-….kur qeveria kontrollon shtetin, ligjet kontrollojnë ato që mendojmë në vend që të merren me ato që bëjmë. Kështu, mendimi i lirë përndiqet. Persekutimi i mendimit e transformon njeriun. Brenda kësaj qelie izolimi, ai provon metamorfozë; mund të shndërrohet në bandit e terrorist, ose ikën, arratiset, strehohet në një vend të lirë ku mund të transformohet në çdo gjë që do a mendon se mund të bëhet…/Nga Astrit Lulushi/
Mos lejoni që frika t’ju ndalojë. Mos u frikësoni nga talljet ose censura. A nuk është detyrë njerëzore për të qenë në paqe me veten? Censorët seç kanë një indinjate morale – një ndjenjë të rrezikshme dhe çorientuese. Ata janë tiranë të vegjël, me terren e aftësi të kufizuara. Duke u trembur nga arsyet e vërteta të indinjatës së tyre, me sjellje e veprime, ata mbrojnë veten nga frika se mund të manipulohen për gjërat që nuk i parashikojnë.
Opinioni i gabuar mund të tolerohet kur arsyeja lihet e lirë për ta luftuar. Por kur qeveria kontrollon shtetin, ligjet kontrollojnë ato që mendojmë në vend që të merren me ato që bëjmë. Kështu, mendimi i lirë përndiqet. Persekutimi i mendimit e transformon njeriun. Brenda kësaj qelie izolimi, ai provon metamorfozë; mund të shndërrohet në bandit e terrorist, ose ikën, arratiset, strehohet në një vend të lirë ku mund të transformohet në çdo gjë që do a mendon se mund të bëhet. Mendja e tij, dikur e burgosur, çlirohet nga frika. Kjo është arsyeja që njeriu në diasporë ndryshon, duke e rritur cilësinë e jetës së tij. Por në shumë raste, njerëzit e diasporës priten me dyshim, zili, smirë kur kthehen në vendin e tyre të parë. Dijet që ata kanë fituar në vendin e lirë, ndeshen me zbrazëtirën e mendjes në errësirë, e cila vepron si një vrimë e zezë kozmike që thith çdo dritë apo të gjitha energjitë e tyre. Eshtë e kotë të synosh diçka kur e di se kurrë nuk do ta arrish. Njësoj ndodh kur mendimi i lirë mbillet në tokë të djerë; punë e kotë, pa rezultat, kthehet çdo përpjekje e tyre.