Anton Cefa
Falja është virtyti i të hequrit dorë nga hakmarrja për një fyerje a dëm që të ka bërë dikush, duke mposhtur zemërimin dhe pezmin që të nxitin për një veprim të kundërt.
E plazmuar që në kohët më të hershme dhe e ardhur derin në ditët tona, falja për shqiptarët ka qenë dhe është virtyt human, i fisëm burrërie dhe urtie.
E gjithë kultura shpirtërore e popullit tonë e ka dëshmuar këtë tipar të lartë moral. Falja është pasqyruar në folklor, është regjistruar në të drejtën zakonore, ka lënë jehonën e saj në histori dhe është përsëritur dhe përsëritet çdo ditë në praktikën jetësore.
Falja është e lashtë sa edhe krejt strukutura etike e popullit tonë. Ajo është e lidhur, e ndërthurur me përbërës të tjerë të kësaj strukture.
Në të drejtën zakonore, falja është normë sjelljeje, aty-këtu edhe e veshur me petkun juridik. Shqiptari i Kanunit, nuk lejon ta prekësh në nder, ta fyesh, ta shash, ta rrahësh. Të gjitha këto raste dhe raste të tjera sjelljeje të kësaj natyre, ai i ka konsideruar si cenime të nderit dhe nderin e humbur e vë në vend me vrasje ose me falje.
Në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, sikur e kemi çekur më parë, thuhet: “Ndera (në kuptimin e nderit, A. Ç.) e marrun nuk shperblehet me gjȃ, por me të derdhun të gjakut, a me të falun fisnikisht, permbas ndermjetsis së dashamirëve” 1). Kleri ka luajtur një rol parësor në pajtimin e gjaqeve.
Faljen, psikologjia e malësorit tonë e vlerëson si akt burrnor, si fuqi shpirtërore, që “i hyn gjithkuj në zemer”. “Falja, thotë Kanuni, asht burrni, asht fisniki, i hyn gjithkuj në zemer, nuk asht ligështi, por fuqi shpirtnore, trimni.” 2). “Burr i fortë e fistar di me falë gjakun, i ligu s’di me falë kurrë . . .”, 3). “Falja që bahet në emen të Kanunit, ka shkruar Ardian Ndreca, nuk ka të bajnë me faljen që akordon nji kryetar shteti, ajo nuk buron prej dyshimit se mos procedura ka pasë mangësina, por prej faktit se e mira qindron gjithnji mbi të keqen, forca e drejtë qindron mbi dhunën e padrejtë dhe e mund atë edhe tue falë.” 4).
Përndrit në të drejtën zakonore fisnikëria gjatë festimeve të faljes së gjakut, që çon dy familjet e armiqësueme jo vetëm tek pajtimi, por shpesh edhe tek një vëllazërim brez mbas brezi, bile edhe tek lidhje krushqie mes tyre. “Si t’u pajtohen zemrat shpijavet të dorërasit e shpis së të vramit, pijn gjakun e shoqi shoqit” (d. m. th., bëhen vëllezër, probatina, birazera). 5). Dhe më poshtë: “ . . . ndër njimi përgzime qesin pushkë e bahen si vllazen të ri nji nanet e babet.” 6).
Tek “Kanuni i Skanderbegut”, thuhet: “Asht punë e lavdueshme prej Kanunit qi pajtimi i gjakut të përjetësohet me krushqi ose me të pimë gjaku mes të dy djelmve të dy shtëpive.” 7).
Malësori fal me ndërmjetësinë e të tjerëve çdo rast që ai e konsideron si cenim të nderit, si p. sh., po e akuzoi kush faqe burrave të mbledhur në kuvend se rren, po e pështyu, po iu mat, a po i ra, po nuk i mbajti besën, po i dhunoi gruan, po e preku në mik (po ia vuri kush mikun në lojë a po ia shau, etj), po e preku në pronë e pasuni, etj. 8).
Për t’u shënuar është se edhe gjaku i mikut, që është më i shtrenjtë se gjaku i babës, i djalit të vetëm, i vëllaut, etj., falet gjithnjë nëpërmjet ndërmjetësisë së shokëve e miqve. 9).
“Burri vritet, por nuk preket. Nuk i thohet kuj: “Mos më vra”, por i thohet: “Mos më prek”. Vrasa nuk ka turp. E rrahmja ka turp të madh, kore.” 10).
Lidhur me rrahjen, e njëjta konsideratë për nderin, dinjitetin njerëzor, ka qenë e përbashkët për të gjithë shqiptarët. John Cam Hobhouse e ka vërejtur një gjë të tillë. Ai shkruan: “Disiplina e tyre ushtarake nuk lejonte ndëshkime fyese”, prandaj ndodhte që ushtarët shqiptarë “varen, u pritet koka, por kurrë nuk rrihen” 11).
Dëshmi artistike të virtytit të lartë të faljes gjejmë te Këngët e kreshnikëve. Kreshnikët njëjtësohen me malësorët e kanunit. Në ato treva ku lahutari këndon trimëritë e bëmat heroike të kreshnikëve, në ato treva, malësori ka organizuar jetën e vet mbi bazën e ligjësisë dokesore.
Është tipike, për çështjen që trajtojmë, rapsodia “Lule Frangu”. Shkurt, përmbajtja e rapsodisë : dy feudalë të huaj: Lule Frangu, (freng), dhe Turku (turk), si kapën në fjalë me njëri-tjetrin vënë bast për vajtje-ardhje Shkodër-Vlorë brenda dite, duke vënë peng gratë, fëmijët, pasuninë, pronat, etj. Ndërkohë që Lule Frangu nuk është kthyer ende, dhe është afruar perëndimi i diellit, Turku duke menduar se Luli nuk do të kthehet brenda afatit, shkon te kulla e kundërshtarit me qëllim t’i përdhunojë të shoqen. Kthehet Lule Frangu dhe kur e sheh në oborrin e tij Turkun, don ta vrasë edhe pse ai bie në gjunj dhe i kërkon falje; por ndërhyn e shoqja, Ajka, (në këtë rapsodi, mesa e Mujit dhe motra e Zukut Bajraktar), dhe e revoltuar i drejtohet të shoqit në emër të zakonit kanunor dhe të psikologjisë malësore, që ai si i huaj që është nuk i njeh:
“Për jetë t’ande, zot-o, ndale dorën
………………………………………
Vritet Turku, por Kanuja s’vritet.” 12).
E drejta zakonore kërkon, pa e vënë fare në diskutim, të falet ai që të kërkon falje, ai që të bie ndore, ai që të dorëzohet.
Në këngën e Basho Jonës, shkjau Radi bie ndore dhe i kërkon falje Mujit, dhe ky, pa kurrfarë mëdyshjeje, duke vepruar sipas kanunit, i falë jetën, edhe pse ai i kishte vrarë shtatë djemtë:
“Ndore tande Gjeto Basho Muji,
Me ma falë ket ditë të sodit,
Se shtatë Omera vetë t’i kam pre.” 13).
* * *
Historia na jep sa e sa raste që pohojnë se falja është e ngulur thellë në traditën etike të popullit tonë. Njihet botërisht që shqiptarët nuk i kanë vrarë robët e luftës. Ka aq e aq prova. Po përmendim vetëm disa.
“Të rreptë dhe të pamëshirshëm në luftë, ka shkruar Konica, shqiptarët, besnikë të kodit të tyre kombëtar të nderit, kur mbaron beteja, nuk harrojnë kurrë normën: “Koka e ulur nuk pritet”.
“Në raportin dërguar Luigjit XII, Mbretit të Francës, të datës 27 qershor 1510, nga Seneschal-i i Madh i Normandisë, që ishte një nga gjeneralët që komandonte forcat ushtarake në Itali, gjejmë një krahasim mahnitës mes etikës së sllavëve dhe asaj të shqiptarëve. ‘Sllavët’ shkruan Seneschal-i i Madh, ‘janë mizorë në luftë, sepse ata i vrasin të gjithë ata që mundin dhe nuk mbajnë të burgosur. . . . Sa për shqiptarët, ata kanë treguar një sjellje krejtësisht të ndryshme dhe i kanë trajtuar me dashamirësi robët.” 14).
Konica na ka sjellë edhe një shembull tjetër: “Historiani bizantinas, Nikephoros Gregoras, që nuk dyshohet se nuk ishte proshqiptar, pohon faktin se shqiptarët nuk vrasin dhe as nuk mbajnë skllav një armik të mundur.” Konica shton: “Në kohët moderne vetëm shqiptarët, nga të gjithë kombet e Europës Juglindore njihen që i kanë qëndruar besnikë traditës kalorsiake të kursimit të armikut të mundur” 15).
Udhëtari anglez i gjysmës së parë të shek. XIX, David Urquhart, personalitet politik në qarqet drejtuese angleze të kohës, i habitur nga ky zakon kalorsiak i shqiptarëve, ka shkruar në përshtypjet e tij të udhëtimit në vendin tonë: “Kush ka dëgjuar që në luftat e shqiptarëve të vritet armiku i mundur?” 16).
“Ai që i dorëzohet shqiptarit e di me siguri që është i falur”, është shprehur Franz Baron Nopsca. Dhe, duke iu referuar Barletit, po ky studiues thotë: “Skendërbeu u suall me tradhtarë nga farefisi pikërisht siç bën sot çdo fshatar i malësisë.”17).
“Gjergj Kastrioti, ka shkruar Tajar Zavalani në veprën “Historia e Shqipnis”, ishte i pamëshirshëm me anmiqtë, por gjithmonë i gatshëm me falë ata që i kishin ba keq dhe që i kërkonin ndjesë.” 18). Ai i fali dhe i afroi pranë vetes me dashuri e zemërgjerësi ata që e tradhtuan: Mojz Golemin, Hamza Kastriotin, Gjergj Stres Balshen.
Udhëtari anglez, E. Spenser, ka vërejtur që tek shqiptarët “fyerja nuk falet kurrë dhe ata e ndjekin padrejtësinë deri në vdekje.” 19). E vërteta është se shqiptari, i vetëdijshëm për vlerat e larta morale të tij, është dinjitoz 20), vlerëson lart dinjitetin dhe peronalitetin e vet dhe të tjerëve, (Ja ç’thotë fjala e urtë: “Po s’nderove veten, s’të nderon njeri”), dhe nuk lejon që të nëpërkëmbet prej kuj; pra “e ndjek padrejtësinë deri në vdekje”, por në të njejtën kohë ai di të falë dhe faljen e vlerëson si një akt moral të fisëm.
Duhet të themi edhe këtë: Shqiptari vërtet fal, por e ka të vështirë dhe gati të pamundur të kërkojë falje.Vepron mbi karakterin e tij, në këto raste si edhe në disa raste të tjera sjelljeje njësoj krenarie e pamotivueme.
(Po e themi ndër kllapa: vërejmë tek amerikanët, që nga qytetari më i thjeshtë dhe deri tek Presidenti i shtetit, një predispozicion shpirtëror për t’u admiruar të këtij virtyti që konkretizohet me aq ndjesi tek shprehjet: “I apologise”, “I’m sorry!” ).
Historia jonë njeh edhe falje masive gjaqesh, në rang kombëtar, në raste të rrezikimit të atdheut. Si një eveniment i pashlyeshëm në kujtesën e kombit, do të mbetet pajtimi i gjaqeve në Kosovë, nga burra të urtë të drejtuar nga atdhetari i flaktë Anton Çetta, në prag të ngjarjeve të mëdha që parapërgatitën Pavarësinë e saj.
Nuk qe ajo, një falje gjaku kanunore, me pagesa e shpërblime, qe një falje e pajtim i ushqyer nga ideali i shtrenjtë kombëtar, nga dashuria për atdheun dhe afshi i ndezur për lirinë aq të dëshiruar. Ja si e ka ideuar ai këtë ngjarje madhore: “Ne fill e kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së gjakut: pajtimi i gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër fisnike, vetëm një gjest i përvuajtërisë dhe shpirtmadhërisë së popullit tonë . . .” 21).
Shkëlqeu në ditët tona dhe do të shkëlqejë në histori falja e ish-të burgosurve dhe ish-të përndjekurve nga diktatura komuniste ndaj atij segmenti të turpshëm të shoqërisë sonë që u vu në shërbim të saj, duke u bërë vegël e verbër e krimit vëllazëror. Po ia lë fjalën Sami Repishtit: “Ata që u dërmuan në peshën e drurit të pagdhendur, që vuajtën thyerjen e gjunjve dhe të kockave me çekan, që u dogjën me hekur të skuqur në trup dhe me cigare në sy, ata që u varën për pemë e dritare të qelive për ditë e javë të tëra pa bukë e pa ujë, gratë e vajzat shqiptare që u varën për litarë gjatë periudhave mujore që të bëhen objekte talljeje për rojet e kuqe shtazarake, të gjithë ata që gjithë jetën e kaluan të përbuzur e të përndjekur (si nëna, motra e vëllau im), sepse deshtën të jetojnë si njerëz të lirë, e gjithë kjo turmë fatkeqe që i tha JO! dhunës, gënjeshtrës, urrejtjes, shnjerëzimit, refuzoi hakmarrjen me qëllim që të mos shkaktojë viktima të reja, të mos lëndohet akoma më shumë nëna shqiptare.” Dhe më poshtë: “ . . . Me një qëndrim të këtillë, ish të perskutuarit nga murtaja komuniste kanë këputë zinxhirin e hakmarrjes në vendin tonë që ka dëmtuar kaq rëndë shoqërinë shqiptare shekuj me radhë.” 22).
Vlerën e lartë morale të faljes dhe rëndësinë e saj, Repishti e ka cilësuar kështu: “Koncepti fetar dhe qytetërues i faljes së fajit njeh shpërblimin e aktit: shenjtërimin e jetës njerëzore nga të gjithë.” 23).
Mjerisht, falja mbet thjesht si një dorë e shtrirë drejt fajtorit, ndërgjegjja e çoroditur e të cilit nuk e pranoi. 24). Kjo u pasua nga mungesa e evidentimit dhe e demaskimit zyrtar të krimit dhe të kriminelit, përveçse me tullumbace fjalësh e fjalimesh të udheheqësve partiakë “demokratë”, nga heshtja e plotë e drejtësisë për gjenocidin e pashembullt që u ushtrua në atdheun tonë për afër 50 vjet dhe nga mbetja e pushtetit në dorë të ish-komunistëve dhe bijve të tyre.
Shpresojmë dhe besojmë se ndërgjegjja shqiptare, e ngulur thellë në traditat e shëndosha etiko-morale të popullit tonë, do të gjejë forca, siç ka ndodhur gjithmonë, të kapërcejë gjendjen e krijuar dhe të ecë në rrugë të drejtë të progresit.
Referenca dhe sqarime
1). “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, f. 129, & 597.
2). “Kanuni i Skanderbegut”, f. 208, & 3356.
3). Xhemal Meçi, “Kanuni i Lekë Dukagjnit – Variant i Pukës”, Botime Çabej MÇM, Tiranë, 1997, f. 98, &255.
4). Ardian Ndreca, “Ndikimi i Kanunit në ruejtjen e identitetit shqiptar”, “Hylli i Dritës”, 2007 / 1, Shkodër.
5). “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, f. 185, & 988.
6). “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, f. 197, & 3150.
7). “Kanuni i Skanderbegut”, f. 197, & 3150.
8). Sipas “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, botimit që cituam më lart, f. 129-131.
9). Bernardin Palaj, ndër njohësit dhe studiuesit më të mirë të kanunit ka shkruar: “Po te cili Homer do t’a gjejmë na nji shembull ma të bukur burrnijet se kte të burrave të kanunit. Tata qi ndjek gjaksin e të birit për ledinë, shi at herë kur të jet tuj e ba të dekun, atij qi i thau zemren, jeten me ja falë e besë e ndore me i dhanë, pse gjaku ate e xuni, e tuj u ra gjujvet, ndore tokës i ra!” (Nga Atë Bernardin Palaj, vepër e cituar, f. 59.)
10). “Kanuni i Skanderbegut”, f. 210, & 3398.
11). Hobhouse, J. C. A journey through Albania and other provinces oh Turkey in Europe and Asia, to Costantinople, during the years 1809 and 1810, London, 1813, p. 148. Cituar sipas Shpëtim Memës, vepër e cituar, f. 77.
12). “Visaret e Kombit”, f. 34-35 (e Shtojcës).
13). “Visaret e Kombit”, “Basho Jona”, f. 150.
14). Faik Konitza, vepër e cituuar. 94-95.
15). Faik Konitza, vepër e cituar, f. 45.
16). Urquhart, D. “The Spirit of the East”, v. II, Second Edition, London, 1839, p. 260; Cituar sipas Shpëtim Memës, vepër e cituar, f. 81.
17). Franz Nopcsa, “Karakteri i shqiptarit”, në revistën “Kultura popullore”, viti 1983, nr.1, f. 197.
18). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 127-128.
19). Spencer E. “Travels in European Turkey through Bosnia, Servia, Bulgaria, Macedonia, Thrace, Albania and Epirus, ëith a visit to Greece and the Ionian Isles”,v. 2, p. 168. Cituar sipas Shpëtim Memës, vepër e cituar, f. 77.
20). Rene Pinon, “Revue de deux Mondes”, dhjetor, 1909: “Shqyptari në daç kje vezir i madh a bari në shkretin e Pindit, asht nji aristokratik, nji njeri i lirë, nji bujar. Bullgari, atje ndër fusha të Maqedonis, përkulet mbi shat e punon tokët e Turkut: Shqyptari asht mbreti i malevet. Gjuetar, bari, ushtar, ase cub, ai s’i shtrohet veç se kanunit të vet e s’pret ndimë veç prej armve të veta”. Cituar sipas: Atë Marin Sirdani, vepër e cituar, f. 39.
21). Cituar sipas artikullit të Don Lush Gjergjit: “Falja dhe pajtimi – parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi”, gazeta “Illyria”, # 2146, 4-7 maj, 2012, f. 32.
22). Sami Repishti, “Mospërfillja e viktimave – akti final i paturpësisë qeveritare”, Gazeta “Illyria”, # 1705, 11-13 dhjetor, 2007, f. 34.
23). Sami Repishti, po aty.
24). Pati edhe ndonjë “mizë të bardhë”, që e ndjeu fisnikërinë dhe burrërinë e faljes. Po përmend Zef Malen, krijuesin e grupit komunist të Shkodrës, dhe vuajtësin e peshës së burgjeve të diktaturës përgjatë gjithë kohës së saj, i cili pati lëshuar thirrjen humane: “Ne duhet t”i biem në gjunj këtij populli dhe t’i kërkojmë falje për murtajën që ia kemi infektuar”. (Riprodhim mbi bazë të kujtesës).