Rafaela Prifti/
Rreth pesë dekada më parë autori dhe animatori bashkë me një ekip të ri i dhanë audiencës filmin vizatimor Pika e Ujit, nga të parat prodhime të kinematografisë shqiptare në këtë zhanër. I ulur para monitorit në studion e tij në Wiskonsin, piktori 70-të e ca vjeçar, ilustrues i rreth 40 librave për fëmijë, pjesëmarrës dhe fitues në disa Festivale Filmi në Shqipëri, Amerikë, Francë etj., tani i angazhuar në disa projekte filmike, kujton bashkëpunimin e parë me Naum Priftin dhe paraqet një panoramë të detajuar për filmin vizatimor shqiptar. Vlashi e quajti Naumin “njërin prej shkrimtarëve të rrallë të letërsisë për fëmijë në Shqipëri”. Ai shprehu konsideratë për regjisorin Bujar Kapexhiu, për të gjithë pjesëtarët e ekipit realizues dhe artistë të tjerë. Ndonëse është nga themeluesit e filmit vizatimor shqiptar dhe nga animatorët më të talentuar e të suksesshëm, Vlashi, me sinqeritet dhe vërtetësi, shprehë konsiderata dhe vlerësime për shumë kolegë. Disa herë në bisedë u mata t’i them se ky tipar i përbashkët me babain tim mund të jetë “sekreti” i miqësisë së tyre të gjatë, por jam e vetëdijshme se të dy ata, mjeshtri i fjalës si edhe mjeshtri i ilustrimit e kanë ditur këtë që në bashkëpunimin e tyre të parë te Pika e Ujit.
Biseda me Vlash Drobonikun e mori nxitjen nga dëshira për të mbledhur urimet e miqve të babait tim Naum Prifti për ditëlindjen e 90-të, por u duk qartë se aty ishte veçse pika e nisjes.
Ku nis historia e Pikës së Ujit?
Mund të them se nga kontaktet e para me botimet në shtypin periodik si revista Yllkat, Fatosi dhe Pioneri dhe nga ku kisha fillesën time të ilustrimeve për fëmi. Kisha kënaqësinë kur aty më binin në dorë përrallat dhe rrëfenjat e shkrimtarit Naum Prifti. Po unë gjithashtu kujtoj dashamirësinë dhe xhentilesën e tij ndaj autorëve të rinj të cilët ai i vlerësonte dhe ndihmonte. Unë pata fatin të ilustroj shumë autorë si Bedri Dedja, Shpresa Vreto, Gaqo Bushaka, por do ta veçoja kënaqësinë që më jepte ky shkrimtar në ilustrimet e mia. Për fat bashkëpunimi ynë përkon me fillesat e filmit vizatimor. Në vitin 1975 së bashku me operatorin Tomi Vaso, ne realizuam të parin film vizatimor shqiptar Zana dhe Miri. Natën e Festivalit të Filmit në sallën e Pallatit të Kulturës më afrohet shkrimtari Naum Prifti dhe më thotë “Vlash, të përgëzoj për filmin. Kam një tregim shumë të bukur për film vizatimor. “ Unë atëherë i referova që ne të dy bashkë të merrnim kontakt me Bujar Kapexhiun. Këtu nisi Pika e Ujit – një film me metrazh gati me tri akte, i realizuar në teknikën e kartonit të lirë me ngjyra. Po t’i referohemi procesit krijues për kohën që po flasim, pra pikërisht në mars të vitit 1976, unë isha në procesin e vizatimeve dhe animacionit të filmit. Pika e Ujit është një personazh shumë i bukur. Ajo siç e thoshte edhe rrëfenja shëtit gjithë Shqipërinë.
“Pika e Ujit shtëpinë e kishte në malin e Tomorrit…” shkruan Naumi.
Dhe unë ilustrova Beratin dhe malin pa e shkëputur nga pjesët e tjera të atdheut ku autori me kaq dashuri përshkruan udhëtimin e saj midis personazheve të ndryshme të rrëfimit. Nga gjithë pikat e ujit u krijua ky personazh i vecantë ku shfaqen kontradikat mes dashurisë e xhelozisë në rrjedhën e ngjarjes. Ky film u prit shumë mirë nga kolektivi i Kinostudios dhe pati fatin të debutonte në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar ku u vlerësua me çmimin e parë si filmi më i mirë vizatimor. Ky ishte gëzim për të gjithë. Për Bujarin si regjisor, për mua si piktor-animator, për operatorin e filmit Tomi Vaso, për kompozitorin aq të talentuar të shumë filmave vizatimorë e artistikë Ferdinand Deda, montazhieren Elsa Bushati, operatorin e zërit Vangjel Leka, si edhe piktorët Natasha Vodica, dhe Lefterija Mella. Por ishin zërat e bukur të Mërkur Bozgos, Eva Pëllumbit, Angjelina Xhara e Mirketa Çobanit, që i dhanë jetë këtij filmi, të cilin edhe sot e kësaj dite fëmijët e shikojnë me admirim.
Ju thatë se bashkëpunimi juaj i parë përkon me fillesat e filmit vizatimor.
Kinematografia shqiptare për sa i takon filmit vizatimor ishte në fillesat e saj atëherë. Ne të gjithë bashkë po hidhnim themelet dhe Pika e Ujit grupoi një ekip të përgatitur që me kalimin e viteve u bë edhe me kompakt në realizime të tjera. Por bashkëpunimi im me shkrimtarin nuk përfundoi këtu. Unë shkoja në shtëpinë botuese Naim Frashëri ku mblidheshin autorë, redaktorë, përkthyes e ilustrues. Kujtimet e mia më të bukura të asaj kohe janë të lidhura me takime e shkëmbime mes artistëve dhe krijuesve. Nuk e harroj kurrë pedagogun tim Pandi Mele…dhe artistë si Safo Marko, Spiro Kristo. Ajo ishte shtëpia e letërsisë, pjesë e së cilës ishte Redaksia e Ilustustrimeve për Femijë prandaj unë e quaj edhe shtëpia e bashkëpunimit të krijuesve. Kam ilustruar rreth 40 libra për fëmijë dhe ende vazhdoj të punoj në këtë zhanër. Sipas traditës së Institutit të Arteve, unë e kam mbrojtur diplomën time me grafikën ilustrative të librit Qershiza të shkrimtarit Bedri Dedja. Aty mora edhe angazhimin për të bashkëpunuar me shkrimtarin dhe tashmë mikun tim më të afërt Naum Prifti. Në vitin 1979 isha piktori i përrallës Lepurushja Beta Gatuan Ëmbëlsirë që është një nga më të bukurat e shkrimtarit Naum Prifti.
Pika e Ujit është realizuar përpara katër dekadave në Shqipëri. Si ndiheni ju kur fëmijët e sotëm të cilët kanë përpara syve dhe në duar grafika të një teknologjie të avancuar e pëlqejnë atë film vizatimor?
Filmi vizatomor në Kinostudio mund të thuhet se ishte si fëmija i vogël, krahasuar me filmin artistik dhe atë dokumentar që kishte një traditë e përvojë pune disa vjeçare. Megjithatë në pak vite filmi vizatimor arriti të ngrihej shpejt në sajë të artistëve të talentuar si Bujar Kapexhiu, Artur Muharremi, Tonin Vuksani, Boris Ikonomi, Gazmend Leka, lista është e gjatë, por shumë nga ne ishin djem e vajza të sapo diplomuar ose që ndiqnin shkollat, si për shembull Esperanca Ikonomi, Artan Maku, Stefan Taçi, Jani Zhonga, Majlinda Agolli, Xhovalin Delia, Niko Anagnosti, Gëzim Qendro, Shaqir Veseli, Albert Malltezi, Bledar Gërxalliu, Agron Mesi etj. të cilët kanë kontribuar shumë. Redaksia me redaktorë të përkushtuar si Vllasova Musta dhe Stavri Pone ishte ajo që mblidhte materialin letrar. Mbaj mend diskutimet që mbaheshin në Këshillin Artistik të drejtuar nga nën/drejtori artistik i Kinostudios Kristaq Dhamo, më vonë Vath Koreshi e Luan Rama. Kur vinte koha e shfaqjes së filmi në kolektiv, ishte një moment i përbashkët emocionues për realizuesit. Filmi Vizatimor, me vizatime, kartona apo me kukulla ka një karakteristike të vetën. Ai duhet të konceptohet ose struturohet në tridimensional klasik. Mendoj se aty është bërë punë kolosale me mundesitë dhe mbështetjen që kemi pasur ashtu sikurse kishim një komunikim shumë të mirë me njëri-tjerin. Ka patur filma të shkëlqyer siç kishte edhe filma jo fort të realizuar. Por në thelb mund të them se ato i shërbyen botës fëminore, me subjektet, legjendat, përrallat dhe temat e ditës. Shkatërrimi i Kinostudios ishte goditje fatale. Nuk e di nëse ishte pazotësia jonë apo e shtetit që nuk arritëm ta mbronim atë ashtu sikurse u ruajt Televizioni Shqiptar. Tani Kinostudio është vetëm një kujtim. Ata filma janë vetëm një kujtim i atyre viteve. Në Shqipëri u debatua që filmat e realizuar në kohën e komunizmit të mos shfaqeshin më. Por ajo është historia jonë, histori e filmit artistik, dokumentar, vizatimor, Natyrisht ne jetuam në atë kohë kur shteti investonte për politikën e tij, por krijuesi shikonte rrugë të ndryshme për sa i përket krijimtarisë. Në kohën e sotme numri i filmave vizatimor është shume i pakët si pasojë e mungesës së financimeve. Shumë regjisorë të rinj dhe të talentuar që kanë mundur të trajtojnë tema me shumë interes kanë qenë të papërkrahur financiarisht. Është për të ardhur keq që Zana Varvarica, Stefan Taçi, Gazmend Leka, Gëzim Qendro ishin artistë me potencial të cilët hoqën dorë nga krijimtaria. Fenomeni pozitiv janë Festivalet e Filmit. Pavarësisht nga prodhimet e pakta, ringjalljen e filmit vizatimor e sollën artistet e talentuar në festivale si AniFest Rozafa nën drejtimin e regjisorit Artan Maku. Edhe Dropulli Film Festival, Ballkan Film Festival e përfaqësojnë zhanrin në nivel ndërkombëtar.
Ju e trajtuat temën në këndvështrim të gjerë duke vlerësuar gjithë trashëgiminë tonë kulturore të animacionit nga fillesat në sistemin e kaluar dhe deri në kohën e sotme.
Në Francë regjisori Artur Muharremi fitoi çmimin e Festivalit të Kanës për filmin më të mirë vizatimor, por mediat shqiptare nuk i dhanë hapësirë. Në Greqi regjisori Jani Zhonga është fitues i shumë çmimeve, po ashtu Robert Qafëzezi në Francë dhe regjisorë të tjerë.
Unë kam 25 vjet që jetoj në Amerikë dhe ëndrra për të krijuar e ka mposhtur lodhjen time si punëtor derisa arrita të krijoj një mikrostudio. Tetë filma vizatimor të punuar në studion e vogël Life in Frames. Si krijues ju referova temave të ditës. Një prej ngjarjeve më tronditëse për Amerikën dhe gjithë botën ishte 11 shtatori. Unë realizova tetë mijë vizatime me një punë shumë të mundimshme ndërsa jetoja si punëtor dhe si krijues. Ky film u vlerësua dhe nderua me tetë çmime ndërkombëtare. Ardian Murraj që mundësoi bisedën tonë më ka ndihmuar në postproduksion. Filmi tjetër Hudson River Miracle të cilin e realizova si regjizor dhe piktor, ishte bashkëpunim me kompozitorin Aleksandër Vezuli dhe me montazh nga Ardian Murraj. Përsëri me Ardianin si montazhier, jam në punë krijuese me një film Vajza e Valëve me autore e vargut të këngës Mjaftore Keraj dhe kompozim muzikor Ruzhi Keraj.
Rrëfenja e Pikës së Ujit nis nga mali i Tomorit dhe kthehet përsëri aty. Fabula vlen edhe si mësim i qarkullimit të ujit në natyrë. Por edhe unë po kthehem tek fillimi për t’ju pyetur, mes gjithë personazheve që keni krijuar në kaq shumë vite krijimtari, si ju ka menduar në mendje Pika e Ujit. Cili është imazhi që keni për të, ashtu siç është animuar nga ju si një vajzë e vogël me veshje të stilizuar kombëtare?
Ajo është e veçantë sepse me magjinë e filmiit vizatimor kthehet nga një pikë uji në një vajzë të gjallë. Po ashtu mettere in scena e shëtitjes së saj nëpër Shqipëri mbi kurrizin e peshkut të artë është e paharrueshme. Unë e vlerësoj këtë vepër për ndjenjën e atdhedashurisë dhe më vjen keq që nuk realizuam më shumë vepra të këtij autori që ka shkruar gjëra kaq te bukura. Emocionalisht, për bashkëpunimin tonë me anëtaret e ekipit, tani në anën tjetër të oqeanit, them se ujërat nuk kanë kufi, ato e bashkojnë botën. Ashtu si dielli ngroh botën, ashtu edhe ajo Pika e Ujit i vadit zemrat tona në çdo kohë.
Mikut tim të hershëm Naum Prifti i them se krijimtaria nuk ka moshë.
Shënim : Pjesë të bisedës janë redaktuar për të sqaruar dhe qartësuar kuptimin si dhe për shkak të regjistrimit në audio.