
Artan Nati/
Shumica prej nesh e kanë pak idenë se sa shumë ndjenjat tona i japin formë politikës sonë. Kur flasim për politikë, ne priremi të pretendojmë se votimi është në fund të fundit një zgjedhje racionale. Megjithatë, vitet e fundit, një numër në rritje i provave ka treguar se sjellja jonë politike drejtohet më shumë nga emocionet dhe më pak nga racionaliteti. Vendimi për të dalë dhe për të votuar është në vetvete një vendim irracional. Shkencëtarët politikë e quajnë atë si “paradoksi i votimit”. Votimi përfshin përpjekje të konsiderueshme, të cilat duhet të kompensohen nga një përfitim i konsiderueshëm nëse vendimi do të jetë racional. Por secili prej nesh veç e veç ka pothuajse zero ndikim në rezultatin e zgjedhjeve. Gjatë gjithë historisë së demokracisë nuk ka pasur asnjë zgjedhje kombëtare askund në botë që të përcaktohej me një votë të vetme.
Pse votojmë megjithatë? Arsyeja është se votimi është një aktivitet emocional dhe deri diku argëtues. Nëse vota jonë nuk ndikon në rezultatin e zgjedhjeve, atëhere ne do të kishim rënë dakord me shumë të tjerë që të qëndronim në shtëpi. Por jo. Ne dëshirojmë të jeni aty për të votuar, sepse votimi ka të bëjë më shumë me shprehjen e emocioneve sesa me pasojat.
Ideologjia gjithashtu ka të bëjë kryesisht me emocione dhe pothuajse fare me racionalitet. Imagjinoni një botë në të cilën ideologjia sundohej nga racionaliteti pa asnjë paragjykim. Në një botë të tillë do të kishte pak vend për debat politik mes njerëzve inteligjentë. Nëse të gjithë do të ekspozoheshim ndaj të njëjtave fakte, do të përfundonim në të njëjtat përfundime. Do të na duheshin ende parti dhe zgjedhje pasi interesat tona nuk janë identike. Por ne kurrë nuk do të qëndronim të ndarë për çështje të tilla si se cila politikë ekonomike do të përfitonte shumica e shqiptarëve, ose cila politikë do të ishte më efektive për trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Si të thuash ujku dhe qengji do të hanin bashkë në mbretërinë e paqes.
Fakti që ne vazhdojmë t’i debatojmë këto çështje pafundësisht, dhe megjithatë duket se nuk pajtohemi kurrë, sugjeron se ka diçka në ideologji shumë larg racionalitetit. Kjo gjë tjetër është shija subjektive, e cila, në një masë të madhe, formësohet nga qenia jonë emocionale. De gustibus non est disputandum (Për çështjet e shijes, nuk mund të ketë mosmarrëveshje), siç thotë shprhja latine dhe, në të vërtetë, mosmarrëveshjet nuk ndihmojnë kurrë për të kapërcyer ideologjitë kundërshtare.
Në rrethanat kur arsyeja është në kundërshtim me shijen subjektive, është subjektiviteti që vendos dhe racionaliteti bëhet skllav i subjektivitetit. Në shumicën e rasteve, ne priremi t’i kushtojmë vëmendje në mënyrë selektive provave që konfirmojnë orientimin tonë politik, ndërsa pretendojmë se konflikti midis arsyes dhe shijes nuk ekziston. Sa nga miqtë tanë që e konsiderojnë veten si të majtë do të pranonin se ndërsa ishin të neveritur nga ideja e bashkëpunimit dhe shpesh e nënshtrimit ndaj oligarkëve, totalsht në kundështim me filozfinë e të majtës, mundohen ta justifikojnë dhe shpesh mohojnë atë. Gjithashtu sa prej të majtëve në Shqipëri ndihen mirë me faktin se Edi Rama, një nga nismëtarët e lëvizjes demokratike, është në krye të PS dhe pas fitores së Trampit në USA i hedh poshtë idealet e të majtës. Sa nga miqtë tanë që e konsiderojnë veten si të djathtë janë komod me faktin se lideri i PD-së ishte komunist dhe sekretar partie, totalisht në kundështim me filozfinë e të djathtës. Sa nga të djathtët, disidentët dhe ish-persekutuarit e regjimit komunist, ndjejnë paqe kur dalin kundër Amerikës dhe pro liderit të tyre, kur ky i fundit shpallet non grata. Sa nga të majtët dhe të djathtët tanë ndihen komod kur dy liderët e partive të mëdha bien dakort që të ruajnë statuskuonë me listat e mbyllura, e gjitha kjo në kurriz të meritokracisë dhe interesave të vendit. Ku janë këta dashnor të demokracisë dhe disident të komunizmit, por heshtin për interesa të vogla racionale, por aspak parimore.
Ideologjia mund të na largojë nga sensi i përbashkët. “Ne edhe bar do të hamë, por kurrë nuk do të shkelim parimet” thoshte diktatori i komunizmit. Ata shkaktuan një ferr për popullin dhe një parajsë dhe pushtet të pakufizuar për vete. Po kështu socialistja nga Berati u drejtohej drejtuesve të PS-së se vetëm ata të mos përçaheshin, por socialistët do t’u jepnin atyre gjithçka. Po ashtu PD-ja do të shkaktonte përleshjen e vëllavrasëse për të marrë selinë e PD-së në 2022,e gjitha kjo në emër të besnikërisë ndaj liderit shpirtëror dhe jo ndaj racionalitetit
Dëshira jonë për ideologji do të thotë gjithashtu se ne duam që politikanët tanë të jenë ideologë. Psikologu Vittorio Caprara dhe bashkëpunëtorët e tij në Universitetin Sapienza të Romës treguan se votuesit kërkojnë të votojnë për politikanë që kanë një personalitet të ngjashëm me veten e tyre. Ideologjia është shpesh mjeti me të cilin politikanët na përcjellin personalitetin e tyre. Politikanët që nënvlerësojnë ideologjinë janë etiketuar gabimisht nga ne si oportunistë që janë në politikë për veten e tyre dhe jo për publikun. Kështu ndodhi me Shkëlqim Canin, kur doli kundër aferave korruptive të Ramës. Kur primaret u hodhën poshtë nga lideri i opozitës, askush nuk ngriti zërin e racionalitetit. Duke kuptuar dëshirën tonë për ideologji dhe natyrën tonë njerëzore mëkatare dhe të brishtë, ndoshta një ditë mund të heqim dorë nga ajo.
Por dëshira jonë për ideologë ka një çmim, sepse krijon stimuj të gabuar për politikëbërësit tanë. Politikanët janë shumë më racionalë se ne votuesit. Ata udhëhiqen kryesisht nga instinkti i tyre për mbijetesë politike. Nevoja jonë që ata të ndjekin një ideologji do të thotë se ata do t’i binden asaj për të na qetësuar. Ata madje besojnë në ideologjinë e tyre për të na bindur se do ta bëjnë këtë. Por kjo është pikërisht kundër interesave të publikut. Nuk mund të ketë ideologji që është superiore në të gjitha çështjet dhe në të gjitha rrethanat, përveç ideologjisë së zgjedhjes së politikës më të mirë për secilën çështje veç e veç dhe pavarësisht nga orientimi politik. Ne kemi nevojë që politikanët tanë të marrin vendime të zgjuara politike që janë në përputhje me interesin publik. Ndonjëherë një vendim i tillë i zgjuar është i majtë, në raste të tjera, konservator ose i djathtë. Ne nuk kemi nevojë që ata të na imponojnë ndjenjat e tyre morale subjektive ose të përdorin politikat si një mjet shprehjeje emocionale.
E lindur në fund të shekullit të 19-të me premtime të mëdha për një shoqëri më të mirë, ideologjia në fund të shekullit të 20-të nuk ka asgjë për të treguar në vetvete, përveç qindra miliona të vdekurve, të vrarë nga tre ideologët më të mëdhenj të të gjitha kohërave: Hitleri, Stalini dhe duhet shtuar këtu edhe diktatori ynë. Duke kuptuar dëshirën tonë për ideologji, ekziston mundësia që një ditë të jemi në gjendje ta heqim dorë nga ajo. Kur kjo të ndodhë, të gjithë do të jemi më mirë