
Intervistoi: Sokol Paja/
1. Znj. Nikçi, si lindi ideja për klasat e aktrimit për fëmijë në Tuckahoe Community Center dhe si do të funksionojë ky projekt?
Shkolla e aktrimit lindi krejt natyrshëm pas xhirimeve të serialit “American Dream” apo “Ëndrra Amerikane”. Në serial na duheshin fëmijë të moshave të ndryshme, me të cilët ishte e domosdoshme të zhvillonim prova paraprake për të qenë të përgatitur për xhirime. Gjatë këtyre provave, shumë prej tyre shprehën dëshirën për të qenë pjesë e seancave më të gjata, në mënyrë që të mësonin më shumë rreth metodave të aktrimit. Ishte një kërkesë e duhur, në kohën e duhur. E veçanta e kësaj shkolle është se fëmijët bëhen pjesë aktive e serialit, pra menjëherë ushtrojnë në skenë atë që mësojnë në klasë. Ndërkohë, në këtë projekt janë përfshirë edhe të rritur, të cilët i trajnojmë përmes klasave private.
2. Me një eksperiencë të gjatë në industrinë e filmit dhe televizionit, çfarë përvoje dhe filozofie pedagogjike do të aplikoni me fëmijët që do të përfshihen në klasat tuaja?
Ne u mësojmë fëmijëve dhe të rriturve – të gjithë atyre që e duan aktrimin dhe dëshirojnë të jenë përballë publikut – metodat e aktrimit sipas Sistemit të Stanislavskit. Kjo filozofi pedagogjike përcillet në mënyrë të natyrshme përmes përvojës sonë skenike dhe profesionale, duke e bërë procesin mësimor të kuptueshëm dhe praktik.
3. Cili është efekti i aktrimit në zhvillimin emocional dhe psiko-emocional të fëmijëve?
Siç dihet, efekti i aktrimit është i madh, jo vetëm te publiku, por sidomos te ata që e ushtrojnë këtë art. Fëmijët janë ata që përvetësojnë më lehtë si vlerat pozitive, ashtu edhe ndikimet negative, ndaj është e rëndësishme t’u ofrohet një mjedis i shëndetshëm artistik. Fëmijët që mësojnë aktrimin dhe punën skenike zhvillojnë aftësinë për të menaxhuar dhe shprehur emocionet e tyre, rrisin empatinë, përmirësojnë të folurit në publik dhe oratorinë. Gjithashtu, aktrimi ndikon drejtpërdrejt në rritjen e vetëbesimit dhe sigurisë personale. Janë të shumta cilësitë që një fëmijë fiton dhe ushtron gjatë këtyre klasave.
4. Pjesëmarrja e fëmijëve në serialin televiziv “American Dream”, mbi çfarë kriteresh do të bëhet përzgjedhja dhe cila do të jetë e ardhmja e tyre?
Siç e theksova edhe më lart, është një mundësi e çmuar për këta fëmijë dhe të rritur që të gjitha njohuritë dhe aftësitë e fituara në fushën e aktrimit t’i vënë menjëherë në praktikë përmes serialit “American Dream”. Çdo fëmijë i shkollës së aktrimit do të ketë mundësinë të bëhet pjesë e këtij projekti televiziv, duke fituar përvojë të drejtpërdrejtë skenike.
5. Cili është mesazhi juaj për prindërit që regjistrojnë fëmijët e tyre dhe për bizneset shqiptare që mund të mbështesin këtë projekt edukativ?
Mesazhi im për prindërit është i thjeshtë: le t’i mbështesin ëndrrat e fëmijëve të tyre. Ëndrrat e mëdha realizohen ngadalë, por me siguri. Sa u përket bizneseve shqiptare, mezi presim të bashkëpunojmë në serialin tonë “American Dream”. Njëkohësisht, u uroj Vitin e Ri 2026 juve dhe mbarë komunitetit shqiptar në Amerikë dhe kudo në botë!