Nga Liviu Antonesei
shkrimtar dhe akademik rumun
Liviu Antonesei
Sa shumë e duan shqiptarët letërinë e tyre në të gjithë botën, shkruan, shkrimtari dhe akademiku rumun Liviu Atntonesei, i cili këto ditë ka patur disa postime radhazi në median e vendit të tij, përsiatje dhe vlerësime për veprën e Visar Zhitit, e përkthyer shkëlqyer, sipas tij, nga Dr. Luan Topçiut, kritik arti dhe studiues i njohur i letrave, si ato shqiptare, dhe ato rumune. Liviu Antonesei, pasi flet për poezinë për të cilën u dënua Visar Zhiti nën diktaturën e Enver Hoxhës dhe për ato që shkruajti fshehurazi në burg, duke bërë krahasime dhe me vendin e tij nën Çausheskun, merret me dukurinë Visar Zhiti në postdiktaturë, në tranzicion duke e parë si një zbulim dhe ka nxjerrë poezinë “Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim”. Temë treguese, ironi e hidheur dhe dëshpërim, e botuar në vitet ’90, përfshihet dhe në librin “Mbjellja e vetëtimave” – Shkup, 1994, është përkthyer dhe në gjuhë të tjera. Ka patur debate për të, aq sa dhe shkrimtari Bashkim Shehu i trajton në romanin e tij “Rrethi”, ndërsa poeti Ali Podrimja i ka kushtuar një shkrim të vaçantë. Dhe në emisionin televiziv “Fix fare” të Top Channel është lexuar nga kjo poezi.
Pas rënies së diktaturave komuniste në Europë dhe nisën ndryshimet e mëdha, “Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim” ishte si një pasqyrë e demokracisë shqiptare, të një zhvillimi problematik, ku arritjet bëheshin pis. Është një bashkevënie e pazakontë e atdheut me plehrat. me atë kompleksitet të shtresëzimeve të ideve dhe ndjesive të reja.
Por le t’ia lemë fjalën Liviu Antonesei-t, lë shohim një pjesë nga ato që ka shkruar, teksa komentuesit në atdheun e tij gjejnë dhe nga realiteti i tyre, poezi e jashtazakonshme, shkruajnë, dramatike, na mëson shumë, duhet venë në kornizë
NË FILLIM: POEZIA DREJT BURGUT
Befasi? Një poet shumë i madh nga Shqipëria, i cili vuajti jashtëzakonisht shumë për shkak të poezisë së tij. Apo ndoshta është më mirë të thuash për poezinë e tij dhe për poezinë në përgjithësi.
…Ndërsa shkrimtarët rumunë kanë tendencë të kenë komplekse epërsie ndaj letërsive që i konsiderojnë më të vogla, unë i këshilloj ata të bëjnë një kurë modestie duke lexuar… dhe këtë shkrimtar të madh, emrin e të cilit ndoshta nuk e kanë dëgjuar akoma.
Para se të bëhej shkrimtar i madh i sotëm, autor i rreth 30 vëllimeve, i përkthyer në shumë vende, fitues i çmimeve të shumta letrare shqiptare dhe ndërkombëtare, Visar Zhiti kaloi nëpër disa sprova, për të cilat cilësori kafkian është shumë i butë. Ai kishte botuar poezi në revista që kur ishte student, kështu që në vitin 1979 ai paraqiti në një shtëpi botuese atë që do të ishte vëllimi i tij debutues. Thjesht redaktorëve nuk u pëlqen libri dhe bëjnë një raport refuzimi për shkak të zymtësisë në to, poezive pesimiste. Gjërat mund të ishin ndalur këtu, por ato nuk u ndalën, sepse redaktorët “vigjilentë” dërguan raportin në Komitetin Qendror të Partisë së vetme, dhe poeti u arrestua, u gjykua në 1980 dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik. Vërejtjet në letër u përkthyen në “poet dekadent dhe armik i popullit”…
Visar Zhiti lirohet dhe punon gati tre vjet si një punëtor fabrike. Pothuajse çdokënd, një përvojë e tillë, sado e gjatë, pa marrë parasysh sa e vështirë, do ta kishte shtypur, por jo Visar Zhitin, i cili duket se ka dalë i fuqizuar, duke i dhënë Nietzsche-s të drejtë – ajo e cila nuk të vret, të bën më të fortë. Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, punoi në shtypin e pavarur, drejtoi një shtëpi botuese, ishte parlamentar, Ministër i Kulturës dhe diplomat i vendit të tij në Itali, Vatikan dhe Shtetet e Bashkuara.
…Do të shihni që koha dhe përvoja nuk kanë ndryshuar asgjë thelbësore në krijimin e tij, formula është zbuluar që nga koha e poezive të para.
* * *
…Sidoqoftë, diçka befasuese ndodhi me shkrimin tim, të përkthyer nga Luan Topçiu, u mor nga shumë gazeta dhe portale në Shqipëri, Kosovë dhe në komunitetin shqiptar të Rumanisë, në Zvicër, Shtetet e Bashkuara, Kanada, etj. Kushdo që më njeh e di që unë nuk shkruaj për mburrje – në fakt, thelbësore ishin poezitë e Visar Zhitit, unë bëra vetëm një prezantim të jetës së tij plot sfida dhe veprës së tij të shquar letrare. Prandaj, doja të theksoja diçka tjetër – sa shumë e duan letërsinë shqiptarët në të gjithë botën dhe si dinë ta vlerësojnë një shkrimtar të madh me një ndërgjegje të madhe.
MBETURINAT SI KOHË DHE NDRYSHIM… Plehrat e vendit tim janë bërë më të bukura, është një poezi e jashtëzakonshme e fillimeve të tranzicionit të vendit të tij, nga regjimi i hirtë komunist në diçka tjetër, nuk ishte shumë e qartë se çfarë, por diçka më pak homogjene dhe më shumëngjyrëshe. Ashtu si në Rumani, nga makthi gri shtypës i regjimit të Çausheskut, “ndryshimi i plehrave” ishte vetëm një nga shenjat e para të dukshme të të gjithë botës shoqërore. Duket se papritmas, ndonëse procesi ishte gradual – zbulimi ynë, përfshirë dhe atë të poetit, ishte i beftë – bota jonë, ajo e Europës Lindore, me Shqipërinë dhe Rumaninë në tërësi, filloi të prodhojë më shumë mbeturina, por edhe më të larmishme, më shumëngjyrëshe, më shkëlqyese, duke filluar të duken si plehra perëndimore.
Sigurisht, ndryshimet në thellësi kanë ardhur dhe vinë, disa syresh do të na duhet t’i presim për një kohë të gjatë, por dikur, në fillim të viteve 90, ne dhamë një shenjë, siç e dinim atëherë… Nuk mund të ishte ndryshe, plehrat janë nga të gjitha llojet, jo vetëm të shtëpive – por të gjitha po aq të ndryshme dhe të shumëllojshme. Të lexojmë Poetin e jashtëzakonshëm Visar Zhiti!
JANË ZBUKURUAR PLEHRAT NË ATDHEUN TIM
Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim,
s’janë siç kanë qenë,
vetëm lëkura patatesh
(si të shkulura në tortura), gjak domatesh të prishura,
lëvozhga vezësh e thonj, qepësh e lotë të tharë, këpucë
të pakalbura ende, potkonj, mace që s’kuptohet a janë
gjallë, copa gazetash – ngjarjet e botës të flakura
në kazanët anash rrugëve si mërzi
e madhe, kërcënuese…
Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim
dhe janë shtuar bashkë me lirinë, ngjyra-ngjyra si letra
çokollatash vezulluese, si idetë, si fundi i një ëndrre
në mëngjes, fotografi lakuriq artistësh,
të ndaluara më parë
të gjitha, gjëegjëza ambalazhesh, modë, lule të thara,
mbeturina bananesh si hëna të shtrembëruara,
dekorata, gëzhoja, kuti të bukura pijesh të jashtme,
e jashtmja e brendshme,
kapakët e shqyer të librave të diktatorit, koka e tij
e statujtë, pis, buzëqeshja e thyer, poemat për të,
një gjysmë magnetofoni, plehra të shtrenjta, kënga
ende dëgjohet, e ngjirur, kolltukë më tej, televizor,
skelet veture përsipër si një tërmet. Ja, ca furça
të reja dhëmbësh
si picirrukë përrallash të pa mbaruara.
Pirgjet me plehra vazhdojnë jashtë radhëve
të kazanëve të mëdhenj,
pasqyra ku fërgëllojnë ballkone pallatesh të larta, po qielli
prapë është larg,
larg dhe i pastër ende, veçse
nja dy heronj se ku janë zhgërryer, punë korrupsioni,
pranga të ndryshkura…
Kalojmë anash plehrave, mespërmes plehrave,
sa shumë, edhe në biseda, gjithandej, çfarë plehërash, –
plehra në kujtesë, në qëndrim, në karrierë,
plehra, plehra, plehra.
Dhe ato të rrugës ndonjëherë janë
më pak të shëmtuara, të dëmshme më pak.
Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim! Pse vetëm ato…