KRYETARI I VETËVENDOSJES, Z. VISAR YMERI U PRIT NË VATËR NGA KRYETARI DRITAN MISHTO DHE KRYESIA/
Foto nga takimi me Kryetarin e Vetëvendosjes z. Visar Ymeri. Për më shumë fotografi shkoni ne facebook(Dielli,Vatra)/
Të Hënën në mbrëmje, me 10 Korrik 2017, në Selinë e Vatrës në Nju Jork ishte mysafir Kryetari i VETËVDOSJES, z. Visar Ymeri. Takimi u kërkua nga Vetëvendosja dhe Vatra e mirëpriti.Mysafirit ia uroi mirëseardhjen Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto, i cili pasi prezantoi bashkëpunëtorët e tij pjesmarrës në këtë takim, i tha z. Ymeri se për Vatrën është kënaqësi që të presë vizitorë nga Kosova, aq më shumë kryetarin e formacionit politik që qytetarët e Kosovës i dhanë më së shumti mbështetje me votat e tyre.Urimet tona për suksesin që arritët!
– Le të jetë ky një bashkëbisedim i hapur, i sinqertë, ku së pari ne dëshirojmë të informohemi për gjendjen paszgjedhore në Kosovë dhe platformën e këndvështrimet e projektet Qeverisjes së Vetëvendosjes, nëse ajo do të arrijë të marrë mandatin qeverisës.
Kryetari i Vetëvendosjes, z. Visar Ymeri shoqërohej nga kordinatorja për marrdhënie me jashtë.
Kreu i Vetëvendosjes, shprehu konsideratat më të larta për Vatrën dhe falenderoi Kryetarin Mishto për mikpritjen.
Në optikën e kreut të Vetëvendosjes, në Kosovë është krijuar një realitet i ri pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Qytetarët e Kosovës, me votën e tyre, e nxorën Vetëvendosjen, forcë të parë politike, nga vendi i tretë që ajo mbante në zgjedhjet e mëparshme. Ky rezultat i kësaj force politike, ndryshe nga koalicionet e tjera, që patën edhe forcën dhe paratë e pushtetit në këto zgjedhje,për Vetëvendosjen ishte veçse rritje e besimit të qytetarëve në programin e saj dhe transparencën e komunikimit me qytetarët, tha Ymeri. Në të vërtetë, kjo është fitorja e popullit të Kosovës, i cili ndëshkoi me votë koalicionin qeverisës, kreu i Vetëvendosjes.
Duke analizuar realitetin paszgjedhor dhe mundësitë qeverisëse, ai shprehu mendimin se koalicioni, që ka kandidat për Kryeministër z.Ramush Haradinaj, i ka të pakta mundësitë e krijimit të Qeverisë, edhe nëse do të mundëte, përfshi edhe Listën Serbe, ajo do të ishte një qeveri e paralizuar që në lindje dhe e ndërvarur nga Beogradi.
Gjatë bashkëbisedimit z. Visar Ymeraj iu përgjigj Pyetjeve, që u bënë nga : Asllan Bushati, Agim Rexhaj, Marjan Cubi,Nazo Veliu, Bashkim Musabelliu, Zef Balaj, Besim Malota, Pashko Camaj, Idriz Lamaj, Dritan Haxhia e të tjerë.
Pyetjet kërkonin të informoheshin për qëndrimet e Vetëvendosjes në kushtetet e reja, kryesisht: Për formulën qeverisëse, për demarkoacionin, për Ushtrinë e Kosovës, për marrdhëniet me Asosiacionet me shumicë serbe, dialogu në këndvështrim e Vetëvendosjes, Kushtetuta dhe Kufizimet që rëndojnë mbi shtetin e ri të Kosovës, nëse vijnë në qeverisje çfarë do të bëjnë me Platformën për Bashkimin Kombëtar, çfarë mendon Vetëvendosja për ndikim rus në Kosovë dhe në Ballkan, cili është rreziku në këndvështrimin e Vetëvendosjes për tendencën e turqizimit të Kosovës etj.
Herë-herë bashkëbisedimi nuk u mjaftua vetëm në pyetje-përgjigjet, por edhe në debate të hapura. Kreu i Vetvendosjes në përgjigjet e tij ishte i hapur, i sinqertë dhe i mirëkuptuar.Përsa i përket “Demarkacionit”, Ymeri tha se Mustafës i ka mbetë”Patatja e nxehtë” në dorë, që ishte “dhurata” e Thaçit, që ia la atij në dorë, ndërsa Ushtria e Kosovës, me nismën e Thaçit, e futi më shumë në udhëkryq procesin, dhe duket se ka mbetë”peng” i Listës serbe, e cila e kundërshton me forcë.
-Na duhet që të bindim serbët e Kosovës se Ushtria e Kosovës është domosdoshmëri, tha Ymeri. Kryetari i Vetëvendosjes tha se praktika e deritanishme apo nisma e Thaçit të çojnë tek modeli Boshnjak i Ushtrisë, ndërsa ne si Vetëvendosje do të synojmë modelin kroat të Ushtrisë së Kosovës. Kushtetuta, me paketën Ahtisaari, fatkeqsisht është e pa amendamentushme, ky është realiteti, që duhet njohur për të sjellë një realitet të ri, sqaroi ai.
Dialogu me Beogradin, për Vetëvendosjen nuk ka patur transparencë, nuk dihet se çfarë është arritur nëse është arritur diçka. Edhe këtu duhet ta kemi parasysh realitetin, tha z. Ymeri, sepse në aparencë, duket se ne si Kosovë ‘bëjmë” sikur jemi Shtet i pavarur dhe Serbia bën sikur e ka ende Kosovën në adminsitrimin e vet, përderisa e ka ende në Kushtetutën e saj. Deri kur kështu? Ne, tha ai, do të risjellim në një format të ri për dialogun.
Përsa i përket Bashkimit Kombëtar, z. Visar Ymeri, tha se Bashkimi Kombëtar, mbetet synimi ynë, por ndërsa SHBA dhe Europa, mund të na ndalojnë bashkimin e kufijve ndërshqiptarë, por, nuk mund të na ndalojë të unifikojmë bashkëpunimin në ekonomi, veçanërisht në Energjitikë.Siç dihet, dy shtetet tona kalojnë kriza energjitike, dhe që të dy shtetet tona në kohë krize, blejnë energji nga Serbia, nëse do të harmonizionim rezervat hidrike të Shqipërisë dhe termo në Kosovë, ne, jo vetëm do të kapërcenim krizën, por edhe do të eksportonim energji….Ai tha se bashkëpunimi duhet të shtrihet edhe në fushën kulturor, në sporte etj, ç’ka do të na afronte më shumë shpirtërisht.
Në fund të takimit Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto, falenderoi Kryetarin e Vetëvendosjes për vlerësimin që i bëri Vatrës, për kohën që vuri në dispozicion, për informacionet që ndau me kryesinë e Vatrës. Z. Mishto uroi që klasa politike e Kosovës të ngrihet në nivelin e qytetarëve në zgjedhjet e 11 Qershorit 2017. Z. Mishto tha se Vatra mbetet e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë faktorët në Kosovë dhe do të kryej detyrat e veta këtu në SHBA ndaj Kosovës.