Lëvizja Vetëvendosje tha se ka rrokullisur një kamion me prodhime serbe në kundërpërgjigje të bllokimit të librave shqip për Luginën e Preshevës nga pushteti serb.
Veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje thanë se kanë përmbysur një kamion me prodhime të Serbisë që shiten në Kosovë.
Në një njoftim të kësaj lëvizjeje thuhet se ky veprim “është përgjigje ndaj aktit kriminal të Republikës së Serbisë, e cila dje i ktheu pas mbi 103.000 libra shqip, duke lënë pa shkollë nxënësit shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit”.
Një ditë më parë autoritetet serbe kthyen në Kosovë rreth 103 mijë libra në gjuhën shqipe që ishin dhuruar nga Ministria e Arsimit e Kosovës për shkollat në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Që nga fillimi i vitit shkollor, librat ishin mbajtur ne doganë, për t’u kthyer prapa, me gjithë kundërshtimin e përfaqësuesve shqiptarë në Luginën e Preshevës, një zonë e banuar me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Lëvizja Vetëvendosje tha në një komunikatë se “16 vjet pas luftës, autorja e masakrave dhe e shkatërrimeve të mëdha në Kosovë, Republika e Serbisë, e kontrollon dhe e shfrytëzon Kosovën ekonomikisht me produktet e saj, pa e njohur atë. Në të njëjtën kohë, Republika e Serbisë vijon të shantazhojë përmes minoritetit serb në Kosovë, duke kërkuar të ndërtojë një shtet brenda shtetit me projektin e “Zajednicës”.
Këto aksione të Republikës së Serbisë nuk gjejnë përgjigje reciproke nga Republika e Kosovës, udhëheqja e korruptuar e të cilës e ka çuar Kosovën në përulje. Jo vetëm që nuk po mundet Qeveria e Kosovës të vendosë regjim reciprociteti tregtar me Serbinë, duke kontrolluar kufijtë e vet, por as nuk po mundet të kujdeset për fëmijët shqiptarë në Serbi, të cilëve nuk ka mbërritur t’ju sigurojë as librat shkollorë, edhe pse ka negociuar dhe vazhdon të negociojë me Qeverinë e Serbisë për vite me radhë”.
Për këto arsye, thuhet në komunikatë, veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje “do të vazhdojnë aksionet e tilla deri sa Republika e Serbisë të pranojë reciprocitet me Republikën e Kosovës. Pabarazia dhe nënshtrimi janë të papranueshme. Ata nuk i lejojnë librat tanë, ne nuk do t’i pranojmë prodhimet e tyre”.