Nga ANGELO PANEBIANCO/
Është në të njëjtën kohë I frikshëm dhe sigurues dështimi i hatashëm kinez në mbarështimin e pandemisë. Është i frikshëm për pasojat shëndetësore: ai dështim po bën të sëmuren milionë kinezë e po ve në rrezik gjithë pjesën tjetër të botës në një valë të re pandemike. Ndërsa është siguruese për dy arsye. E para është gjeopolitike. Teoricienët e perëndimit të Perëndimit ndoshta gabojnë. Ndoshta Kina nuk do t’arrijë të bëhet, as edhe mbas një dhjetëvjeçari, një mbifuqi aq e fuqishmesa t’i bëjë ballë Shteteve të Bashkuara. As, siç kanë parashikuar disa, që të kthehet të jetë siç ishte në Gjashtëqindën dhe Shtatëqindën (para se të fillonte Revolucioni industrial në Britaninë e Madhe) Vëndi m’i pasur e më i begatshëm i globit. Autokracia ka një çmim. Çmimi është tepria e rreptësisë që i ndalon qeveritarëve të përballojnë belegje të papritura me pragmatizëm dhe aftësi për të ndrequr gabimet gjatë veprimit.
Arsyeja e dytë është që dështimi kinez tregon për të gjithë epërsinë e shoqërive të hapura e demokratike kundrejt autokracive. Një epërsi shumë konkrete, jo abstrakte dhe ideologjike: është i pamëshirshëm krahasimi ndërmjet mënyrës së efektëshme – mbasi është kaluar faza e parë e çorientimit dhe pështjellimit – me të cilën bota perëndimore ka ditur të përballojë pandeminë dhe dështimit kinez. Dështim që kinezët, për inat të çfarëdo qartësie, ngulin këmbë t’a mohojnë.
Siç tregojnë edhe protestat e autoriteteve kineze kundër atyre Vëndeve që, si Italia, i nënshtrojnë kontrollit shëndetësor udhëtarët që vijnë nga Kina, po ashtu sikurse mospranimi i vaksinave perëndimore të ofruara nga BE.
Kanë një gjë të përbashkët mbarështimi i keq kinez i spikamës Kovid dhe paaftësia ruse për të mundur Ukrainën. Me gjithë ndryshimet e mëdha ndërmjet tyre, autokracitë kineze e ruse janë të bashkuara nga pa-aftësia / pamundësia për të kuptuar se çfarë rezervë e fuqishme është liria vetiake, se çfarë fuqie çliron ajo e me çfarë dobish për grupet njerëzorë në të cilët ajo është e mbrojtur mjaftueshëm. Paralelet historike janë gjithmonë të guximëshme, por mund të thuhet se Putini ka rënë në të njëjtin gabim me atë të kryer, në fillim të të Pestit shekull para Krishtit, nga perandoria e fuqishme persiane kur mësyu Greqinë: u mund sepse nënvleftësoi sa energji do të mund të grumbullonin e të harxhonin në betejë njerëzit e lirë të qyteteve greke. Për të njëjtat arsye, Putini ka nënvleftësuar ukrainasit, për më tepër edhe perëndimorët, përfshirë këtu edhe paqësorët evropianë, të vetëdijshëm që nga fillimi i luftës, për faktin se duke mbështetur Ukrainën janë duke mbrojtur vetë liritë e tyre.
Që autokracitë nuk kuptojnë se çfarë pasojash të dobishme prodhojnë liritë vetiake për bashkësitë, është diçka normale, e parashikuar. Por çfarë mund të thuhet për të gjithë ata perëndimorë që janë të mësuar përgjithmonë të shijojnë liritë që shoqëritë tona u sigurojnë edhe atyre e megjithatë i përçmojnë apo gjithsesi nuk i kuptojnë dobitë? Nga lind ky bllokim mendor? Armiqtë perëndimorë të lirive perëndimore në më të shumtët nuk thonë sot, siç thonin njëherej, se demokracitë liberale përfaqësojnë të keqen. Por pikërisht si atëherë, kafsha e zezë për ta është gjithmonë tregu. A thua se, pa treg, mund të mbahen shoqëria e lirë, demokracia, liria vetiake. Venë gishtin kundër “dështimeve të tregut (që sigurisht, herë pas here, vërtetohen), por duan t’i shërojnë me goditje të Shtetit, duke zgjeruar rolin dhe praninë e Shtetit. Shtiren sikur nuk e dijnë se “dështimet e Shtetit” (nga Pekini në Moskë, nga Teherani në Karakas e në shumë vënde të tjera) shkaktojnë pasoja pafundësisht më të rënda, më rrënuese, e kohëgjata. Edhe duke lënë mënjanë rastet më dramatike dhe të dukëshme, për t’u kufizuar në një shëmbull të shtëpisë sonë, sa ka shërbyer deri tani tepria e statalizmit që gjithmonë trishton ekonominë e Jugut të Italisë, për t’i shëruar sëmundjet?
Mbas armiqësisë për tregjet tejshihet mosbesimi për liritë vetiake e për botën “kaotike”, që në dukje ato ushqejnë. Një kaos për t’u kuruar, simbas disa mjekëve me doza të mëdha statalizmi, duke zëvendësuar drejtimin shtetëror (pashmangshmërisht të të pakëve) lirise së veprimit të të shumtëve. Në sajë t’atyre lirive të veprimit shoqëritë e hapura perëndimore kanë një lëvizshmëri që i u mungon shoqërive të tjera, e për më tepër, sistemet e tyre demokratike kanë aftësinë të ndreqin gabimet dhe pasojat e çoroditura që veprimet e shumëve mund të shkaktojnë. Pikërisht pandemia tregon dobitë e shoqërisë së hapur e të tregut që është një përbërës i domosdoshëm i saj. Në sajë të lirisë së ndërmarrjes, kemi mundur të kemi, në kohë shumë të shkurtëra, vaksina në gjëndje të luftojnë sëmundjen. Ku nuk ka shoqëri të hapur, ku Shteti mëton t’i zëvendësohet tregut, asgjë e këtillë nuk mund të ndodhë. Jo vetëm mungesa e lirive pengon gjëndjen e zgjidhjeve të efektëshme për të përballuar piskamat. Por, për më tepër, masat e zbatuara nga autokracitë dalin gjithmonë të përbindëshme, detyrojnë kosto shoqërore tejet të larta e i rëndojnë në vënd që t’i zgjidhin problemet. “Kura” e përdorur gjatë nga autoritetet kineze, mbyllja e plotë dhe mizore e qyteteve të tëra, burgosja e nënshtetasve të tyre, ka shërbyer për të sjellë vuajtje në popullsinë por jo për të zhdukur sëmundjen. Bëhet fjalë për masa të ushtrueshme vetëm aty ku nuk ka qytetarë por nënshtetas, ku liria vetiake është e paqënë. Masa që demokracitë perëndimore nuk do të kishin mundur kurrë t’i zbatonin. Është e mjaftueshme të mendohet se këtu tek neve kanë mjaftuar disa masa të buta por të nevojshme për të bërë të gërthisnin për skandal disa: a e kujtoni green pass dhe marrëzitë mbi “diktaturën shëndetësore”? Për të ditur se çfarë do t’ishte një diktaturë e vërtetë shëndetësore ishte e nevojshme të vizitohej Kina. Me të drejtë për sa i përket “dështimit të Shtetit”.
Nuk mund të jepet për të sigurtë që në kundërshtinë ndërmjet shoqërive të hapura e atyre të mbyllura, ndërmjet demokracive dhe autokracive, fitorja përfundimtare do t’u shkojë gjithmonë të parave. Por, së paku, dijmë se bota e jonë zotëron rezerva (morale më shumë se lëndore), që të tjerët nuk i kanë.
“Corriere della Sera”, 3janar 2023 E përktheu: Eugjen Merlika