën shqiptare, për promovimin e librave shqip, por edhe si një urë lidhëse midis autorëve dhe lexuesve. Të gjitha kumtesat dhe veprat e paraqitura gjatë panairit u përfshinë në suplementin e posaçëm të revistës letrare “PENA”, organi zyrtar i Shoqatës, duke u bërë një pasqyrë gjithëpërfshirëse e krijimtarisë së anëtarëve.
Çmime ndërkombëtare dhe nderime për autorët shqiptarë.
Viti 2024 ishte gjithashtu i pasur me dekorime ndërkombëtare për anëtarët e Shoqatës, të cilët dëshmuan vlerat e letërsisë shqipe në arenën globale.
Visar Zhiti mori çmimin ndërkombëtar “Camaiore” në Camaiore dhe “Çmimin e Ekselencës” në Milano, Itali, duke nderuar jo vetëm Shoqatën, por edhe kulturën dhe letërsinë shqipe në tërësi.
Vlashi Fili, ish-nënkryetar i Shoqatës, u nderua me çmimin prestigjioz “Artium Mundus Prize 2024”, një çmim letrar nga revista ndërkombëtare e letërsisë dhe arteve me seli në Dallas.
Promovime librash dhe anëtarë të rinj.
Gjatë vitit u organizuan një numër i konsiderueshëm promovimesh librash, ku u prezantuan krijimet më të reja të autorëve si Gjekë Marinaj, Visar Zhiti, Mëhill Velaj, Namik Selmani, Besim Muhadri, Hys Hasa, Bexhet Asani, Age Ivezaj, Sabije Dervishi Veseli, etj.
Një moment i rëndësishëm ishte edhe mirëpritja e anëtarëve të rinj në Shoqatën e Shkrimtareve, duke zgjeruar kështu radhët e saj me emra premtues si: Eva Dori, Sami Mulaj, Nexhmedin Syla, Aurel Naqi, Nosh Mernacaj, Gjon Frani Ivezaj, Premisa Kerthi dhe Azgan Berbati.
Kontribute për komunitetin shqiptar.
Një iniciativë e veçantë erdhi nga bashkëpunimi mes Shoqatës së Shkrimtarërve dhe Aleancës Shqiptare të New Jersey-it, ku falë përkushtimit të anëtares Arjana Gaba, një koleksion librash në gjuhën shqipe iu dhurua Bibliotekës Publike të Garfield-it. Kjo iniciativë pasuroi fondin e bibliotekës dhe ndihmon në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në këtë komunitet.
Ju dha denjësisht lamtumira e fundit kontribuesve të mëdhenj të letërsise shqipe.
Viti 2024 solli edhe momente të dhimbshme për Shoqatën dhe letërsinë shqipe në përgjithësi.
Shoqata humbi dy anëtarë të saj, Prof. Sami Repishtin dhe Agim Dëshnicën, si dhe kolosin e letërsisë shqiptare, Ismail Kadarenë, një mik i Shoqatës dhe një ikonë e kulturës shqiptare.
Revista letrare “PENA”
Kryesia e re e Shoqatës realizoi një botim të ri të revistës “PENA”, e cila vazhdon të mbetet një platformë e rëndësishme për promovimin e krijimtarisë së anëtarëve të saj. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë vazhdon të jetë një burim frymëzimi për diasporën shqiptare dhe një mbështetëse e zërit letrar shqiptar në botë.
Urojmë që viti 2025 të sjellë suksese të reja dhe krijimtari të begatë për ta çuar lart e me lart zërin dhe vlerat e letërsisë shqiptare në Amerikë e më gjerë.