Shkrimtari: Si më propozoi Berisha për ministër./
Një shkrimtar në postin e ministrit, çfarë i jep letërsia politikës./
- “Prioritetet e mia, nga Burgu i Spaçit te libri”
- “Qeveritë e majta kanë qenë indiferente me të përndjekurit, për të mos thënë prapësuese”/
Për poetin dhe shkrimtarin Visar Zhiti, tashmë ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nuk ka shumë rëndësi se sa do ta mbajë atë post. “Mjafton edhe një ditë”, thotë ai. Pas tërheqjes së LSI-së nga koalicioni qeveritar, lindi nevoja për zëvendësimin e vendeve të mbetura bosh nga ministrat “aleatë” në Këshillin e Ministrave. Me zhvendosjen e ish-ministrit Aldo Bumçi drejt portofolit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, posti i ministrit të TKRS-së iu ofrua shkrimtarit Visar Zhiti. Në një intervistë për “Panoramën”, ministri Zhiti sqaron që nga momenti i propozimit, tek pranimi i ftesës, largimi i LSI-së, besimi tek e djathta dhe gjithçka që ai do të donte të bënte në kulturë, me gjithë kohën e paktë.
Për kuriozitetin e të gjithëve, si ju erdhi propozimi për t’u bërë ministër i MTKRS-së dhe pse e pranua atë? Patët hezitime?
Vërtet ka kuriozitet për këtë? Ndodhi natyrshëm, megjithëse do të thosha se të papriturat dhe befasitë e bëjnë jo vetëm punën, por edhe jetën më tërheqëse, më interesante. Sipas rregullit propozimi erdhi nga Kryeministria për këtë detyrë të lartë, pikërisht nga Drejtuesi. Nuk e prisja dhe mëdyshja, që kujtoni ju, ishte si shkak se mua menjëherë më vetëtiu në mëndje përgjegjësia e madhe e përzierë me mirënjohjen time për besimin që po më jepej.
E kam parim që nuk duhet të tërhiqesh, po të përballesh me ato që të sjell realiteti, sidoqofshin. Kur janë për mirë, duhet të mendohesh më mirë. Në nderim të saj, kisha nevojë të bisedoja me veten time të dytë. Mos do të duhej të pyesja dhe bashkëvuajtës, ata do të donin të kishin një përfaqësues në qeverisje? Do të ishte një apel për të qenë dhe zëdhënës i tyre. Nuk do të doja të zhgënjeja kurrkënd, as Propozuesin dhe punën. Me dëshirën që të bashkohesha me ata që punojnë për kulturën tonë, shpalosjen e saj, krijimin, mbrojtjen, zhvillimet e promovimin e Shqipërisë së mrekullueshme, gjithë rini dhe sportivitet. Programi i qeverisë është i denjë për vendin, me ambicie të bukura, energjiçliruese, zbatimi i të cilit sjell begati e mirëqënie të mëtejshme shpirtërore dhe ekonomike. Dhe mëdyshja u harrua.
A nuk është një kohë e shkurtër për të përmbushur objektivat e institucionit apo që mund t’i keni vënë vetes?
S’ka gjë, e pashë si mision, qoftë dhe një ditë. Pastaj unë shkoj atje që të vazhdojë puna, pararendësi punoi me përkushtim dhe pasion. Që të vazhdojnë arritjet dhe përmbushjet e objektivave në institucionin e ministrisë ka plot emra, që i dinë dhe s’i dinë, me përvojë e të rinj, drejtues e specialistë, që kanë dhënë e po japin, që e duan punën dhe dinë të punojnë, që dinë të ëndërrojnë dhe ta bëjnë ëndrrën realitet. Të kujtojmë së fundmi festimet e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit dhe të themelimit të shtetit modern shqiptar, dëshimtë janë gjithandej nëpër Tiranë e Shqipëri. Se mund të kesh në dispozicion dekada dhe mund të mos bësh asgjë, apo ta bësh keq dhe mund të kesh një ditë dhe të bësh atë që duhet, të vazhdosh ecjen përpara.
Mos menduat se e djathta do të fitojë sërish dhe kështu mund të qëndroni në postin tuaj?
Jo, nuk kam menduar kështu. Sidoqoftë unë do ju thosha se kredoja ime, kudo ku kam qënë, në burg dhe jashtë tij, në atdhe dhe jashtë atdheut, liria dhe krijimi dhe me të djathtën tradicionalisht Shqipëria ka patur identitet më shumë, kulturë më shumë, liri më shumë, drejtësi me shumë, prosperitet më shumë. Me të majtën kemi patur kryesisht izolim, varfëri dhe sharje me botën, si përfundim diktaturën më të rëndë në Europë. Nga ky bagazh shtypës e majta jonë nuk shpëton dot, prandaj dhe e ka persekutuar të djathtën, ku vendosi tiraninë e vet. Gjithçka ka ndryshuar. Ju thashë, iu futa një misioni, që shpesh del mbi të gjitha dhe ka forcë përbashkuese.
Do ta pranonit një propozim për deputet për të djathtën?
Kam qenë dhe deputet. Kur është dashur, e kam ndërprerë me marrëveshje për të shkuar në detyrë tjetër. Në qoftë se do të duhet që edhe unë të jem deputet, është nder dhe do t’i përkushtohesha. Në fund të fundit çdo njeri është deputet, përfaqëson veten, të tjerë, ideale. Vizione.
Propozimi ju erdhi në një kohë kaotike, LSI tërhiqët nga koalicioni me PD-në dhe krijon një tjetër me PS-në, nuk do kishit dashur të ishte një periudhë tjetër?
Njerëzit bëjnë kohë dhe koha bën njerëz. Nëse u krijua një situatë kaotike, siç po thoni ju, do të desha t’i përgjigjesha për normalizim. Mendoj se u krijua një kohë për më mirë që gjërat të gjejnë veten. Lëvizje të natyrshme, do të thosha. Bëhen kur u duhet atyre që i bëjnë. Meqënëse lidhet me votimet, votuesi sovran do të tregojë se sa të drejtë e me sa moral është vepruar. Kurse kultura është një koalicion i gjithkohshëm me të gjithë njerëzit, me ata që janë dhe ata që kanë qënë e që do të jenë. Është pasuri e vëndit, e krijuar në shekuj, në vështirësi edhe më të mëdha, nën pushtime, nën diktaturë, ka sakrifikuar nga vetvetja, ka rritur vetveten.
Dhe kultura, ku fus artet, turizmin, sportet, nuk duhet të ketë të majtë dhe të djathtë në thelbin e saj, por duhet të jetë si ajri, nuk ka ajër të majtë e të djathtë, republikan e mbretëror. Ka smog, ka lagështirë, ajër burgjesh, tym intrigash, pluhur, ndotje, edhe me kuptimin metaforik të tyre, etj, t’i heqim ato. Ne duam ajrin e pastër, atë ajër të shëndetshëm të Shqipërisë si perlë e Mesdheut. Dhe kjo kërkon një program. Tashmë demokratët e kanë.
Sa ka humbur e dhjathta nga kjo lëvizje politike?
Jo, pse ka humbur, mbase e kundërta, unë them, si qytetar, se po rendin gjërat drejt vetvetes për të qënë ato që janë. Është fituar një përvojë bashkëpunimi dhe e ndëprerjes së saj, qoftë dhe befas, pa alarm e shqetësime. Të rritet kultura e mirëkuptimit dhe e kompromisit. Edhe përmes kontakteve që kam pasur, më thonë se ndihet një lloj lehtësimi. Në fund të fundit e majta majtas, e djathta djathtas. Shqipëria e përjetëshme.
Nuk mendoni se është koha për rrotacion?
Sapo ndodhi, do të thosha. Rrotacioni është i nevojshëm, është shpikje demokratike, e theksoj, por nuk duhet të ndodhë si në futboll, me atë logjikë, 45 minuta në këtë portë e 45 minutat e tjera në portën tjetër. Ai duhet t’i shërbejë prosperitetit të vendit dhe jo arithmetikës së interesit vetanak. Nëse shkohet për më keq, për hir të rrotullimit, s’ka pse të ndodhë. Nëse po shkohet për më mirë, na duhet vazhdimi i asaj force që po e kryen.
Dhe kjo është e djathta apo jo?
Me të djathtën, dihet, Shqipëria mori frymë e lirë, e përsëris, u vendos demokracia, u hap ndaj botës, konkretisht u futëm në NATO, u renditëm me të përparuarit dhe të atyre që mbrojnë liritë dhe së shpejti në Europën e Bashkuar, familja e natyrshme. E majta, nëse nuk ndihmon në këtë proces, është e lutur të mos pengojë, për hir të çdo qytetari dhe interesit të tij.
Propozimi që ju bë, mos ishte një vendim strategjik për të marrë votat e të përndjekurve?
Të përndjekurt janë deputët moralë të popullit, në një farë mënyre, ata e kanë ditur me kohë se ç’duhet të bëjë vendi e ku duhet të jenë. Dinë të votojnë për një Shqipëri të lirë e demokratike, për ata që kanë bërë për të persekutuarit e në vazhdim do të bëjnë më shumë. E pse të mos jesh strategjik në zbatim të programit të madh të vëndit?
Çfarë duhet të bëjë më shumë e djathta kundrejt të përndjekurve?
Pse pikërisht e djathta dhe jo e gjithë shoqëria shqiptare?! Mua më vjen mirë që pyesni kështu, sepse në këto 20 vjet vetëm e djathta ka bërë për ne. Qeveritë e majta kanë qenë tërësisht indiferente, për të mos thënë prapsuese a më keq. As duhet të përdoremi dhe as duhet të shpërdorohemi. Dinjitetin sublim që të jep vuajtja dhe qëndresa, të përndjekurit e kanë natyrshém. Dhe pakënaqësitë për përmirësim të mëtejshëm të jetës, konkretisht në përshpejtim të dëmshpërblimit të gjithanshëm, për më shumë drejtësi e gjyq moral, janë kundrejt asaj force që bën, që i beson dhe do. Dhe unë them se meritohet më shumë.
Çfarë?
Dëmshpërblimi do të vazhdojë të kryehet më me përparësi. Dëmshpërblimi ideal është kryer, e thamë më lart, Shqipëri e lirë, e tregut të lrë, e të drejtave të njeriut, etj. Gjithnjë e më shumë po merr forcë kujtesa ndaj tyre duke u instutucionalizuar, letërsia e tyre, ku kishin fshehur shpirtin, ka dalë, po bëhet pjesë e kulturës, etj, etj. Vështirësitë ekonomike që ka shtresa jonë e të persekutuarve nuk duhen të zmadhohen dhe as të konsiderohen të pa qëna, por të zgjidhen, dua të them. Realiteti i të persekutuarve nuk ka patur ato barazi e ato mundësi si e të të tjerëve, jeta e tyre vjen nga mungesat e rënda e nga balta e nga telat me gjëmba e errësira. Si rrjedhim ka nevojë për vëmendje permanente. Siç meritojnë mirënjohjen, u duhet dhe shtëpia më e mirë, shkollimi, puna, përfaqësim më i tepërt. Vazhdimet e premtimeve të vazhdojnë të realizohen me projekte dora-dorës. Që të thonë dhe ata gjithnjë e më shpesh: “Bacë, u krye”.
Po le të flasim për kulturë, çfarë do mund të bënit më mirë?
Unë shkoj në një institucion që nuk fillon tani, e përsëris. Atje ka traditë, programe, projekte, struktura, stategji, talente e të përkushtuar, realizime, arritje, marrëdhënie, etj, etj.
Unë po shkoj me mision të vazhdoj një punë, që nuk nis dhe nuk mbaron me mua. Atje është dhe përvoja e pararendësve. Do të punojmë që sipas programit të Qeverisë Berisha, të gjitha objektivat që ka vetë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të gjejnë zbatim, aty prioritetet janë të caktuara. Shqipëria është një vend me resurse të mëdha, shpirtërore, kulturore, turistike, art dhe sport, të zhvillohen e të mbrohet tradita kulturore, të prodhojmë kulturë, art, letërsi, të mbështet libri, autori, lexuesi, të forcohen lidhjet mes tyre, veprimtaritë.
Ndërkaq jemi në prag të sezonit turistik. Është kaluar nga njohja dhe joshja rajonale në atë europiane e më tej, që krahas të tjerave, të nxitet dhe ai turizëm që rrit punësimin, pra mirëqënien. Përmirësim infrastrukturor, nxitje e gjallërim të mëtejshëm, njohje dhe vizione dhe përhapje.
Ditën e shtunë ju morët pjesë në përurimin e një monument kulture në Gjirokastër, është ky një sinjal, që i keni më për zemër monumentet e kulturës?
Pjesë e prioritet institucional. Ishte planifikuar dhe u bë. Unë pata fatin që të shkoja si rishtar. Përururam shtëpinë madhështore të Babametove, ku fondacioni “Trashëgimia kulturore pa kufi” dhe Organizata për ruajtjen dhe Zhvillimin e qytetit të Gjirokastrés etj.. kishte realizuar një kryepunë, do të thosha, duke ruajtur traditën në gjithçka dhe duke futur modernen në funksionimin e tanishëm, të hapur për qytetarët, ku të rinjtë sidomos mund të organizonin veprimtaritë e dëshiruara. Falenderuam dhe ambasadorin e Suedisë, i pranishëm në ceremoni dhe më pas vizitova Gjirokastrën dhe shtëpinë e bukur të Ficove dhe atë të Kadaresë, shkrimtarit që i ka kushtuar disa nga kryeveprat qytetit të tij dhe ka përhapur imazhin e Shqipërisë nëpër botë. Shtëpia e tij do të bëhet së shpejti ajo që dëshirojmë, është në përfundim. Përkujdesin e duhur do të kenë dhe shtëpitë e Profesor Çabejit dhe të Musine Kokalarit, shkrimtares së parë grua shqiptare, disidentes së parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, e cila konfliktin e pati hapur me diktatorin, ndërkohë dhe bashkëqytetar të saj.
Shkuam në Kalanë e famshme të Gjirokastrës, vizituam mjediset dhe Muzeun e Armëve, ku ka nevojë për përmirësime dhe për më shumë nisma. Duke kuptuar më mirë se duhet edhe armA e guximit. Nuk kuptova atje pavionin e burgut të Kalasë, që e kishte Bashkia, si dhe pse dhe pse ashtu, i mbetur si në kohën e socializmit, me emra të të burgosurve gjatë Luftës II Botërore nga nazi-fashistët, një pjesë e të cilëve më pas i vranë bashkëluftëtarët e tyre dhe mungonte dëshmia e të burgosurve të diktaturës atje. Kalanë ajo e bëri burg ende më të tmerrshëm.
Kur e vërteta është përgjysmë, ajo nuk është më e vërtetë, në rastin konkret është shpërdorim i historisë, mashtirim, fanatizëm i një ideologji tashmë të vdekur, shantazh. Përgjegjësit dhe specialistët duhet të veprojnë, se ka shumë e shumë më tepër rëndësi se ndriçimi i kështjellës, nga lart apo nga poshtë, kur me kokëposhtë lihet e vërteta historike.
Meqë jemi tek monumentet, është një ndër ta që mund t’ju prekë personalisht. Bëhet fjalë për burgun e Spaçit, i cili po shkatërrohet e po shitet për skrap, çfarë do bëni ju për ta ruajtur?
Shpresoj shumë që projekti dhe dëshira për ta kthyer Burgun e Spaçit në një muze, të realizohet. Kjo kërkon ndihmesën e bashkëvuajtësve të mi, idetë e tyre e të profesionistëve të historisë, të arkitekturës, urbanistikës. Ky monument dhe shumë të tjera janë dëmtuar, janë vjedhur. Vjedhja nuk hyn në kulturë, por në antikulturë dhe nuk i takon më vetëm Ministrisë së Kulturës, por gjithë shqërisë, çdo qytetari, edukimit të tij. I takon moralit të një vendi, pra po aq shumë dhe opozitës, që duhet të jetë pushteti moral i një vendi. Opozita dhe kushdo, nuk duhet t’u gëzohen dëmeve të tilla, por të veprojmë bashkarisht. Kur vidhet apo dëmtohet një vepër e të gjithëve, jemi vjedhur e dëmtuar të gjithë.
Nëse ka vlera kulturore dhe ka, patjetër që ka, ato nuk duhen parë si një pronë të qeverisë aktuale, por pasuri jona e do përkushtimin e të gjithëve. Po, po, edhe edukim dhe syçelësi. Jam për sensibilizim të mëtejshëm dhe ndëshkim të keqbërësve. Media duhet të japë ndihmesën e saj në këtë drejtim. Të bashkëpunojmë. Natyrisht do të shtohen mjetet e sigurísë në objektet e rëndësisë së veçantë.
Një tjetër temë që e keni shumë të afërt, është libri. Ç’duhet bërë që të kemi botime më të mira dhe përfaqësim më të mirë të librit shqip jashtë vendit?
Botime më të mira kemi dhe përfaqësim të librit shqip jashtë vendit kemi. Do të vijojnë për më mirë bashkëpunimi institucional autor botues lexues dhe investimet e librit jo komercial, që ka vlera kombëtare e albanalogjike, që i shërben kujtesës kolektive, këtij lloj arkivi. Janë me shumë interes pjesëmarrja e botuesve shqiptarë në panaire të mëdhenj së bashku me autorët. Do të vazhdojë të thellohet tradita e mbështetjes për të qenë të pranishëm në to.
Veç të tjerash është koha të ngrihen edhe struktura të brendshme, komisione, që të propozojnë librin shqiptar që duhet të përkthehet siç e kanë dhe vende të tjera. Të shkojë tek lexuesi i kudogjendur shpirti shqiptar. Por së pari tek lexuesi ynë. Kemi një Bibliotekë Kombëtare me rëndësi.
Cili është mendimi juaj për çmimet letrare, gjithmonë ka pasur debate mbi to…?
Dhe do të ketë gjithmonë si kudo. Që nga koha e Homerit e deri tek Homerët e ardhshëm do të ketë debate dhe për çmimet letrare. Në përgjithësi ato shërbejnë si vlerësim dhe publicitet të mëtejshëm të vlerave, janë dhe mirënjohje institucionale për arritjet, por nuk janë gjithçka, nuk janë vetë letërsia. Çmimet miratohen nga ata që e japin dhe nga ata që e marrin, mirëpriten nga opinioni, por dhe krijojnë pakënaqësi. Lexuesi ka nevojë për shenjime të tilla, por ai jep çmimin e vet siperan. Në fund të fundit vlerësimet duhet dhe do té vazhdojnë.
Duhet të merret Ministria e Kulturës me çmime të këtilla?
Pse Jo? Ministria e Kulturës ka zemërgjerësinë që krijon një grup pune, investon për të dhe më pas nuk ndërhyn. Për to vendosin juritë, që përbëhen nga emra të njohur, kritikë letrarë studiues të letërsisë, shkimtarë përkthyes, etj. Mendoj se duhet parë dhe përvoja e disa vëndeve të zhvilluara, ku përfshihet dhe lexuesi, votimi bëhet hapur, shoqëruar me spektakle të librit, lexime, etj.
Jam i sigurtë që Ministria e Kulturës po të mos organizonte dhënien e çmimeve kombëtare në letërsi dhe arte, do të bëhej gjithë shqetësim dhe akuzë që pse Ministria e Kulturës shmanget apo rri indiferente.
I keni parë ndonjëherë si monopol klanesh?
Nuk përjashtohet. Është dhe subjektive siç janë dhe vetë çmimet. Po s’ka pse të ndëshkohet në vetvetet dhënia e çmimeve.
Përpara se të bëheshit ministër cilat ishin ato gjëra, për të cilat keni thënë shpesh: Sikur të isha…?
Sigurisht si qytetar i këtij vendi kam dashur një bregdet më të mirëmbajtur aty-këtu, më joshës, duke ruajtur natyrën dhe duke krijuar komoditetin në harmoni me të, si spektator kam kërkuar të shoh edhe një dramë tjetër më të bukur, një teatër më të mirë, më modern, një opera më bashkëkohore, panaire librash në sa më shumë qytete, prani në ato ndërkombëtare, festivale gjithandej, biblioteka aktive, stadiume dhe fitore më shumë.
Po rendet drejt kësaj, dëshira të tilla kërkojnë përligjie dhe përligjia kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të institucioneve, intelektualëve, autoriteve në një punë të përbashkët. Më vjen mirë që jam në punë midis tyre.
Po fatkeqësisht ju do të drejtoni një ministri shumë të varfër financiarisht…
Është një ministri shumë e pasur, ka pasurinë shpirtërore të të gjithë popullit të saj.
Një përgjigje prej poeti.. Çfarë i jep dhe i merr politika letërsisë dhe anasjelltas?
Politika është veprimtari shoqërore, së cilës nuk duhet t’i trembemi. Përderisa politika merret me ne dhe ne duhet të merremi me politikën. Njeriu merret me politikë edhe kur nuk duket se po bën politikë apo është politikan. Pavarësisht se bëhet nga profesionistët, ajo vepron mbi qytetarët dhe qëndrimi ynë, veprimet tona janë pjesëmarrje. Në këtë drejtim edhe letërsia merr nga politika, jo vetëm subjekte e çështje e përgjigje, por dhe nga filli i brendshëm dhe i padukshëm i saj. Absolutisht që janë dy fusha të ndryshme, shpesh në kundërshti, në luftë të pafalshme dhe me viktima. Eskili ka mërguar me detyrim, Ovidi është internuar, janë burgosur e pushkatuar dhe shpesh më e rénda pér letërsinë, është vënë në shërbim të diktaturave si me realizmin socialist. Të gjitha i përkasin pérkohësisë. Letëria është e pérjetëshme. Do të ishte fat që politika të merrte nga letërsia, sa më shumë nga kultura dhe humanizmi i saj dhe të mos ia çmagjepsë asaj lëndën e parë, Fjalën, aq më keq ta zhvleftësojë e shpërdorojë. Morali intelektual është i domosdoshëm për të dyja.
Për këtë të fundit është folur shumë këto ditë. A ka moral dhe a duhet të ketë moral politika?
Më tmerron pyetja. Si nuk duhet të ketë moral politika? Politika është arti i së mundurës dhe e mundshme është vetëm ajo që ka moral, të pamoralshmet nuk duhet të jenë të mundshme, por duhet fituar mbi to, duhen mundur. Patjetër që politika do moral të lartë e të fortë. Nëse duket i tepërt, këtë e përhapin ata që s’kanë moral, për të justifikuar veprimet e tyre. Politika ka dhe duhet té ketë si objektiv dhe shéndoshjen morale të shoqërisë.
Një debat që ka gjalluar së fundmi ka qenë ai i peticionit kundër ndryshimit të teksteve të historisë në Kosovë. Ju jeni një ndër firmëtarët, pse iu bashkuat kësaj nisme?
Ne nuk duhet ta ndryshojmë historinë për interesa jashtë të vërtetës dhe jasht historike. Latinët kanë një shprehje që thotë: Sa do i pasur qofsh, nuk e blen dot të kaluarën tënde. Pra ndryshimet duhet të jenë té pamundura. Natyisht porosité që mund të vijnë nga e kaluara, mund të shtohen, të jenë për mirëkuptimin dhe paqen dhe bashkëpunimin, por faktet, dukuritë ashtu si datat historike dhe emrat nuk zhbëhen dot. Ato do të mbeten ashtu siç rezulton e vërteta. Qofshim të zotë për të rregulluar të tashmen dhe të ardhmen, dakort, e shkuara duhet shndërruar në përvojë, por jo të ndryshohet dhe të lëvizë. Skënderbeu është ai që ka qenë.
Por a ka nevojë historia jonë për t’u riparë, qoftë dhe në rrafshin terminologjik?
Bashkohem me ata profesionistë që thonë se ka nevojë për thellim. Gjithmonë ku ka zbulime të reja, rizbulime, këndvështrime dhe interpretime të reja, pa harruar dhe pa shpikur. Në dobi të përparimit. Të ndjekim llogjikën historike. Dhe, edhe kur nuk ka qënë e mirë, të bëjmë historinë e së mirës.
Bisedoi per Panorama: Ama Mile(Ne Foto:Caption: Ministrat e rinj me Presidentin, Kryeministrin dhe kryetaren e Kuvendit gjatë betimit në Presidencë)
Bardha Pali says
Poetit Visar Zhiti
==================
Sa bukur i përgjigjeni pyetjeve të intervistueses, Poet.
Gëzuar detyrën e re që t’a propozuan dhe e pranove, Poet.
Me kë të të krahasoj për lakonizmin e shprehjeve, sa të shkurtëra, aq të magjishme,mbushur me pozitivitet, Poet.
Jo më kot jam e para shqiptare që lus të vlerësohesh me çmimin NOBEL për paqe, paqësori Poet.
Sikur të isha muzikante, e kam shkruar edhe një herë tjetër këtë mendim, do të thurja një prelud lavdie, e cila të luhej gjatë mbajtjes së asaj ceremonie, qoftë e afërt, Poet.
U vlerësofshin: puna, fjala, shkrimet tuaja dhe lutjet e mija prej Perëndive të mira, i shumëvuajturi, i duruari e i fituari, Poet.