
Ervis Zholi/
Është fakt i pa mohueshëm se Presidenti në largim do të mbahet mend si një nga krerët e shtetit që ka lëshuar më shumë dekorata se asnjë paraardhës i tij në 30 vjitet e fundit.
Nëse dikush mbrapa tij në të ardhmen do të lëshojë më shumë se ai dekorata, përsëri z. Meta do të mbahet mend në historinë dhe jetëshkrimet e presidentëve si pioneri i parë që vendosi tullën e parë, në murin e vlerësimit të vlerave teknike apo aftësi të veçanta që gëzojnë njerëzit më të spikatur të shoqerisë shqiptare.
Të vlerësosh një sportist, aktor, inxhinier, të burgosur politik, apo aktivist të çdo fushe është gjëja më e mrekullueshme dhe një impresion e vlerësim i paharruar për cilindo që e merr këtë vlerësim në formë dekorate.
Është një event shumë pozitiv për individin e vlerësuar, por ky vlerësim në formë dekorate hap siparin dhe stimulon meritokracinë, konkurrencën dhe egon profesionale të individit dhe çon vetëm në progres shoqëror aq të dëshiruar për Shqiperinë tonë.
Por, në shoqërinë e shpartalluar, të lodhur e të raskapitur të tranzicionit shqiptar, ata që kanë paguar çmimin më të lartë është shtresa e inteligjencës së vendit.
Janë njerëzit më të aftë, teknikë që jo vetëm nuk i paguan dot shteti shqiptar për të përballuar jetesën në vendin e bërë “”ÇORAP”” dhe drejtuar pa asnjë filozofi, por në kaos total vendi vegjeton brenda termit të kapitalizmit ekstrem, ku realisht “”MONEY TALK”” dhe ku inteligjenca e profesionistevë teknikë vuan dyfish pasi është pjesa më e edukuar dhe pjesa më koshiente nga ana emocionale që kupton, por nuk flet dot për operacionet pa narkozë që bëhen në trupin dhe mendjen e shoqerisë shqiptare.
Pjesa më dramatike e panoramës social-politike është se gjithë transaksionet jetësore e shoqërore udhëhiqen e kontrollohen nga oligarkia anadollake, e cila ka njerën dorë plot me diploma të vjedhura, e tjetrën dorë në tendera, drogë, trafiqe e para të pista.
Mendoni dhjetra profesorë të strukur diku me pensione që nuk i’u sigurojnë dot dinjitetin, por kanë taksiratin të shohin televizioneve, studentët më të fëlliqur në karakter e dije, të drejtojnë ministri.
Mendoni dhjetra sportistë të shkëlqyer që tani nuk i kanë më as muskujt dhe as paratë se i’u ra fati të lindnin në këtë tokë që nuk rritë e vaditë dot më të mirin fidan.
Qendrojnë duke kujtuar kur turmat mijëshe i duartokisnin e çoheshin më këmbë qyteteve.
Mendoni gjenerata të tëra klerikesh të të gjitha besimeve, të cilet vdiqën në errësirën e burgjeve dhe para togave të pushkatimit, duke u lutur për begatimin e Shqipërisë dhe jo për fatin e tyre fizik.
E kështu mund të vazhdohet pa fund me shembuj nga çdo fushë e jetës ku mund të sjellësh histori me njerez të spikatur të pavlerësuar e të lënë pas në harresën e kohës.
Shoqëria shqiptare ka nevojë shumë të madhe të promovojë vlerat pozitive dhe ti ekspozojë ato me forcën më të madhe të mundshme pasi efektet negative tek rinia, e cila ka mbushur burgjet e Europës dhe degradimi i sistemit arsimor janë një fakt tashmë i pakundërshtushëm.
Do ti bënte nder dhe do ti sillte progres çdo shoqërie të qytetëruar vlerësimi në kohë i njerëzve të spikatur. Por, është nder dhe prestigj më i madh kur i dekoron e vlerëson virtytin dhe njeriun e mirë mbasi ka kaluar kohë dhe presidentë të tjerë e kanë bërë shumë pak dhe për ineres politik.
Vlerësimi nëpërmjet dekoratave të aktivistëve të spikatur të diasporës me rastin e 110 vjetorit të themelimit të ‘Vatrës’ në New York është një hap në drejtimin e duhur dhe ka për qëllim stimulimin dhe mbajtjen gjallë të vlerave më të mira patriotike për të ardhmen. Vetëm në këtë këndvështrim dhe me këtë optimizëm duhet parë.
Pa dyshim që xhelozia dhe egoja si dy virtyte jo domosdoshmërisht të këqija gjithmonë janë të kultivuara fort ndër shekuj në mentalitetin e popullit shqiptar, nuk do e lë të qetë atë kategori njerëzish që do të kritikojnë dhënien apo pse – dhënien emrave apo individëve të caktuar që janë përfshirë në keto lista. Pa asnjë diskutim që do të ketë emra jo të goditur, mbase që edhe mund të shmangeshin për një më të mirë si kandidat për dekorim, por më mirë të kemi një proces me gabime që mban gjallë shpresën dhe të përpiqemi të përmirësojmë kriteret e përzgjedhjes, se sa të ngelemi pa shpresë dhe pa një proces të promovimit të vlerave.