* Kanë kaluar njëzetepesë vjet nga përmbysja e regjimit totalitar dhe në Shqipëri vazhdojnë të qarkullojnë termat “kolaboracionist” e “patriotë” dhe drejtuesit e shtetit shqiptar përpiqen ende të prangosin me hekurat e rënda “kolaboracionistët” dhe të ekzaltojnë “patriotët”. Po kush janë këta “kolaboracionist”?. /
*Duke shfletuar librin “Vetvrasja e nje kombi”/
Nga Reshat Kripa*/
Kur isha në moshën e fëminisë historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishte mësuar historiografia totalitare që studiohej në shkollat tona. Sipas saj, çdo luftëtar nacionalist më shfaqej si Sali Protopapa i filmit “I teti në Bronx” apo si ballistët e filmit “Kur zbardhte një ditë”. Por pata fatin, e theksoj pata fatin, që Zoti i Madh dhe i Madhërueshëm më mori mendjen dhe u ngrita kundër atij sistemi duke shpërndarë trakte në rrugët e qytetit tim. U arrestova dhe u dënova. Në burg takova ata burra të rrallë që, në ato kondita kur karakteri im nuk ishte formuar ende, më treguan të vërtetën e këtij vëndi dhe rrugën nëpër të cilën duhej të ecja. Ndaj them se pata fatin, pasi atje mësova të vërtetën historike dhe këtë të vërtetë e regjistrova në memorien dhe ndërgjegjen time për të mos e harruar kurrë.
Nuk e di sepse por, në këto çaste, më vijnë ndër mend vargjet e pavdekshme të Ndre Mjedës:“Lirinë e keni ju, na hekrat kemi!”
Dikush do të më thotë se hekurat, që ndrydhën një popull të tërë për gati gjysmë shekulli, i hodhëm poshtë njëzetepesë vjet më parë. Po, i dashur mik, keni të drejtë, por ju harroni se hekurat nuk janë vetëm ato që diktatorët i përdornin për të lidhur kundërshtarët e regjimit. Mua më duket sikur poeti nuk kishte vetëm këto lloj hekurash parasysh por, më tepër, ato që ndrydhnin ndërgjegjen e njerëzve, ato që nëpërmjet slloganeve demagogjike mundoheshin të fitonin kredibilitet në sytë e opinionit publik. Dhe këto lloj hekurash ishin më të rënda se ato që përdornin diktatorët.
E pra, kanë kaluar njëzetepesë vjet nga përmbysja e regjimit totalitar dhe në Shqipëri vazhdojnë të qarkullojnë termat “kolaboracionist” e “patriotë” dhe drejtuesit e shtetit shqiptar përpiqen ende të prangosin me hekurat e rënda “kolaboracionistët” dhe të ekzaltojnë “patriotët”. Po kush janë këta “kolaboracionist”?
Kjo pyetje qëndron pezull në skakierën e politikës shqiptare. Mendimet janë të ndryshme dhe shpesh herë përplasen midis tyre. Të ashtuquajturit historian të periudhës totalitare i rendisin politikanët që morën pjesë në administratën e pushtuesve në radhën e kolaboracionistëve. Pikërisht për këtë emërtim, shumë prej këtyre politikanëve, me vendosjen e pushtetit komunist, shkuan në satër pa as më të voglin hezitim. Të tjerët ishin detyruar, për të mos pësuar të njëjtin fat, të merrnin rrugën e emigrimit në vendet perëndimore ku kishin gjetur një strehë të sigurtë dhe një liri veprimi.
Pas ndryshimeve demokratike lindi edhe nje kategori tjetër historianësh që ngjarjet e asaj periudhe i shikonin me nje sy tjetër. Kjo kategori pretendonte se ngjarjet historike nuk duheshin parë bardhë e zi. Ylberi ka shtatë ngjyra dhe të gjitha ato duhen patur parasysh.
Kur u themelua Fronti Nacionaçlirimtar, në Konferencën e Pezës, komunistët, mjeshtra të mashtrimit, hodhën parullën demokratike të bashkimit “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, parullë që simbolizonte bashkimin e gjithë forcave politike në një front të vetëm dhe zgjidhjen e problemit të pushtetit pas fitores me anën e zgjedhjeve të lira. Por, pas Konferencës së Mukjes, papritur, kjo parullë demokratike u zëvendësua me atë revolucionare: “Pushteti buron nga gryka e pushkës”, ndërsa hymni i partzanëve u bë kënga:
Bijt’e Stalinit jemi ne,
Që derdhim gjakun an’e mbanë
Sa të valojë përmbi dhe,
Flamuri drapër e çekan!
Vini veshin! Komunistët dhe partzanët nuk luftonin për flamurin kuq e zi me zhgabën dykrenore në mes por për flamurin me drapër e çekan të vendit ku sundonte diktatura komuniste, të vendit që kishte në krye tiranin Stalin, që synonte të pushtonte të gjithë botën.
Ju lutem, më falni për këtë hyrje pak a shumë të gjatë, por të gjitha këto më dolën parasysh kur përfundova së lexuari kujtimet e një “nacionalisti të ndezuar dhe antikomunist” siç ishte Kol Bib Mirakaj, biri i një familje të shquar të rrethit të Pukës që fillon me atë të Bib Ndoj Mirakës që më 1912, së bashku me Frrok Bajraktarin, Hajdar Nimanin dhe 47 burra të tjerë, çelën kushtrimin në shtatë bajrakët e Pukës dhe u organizuan në luftë duke thyer forcat turke dhe duke ngritur flamurin e kuq me zhgabën dykrenore te kisha e Qielzës dhe duke vazhduar me bijtë e tij, Pashuk Bib Mirakajn i cili u vu në krye të rezistencës antikomuniste duke dhënë edhe jetën e tij në vitin 1946, Pal Bib Mirakaj që vazhdoi rrugën e të vëllait, Pashukut, deri në vitin 1951 dhe më pas kaloi në Jugosllavi për të vazhduar përpjekjet për një Shqipëri të lirë dhe, në mënyrë të veçantë, më i dëgjuari prej tyre, Kol Bib Mirakaj, i cili në vitin 1941 udhëhoqi forcat vullnetare në luftë kundër sulmeve shoviniste të çetnikëve serbë dhe malazes që kishin depërtuar në pjesën veriore të Shqipërisë, duke i dalë zot Shkodrës heroike. Në këtë betejë Kol Bib Mirakaj u plagos rëndë në këmbën e majtë dhe shpëtoi nga vdekja vetëm në saj të ndërhyrjes së mikut të tij nga katundi i Midhes në Pukë, Prendush Colit. Ja si u shpreh intelektuali vlonjat Ago Agaj, një figurë tjetër e shquar e nacionalizmit shqiptar, në ceremoninë përkujtimore për përcjelljen e tij në banesën e fundit:
I lidhur me atdhenë e vet ngushtësisht, të cilin e kish larë me gjakun e tij, të vëllait dhe të birit më të madh dhe shumë të tjerë të fisit të tij , si ndoshta askush nga neve të tjerët, nuk donte të largohej nga buza e Adriatikut, se i dukej sikur valët e tij e mbanin të lidhur me atdheun. Ai thosh përhera: “Kur të detyrohem të largohem shumë nga Shqipëria, asht ma mirë të vdes”.
(Ago Agaj, “Salikimi i Kol Bib Mirakajt”, “Shqipëria e Lirë”organ i Bllokut Kombëtar Indipendent, 15 gusht 1968, faqe 4)
Por të mos harrojmë edhe birin e tij, Ndoc Kol Mirakajn, një nxënës i shkëlqyer i gjimnazit të Shkodrës dhe i universitetit të Torinos në Itali në degën e Inxhinierisë Politeknike, drejtues i lëvizjes kunderkomuniste që kishte si objekt shkatërrimin e çerdheve komuniste në Kosovë dhe në Shqipëri, që pranon më mirë të vetevritet se sa t’u dorëzohet hordhive komuniste më 29 gusht të vitit 1949.
Kjo është historia e kësaj familje të madhe. Por le të kthehemi te autori i librit të përmendur më sipër, te Kol Bib Mirakaj. Propaganda komuniste është munduar me çdo mjet ta errësojë këtë figurë të shquar, duke i atribuar lloj-lloj shpifjesh dhe emërtimesh por, kurrë nuk ia arriti qëllimit të saj. Figura e këtij nacionalisti të shquar sot është vendosur në piedestalin e figurave të shquara të këtij kombi. Ai, së bashku edhe me burra të tjerë të mëdhenj si Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Xhevat Korça, Patër Anton Harapi, Rexhep Mitrovica, Ago Agaj, Xhafer Deva, e të tjerë,bashkëpunuan me italianët apo gjermanët me qëllimin e vetëm se, në këtë mënyrë, do t’ia arrinin qëllimit për lulëzimin e Shqipërisë Etnike e cila, për herë të parë në historinë e këtij vendi, u krijua në sajë të vullnetit të këtyre dy vendeve, gjë që nuk e kishte bërë asnjë vend tjetër i botës. Ja si shprehet Kol Bib Mirakaj për këtë çështje:
Kam dhanë bashkëpunimin tim jo me “kambë në kapërcyell”, por lealisht e me guxim, pa kompromis,me bindje të ndërgjegjëshme, se pas fatit të kryem dhe në rrethana që gjindej Atdheu ( vetë në pamundësi me i ba ballë okupacionit me forcë, e ndërkombëtarisht abandonue në fatin e vet) ajo ishte e vetmja mënyrë me mujtë me i vjeftë çashtjes kombëtare deri sa Atdheu të gjindej në ato rrethana.
N’anën tjetër, kishe bindjen se ajo fazë historie, ndoshta, ishte e vetmja rasë që i paraqitej Shtetit Shqiptar për me arrijtë në bashkimin e tij, në kufijtë që na caktojnë Gjaku, Gjuha, Historia dhe Ekonomia, pra ndër Kufijtë Etnikë. Kishe bindjen e plotë se ishte pikëpjekja e Kombit tonë me historinë, për me realizue aspiratën më të madhe e të drejtë të tij, për t’afirmue drejtësinë kundër tregjeve diplomatike që ishin ba në kurrizin e tij prej shekujsh.
Kjo bindje u vërtetue tanësisht në prill të vitit 1941, me zmadhimin e Shqipënisë ndër kufiojtë etnikë.
Po i të njejtës linjë me të është edhe Patër Anton Harapi kur, në vitin 1945 në sallën e gjyqit, u deklaronte gjykatësve kriminelë:E pranova detyrën se nuk mujshe me pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkije, nuk dojshem të krijohej nji babiloni shqyptare me luftë vllavrasëse qi zhgatërronte katundet, familjet. Ndjeva mëshirë si për popull e gjithashtu edhe për Shqypni.
Qeshë i shtrënguem të zgjedh njerën dysh: a të baj nji marri tue e pranue këte detyrë, a të tregoj nji dobësi tue u largue. Vendosa ma mirë të baj nji marri ose, sikurse thonë ata shqyptarë qi duen të ruhen të pastër, desha të kompromentohem!”
Le të sjellim tani një shembull nga e majta shqiptare: Emrush Myftari, një i ri komunist kosovar, pjesmarrës i luftës së Spanjës përkrah brigadave internacionale, shokë me Xhemal Kadën, Petro Markon, Skënder Luarasin, edhe këta luftëtarë të Spanjës, me fitoren e forcave të Frankos kthehet në qytetin e tij të lindjes, në Pejë. Atje vazhdon luftën kundër okupatorëve jugosllavë. Më 17 prill 1941 Jugosllavia kapitulloi përpara ofensivës gjermane. Emrushi së bashku me një grup shumë të madh pejanësh pret ardhjen e çlirimtarëve gjermanë, siç i quante ai, ndërsa një grup serbësh ishin ngujuar në bashkinë e qytetit për ta pritur “okupatorin” me armë. Me mbërritjen e tanksit të parë gjerman, një vajzë e re i dhuron komandantit të tij një kurorë me lule të freskëta. Emrushi hipën në tanks dhe së bashku me turmën e madhe i drejtohen vendit ku ishin serbët. Fillon përplasja. Nga ana kosovare vriten dymbëdhjetë trima. Së fundi serbët detyrohen të dorëzohen. Për këtë veprim, Emrushi u dënua me vdekje nga komunistët, vendim që mundi të zbatohej në vitin 1945.
Si duhet ta quajmë veprimin e këtij heroi, kolaboracionizëm apo patriotizëm? Si shpjegohet që ky luftëtar, që kishte luftuar edhe kundër gjermanëve në Spanjë, tani bashkohet me ta? A mos duhet quajtur tradhëtar? Jo dhe jo. Atë e thirri zëri i atdheut. Ishin pikërisht gjermanët që i sillnin lirinë e atdheut, që e shkëpusnin nga robëria shekullore e serbomëdhenjve. Ai, së bashku me intelektualët shqiptarë që cituam më lart, luftonin për Shqipërinë Etnike. Ishte pikërisht Gjermania që e kishte kthyer Shqipërinë në kufijtë e saj natyral, me përjashtim të krahinës së Çamërisë. Ishte Gjermania që kishte korigjuar një gabim të pafalshëm të kryer nga Franca dhe Anglia në Konferencën e Londrës. Ishte së fundi Gjermania që e trajtoi vendin tonë jo si një vend të pushtuar por si një vend të lirë. Ishin pikërisht komunistët ata që, duke mohuar vlerat kombëtare, ia kthyen sërish këto krahina jugosllavisë, armike e betuar e popullit tonë.
Shfletoj internetin dhe ndalem tek faqja për patriotin Vaso Pashë Shkodrani. Lexoj: Administrator në Ederne në vitin 1879. Atje merr titullin Pasha. Guvernator në Liban në vitin 1883. Qënia në këto detyra nuk e pengoi të mendonte dhe të punonte për Shqipërinë. A nuk ishte edhe Turqia pushtuese? A nuk i shërbeu edhe ai Turqisë? Atëhere, përse Vaso Pasha quhet patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionist?
Vazhdoj më poshtë me Ismail Qemalin: Kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë më 1868. Guvernator i Varnës dhe Danubit të Poshtëm më 1870. Anëtar i komisionit të kushtetutës turke më 1876. Guvernator i Tripolit dhe vali në Siri në vitin 1897. Deputet në parlamentin turk në vitet 1908-1912.
Atëhere përse Ismail Qemali quhet patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionist? Pyetjet e tjera janë të njëjta si për rastin e Pashko Vasës.
Nëse do të vazhdojmë më tej do të shohim se edhe udhëheqësi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri ka qënë dhjetë vjet deputet i parlamentit turk, ndërsa vëllai tij Samiu një figurë e njohur që turqit e kanë një nga figurat më të shquara të historisë së tyre, madje edhe eshtrat e tij prehen atje dhe jo ne vendlindjen e tij dhe një stadiumi i kanë venë emrin e tij për kujtim.
Atëherë, përse të mos e quajmë të njëjtë edhe veprimin e këtyre intelektualëve tanë gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore?
Një argument tjetër që vërteton se ata nuk ishin “kolaboracionistë” është ai se, sipas kritereve të demokracive perëndimore, nuk është provuar se Kol Bib Mirakaj, Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Ago Agaj apo ndonjë nacionalist tjetër shqiptar të ketë qenë kolaboracionistë. Në vendet ku regjimet e tyre shquheshin për demokraci të mirëfilltë, ata u pritën ngrohtë, u rrethuan me nderimin e njerëzve dhe kryen punë mjaft me përgjegjësi. Po të ishte provuar se ata kishin qenë kolaboracionistë, përkrahës të fashizmit etj, atëherë asnjërit nuk do t’i lejohej qëndrimi për asnjë çast në vendet më demokratike të botës.
Ja një shembull tjetër për sa thamë më sipër : Qeveria shqiptare iu kërkoi aleatëve kthimin e atyre që ata i quanin “kriminelë lufte”. Le të citojmë zotin J. E. Jacobs, funksionar për shërbimin e jashtëm të Shteteve të Bashkuara. Në një letër miqësore drejtuar Zeusit shqiptar, që mban datën 5 korrik 1945, ai shkruan:
I dashuri, Gjeneral-Kolonel Hoxha,
Tue iu referue bisedimit tonë të pasun para disa javësh të shkuara mbi çështjen e kthimit të kriminelëve të luftës shqiptarë, dëshëroj t’ju njoftoj se letra me datë 22 qershor 1945 e Ministrit të Drejtësisë, drejtue Komitetit Ndërkombëtar të Luftës në Londër, i asht dërgue atij komiteti.
Në mbështetje të listës së 43 kriminelëve të luftës të pretenduar, që asht pregatitur më datë 23 shkurt 1945, atë listë e kisha me vete në Caserta, në udhëtimin e fundit ku u bisedue kjo çështje.Me gjithë se nuk mund t’ju siguroj se çfarë masa do të merren, unë mund të them se autoritetet në Caserta janë duke e investigue këtë çështje dhe mundësisht në një kohë të shkurtër mund të mirret ndonjë masë.
Me respekt, i dashuri Gjeneral-Kolonel.
Jam fort i sinqert i juej.
Zoti Jacobs ishte një personalitet i majtë. Megjithatë le ta lemë atë dhe të vazhdojmë se si rrodhën ngjarjet e mëpastajme. Sado që u mundua legata shqiptare në Romë të merrte informata mbi këta “kriminelë lufte” nuk ia arriti qëllimit. Në një relacion që Zv/ministri i jashtëm Mihal Prifti i dërgon Legatës Shqiptare në Paris, midis të tjerave shkruhet: Legata prej Rome na njofton se është në pamundësi të bëjë relacionin mbasi i mungojnë informatat (Viti 1952, Dosja 95/1, Fleta 14/8).
Gjithashtu në një letër që Mihal Prifti i drejton Ministrisë së Drejtësisë shkruhet:
Sikurse është në dijeninë tuaj kjo Ministri kërkoi nga Qeveria franceze, dorëzimin e kriminelëve të luftës. Në përgjigje të kërkesës sonë, Qeveria Franceze deklaroi se për dorëzimin e tyre në bazë të ligjit francez datë 10 mars 1927, nevojiten këto dokumenta:
- Lista e krimeve që kanë kryer
- Mandat arrestimi ose në mungesë, kopjen e dënimit të gjyqit
- Origjinalin, ose kopjen autentike të librave gjyqësorë mbi të cilat bazohet kërkesa e Qeverisë Shqiptare (K. RN. S. L. K.2 1.4.1952)
Natyrisht që Qeveria Shqiptare nuk mundi kurrë t’i siguroj këto dokumenta pasi nuk i dispononte. Atëherë ajo kërkoi vizë në Ambasadën Franceze për të dërguar në Paris dy të ashtuquajtur dëshmitarë, Xhavit Qesen dhe Riza Caushanin, vizë që iu mohua nga ana e Ambasadës Kjo vizë nuk iu refuzua së koti. Iu refuzua se ata predikonin për diçka që nuk i përgjigjej realitetit. Iu refuzua sepse personat që kërkonin ata për t’i gjykuar ishin ajka e kombit shqiptar dhe një gjë të tillë Europa dhe e gjithë bota e dinin mirë.
Le të kthehemi tani në një temë tjetër: “Kush janë fitimtarët e kësaj beteje të madhe”? Dy janë idetë që janë ndeshur me njera tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit, të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit, ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi, ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.
Përfaqësuesit e idesë së parë ishin Kol Bib Mirakaj, Mithat Frashëri, Abas Kupi me pasuesit e tyre. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe xhelatët e tjerë. Ishin ata, ndjekësit besnikë të tyre që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për ta duke iu thurrur hymne lavdie dhe kur e panë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruan fletën dhe u kthyen në socialistë apo demokratë.
Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë, pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i shqiptarizmës” Mithat Frashëri dhe dishepujt e tij është Kol Bib Mirakaj, është Abaz Kupi sepse pikërisht idetë e tyre fituan, ndërsa humbësit janë mbeturinat e sistemit të përmbysur. Ndoshta. tani për tani, ata kanë arritur majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, kanë arritur majat e pasurimit. Por do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi vendin tonë dhe të gjitha kanë për t’ju dalë nga hundët. Atëherë ata i prêt vetëm një gje: ndëshkimi i drejtësisë shqiptare. Kjo ditë do të vij.
* Percjelle nga Editori i Diellit ne promovimin e librit te Kole Bibe Mirakaj”Vetevrasja e nje Kombi”, 13 Dhjetor 2015