
Dr. Bledar Kurti/
Më 3 janar 1521, Papa Leo X lëshoi urdhrin papal Decet Romanum Pontificem, duke shkishëruar Martin Luterin, priftin dhe teologun gjerman i cili nisi Reformacionin Protestant.
Perandori Charles V i ofroi Luterit mundësinë të pendohej e të shpëtonte veten nga burgosja apo edhe ekzekutimi. Por Luteri iu përgjigj:
“Unë nuk mund dhe nuk do të heq dorë nga asgjë, sepse të shkosh kundër ndërgjegjes nuk është as e drejtë dhe as e sigurt. Ky është qëndrimi im, nuk mund të bëj ndryshe.”
Përpos përhapjes së menjëhershme të Protestantizmit në trevat gjermane, vendet e ulëta, ato nordike, britanike e më pas në kolonitë amerikane, qëndrimi i Luterit themeloi konceptin e ndërgjegjes së individit në raport me veten, shoqërinë, besimin dhe ideologjinë. Nga ky qëndrim i Luterit ndërgjegja u bë matësi dhe guida e aktivitetit njerëzor duke çuar ndër epoka lëvizje transformuese, revolucione dhe ideologji sfiduese ndaj shtypjes dhe kontrollit. Kjo është arsyeja që edhe të arrestuarit për shkak të mendimeve apo ideologjive të tyre quhen të burgosur të ndërgjegjes pasi e vënë atë mbi normat e imponuara apo të diktuara.
Mesazhi i Luterit u integrua e u cimentua në shoqërinë evropiane duke u përhapur edhe më tej, duke i bërë njerëzit e popujt të vetëdijshëm se vetëm peshku i ngordhur shkon me rrymën, dhe se të shkosh kundër ndërgjegjes nuk është as e drejtë e as e sigurt, por është vetëm skllavëri e verbëri.
Sot, ky parim themeltar dhe e drejtë njerëzore aplikohet në vendet e zhvilluara ndaj edhe shohim në mënyrë të vazhdueshme qëndresa popullore ndaj çdo diktimi e imponimi vertikal dhe kjo është arsyeja kryesore pse vendet perëndimore janë më pak të korruptuarat në renditjen botërore sepse ndërgjegja luan rolin themeltar në jetën e individit, qoftë ai apo ajo në pozicione qeverisëse e drejtuese qoftë edhe në ato zbatuese dhe në hallkat e fundit të hierarkisë së pushtetit.
Shoqëria shqiptare do jetë më e emancipuar dhe në anën e drejtësisë nëse secili do e dëgjojë zërin e ndërgjegjes së vet duke mos e kompromentuar kurrë atë, e nuk mos shkuar e vepruar asnjëherë kundër saj.
Është dhurata më e çmuar që ne kemi si individë dhe si shoqëri.
Është garantja e vetme e drejtësisë dhe e zhvillimit.