Nga Kapiten Selim Allajbeu/ ish komandant i Bazës Detare Shëngjin/
Pa pretenduar për ato cka do të them më poshtë rreth 3 vëllimeve të “Antologjisë së Detarisë Shqiptare”, duke mos e konsideruar veten kompetent në këtë drejtim, le ta quaj dicka dashamirëse dhe në formën e një promovimi shoqëror. “Antologjia e Detarisë Shqiptare” është një libër me vlera që i kushtohet jo vetëm atyre që shërbyen në det gjatë gjithë kohërave të dashuruar me detin, por gjeografia e kësaj dashurie përfshin gjithë trevat shqiptare, nga Ulqini në Himarë e Prevezë, nga Gjakova në Tepelenë, nga Shkodra në Ohër, nga Skrapari në Kukës, nga Vlora në Shijak, Kavajë e Tiranë, nga Fieri në Mirditë, nga Shëngjini në Sarandë, të gjithë trevat shqiptare që kanë lindur bij të detit, ku pa dyshim kryqendra mbetet Durrësi. Mendoj se për herë të parë kemi një përpjekje serioze për ta trajtuar këtë çështje në format të plotë, me kuadër historik të qartë e vijimësi, në çdo vit, shekull, periudhë historike dhe epokë. Është fakt që në historinë e popullit tonë trajtimi i kësaj teme ka qenë i cunguar, është shkruar pak, me përjashtim të ndonjë dokumenti ose përshtypje të udhëtarëve të huaj, pra, ka pasur një boshllëk të pajustifikuar përballë realitetit që afron populli ynë me tradita të lashta detarie, të evidentuar dhe nga studjues, historianë, etnografë e detarë të huaj. Këtë boshllëk e ka plotësuar zoti Shefqet, nëpërmjet një punë të thellë studimore e shkencore, bazuar në dokumente, arkiva, tregime, ngjarje, gojëdhëna, biseda, intervista, prozë, vepra artistike, enciklopedi dhe botime të huaja. Ai ka lundruar me mijëra milje në cdo cep e port të globit ku kanë kaluar detarët tanë, ka dëgjuar me mijëra histori, gëzime, kënaqësira, dhimbje, halle e hidhërime, një botë e pafund, shpirtëra të trazuar që i përjetuan vetëm këta njerëz trima e të guximshëm. Ka lexuar, dokumentuar e dëgjuar shumë ngjarje e ndodhira nëpërmjet bisedave, studimeve e hulumtimeve, duke i qëndruar afër, duke regjistruar me qindra orë biseda të lira, dëshmi personale, tregime e foto për shokët e ekuipazhin e anijes, emocione e episode të veçanta autentike. Libri është mbështetur mbi bazë dokumentare autentike, në sajë të vullnetit e këmbënguljes për të vjelur e qëmtuar çdo dokument brenda e jashtë vendit. Dokumentacioni i pasur e bën shumë bindës e realist. Ai e fut lexuesin në rrjedhën e ngjarjeve në Detin Adriatik e Jon, për më shumë se 3 mijë vjet, sjell argumenta, shtron teza e analiza që dëshmojnë se populli shqiptar ka një traditë të spikatur detarie që nga lashtësia. Libri ka vlera të veçanta në rrëfimin e hapur të mjaft dokumentave, dëshmive, fotove, të vërtetave historike, me të cilat opinioni ynë në masën 80% njihet për herë të parë. Ai sjell ndryshimet e thella, zhvillimin që kanë pësuar mjetet detare, teknika dhe teknologjia e tyre në varësi të zhvillimit ekonomik, tradita, profesioni i detarit, mënyrat e orientimit, përfitimit nga përvoja e vendeve të tjera, bashkëpunimi, transporti detar dhe tregëtia brenda e jashtë vendit, mbështetur në statistika të institucioneve detare vëndase dhe të huaja. “Antologjia e Detarisë Shqiptare” është trajtuar nën frymën e ideve të rilindasve tanë, pa dallim feje, krahine dhe ideje, jashtë partive, ideologjive, politikave, hatëreve, interesave vetiake, pra, vetëm kuq e zi, duke ndjekur parimet e studimit shkencor të historisë, me sens racional e pranë së vërtetës, shkuarjes deri në fund të problemeve, pa e shkëputur lexuesin nga përshkrimi i domosdoshëm i ngjarjeve me rëndësi në Historinë e Popullit Shqiptar, të gërshetuar me interesat e fqinjëve, aktorëve kryesorë e rivaliteteve në Jon e Adriatik, pikat strategjike dhe interesat e fuqive të ndryshme, që janë shfaqur dukshëm sipas situatave. Autori është përpjekur të bëjë një sintezë të traditës sonë detare, ta paraqesë atë në mënyre sa më objektive e të paanshme, me të mirat e të këqijat e veta, të pashkëputur nga Historia e Popullit Shqiptar, për ta bërë atë të marrë tiparet e një botimi origjinal. Sigurisht në këtë ndërmarrje të vështirë, në këtë punë për detarët, brezat, popullin tonë, zoti Shefqet ka pasur plot miq, intelektualë, detarë, kolegë, qytetarë e dashamirës, të gatshëm për të bashkëpunuar. Natyrisht, nuk ka gjë më të bukur se sa të lundrosh ne shtigjet e kujtesës së detarëve, nuk ka gjë më argëtuese e shlodhëse sesa të jetosh mes shokëve dhe kujtimeve për detin. Detarët tanë janë pjesë e një familje të madhe të lidhur përjetësisht me detin, pjesë e të së cilës është dhe zoti Shefqet Kërcelli. Ai u është gjendur pranë për dekada të tëra detarëve, tashmë në lundrimin e tij në detin e kujtimeve, duke ndjekur me kujdes proklladkën e kujtesës së tyre. Doza e sinqeritetit, pastërtia e rreshtave dhe stili konciz e bëjnë autorin të vecantë në mënyrën se si shkruan. E bëjnë të besueshëm dhe komunikues për ato që pasqyron në tregime të jetuara, shoqëruar me album fotografish, me humorin dhe shijen e kripës, që karakterizon detarët, por duke i dhënë dicka nga vetja, duke i përsosur artistikisht mendimet e shprehura. Këta burra të moshuar dhe të rinj, që e lidhën jetën me detin, me një pasion të admirueshëm e të pashkëputur në aktivitetin e tyre shumëvjecar e kthyen anijen në shtëpinë e tyre të dytë. Pra, detarët janë ata që përjetojnë dy dashuri, njëra është për detin dhe tjetra për familjen, të ndryshme nga njëra-tjetra. S’është e lehtë të jetosh në detin me dallgë të trazuara e furtune ku jeta dylufton me vdekjen, ku malli dhe dashuria për familjen është e madhe dhe ti je në distancë prej dhjetra, qindra e mijëra miljesh, larg saj. Për ta anija është shtëpia e dytë. Të punosh e jetosh në det është tepër e vështirë. I parë nga bregu, vecanërisht në verë, në kohë plazhi, deti është mjaft tërheqës e romantik, por është krejt ndryshe deti i trazuar e me dallgë të fuqishme në kohë fortunali sic e quajnë detarët, aq më tepër të luftosh me dallgët në thellësi të oqeanit. Pikërisht këtu qëndron krenaria e detarëve në përballimin e lundrimeve të gjata dhe me det të trazuar. Puna e detarit nuk ka orar zyrtar, ajo nuk fillon në orën 08.00 dhe nuk mbaron në orën 16.00, ajo zgjat me orë, me ditë, javë e muaj të tërë. Kujtojmë lundrimet e gjata për në portet e Polonisë, Gjermanisë, Suedisë, Hollandës, Kubës e Kinës, me një mesatare kohëzgjatje deri në 2.5 muaj. S’është e lehtë të kalosh varrin e anijeve, Gjirin e Biskajës, apo të lundrosh në oqeanin Atlantik, Indian e Paqësorin e Largët. Kujtojmë këtu lundrimin më të gjatë deri më sot nga anijet shqiptare, viti ‘93-‘94, atë të vaporit “Tirana”, me kapiten Alfred Semini, lundrim që zgjati 1 vit e katër muaj, ku u kalua për herë të parë kanali i Panamasë nga një anije me flamur shqiptar. Kujtojmë rrugët e shumta të Kinës e Kubës shoqëruar me vështirësitë e lundrimit, shpesh herë me stuhi e tajfune, por përgatitja dhe guximi i kapitenëve të talentuar si Haxhi Shehu, Teodor Muka, Rrok Nikaj, Qemal Hate, Resmi Shametaj, Viron Sadiraj, Pandeli Golemi, e shumë e shumë breza kapitenësh,{të cilët jepen gjerësisht në libër}, triumfuan mbi vështirësitë. Për detarin nisja dihet, kurse kthimi varet nga shumë faktorë si, gatishmëria teknike e anijes, aftësitë e ekuipazhit, kushtet e motit, gjendja e detit dhe oqeanit në zona të caktuara, në kohë e stinë të ndryshme, etj. Do përmend vetëm dy episode tragjike të përshkuara në libër, mekaniku i anijes “Vlora” Hysen Xhixho, i bleu pajën e dasmës vajzës së vet dhe kthehet pranë familjes pas tre muajsh, por ndërkohë vajza e tij kishte ndruar jetë. A ka gjë më të dhimshme e tragjike se kjo!? Apo ngjarja me anijen “Vlora” ku kapiteni i saj Qemal Sharkiqi, që vuante nga pankreasi vdiq në moshën 40 vjecare. Trupin e të ndjerit e sollën me avion nga Spanja, ndërsa ekuipazhi me anijen kthehet i trishtuar në atdhe. Ka me dhjetra raste në libër ku detarët mbasi ktheheshin në atdhe krahas gëzimeve mësonin lajme të hidhura për vdekjen e prindërve, familjarëve ose të afërmëve të tyre. …Sipas zakonit të ulqinakëve detarët përcilleshin me buqeta me lule dhe priteshin po me buqeta me lule…Detari s’duhet të bëjë kompromis më detyrën e tij, se nga një nënvletësim ose lëshim i vogël varet jeta e gjithë ekuipazhit dhe fati i mjetit lundrues. Në libër përshkruhet me nota trishtuese mbytja e vaporit “Mati” në një kohë të keqe e fortunal në portin e Konstancës, Rumani. Fatmirësisht detarët shpëtuan falë përgatitjes së tyre detare e fizike, sakrificave të mëdha që ata bënë, por vdekjen e panë me sy. Në pjesën e tretë të librit “Antologji e detarisë Shqiptare më bëri përshtypje një fakt:-mjaft detarë shqiptarë kanë dashur të emigrojnë në SHBA. Ka pasur një dëshirë të kahershme të tyre për të emigruar në SHBA. Kjo fillon me ”Titanikun”, ku në ekuipazhin e tij kishte dhe shqiptarë. Kjo dëshirë është përcjellë përgjatë një shekulli dhe aktualisht. Mjaft prej tyre kanë provuar dhe arratisjet në regjimin monist. Pra, detarët tanë kanë qenë sqimëtarë në përzgjedhjen e vendit të duhur për emigrim, për arësye të ndryshme, ku më kryesorja është se ata kanë parë vendet e tjera…ka shumë ngjarje të përshkruara në libër në lidhje me këtë fenomen. P.sh. Ish oficeri i Flotës Detare Tregëtare, Neki Seferi, që ka lundruar për shumë vite në anijen “Vlora”, vitet e fundit të jetës dëshëron ti mbyllë si qytetar i SHBA. Në prill të vitit 2012, kapiteni 79 vjecar bëri ndërhyrje kirurgjikale në zemër në spitalin e Jackonvillit, ku mundësitë për të jetuar ishin 50% me 50%. Nekiu dhe familja e tij ishin transferuar në SHBA disa vite më parë. Ai kishtë një dëshirë të madhe për tu bërë qytetar i SHBA, dhe kjo ëndër ju realizua pak ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale në spital, ku zyrtarët e emigracionit shkuan në dhomën e tij dhe i dhanë dokumentet përkatëse…Por ka dhe një fakt domethënës në pjesën e trëtë të librit:-më 15 mars 1991, u nënshkrua dokumenti për rivendosjen e mardhënieve diplomatike amerikano-shqiptare, pas një ndërprerje gjysëm shekullore. Në këtë ngjarje historike për popullin shqiptar, dokumentin e firmosën IshMinistri i Punëve të Jashtëme z.Muhamed Kapllani dhe ndihmës sekretari i shtetit i SHBA, zoti Raymond G.H. Seitz. Por, pak njerëz në Shqipëri e dinë se zoti Muhamed Kapllani në rininë e tij është arsimuar si oficer lundrues në Odesë? Më pas ai vazhdoi studimet dhe karrierën e tij si diplomat i shquar i vendit tonë. Ndoshta z.Muhamed Kapllani, mund të ishte bërë një lundërtar i mirë. Gjithsesi ai lundroi në rrugën e diplomacisë, duke i kthyer shqiptarëve ëndrën e këputur në mes. Kështu në “Antologji” lexuesi nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull, nga pjesa në pjesë njihet me ngjarje, fakte, episode e tregime të panjohura më parë…Natyrisht nuk është e lehtë të përfshish në tre vëllime jetën e stuhishme e plot sakrifica të detarëve në vite, aq më tepër kur duhet ta japësh atë në mjedisin dhe kohën e vet. Dhe nuk është rastësi që këtë gjë arriti ta bëjë me shumë kujdes, përkushtim, vullnet e dashuri, autori i tre përmbledhjeve të titulluara “Antologji e Detarisë Shqiptare”, zoti Shefqet Kërcelli, i cili tashmë është bërë miku më i afërt dhe më i dashur i detarëve. Si i tillë meriton respektin dhe mirënjohjen më të thellë. Miku i detarëve dhe prozatori Devolli në bashkëjetësën e tyre të gjatë këndojnë këngët e detit, të bindur se udhëtimi i Shefqetit nëpër kanalet e kujtesës së detarëve nuk do të ndalet në të ardhmen. Tashmë ai është në moshën dhe pjekurinë e duhur, me energji të pashtershme dhe i kompletuar për të na dhënë studime të tilla me vlera historiko-shkencore për kombin shqiptar.
LETER PER AUTORIN E LIBRIT
I nderuar zoti Shefqet!
Jeta e detarit është sa e thjeshtë po dhe aq komplekse në të njëjtën kohë. Ajo ka një rezultante progresiste me prirje nga e vërteta, nga sinqeriteti, nga dashuria vëllazërore, me një bazë të shëndoshë të humanizmit aktiv. Vetëm në mjedisin detar mishërohet parimi,-“Një për të gjithë, të gjithë për një”, që në gjuhën e matematikës quhet Lemë,{ska nevojë për vërtetim}. Kujtojmë këtu se cmund të ndodhte nga gabimi i një pjesëtari të ekuipazhit në nëndetëse, nga gabimi i pjestarëve të zhytësave{polumbarëve}, po ashtu dhe në anijet e transportit, prandaj kërkohet përgatitje e lartë, përgjegjësi e përkushtim, humanizëm nga secili në detyrën e vet. Dhe detarët mbeten detarë, nuk janë qaramanë, por nuk janë as mburravecë nga ata që rrahin gjoksin. Ballin dhe gjoksin e detarit e rrahin erërat dhe stuhitë që lënë rrudha në ballin e detarit, në ndërgjegjen dhe kujtesën e tyre. Tek ata spikat kurajua dhe burrëria, guximi dhe qëndrueshmëria, ata dinë ta shohin vdekjen në sy pa u ankuar. Detarët janë njerëz me dinjitet, ata kanë shpirt fisnik, janë njerëz me zemër të madhe, të ciltër e bujarë. Fisnikëria e detarëve nuk njeh kufij!…Lum kush bëhet mik i detarëve! Për këto cilësi dhe vlera të detarëve nuk do mjaftonin vëllime të tëra, ndaj është nder dhe detyrë fisnike për cdo njeri të ndershëm të shkruajë e plotësojë biografinë e detarëve, prandaj bashkohem me thirjen tuaj drejtuar cilitdo, që dëshëron të bashkëpunojë në këtë drejtim. Si detar e poet, tashmë mund t’ju drejtohem,- I dashur miku im! Të shkruash është gjëja më e vështirë në jetë, sepse lypset vullnet, durim, përkushtim, karakter i fortë dhe i qëndrueshëm. Ti këto cilësi i ke. Karakteri nuk është produkt bankar, por produkt i zemrës dhe shpirtit të njeriut që merr përgjegjësi të mëdha mbi veten. Unë të përgëzoj sepse ke krijuar profilin tënd, ke gjetur rrugën e integritetit tënd, ke gjetur dashamirësit dhe bashkëpunëtorët e tu, që do i kesh pranë kurdoherë. Ah! se harrova. Nuk më harrohet 25 gushti i 2012, kur Profesori i Historisë të Universitetit të Prishtinës, i cili ishte me pushime në Shëngjin, rastësisht mbasi u njoh me vëllimin e parë të Antologjisë më tha:-kush është ky person? Ky e meriton titullin hero, për këtë punë që ka bërë! Natyrisht unë i sqarova kush jeni. S’ta them këtë që të rritet mëndja. Ne detarët presim përsëri vepra të reja nga ju. Ndaj nga unë dhe detarët e Shëngjinit ke urimet më të sinqerta në lundrimin tënd historik bashkë me detarët shqiptarë!
Kapiten Selim Allajbeu,
Ishkomandant i Bazës Ushtarako-Detare Shëngjin.
Shkrimëtar dhe poet.
Shëngjin 17 tetor 2014
shefqet says
Kapiten Selimi! Ju falenderoj per opinionin tuaj te sinqerte si dhe verejtjet e mendimet tuaja korrekte. Jam i hapur dhe mirepres cdo sugjerim te lexuesve dhe detareve kudo qe ndodhen. Te tre vellimet e “Antologjise se Detarise Shqiptare” jane frut i nje pune kerkimore dhe studimore mese 20 vjecare, nepermjet nje bashkepunimi te gjithanshem me detaret dhe institucionet detare shqiptare, vecmas Administraten Detare, Kapitenerine dhe Komanden e Forces Detare. Natyrish gje te perkryer nuk ka, eshte e veshtire te arrish mesin e arte, perpos mungeses se informacionit dhe burimeve arkivore. Por gjithsesi sic me kane thene dhe mjaft kapitene te tjere, eshte hedhur nje gur themeli ne kete fushe, qe do jete baze per studimet e ardheshme. Ne opinionin tuaj me te drejte ju kerkoni qe une te vazhdoj ne kete rruge, lundrimin historik bashke me detaret shqiptare. Po, ju premtoj se do vazhdoj te shkruaj per detaret dhe popullin shqiptar sa jete me ka dhene zoti. Tashme jam duke grumbulluar dokumente, fakte jetesore, statistika, intervista, foto, filmime, etj. per te vazhduar kolanen historike te ketij libri, Vellimin e IV-te te Antologjise se Detarise i cili do permbledhe periudhen mbas vitit 2012. Nderkohe po punoj per nje novele me titull, “Lundrimi i fundit i anijes “Mati”, krahas librit historiko-ushtarak, “Bashkepunimi ushtarak Shqiperi-SHBA, ne shekullin e XX-te”, ku vend te vecante do zene detaret shqiptare. Po ndjek cdo dite dhe cdo ore aktivitetin e detareve shqiptare me dhe pa uniforme. Gjithashtu rikonfirmoj idene qe kam hedhur ne VOA,{Zeri i Amerikes, shqip} ne dhjetor te vitit 2003, per ngritjen e nje muzeumi detarie te luftes se ftohte ne Vlore dhe nje muzeumi te detarise ne Durres. Keto muzeume do te shtonin dimesionin historik, kulturor e turistik te qytet-porteve me te rendesishem te vendit tone. Per keto bashke me kolege e miq detare kemi pergatitur dhe projektet perkatese. Pra, ka shume pe te bere ne vleresimin e tradites detare e transportit detar ne vendin tone. Tashme ka trokitur ora e detarise shqiptare dhe per kete duhen politika dhe strategji zhvillimi efikase. Le te shpresojme se do levize dicka ne kursin e duhur. Dhe njehere ju falenderoj per opinioni tuaj, shendet e jete bashke me familjen tuaj. Gjej rastin t’ju uroj per botimin tuaj te ri, vellimin poetik, “Kenget e detit”.
me respekt
Shefqeti