NGA PROF. ROMEO GURAKUQI*/
Sot, më datë, 17 janar 2018, populli shqiptar në çdo trevë përkujton 550- vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skanderbe, e njohur si figura më e madhe e historisë së kombit shqiptar, falë të cilit ne kemi lirinë dhe një atdhe, por edhe si një nga figurat e mëdha të historisë europiane të kohës kapërcyell, ndermjet Mesjetës dhe Kohës së Hershme të Modernitetit Europian.
Në këtë 550- vjetor popullli shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, si dhe në trojet e tjera shqiptare Malësi, Ulqin, Dibër, Tetovë, Gostivar, po e pret me nderim të veçantë përvjetorin e 550-të të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeg, në këtë kohë reflektimi, mbasi ai është më afër andrrës ri-europianizuese, pas një ndërprerje afatgjatë të shkaktuar nga regjimet e dhunës së gjithanshme, të udhëheqjeve të deformuara në aspektin e kodeve tradicionale patriotike arbnore dhe kulturës politike dhe shtetformuese skenderbegiane.
Nën udhëheqjen e Skenderbeut, arriti kulmin lufta një shekullore, që arbërit banë për mbrojtjen e vatrës së tokës amë dhe lirisë, kundër pushtuesve osmanë, asokohe rishtarë në Ballkan. Në këtë epope, lufta për organizimin dhe bashkimin politik të të gjithë shqiptarëve, të shpërndarë deri më atëherë nën sundimin e princërve të veçantë arbnorë, shënoi një hap të mëtejshëm, drejt bashkimit shtetëror, i përgatitur ky bashkim mbretnor, nga e gjitha faza pararëndëse e ecjes së njëkohshme e popullit tonë, krahas popujve të tjerë europianë.
Në shekullin XV, shqiptarët, nën udhëheqjen e Skenderbeut, duke luftuar për të mbrojtur tokën, familjen, përkatësine europiane të kombit, lirinë e vet, u banë nji ledh mbrojtës për të ndalur vërshimin shkatërrues të agresionit të sulltanëve, kundër qytetërimit europian të Arbërisë adriatikase dhe joniane dhe qytetërimit romano-bizantin në tanësi. Kështu, populli ynë, dha një kontribut të shquar në një nga çastet ma vendimtare për mbrojtjen e Europës dhe kulturës së saj, nga pasojat shkatërrimtare, që sillte me vete pushtimi huaj i ardhur nga djerrinat.
Heroi ynë kombëtar ka nji rol te rëndësishëm themelor, si udhëheqës shtetëror dhe prijës ushtarak i Arbërisë, të riformatuar territorialisht, në kushtet e vështira të shekullit XV. Figura e tij qëndron ndërmjet dy periudhave të mëdha të historisë kombëtare, si udhëheqës i epokës së randësishme kapërcyell, ndërmjet mesjetës arbnore rilindase dhe humaniste (kuptuar se pari konvencionalisht), dhe modernitetit të hershëm europian, nëpër të cilin, Arbëria, si pjesë e pandarë e kontinentit dhe qytetërimit Adriatikas, kishte filluar te ecte , duke konsoliduar themelet e bashkimit të popullit të Gegërisë dhe Toskërisë të saj si dy njësi të pandara mes tyre. Këte e them mbasi, pavarësisht vështirësive, që krijonin ndarjet ndërmjet dy Kishave, ndarjet krahinore dhe politikat separatiste të principatave feudale arbnore, karakteristike për periudhën e Mesjetës të Epërme, populli shqiptar hyri në periudhën kur ndodhi invadimi i sulltanëve, i formësuar si një kombësi e përcaktuar, me një ndërgjegje pak a shumë të qartë për rrugën e vet të veçantë, si një unitet me vete, i formuar historikisht, në bazë të origjinës së gjuhës si dhe një formimi shpirtëror e kulturor të përbashkët. Ka qenë kjo ndërgjegje dhe kjo pjekuri evolutive politiko-kulturore, që i mundësoi popullit shqiptar, t’i bëjë ballë rrezikut më të madh, që njohu deri atëhere, pushtimit të shtetit osman, që i kanosej, jo vetëm me asimilimin e plotë politik, por edhe me zhdukjen e tij të plotë fizike dhe shkrirjen e komponentëve identitarë kulturorë, vendas. Po kjo ecje nuk ishte produkt i izoluar i kësaj ane të Europës, por ishte kah europian zhvillimor. Epoka e Skënderbeut ka qenë produkt i idesë së kombësisë të sapoformuar, i kulturës arbnore të ngjizur me humanizmin italik dhe ndikimin e mbetur kulturor, që Perandoria Bizantine ushtronte ende mbi pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Kjo epokë ishte produkt i themelimit, nga fillimi i shekullit XIV, i strukturave shtetërore me vulë tipike arbnore. Nga njëra anë kemi princat shqiptarë dhe bri tyre qytetet e Arbërisë Venedikase. Është koha e ekspansionit të arbërve etnikë brenda strukturave të tyre të trashëguara kulturore dhe kishtare. Arbërit etnikë e përvetësuan atë përzjerje ndikimesh latine dhe greke, katolike dhe orthodokse, mbasi pikërisht në këtë hapësirë të Arbërisë së Mesme, kalonte asokohe, brezi i gjërë kufitar ndërmjet besimit katolik dhe orthodoks, midis kulturës katolike më vulë italike dhe traditës dhe kulturës orthodokse bizantine. Epoka e Skënderbeut ka qenë kulmi i procesit të vitalitetit të arbërve etnikë, i ristartuar nga fundi i shekullit XIII, të cilët ishin mbizotërues të porteve të Durrësit dhe Lezhës, zotërues të ofiqeve të larta në Kishën Katolike të Arbanonit, Durrësit, Shkodrës, Ulqinit dhe brendatokës. Ishte koha kur kultura arbnore, e fuqizuar nga marrja e kontrollit të Kishës Katolike në këto anë nga vendasit, fillon të mbizotërojë mbi larminë e kulturës bizantine. Jo rastësisht, prijësit shpirtërorë të Arbërisë, si: Pal Ëngjëlli, ishin jo vetëm, kishtarë dhe ambasadorë, por edhe kultivuesit e parë të shkrimit të gjuhës shqipe, d.m.th të mjetit komunikativ mes një populli me ndërgjegje dhe me udhëheqësi. Arbëria ishte pjesë e gjithë prirjeve të zhvillimit të përgjithshëm europian, dhe mbi të gjithë i prijeve politike shtetformuese nacionale. Parë në këtë këndvështrim, në epokën e Skenderbeut dhe nën udhëheqësinë tij, ne mund të zbulojmë pa mëdyshje procesin fillestar të themelimit politik të kombit (pas separatizmit feudal pararëndës), proces që u ndal dhe u amortizua nga pushtimi otoman.
Por, gjatë epopesë së shekullit XV, nën udhëheqjen e Skenderbeut, u kalit ai unitet, dhe ajo trashëgimi historike pararandëse, në mënyrë të atillë, sa, me gjithë kushtet e vështira të robërisë gati pesë shekullore otomane, ky popull arriti të dalë nga kjo periudhë e errët, në shekullin e XIX, me shtylla të ngjizura kombëtare në udheheqësi, për shkak të farkëtimit rezistent të zemrës arbnore skënderbegiane. Rilindja (Rinashimentoja) Arbënore e shekujve (XIV-XV) (në qoftë se e përdorim se pari konvencionalisht si kohë, si ndikim anësor i gadishullit italik, si ndikim i Kishave, si proces politik përbashkues politik, i principatave të vogla në një Principatë të madhe) pavarësisht robërisë pesë shekullore, arriti të prodhojë Risorgjimenton shqiptare (Rilingjalljen Kombëtare) të shekullit XIX dhe XX. Dhe kjo falë kujtesës së Gjergj Kastriotit dhe pasuesve të tij të lavdishëm, të asaj kohe historike, popullit në Shqipni dhe komuniteteve të lira arbëreshe dhe arvanitase, gjakut tonë rezistues, që na qëndron përherë si kujtesë për vëmendje, kurajo për mbijetesë dhe pamposhtje para sfidave, që forcat e errësirës ripërtërijnë në kohë.
E tham këtë, se Gjergj Kastrioti dhe pasuesit e tij, bazuar në Kodin Shqiptar të Fjalës së Dhanun, arritën të ndërtojnë Besëlidhjen, të mbrojnë popullin dhe ta orientojnë atë për nga hapësira nga ku lind liria. Pse e themi, që bazamenti i këtyre dy shekujve kapërcyell shërbeu si bazë për Rilindjen Kombëtare? Sepse duke u nisur nga gjysma e shekullit XIV, mbi gërmallat e Perandorisë së Car Dushanit, u mëkëmbën principatat e Balshajve, Topiajve, Komnenëve, të Spatajve, dhe hapësira e gjërë e qyteteve arbnore të Adriatikut, që nuk kishin pothuajse asnjë ndryshim, përsa i përket zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor dhe institucional, krahasuar me hapësirën italiane të Rinashimentos dhe Humanizmit, i cili prodhoi një modul të qenësishëm dhe të qëndrueshëm ngjizjeje kulturore, gjuhësore dhe të krenarisë së hershme të nacionalitetit. Ashtu si edhe në bregun perëndimor të Adriatikut, edhe Arbëria dhe principatat e saj në pjesën lindore, kishin formësuar karakteristikat e njësive të vogla shteterore, ndërsa Rilindja dhe Humanizimi i shekullit XIV dhe lufta e përbashkët e rezistencës së shekullit XV, farkëtoi kulturën, jetën dhe veprat, shekullare dhe kishtare, ngjashmërisht sikurse pjesa ma e përparuar e kësaj kulture në Perëndim të Europës.
Pikërisht në periudhën e shekujve (XIV – XV), kur principatat mesjetare shqiptare, afërsisht të ngjashme si edhe principatat mesjetare gjetkë në Europë qenë formësuar, mbi trojet shqiptare vërshoi invazioni i shtetit të osmanëve, dhe kështu, arbërve dhe ballkanikëve të tjerë, iu desh të përballen, në Maricë në vitin (1371), në Savër në vitin (1385), në Fushë – Kosovë ne vitin (1389), në Krujë në vitin (1415), në Berat dhe Vlorë në vitin (1417), me vërshimet e akixhinjve ardhacakë, që ishin shekuj mbrapa në procesin zhvilllimor shoqëror, ekonomik dhe institucional, krahasuar me kulurën e kontinentit ku shkelën të paftuar. Mbi të gjitha, ata ishin krejtësisht të ndryshëm nga pikëpamja e vlerave kulturore dhe institucionale.
Dhe pikërisht në këtë kohë fatale, në mbrojtje të trojeve të Arbërisë, spikat një burrë shteti, udhëheqës ushtarak më i shquari ndër të gjithë princërit arbënorë, djali i Gjon Kastriotit, Gjergji, i mbiquajtur, Skanderbeg për arsye të rrethanave të veçanta të jetës së tij të trazuar, nder pengje dhe deportime sulltanësh. Ai u bë përfaqësuesi ma i spikatur i Parësisë arbnore, në kryesimin e një fronti të rezistencës dhe mbijetesës së qytetërimit europian shqiptar, në mbrojtje dhe të kulturës europiane, kundër invadorëve osmanë. Pas rënies së parë të Arbërisë, ishte ai që ndërmori kthesën historike dhe vendimtare, për Shqipërinë, gjatë viteve (1443-1449), gjë që nuk ndodhi për principatat e tjera ballkanike. Ishte ai, që me udhëheqësinë dhe largapamësinë e tij, diti të ndërtojë metodën për kapërcimin e përçarjes së vendit ndër zotërime vasale, drejt krijimit të një njësie përbashkuese, shtetërore dhe ushtarake, që i qëndroi nga (25 – 35) vite përparimit të shtetit osman, pikërisht në apogjeon e shtrirjes së tyre të pandalun në Europën Juglindore.
“Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush… armët nuk jua solla unë, por ju gjeta të armatosur”, përbëjnë thelbin e startit, që na e sjell sot të pastër dhe të freskët penda e humanistit shkodran Marin Barleti, themeluesit të historiografisë shqiptare. Mbi këtë fillesë, Gjergj Kastrioti, në pranverën e vitit 1444 thirri Kuvendin e Lezhës, ku prijësit e krahinave, që bënin një jetë politike të veçantë, nën hijen e peshës së kambës së sulltanëve, Gjergj Araniti, Andre Topia me dy djemtë, Komninin e Muzakën dhe nipin Tanushin, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Muzakajt me vend, Lekë Zaharia, Pjetër Spani me katër djemtë, Lekë Dushmani, etj, formësuan institutin e Besëlidhjes Ndërshqiptare, dhe e kurorëzuan atë në Institucionin Politik, që në histori ka hyrë me emrin “Lidhja e Lezhës”. Lidhjes së njësisë së gjuhës, kulturës, tokës amë, iu bashkëngjit tashmë lidhja shtetërore, një bashkim në plan politik dhe ushtarak i vendit, i nxitur nga nevoja e mbijetesës dhe emergjenca e ndaljes së goditjes shkatërrimtare mbi nacionalitetin e sapongjizun arbnor. Lidhja e Lezhës ishte kështu organizata e parë politike e përbashkët, që njësoi në një drejtim, prijësit feudalë shqiptarë, njësim ky, që hidhte themelet e bashkimit shtetëror, me të cilin, kombi ynë në formësim e sipër, u orvat të dilte nga mesjeta në modernitetin e parë, modernitet fillestar, që u ndal fatkeqësisht nga rasti historik, jo fatlum. Detyra themelore, që shtrohej para anëtarëve të Kuvendit të Parësisë në Lezhë, ka qenë gjetja e rrugëve dhe formave për bashkimin e forcave politike dhe ushtarake të vendit. Kuvendi arriti të ndërtonte një udhëheqësi të vetme, të përhershme politike dhe ushtarake, të kryesuar nga Gjergj Kastrioti.
Por megjithatë, ky organizëm i parë politik ndihmoi popullin shqiptar, për më shumë se tre dhjetëvjeçarë, përmes betejave ngadhnjimtare, të njohura në histori si ajo e Terviollit, e Drinit, e Ujit të Bardhë, Krujës dhe Shkodrës, zhvilluar në vitet (1474 – 1478 – 1479), të mposhtte rezistencën e një makinerie të re, të pandalshme dhe shkatërrimtare, që derdhej mbi qytetnimin tonë, dhe të bahej bastioni i ndaljes, dhe llogorja e bashkimit, fronti i rezistencës së popujve europiano qendrorë (hungarez) dhe italikë.
Jo rastësisht, shtetet italiane e vendosën Shqipërinë e Skenderbeut, në radhën e partnerëve të të gjitha aksioneve diplomatike, që u zhvilluan në lidhje me çështjen e pushtimit të huaj, që vinte nga rrugëkalimi i Europës Juglindore. Skënderbeu u përpoq të bashkërendonte veprimtarinë ushtarake, politike dhe diplomatike, me hungarezët, gjatë viteve (1443-1444), 1448, 1456, me shtetet italiane, Papatin dhe Napolin, Venedikut, posaçërisht në harkun kohor të viteve (1463-1468). Ky bashkërendim, në këtë fazë ka qenë vendimtar, mbasi Arbëria e Skanderbegut, bëhet partner me shtetet europiane, që mbartnin nivele shtetformimi modern dhe përfaqësonin vatrat themelore të kulturës së Humanizmit dhe Rilindjes, dhe vendi ynë u vendos dhe u konsiderua në një radhë me ata, politikisht, ushtarakisht, kulturalisht, për t’i bëre ballë kërcënimit osman. Skënderbeu dhe Gjergj Araniti, që prej vitit 1451 qenë pjesë e aksionit të gjërë diplomatik, të startuar nga Alfonsi i Aragonës dhe i Napolit, Mbretëria e Napolit në vitin 1455 dhe Venediku në periudhën e fundit të jetës së Skenderbeu, gjate viteve (1463-1468).
Këto shtete, kanë qenë pjesëmarrëse me forca të armatosura në mbështetje të epopesë shqiptare. Në periudhën e viteve (1460-1462), Gjergj Kastrioti ishte vetë në një sipërmarrje diplomatike në Italinë e Jugut, për t’i bindun shtetet kryesore italiane si : Napolin, Shtetin Papnuer, Milanon, të angazhoheshin seriozisht në frontin shqiptar, aty ku luhej fati i Europës, në atë moment, dhe jo më vonë. Skënderbeu u përpoq të bëhej, së bashku me Papën Piu II, nismëtar i një aksioni të përbashkët europian për përballimin e agresionit. Por koha ishte tragjike dhe fati gjeografik, u kishte dhanë shqiptarëve misionin vetësakrifikues, për të ndalur përkohësisht agresionin mbi pjesë tjetër të Europës.
Me Gjergj Kastriotin dhe familjen e tij është e lidhur edhe historia e flamurit tonë kombëtar. Historiani i parë i veprës së Gjergj Kastriotit (Skanderbe), bashkëkohës dhe bashkëluftëtar i Heroit tonë kombëtar, Marin Barleti, ka lënë si dëshmi një flamur të kuq të qëndisur me shqiponjën dykrenare, që Skënderbeu e mbante në duar dhe që ky flamur ishte flamuri i fisit të tij. Flamuri i kuq me shqiponjën dykrenare, u ruajt në kujtesën e një populli, të ndodhur nën peshën e randë të pushtimit, dhe shërbeu si simbol i rezistencës së një kohe lavdiplotë, për t’u ngritur sërish pas 500 vitesh robëri, me, 6 prill 1911, në Bratilë të Deçiqit nga Dedë Gjo’ Luli dhe me 28 nëntor 1812 në Vlorë nga Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçori, Luigj Gurakuqi dhe etërit tanë shtetformues, të cilëve duhet t’u jemi përjetësisht mirënjohës, për ngjizjen e drejtë të trashëgimisë skenderbegiane, ngjizjen e kombëtarizmit shqiptar në bashkëkohësinë europiane, mbi parimin e parë, atë të albanianizmit, gjegjësisht shqiptarizmit, laicizmit, vllaznisë së pandame ndërshqiptare pavarësisht besimit, njësueshmërisë kulturore, bazuar në gjuhën, kulturën, doket, zakonet, respektin e dinjitetit njërëzor, konstitucionalizmin e bazuar mbi Besëlidhjen ndërshqiptare, lirinë e përbashkët dhe ri-vendosjen në gjirin e kulturës europiane. Kur rilindasit tanë rikonceptuan flamurin e Skandergut si flamur kombëtar, nuk kishin aspak para tyne një model pikture të kjartësueme të flamurit të Kastriotëve. Ata thjesht morën nga Barleti informacionin, i cili qe i mjaftueshëm për ta zgjidhur mbi një bazë të sigurt historike, një herë e mirë, problemin e bashkëngjitjes së simbolit nacional me kombin dhe historinë e tij të lavdishme. Mbi bazën e këtij riskicimi të rilindasve, në mënyrë indipendente nga njëri – tjetri, terzitë shkodranë në vitin 1911 dhe udhëzuesit e Marigosë në vitin 1912, qendisën Flamurin Kombëtar Shqiptar, i cili na bën sot krenarë, ne Bijtë e Shqipes të shpërndame në të katër anët e globit.
Shteti shqiptar i Gjergj Kastriotit (Skenderbeu), në aktivitetin e vet diplomatik, e vlerësoi randësinë e bashkëpunimit me Europën, si kusht të domosdoshëm për të mbijetuar. Periudha e viteve (1466 -1467) ka qenë nje periudhë shumë kritike, ndaj ai u bëri thirrjen e fundit për ndihmë aleatëve europianë. Ai dërgoi të birin në Venedik, ndërsa në dhjetor të vitit 1466 u nis vetë për Romë, për ta bindur Papa Palin e II mbi nevojën dhe domosdoshmërine për ndihma. Skënderbeu arriti në Romë më, 12 dhjetor 1466, i veshur me zhgunin e ashpër e të thjeshtë që mbante gjatë luftës, i shoqëruar nga kalorësit e tij. Thuhet, se Qyteti i Romës i bëri heroit tonë, një pritje madhështore, të denjë vetëm për një udhëheqës të mbuluar me lavdi. Me ndihma të kufizuara Skandërbeu u kthye në Shqipëri, në fillimin e prillit 1467 dhe për 9 muaj rresht iu desh të përballonte ekspeditat e Mehmet Fatihut, të cilin, pengesa shqiptare e kishte ndalur në rrugën drejt Italisë. Fitoret e shqiptarëve dhe mbrojtja e Krujës, i krijuan hapësirën e nevojshme kohore Skanderbeut për të mbledhur, një kuvend të krerëve shqiptarë, sërish në Lezhë, në janar të vitit 1468. Në pragun e mbajtjes së kuvendit, një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi Shkodrën. Skënderbeu, i cili ndodhej i sëmurë në Lezhë, nuk mundi të merrte pjesë në luftime, por ushtria e tij, edhe pse pa prijësin e saj, arriti të korrte një fitore tjetër të rëndësishme mbi sulmuesit. Pas pak ditësh, me, 17 janar 1468, i mbuluar me lavdi të përjeshtme, Gjergj Kastrioti, ndërroi jetë në Lezhë dhe u varros, në Katedralen e Shën Kollit, aty ku ndodhet sot Mauzoleu, i cili u zbulua dhe u përcaktua si vendvarrim i prijësit legjendar, nga arkeologut të famshëm Frano Prendi.
Vdekja e tij u përjetua si tronditje e thellë e Arbërisë, mbasi shqiptarët humbën prijësin, që i udhëhoqi për një çerek shekulli në një luftë të pabarabartë, si një ushtarak i madh. Fitoret e njëpasnjëshme provuan, se Skanderbeu ishte një strateg i shkëlqyer, me aftësi të radha. Ai arriti të korrte fitore të suksesshme në beteja spikatëse siç mund të përmendim: betejën e fitores duke u tërhequr në Torvioll, duke sulmuar në Ujët e Bardhë, duke luftuar kundër kalorësve të lehtë turq ose kalorësisë së rëndë italiane, apo duke i hapur betejë ushtrisë armike, si në: Oranik e Pollog, në shtigjet malore si në Grykën e Vajkalit. Figura e Skënderbeut mbeti po aq madhore dhe e dashur për popullin, që drejtoi edhe pas vdekjes së tij. Kronisti venedikas, Antonio Sabeliko shkruante 19 vjet pas vdekjes së heroit, në vitin 1487, se populli shqiptar “i këndon trimëritë e tij të çuditshme me vjersha solemne dhe me kanë treguar burra të denjë për t’u besuar se, ndërmjet zjarrit të luftës, në çastin kur çdo gjë dridhej përpara armëve të barbarit, një numër i madh vajzash mblidhej çdo ditë në udhëkryq të atyre vendeve ku Skanderbeu kishte sunduar, dhe këndonin lavdinë e princit të vdekur, ashtu siç e kishin zakon të moçmit në gostitë e hrejonjve të mëdhenj”. Një burrë shteti anglez, që jetoi në shekullin XVII, i quajtur William Temple, e ka vendosur Skenderbeun në radhën e shtatë kapitenëve të mëdhenj, jo mbreterorë, pranë Belisarius, Huniadit, etj. Kujtimi i Gjergj Kastriotit mbeti i paharruar dhe u ruajt si gjëja ma e shtrenjtë dhe u bë burim frymëzimi për luftën çlirimtare edhe në kohët më të errëta Emri i Heroit u bë flamur i bashkimit të shqiptarëve në kalvarin e gjatë të mbijetesës së tyre, për t’u shfaqur pas 5 shekujsh, si simbol i bashkimit për të gjithë, në luftën për lirinë e vendit dhe krimin e shtetit të pavarur shqiptar.
Epopenë e Skënderbeut, ne tradicionalisht e kemi të ndërtuar sot, duke u mbështetur në veprat e dy autorëve, Marin Barletit dhe Giammaria Biemmi. E një rëndësie të veçantë është edhe vepra e humanistit shkodran “Historia e Skënderbeut” , pasi përmes kujtimeve të bashkëkohësve dhe bashkëluftarëve, u botua për herë të parë në Romë, në harkun e viteve (1508-1510). Kopjet unikale të kësaj vepre ruhen si një relike e shenjtë, edhe në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” , si dhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Barleti na kujton faktin, se Emri SKANDERBEG, me të cilin u ba i famshëm heroi ynë kombëtar, prej emërimit të tij nga osmanët pas dorëzimit peng, kishte parasysh Aleksandrin e Madh të Maqedonisë, dhe është i lidhur para së gjithash me madhështinë e figurës dhe veprës së tij , si dhe me rolin që ai luajti për mbrojtjen dhe prirjen e rilindjes së një populli në një moment aq të vështirë historik. Kastriotët dhe Kastrioti i madh, përpunuan një stemë, që t’i lidhte ata me kohët e lavdishme të Molosëve Epirotas, Pirros, nga rridhte edhe Aleksandri i madh, të cilët, siç na e kumton Marin Barleti, shqiptarët e shekullit XV i njihnin me krenari, si pasardhës të tyre të drejtpërdrejt. Vetë Skenderbeu i shprehej kështu Princit të Tarentit në vitin 1460: “Ne quhemi epirotë dhe duhet ta dini, se në kohë të tjera, stërgjyshërit tanë, kanë kaluar në vendin tuaj, që ju e mbani sot dhe kanë bërë me romakët luftime të mëdha dhe e dimë se më të shumtën e herës, u ndanë me nder se sa me turp”.
“Historia e jetës dhe e veprave të Skanderbeut, princit të epirotëve”, e Marin Barletit, asht nji vepër e përbame prej 13 librash, e mbështetur në dëshminë e tij personale, të bashkëqytetarëve të tij, që kanë qenë luftëtarë në Ushtrinë e Skenderbeut, ndërmjet të cilëve spikat, Pjetër Engjëlli, shok lufte dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejt në epope. Dashuria për Atdheun, është një nga idetë më të larta, që përshkon si një fill i kuq gjithë veprën e Barletit, të cilën ai e jep në përshkrimin e veprës së Skanderbegut. Dhe ai e vendos këtë fill në fjalët e Skanderbegut: “nëse dashuria për atdhe, burrëria, nderi i prindërve, mund t’ia ngjallin ndjenjat krenare ndokujt, atëherë, rrëmbeni armët, mprehni me plot të drejtë shpatat, mbrojini po e deshi puna edhe me gjak, Krujën e truallin e të parëve… kryejeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin kurrë s’duhet kujtuar, se është derdhur tepër gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër”.
Viti i Skanderbeut, asht nji kohë reflektimi, për së paku dy parime themelore drejtuese ndër shqiptarët e thjeshtë dhe ata vendimarrës (politikëbërës):
Së pari, është koha që trashëgimia europianiste, albanianiste, laike, konstitucionale dhe liridashëse, e epokës Skenderbegiane, të jetë aksioma udhërrëfyese e kombit tonë në procesin e bashkimit njërëzor ndërshqiptar dhe e drejtimit shtetëror drejt integrimit në Europën e Bashkuar. Dy shtetet shqiptare, pavarësisht mbështetjes së jashtëzakonshme të dhënë nga Aleati ynë themelor strategjik, krijuesi, mbrojtësi dhe garantuesi ndërkombëtarë i qenieve tona shtetërore në kohë të ndryshme, SHBA, gjenden sot në një moment frenimi në aspektet e ndërtimit të strukturave bashkëkohore të shtetit të së drejtës, respektimit të lirive, demokracisë funksionale, shekullarizimit të pacënueshëm. Sfidat e antishtetit, të lidhura me korrupsionin politik, krimin e organizuar, dobësia e shtetit para depërtimeve antialbanianiste, fryma e largimit të forcave të mirëfillta intelektuale dhe profesionale, kanë ndalur kohën e ecjes së procesit integrues europian dhe i kanë kthyer dy vendet shqiptare, nga pararoja të procesit integrues Euro-Atlantik, në vagonin e fundit të trenit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Brukselit. Dhe ky pozicion duhet të ndryshojë. Por mos harroni, se Shqipëria dhe Kosova, vetë, pa ndihmën e kualifikuar të burimeve të ditura shqiptare, të mbeshtetura nga Aleati ynë strategjik, nuk do të munden dot ta ndryshojnë këtë pozicion aspak optimist. Një pakt i menduar mirë, që do të skicojë një road map europianizues për Shqipërinë dhe Kosovën, do të ishte një imperativ, që Viti i Skënderbeut do të duhej ta prodhonte, dhe komuniteti shqiptar në SHBA do të duhej ta lobonte në të gjitha anët.
Së dyti, studimet shqiptare dhe shkenca shqiptare e studimeve për periudhën e Skënderbeut dhe historinë mesjetare në përgjithësi, kanë nevojë për një program të mbështetur në mënyrën më profesionale. Nuk duhet të fshehim më, se numri i studiuesve të kualifikuar, të cilët janë në gjendje të punojnë në mënyrë indipendente në burimet historike të shekujve (XII-XVII) është aq i kufizuar, sa shkenca shqiptare e studimeve mesjetare nuk është në gjendje të marrë pjesë dhe të përballojë debatin shkencor bashkëkohor në lidhje me problematikat, që shkencëtarët e huaj, kryesisht fqinj paraqesin herë pas here. Shteti, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është tërësisht i pavëmëndshëm ndaj një ripërtëritjeje të strukturuar të Shkollës së Studimeve Historike dhe Albanologjisë e Ballkanologjisë në përgjithësi, ndërsa shkollat universitare vetë, pa një ndërhyrje strategjike të shtetit, nuk do ta kenë edhe për një përiudhë të gjatë mundësine për rivendosur në shtyllat e duhura procesin e formimit të studiuesit të mirëfilltë medievist.
Tiranë, më, 15 janar 2018,Nju Jork, 17 Janar 2018
* Mbajtur në Simpoziumin me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu organizuar nga Kisha Zoja e Shkodrës dhe Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”