
Rafael Floqi/
Rrethim dhe heshtje e detyruar
Mëngjesin e 9 gushtit 2025, Policia e Shtetit rrethoi godinën e Televizionit News24 dhe ndërpreu me forcë, pa asnjë paralajmërim, sinjalin e transmetimit. Një akt i paprecedent kundër medias së lirë. Punonjësit u penguan të hynin në vendet e tyre të punës, ndërsa qytetarët u privuan nga kanali më i madh dhe më i besueshëm informativ në vend. “Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtës kushtetuese për informim dhe ndaj lirisë së shtypit,” deklaroi redaktorja Nisida Tufa, duke e cilësuar ngjarjen si precedent të rrezikshëm për shuarjen e zërave kritikë dhe kontrollin total mbi informacionin publik.
Goditja ndaj katër redaksive
Pa asnjë paralajmërim, policia kërkoi lirimin e ambienteve ku ndodhen redaksitë e News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. Në krye të operacionit ishte Ardi Veliu, si drejtues i shoqërisë “KAYO”, i cili pretendoi se godina i përket një kompanie prodhimi armësh. Ky është një veprim që shkel çdo standard demokratik dhe synon paralizimin e një prej grupeve mediatike më të fuqishme në hapësirën shqipfolëse.
Reagime nga gazetarët dhe organizatat
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u kërkoi institucioneve të mos bllokojnë punën e gazetarëve dhe paralajmëroi se është “në alert” për lirinë e medias. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e cilësoi ndërhyrjen si “alarm kombëtar” dhe “akt që cenon parimet themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes”. Rrjeti Safe Journalists Shqipëri denoncoi represionin, duke e quajtur pengim të ushtrimit të detyrës profesionale dhe kufizim të qasjes së gazetarëve në vendin e punës. Organizata ndërkombëtare të lirisë së shprehjes kanë ngritur gjithashtu alarmin për rrezikun që këto veprime përbëjnë ndaj pavarësisë së medias.
35 vjet pas diktaturës – rikthim pas
Nga mbyllja e Agon Channel, bastisja e Lapsit dhe sekuestrimi i Tv Ora, sot kalojmë në rrethimin fizik të redaksive dhe ndalimin e hyrjes në punë. Ky nuk është incident – është projekt shtetëror për asgjësimin e medias së lirë.
Neni 22 garanton lirinë e shprehjes dhe ndalon censurën paraprake. Sot, Kushtetuta u shkel publikisht. Pamjet e këtij mëngjesi duken si nga Kili i Pinoçetit apo Venezuela e Maduros – jo nga një vend që kërkon të hyjë në BE.
Me qira, pa qira, “media pa za”
Panorama Group sh.a., ka një kontratë qiraje për shfrytëzimin e pronës me nr. 10/304, Zona Kadastrale 8170, me sipërfaqe 15 mijë m², nga të cilat 5858 m² ndërtesë, të vlefshme deri në datën 09.05.2033, me vlerë mujore të qirasë 15 mijë euro. VKM-ja nr. 158/2025 që i ka kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a., 4 prona në Zonën Kadastrale 8170, në fakt nuk e përfshin pasurinë me nr. 10/304. Atëherë pse duhet që shoqëria “KAYO” sh.a., e drejtuar nga Ardi Veliu, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, të nxjerrë nga godina gazetarët, të ndëpresë sinjalin dhe sekuestrojë pajisjet, ndërkohë që Panorama Group sh.a., ka një kontratë qiraje në fuqi për pronën nr. 10/304, e cila nuk i është kaluar në pronësi shoqërisë “KAYO”?! Ka vetëm një përgjigje në fakt. Ky aksion nuk ka të bëjë me ligjshmërinë, marrëdhëniet kontraktuale, pronën shtetërore apo aktivitetin e shoqërisë KAYO, por synon censurën, mbylljen e gojës dhe shuarjen e zërit të gazetarëve të News24.
Policia shqiptare ka rrethuar këtë mëngjes godinën e Televizionit News24, duke ndërprerë me forcë dhe pa asnjë paralajmërim sinjalin e transmetimit, në një akt të paprecedent ndaj medias së lirë. Punonjësit janë penguar të hyjnë në vendet e tyre të punës, ndërsa qytetarët janë lënë pa një prej zërave informues kryesorë.
Edhe për invadimin e sotëm të bashibozukëve me uniforme, njësoj si për hedhjen në erë Prestige Resort para tre vitesh, sërish do të sërviren të njëjtat alibi. Nga ata që duan, me çdo kusht, ta shohin Edi Ramën si një diktator “liberal”, ngjarja nuk
do të shihet si një raport i pushtetit me mediat, por si një çështje mospagimi taksash, apo nevoje shtetërore për të marrë një mjedis që i duhet për të prodhuar armë.
Pak rëndësi ka se qeveria Rama ka nxjerrë VKM që i fal me 1 euro pronarëve të mediave pasuri publike, pavarësisht se ajo u ka dhënë atyre godina shkollash për t’i shndërruar në altoparlantë të qeverisë. Drama e ndëshkimit të trajektores aventureske të Irfanit nuk duhet të figurojë askund si problem i shtetit të së drejtës dhe lirisë së fjalës.
Po ashtu, sikur vetë Hysenbelliu bëri për rastin Bechetti, shumë gazetarë dhe media të mëdha do të mbyllin sot sytë për goditjen ndaj tij, pa e trajtuar atë ashtu siç është vërtetë – si një hakmarrje personale që buron nga pasionet e një njeriu që ka kapur shtetin. Dhe historia do të vijojë të zhvillohet kështu deri sa të pastrohet i gjithë ai që pothuajse një dekadë më parë u shpall me bujë si “kazan”.
Sot ata, nesër ti
Media nuk është dekor i demokracisë; ajo është shtylla që e mban atë në këmbë. Kur media hesht ose mbyllet, qytetari humb fuqinë për të kontrolluar pushtetin. “Nëse humbim lirinë e shtypit, humbim lirinë e vendit.”, shkruante presidenti – Franklin D. Roosevelt.
Nëse nuk ngrihet solidaritet i pakufishëm nga gazetarët, shoqëria civile, opozita, mazhoranca dhe Brukseli – nesër çdo kritik ndaj “udhëheqësit” do të përfundojë me tre vite burg sipas projektit të ri penal.
“Liria e shtypit nuk është e rëndësishme për shtypin; ajo është jetike për demokracinë.”
Nëse sot pranohet që një televizioni t’i shuhet zëri për arsye politike, atëherë nesër mund të pranohet që edhe qytetarit t’i mbyllet goja për çdo kritikë.
Gjurmët po duken…