Nga Keze Kozeta Zylo/
Duke biseduar brenda karantinave tona nga të gjitha lagjet e Nju Jorkut me mësuesit dhe stafin e Shkollës Shqipe “Alba Life”, Ambasador i Kombit padyshim e pakësojmë dhe më shumë stresin në këtë kohë krejtësisht të pazakontë.
Në këtë periudhë pandemike botërore të mbyllur brenda mureve të ngurta medoemos që vëmendja jonë krahas familjes së ngushtë shkon dhe tek familja e madhe “Alba Life”.
Këto ditë Qemal Zylo themelues dhe Drejtues i Shkollës Shqipe organizoi disa vidio conference me të gjithë mësuesit dhe stafin e shkollës në të gjitha lagjet e Nju Jorkut.
Urimet e ndërsjellta për Ditën e Nënave vinin natyrshëm dhe çuditshëm se si ne uronim nga ekrani njeri tjetrin, të mbyllur më shumë se 40 ditë. Pasi u informuam për shëndetin e të gjithëve, të mësuesëve, prindërve, fëmijëve, brenda mundesive ai paraqiti programin e punës që po zhvillon me nxënësit, prindërit dhe mësuesit, ndërkohë i ftoi për një bashkëpunim të ngushtë sipas kohës së tyre.
Shumë prindër kanë sjellë vidio përshëndetjeje për emisionin që është hapur enkas në kohën e izolimit nën titullin: “Përshëndetje Shqip nga karantina.” Po ashtu dhe në TV “Alba Life” çdo të shtunë transmetohet program i posaçëm shqip për të gjithë nxënësit në Diasporë.
Telefonatat e shumta falënderuese nga prindër të shumtë ka bërë që t’i pasurojmë dhe më shumë programet tona.
Mësuesit folën me nostalgji të madhe për Shkollën Shqipe “Alba Life”, dikush dhe me lot ne sy tha se ju mungon shumë mësimi shqip. Disa prindër na përshëndetën nga ekrani dhe me fëmijët e tyre, përshëndetje që na sillte veç gëzim dhe dashuri. Emocionuese ishte të dëgjoje përshëndetje dhe nga ish nxënës të Shkollës Shqipe si Steven dhe Kevin të cilët se harrojnë kurrë programin shqip. Të gjithë mësuesit folën me pozitivitet dhe shpresojnë se do të fillojnë normalitetin.
Lutemi dhe le të shpresojme së shpejti!
(dita e 44-t e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)