-Jamie Shae nderohet nga UBT me Çimin “Excellence Leadership Award”/
-Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj dhe Kryetari i Kuvendit Veseli presin në takime ish zëdhënësin e NATO-s, Jamie Shea, të cilit UBT i ndan Çmimin për Lidership/
PRISHTINË, 24 Tetor-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim Zëvendës-Ndihmësin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ish zëdhënësin e NATO-së gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Jamie Shea.Presidenti duke i shprehur mirëseardhje, u shpreh se qytetarët e Kosovës do t’i jenë mirënjohës përgjithmonë që ishte zëri i tyre në botë, por edhe zë i Aleancës më të fuqishme në botë që sillte shpresë dhe besim.“Që nga lufta, Kosova ka ecur përpara shumë. Është zhvilluar në të gjithë sektorët”, u shpreh Presidenti Thaçi. “Kemi arritur suksese të mëdha, na presin sfida të mëdha, por jemi në rrugën e duhur, me energjinë dhe vullnetin e duhur”, u shpreh Presidenti Thaçi.Nga ana tjetër, Jamie Shea u shpreh i lumtur me zhvillimin e Kosovës, me të arriturat si dhe me gatishmërinë që institucionet e shtetit të Kosovës kanë për t’u përballur me sfidat.“NATO mbetet e përkushtuar në dhe për Kosovën”, u shpreh ai.Presidenti Thaçi u shpreh se me angazhimin për dialog, për transformim të FSK-së në koordinim me partnerët ndërkombëtarë Kosova nga një konsumuese e kapaciteteve të sigurisë do të transformohet në eksportuese të paqes e sigurisë, në rajon e më gjerë.
Jamie Shea, i shoqëruar nga Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, takoi edhe Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Ish-zëdhënësit të NATO-s, Jamie Shea, UBT i ndan Çmimin për Lidership, “Excellence Leadership Award”, me të cilin nderon personalitetet që kanë dhënë knotribut jetësor.Me këtë rast, në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, do të mbahet edhe konferenca dhe diskutimi i hapur me studentë mbi temën: “E ardhmja euroatlantike e Kosovës”, dhe pas kësaj, do të bëhet edhe inaugurimi i Forumit Euroatlantik të UBT-së
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Zëvendës-Ndihmësin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jamie Shea.Kryeparlamentari Veseli e ka falënderuar ish-zëdhënësin e NATO-s gjatë intervenimit të Aleancës Veriatlantike në kohën e luftës në Kosovë, për angazhimin e treguar dhe kontributin e dhënë.Veseli, po ashtu, ka falënderuar NATO-n për ndihmën e dhënë për qytetarët, si dhe për mbështetjen që vazhdon ta japë për Kosovën, sidomos për ngritjen e kapaciteteve të plota për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri.Nga ana e tij, Zëvendës-Ndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jamie Shea, pasi ka falënderuar Kryeparlamentarin Veseli për pritjen, ka vlerësuar lart të arriturat e shtetit të Kosovës. Ai është shprehur i kënaqur me përparimet në Kosovë dhe ka shprehur besimin se vendi është në rrugën e drejtë për t’u anëtarësuar në NATO.