Reportazh nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ/
PROLOG /
Udhëtojmë me tren në klasin e parë. Destinacioni ynë Winthertur. Treni do të ketë ndalesë në Aeroportin e Klotenit, Zyrih dhe pas Winthurit do të vazhdojë rrugën për në Konstancë. Është bukur të udhëtosh me tren. Me trenat e Zvicrës. Jo më kot zviceranët bashkë me japonezët janë më të dashuruarit pas udhëtimit me tren. Edhe ne po ashtu. Kur punonim tek Bota Sot, e merrnim trenin çdo ditë. Në tren lexonim shtypin e ditës ose skiconim kolumnat tona. Në Zvicër edhe pa veturë je shumë ok, sepse është një nga vendet me infrastukturën më të zhvilluar në rrang planeti. Shumica preferon mjetet e qarkullimit publik. Kanë shpëtuar nga paranoja e veturës, e cila tek ne shqiptarët ka arritur kulmin, për shkak të izolimit, të kohës kur në rrugët e Tiranës lëviznin vetëm veturat e nomenklaturës komuniste. Ne udhëtojmë zakonisht në klasin e dytë. Por kësaj here My Switzerland, që është mikpritësja dhe e ka ftuar grupin tonë të gazetarëve, na ka dhuruar për dy javë rresht nga një biletë gratis të klasit të parë. Që do të thotë t’i hypësh trenit e të mos ndalesh. Përse jo ! Ja vlen, sepse në çdo udhëtim të ri, ne zbulojmë diçka të re nga Zvicra, paçka se në këtë vend, kemi gati dy dekada që jetojmë dhe mund të ndihemi edhe zviceranë të vërtetë. Mjafton që të respektosh mënyrën e jetës këtu, ku mbretëron shteti ligjor. Ne gazetarëve që jemi me rrënjë nga Ballkani na digjet shpirti për shtetin e së drejtës, sepse në vendet nga vijmë demokracia është e brishtë, ndërsa shteti ligjor është vetëm një ëndërr e shqiptarëve.
WINTHERTUR MBUSH 750 VJET
Sikur në mesnatën ndërmjet 31. 12. 2013 dhe 1.1.14 të ndodheshit në Kirchplatz, në Sheshin e Kishës, në Winterthur (Vintertur), do të ishit të mrekulluarit e botës. Kjo që duket si një ftesë të cilën ne jua bëjmë ne sot, në fakt është një dëshirë e brendshme e vinterturasve. Ata zbresin atë çast me të gjitha familjet e tyre, me të mëdhenj e të vegjël, në sheshin që mban vetëm pesë minuta larg stacionit qendror të trenit (Bahnhofit). Dhe do të donin që nisjen e Vitit të Ri 2014 ta ndanin me gjithë botën. Sepse atë mesnatë të një date të re dhe të një moti të ri, me një instalim të posaçëm zanor, nis një jubile i rrallë 750 vjetori i qytetit të tyre.
Edhe pse jemi në zemër të dimrit, urojmë të mbajë mot sa më i mirë në atë ndërrim të veçantë motesh. Nëse jo, të jeni të sigurt se Wintethuri nuk e zbeh magjinë e bukurisë së tij qoftë në ditën apo natën, në dimër apo verë, në diell apo shi, në borë apo në akull. Nga çdo kënd ta shikosh, nga çdo çast që ta shikosh, kudo të hedhës syrin, kudo të shkrepësh aparatin fotografik, Winterthuri shpalos vetëm bukuri.
APES NË WINTHERTUR
Nëse Zvicra është vendi më fotozhenik i botës, natyrisht Winterthuri është qyteti më fotozhenik i Zvicrës, është vetë fotozhenia zvicerane. Shumë më tepër se një metaforë elegante, kjo që themi ne është një realitet që shpaloset, një dukuri që preket.
Ashtu si u shpalos dhe u dëshmua për ne, familjen e madhe të gazetarëve të APES, tri ditë rresht, fundjavën përmbyllëse të tetorit, të mikpritur nga Swissturism dhe nga dega e tij në këtë qytet, Winterthurturism. U ritakuam me Bobin, Maria Teresa, Marie Noel, Sarën, Gorgui, Tamer, Gabrielën, Jean, Katian, Jurin, Freddyn etj. me të cilët jemi kolegë dhe miq.
Kur flasim për familjen, kësaj here jemi përtej metaforës, në një kuptim konkret, sepse pjesa më e madhe e kolegëve dhe e kolegeve janë të shoqëruar nga bashkëshortet apo bashkëshortët e tyre. Gazetari i Itarr-Tass ishte me nënën dhe djalin e tij të vogël, i cili nuk u lodh asnjëherë. Pjesëmarrja nga mediat më të rëndësishme të shkruara, elektronike apo online nga Evropa e nga pothuaj të të gjitha kontinentet e tjera është e madhe, kjo e bën të domosdoshme që, gjatë vizitave tona, të ndahemi në dy grupe, në atë anglishtfolës dhe në atë frëngjishtfolës, secili grup me udhërrëfyesen e vet.
Grupi i plotë do të takohej kështu vetëm gjatë vakteve të ngrënies, pra mëngjeseve, drekave dhe darkave.
PÉTIT DÉJEUNER ALLA PREVER APO…MÜESLI
Zvicra tregon shumë vemendje ndaj gazetarëve, të cilët ndihen të privilegjuar. Por jo, nuk është privilegj, ky është stili i të jetuarit në Zvicër, që për ne gazetarët e APES këto tri ditë në Winthertur fillon me një mëngjes fantastik në sallën e ngrënies të hotelit, ku gërshetohen të gjitha llojet e mëngjeseve që konsumohen në çdo cep të globit. Dëshiron ta nisësh ditën me një petit déjeuner, si në poezinë Zhak Preverit, me një kafe me qumësht dhe croissant, apo dëshiron të hash një english full breakfast, dëshiron të thyesh sa për fillim dy-tri arra, ku çdo gjë është organike, dhe pastaj të vazhdoshë me proshtutë viçi apo gjeli, e me djathra francezë, apo nëse je vegan të mjaftojnë drithrat dhe lëngjet e frutave që i shtrydh aty për aty. Por mos ikë pa provuar një tas me Müesli, mëngjezin popullor zviceran, që ka për bazë drithra të pazjera, përzierë me fruta të freskëta e të thata, mbi të cilat pastaj hedh qumësht, kos apo lëngje frutash, një traditë e mrekullushme e krijuar në fillim të viteve 1900 nga mjeku zviceran Maximilian Bircher-Benner për pacientët e tij në spital, që tani ka bërë histori sepse është shumë i shëndetshëm. Të gjitha i ke përpara, vetëm zgjidh sipas shijes dhe kulturës. Dhe kështu nis dita e turit tonë mediatik në Winthertur.
MR TOURISMUS ME APES NË WINTHERTUR
Për rëndësinë e veçantë të kësaj veprimtarie treditore flet edhe prania e përhershme e vetë numrit një të turizmit zviceran, Mr.Tourismus, zotëri Federico Sammaruga, një think-tank, talent i padikutueshëm në fushën e tij, një komunikues tejet i përkryer, poligliot dhe një temperament tejet miqësor. Siç do të pohonte vetë, në natyrën e tij solare do të ndikonte gjyshja italiane, ajo që ia ka dhënë edhe emrin.
Data 25 tetor ishte në dipozicionin tonë për të prekur, pra, për të bërë rikonicion, në terrenin ku dy ditët e ardhshme do të zhvillonim hollësisht tematikat e kësaj veprimtarie dhe ku gjatë gjithë kohës grupi i gazetarëve të APES do të ishte me zotërinë Sommaruga.
MINUS LIQENI PLUS SHTATË KODRAT E TË TJERA
Qytet idilik. Ky është një nga karakterizimet e shumta ndaj Winterthurit. Dhe bëhet fjalë për qytetin e gjashtë më të madh të Zvicrës, me 100 mijë banorë, 15 minuta me tren nga Aeroporti i Zyrihut, njërit ndër më të mëdhenjtë dhe më modernët në botë, 20 minuta nga qyteti i Zyrihut, kryemetropolit ekonomik zviceran dhe njërit ndër metropolet më të rëndësishme botërore, njëkohësisht qendër e kantonit ku bën pjesë Winterthuri.
IDILI I WINTHERTUR ME NATYRËN
Idili më i pazakonshëm për një qytet është ai me natyrën. Winterthuri duket se ka pasur një rritje graduale. Pra, nuk ka pasur periudha të rritjeve veçanërisht të vrullshme, ndonëse ka pasur periudha të lulëzimeve të veçanta të vrullshme. Dhe kjo ka ndikuar në ruajtjen dhe pasurimin, pas gati tetë shekujsh, e atyre raporteve që kishte me natyrën para tetë shekujsh, kur ishte fshat dhe romakët e quajtën Vita Durum, ndërkohë që, me kalimin e kohës merrte formën Winterthur, por që nuk ka të bëjë me dimrin. Ndërsa vendësit e thërrasin ëmbëlsisht në formën e shkurtuar Vinti. Dhe veten e thërrasin gjithashtu vinti. Ky është edhe një ndër sqarimet e para që vendësit ua bëjnë miqve.
I themeluar nga romakët si qendër banimi diku një shekull para Krishtit, ndërtimet e para të mëdha do t’i përkisnin fisit të madh të Habsburgëve, të cilët i kanë rrënjët këtu, por për çka vinterturasit janë indiferentë.
Dhe ankimi i parë e i fundit i vendasve është, pra, ndaj një padrejtësie absurde të natyrës se Winterthuri është një qytet pa liqen. Kjo, madje, duket e pamendueshme dhe e pafalshme për një vend si Zvicra, me dhjetëra liqene të mëdhenj dhe me qindra liqene të vegjël, mes tyre liqene që ndahen me vendet fqinje, si Franca, Italia, Gjermania apo Austria, liqene që ndahen mes disa kantoneve dhe qyteteve, liqene që ndahen mes disa fshatrave, deri tek liqene që, edhe pse vetmitare nëpër alpe dhe pyje, tërheqin turistë pa fund dimër e verë. Por, megjithatë – Wintherturi i ka afër liqenet – siç është Zürisse, Liqeni i Zyrihut apo pak më në veri Liqeni i Kontancës, ujrat e të cilit ndahen midis Zvicrës, Austrisë dhe Gjermanisë.
E, pra, mungesën e një sipërfaqeje të kaltër ujore, Winterthuri e ka përplotësuar me dalldinë e gjelbërimit. Qyteti më i gjelbër i Zvicrës, ai ndodhet në mes të shtatë kodrave të lartuara rreth e rrotull tërësisht të veshura me pyje të gjelbëruara.
ROMA E NDËRTUAR MBI SHTATË KODRA WINTHERTUR E RRETHUAR NGA SHTATË KODRA
Wintheruasve ju pëlqen shpesh të bëjnë krahasimin se Roma ngrihet mbi shtatë kodra dhe Winthertur, qyteti i tyre është i rrethuar prej shtatë të tillash. Edhe arkitektura e qytetit të krijon shijen e stilit antik. Kur përballesh me Statshaus sidomos, bashkinë e qytetit, e cila ka arkitekt të famshmin Gottfried Semper, që ka dizajnuar Operan e Dresdenit, ETH, Universitetin e Zyrihut dhe të paharruarën Ringtrasse të Vienës, të cilën e kishte aq për zemër Sigmund Freud në shëtitjet e tij të përditshme shplodhëse.
Winthertur është qytet i biçikletave me një itinerar 175 kilometrash për çiklizëm, qyteti mbetet më atraktivi për të rinjtë që e kanë pasion sportin e çiklizmit. Vetë brendësia e qytetit, ndërkohë, ndodhet e zhytur në gjelbërim në të gjitha lagjet, rrugët e rrugicat. Hapësira e gjelbër në përdorim publik shtrihet në 420 000 metra katrorë. Ai që zbret nga stacioni i trenit, më i frekuentuar në gjithë Zvicrën, e ka të pamundur të përfytyrojë se ka para vetes qendrën e një qyteti të madh, të cilin e fsheh gjelbërimi. Prandaj qytetin e parapëlqejnë mesatarisht 28 000 vizitorë në ditë. Kjo është magjia e një qyteti që iu shfaqet sa banorëve të vet dhe mikpritësve të vet nëpërmjet mirazheve të blerta.
Gjithsesi, një magji e mirë, që ofron vetëm ngrohtësi. Dhe mirazhe të kthjellëta e këndellëse. Sa që gjithkush mund të orientohet qysh nga çasti i parë a thua se këtu ka banuar gjithmonë. Për këtë mbetet i parapëlqyer për çiftet e reja, në arratitë e tyre të para dashurore, në muajt e mjaltit, deri tek ata që iu rikthehen nostalgjive të dikurshme. Këtu qëndron edhe një nga arsyet pse shumë nga kompanitë e mëdha botërore me veprim në Zvicër apo në Evropë kanë zgjedhur të kenë selitë e tyre qendrore. (Kujtojmë se këtu veprojnë 4500 kompani dhe punësohen 58000 veta). Pse shumë nga të pasurit e mëdhenj të botës kanë zgjedhur të kenë këtu shtëpitë e tyre private dhe të bëjnë jetën e tyre private. Dhe pse disa nga kryeguzhinierët më të mirë vendës e të huaj, fitues të çmimeve të larta ndërkombëtare, parapëlqejnë të instalohen pikërisht këtu dhe të dëshmojnë edhe ata gjeninë e tyre.
WINTHERTUR QYTETI I 17 MUZEUMEVE TË ARTIT
Po të shkosh në zyrën e Turizmit pranë stacionit të trenit, sa të hapësh fletpalosjen e pare, konstaton se Wintherturi është qyteti i 17 Muzeumeve. Ne startuam dhe na u deshën orë të tëra për të vizituar Muzeumin e Artit (Kunstmuseum), një nga më të pasurit dhe më modernët e Zvicrës. Janë katër arkitektë, të dy brezave të ndryshëm mjaft të largët ata që i kanë vënë vulën e sotme këtij muzeumi. Më 1915 do të ishin Rittmeyer & Furrer, ndërsa më 1995, në pjesën shtesë, do të ishin arkitektët Gigon & Guyer. Kjo e bën të mundur që ndërtesa të shërbejë si muzeum i koleksionit të përheshëm dhe si mikpritës i sallave të përkohshme të ekspozitave, me krijime të autorëve bashkëkohorë dhe i veprimtarive aktuale artistike kushtuar tematikave të ndryshme.
E përbashkëta kryesore në vizionin e arkitektëve të fillim shekullit dhe fundshekullit të kaluar është zgjidhja që ata japin në favor të hapësirës tejet të bollshme të mjediseve dhe ajo e dritës tejet të bollshme natyrale që vjen nga xhamllëqet e shumta anash dhe anashlart. Sa më pak dritë jonatyrale, aq më mirë për ruajtjen sa më gjatë të gjendjes fizike të punimeve të përfshira në muzeum. Prandaj edhe shkrepjet me blic këtu janë rreptësisht të ndaluara. Ne fotografuam pa blice peisazhe të Van Gogut.
Ishte e parashikueshme kjo kohëzgjatje, qoftë për mrekullinë e kryeveprave botërore që përmblidhen këtu, qoftë për diskutimet që lindin përballë këtyre kryeveprave. Do të lindnin diskutime ndaj punimeve të modernitetit klasik, por sidomos të atyre të artit postmodernist, veçanërisht të postmodernizmit të vonë. Sa më i vërtetë të jetë arti, thotë një sentencë e pranuar nga të gjithë, aq më shumë interpretime lindin prej tij.
Diskutimet shpesh dalin përtej objektit të artit. I tillë ishte diskutimi që lindi përballë punimit të Claude Monet me temën e zambakëve të ujit, një nga shumë prej të cilëve ndodhet këtu. Ndryshe nga variantet e tjera, me pamje të gjera nga liqenet me zambakë, me fragmente më të ngushta apo më të gjera nga qielli, këtu Monet ka parapëlqyer të kufizohet në një hapësirë shumë të ngushtë, duke i lënë më shumë veprim fantazisë së shikuesit. Dhe këtu lind mes nesh debati për raportet mes artit dhe realitetit, mes artit dhe natyrës, rolin e artistit në ndërmjetësimin e tij mes natyrës dhe artit, realitetit dhe artit. Shpesh artisti me gjenialitetin e tij si Monet për shembull, e tejkalon natyrën, për nga forca e krijuesit.
INTERMEXO MBROJTËSI I QYTETIT TË WINTHERTUR SHËN ALBANI
Ndërsa po shëtisnim në zonën këmbësore të qytetit, aty ku qyteti i vjetër është bërë pjesë e qendrës të sotme, u ndodhëm në sheshin pranë Bar, Club & Hotel Albanit, një nga klubet më popullore të muzikës në qytet. Ne u bëmë kuriozë për emrin.
“Nuk ka të bëjë me shqiptarët, ka të bëjë me shenjtorin Shën Albani,” na shpjegoi zonja Ursula. Ne natyrisht, e kishim gati kundërshpjegimin tonë. “Shën Albani, gjithsesi, ishte shqiptar.” Dhe udhërrëfyesja gjen rastin këtu të na thotë se 43% e të huajve në qytetin e Winterthurit janë shqiptarë. Duhet të jenë edhe më shumë, se një pjesë e tyre është natyralizuar. Ndërsa Ursula vazhdoi tregimin e saj se Shën Albani është një nga katër shenjtët e qytetit. Festivali më i madh vjetor i Winterturit quhet pikërisht “Albanifest” dhe mbahet në tri ditët e fundit të qershorit. Ndonëse një traditë e vonë, ky festival kremton ditën kur Rudolf von Habsburgh ia dha Winterthurit statusin e qytetit. Kjo ndodhte më 22 qershor të vitit 1264, ditën e Shën Albanit. Më 22 qershor 2014, siç e thamë, qyteti i mbush 750 vjet, ndërsa viti 2014 është shpallur viti i 750 vjetorit të qytetit.
MUZEUMI VILA FLORA
Caku tjetër i rëndësishëm i vizitave tona është muzeumi Vila Flora. Edhe këtu kanë lënë gjurmët e tyre arkitekët e famshëm Ritmeyer & Furrer, të cilët vilën e një çifti koleksionuesish të veprave të artit e kanë shndërruar në një muzeum arti. Deri në vitin 1995, ky koleksion ishte në shërbim për kënaqësi private të miqve të familjes, në nivelin e shoqërisë së lartë të qytetit dhe më gjerë. Pasardhësit e çiftit koleksionist Hedy dhe Arthur HahnloserBühler vendosën që koleksioni të jetë në shërbim publik.
Origjinaliteti i këtij muzeumi qëndron në ndërthurjen e pafund mes pjesës së palëvizshme, pra konstante të tij, e cila përbëhet kryesisht nga piktura frënge të shekujve XIX dhe XX, si dhe pjesës së lëvizshme, e cila ndryshon nga koha në kohë, gjithnjë duke pasur parasysh përbashkësi të koleksioneve të reja me koleksionin klasik. Aktualisht, krahas punimeve të Bonnard, Roussel, Vallotton, Vuillard, Manguin, Matisse, Marquet, Rouault, Cezanne, van Gogh apo Redon, me strehë të përhershme këtu, janë vendosur punime të artit tradicional japonez. Dhe vizitorët kanë mundësi të përqasin, të krahasojnë, të gjejnë përbashkësi mes përdorimit të dritës mes dy koleksioneve.
Vila Flora ka edhe një mjedis natyror tejet të veçantë, ku askush, sidomos ne gazetarët, nuk mund të ndalet pa u fiksuar në foto. As ne nuk mund ta humbnim këtë mundësi.
NGA REVOLUCIONI INDUSTRIAL TEK REVOLUCIONI TURISTIK
“Me syrin e zogut (shikuar nga lart, shënimi ynë) Winterthuri shpalos pamjet që duken si dy vezë të takuara ngjitas. Qyteti i vjetër është veza e pulës, qyteti industrial është veza e rosës, dhe stacioni i trenit është pika ku ato të dyja bashkohen”. Ky është imazhi i qytetit të Wintherturit. Thënë nga Urs Stahel, duke përdorur kështu një krahasim të zgjeruar, në formë shoqërime përfytyrimesh.
Thënia e sapo përmendur, e cila në terma estetikë mund të quhet zbulim artistik, në fakt vetëm sa shpreh në miniaturë shpirtin novator që i ka karakterizuar njerëzit e këtij qyteti brez pas brezi, çka ka ndikuar vendosmërisht në metamorfozat e mëdha që ka përjetuar qyteti. Ky shpirt novator e ka përcaktuar edhe individualitetin që ka krijuar ky qytet përballë sfidave.
Urs Stahel, rreth 20 vjet më parë, ishte themelues i “Fotomuseum Winterthur”, drejtor i të cilit ai është dhe ku ekspozohen vepra të mjeshtrave të së shkuarës dhe yjeve të bashkëkohësisë. Ky muze u vendos në ndërtesën e dikurshme të fabrikës tekstile. Përballë tij, më 2003, u përurua “Fotostiftung Schweiz” Fondacioni Zviceran i Fotografisë, në një tjetër ish fabrikë. Ndërsa ish magazina e qymyrit në Qytetin e Vjetër është shndërruar në një hapësirë për dokumentarët dhe për fotografinë bashkëkohore.
Këto tri institucione e kanë bërë Winterthurin kryeqytetin e fotografisë. Gjithnjë sipas Stahl, janë dy arsye për se ka ndodhur ky zhvillim “një e kaluar industriale që ka lënë pas vetes një hapësirë të madhe të lirë, dhe tradita e pasur për bamirësi.”
Pionierët e zhvillimit industrial të qytetit, si Johan Jakob Sulzer, Johann Jacob Rieter, Charles Brown (themelues të industrisë zvicerane të makinave dhe të lokomativave) dhe Walter Seiner (themelues i industrisë tekstile), janë ata që ngjizën shpirtin novator dhe artist të breznive të industrialistëve. Prandaj, paralel me shndërrimin e ndërtesave industriale në shtëpi banimi, në muzeume, në qendra kulturore, të tjera ndërtime industriale bëhen strehë e projekteve të reja të fuqishme industriale, të cilat nesër mund ta shndërrojnë botën. Për këtë flet edhe vetë fakti që Qendra e vetme e Shkencës në shkallë vendi ndodhet pikërisht në këtë qytet.
INTERMEXO:NË WINTHERTUR LUMI TÖS QË LUAN ME NE KUKAFSHEHTAS
Vetëm falë shpirtit krijues dhe filantropik të bijve të tij, Winterthuri, nga qytet i komplekseve gjigante industriale që lulëzonin në të dyja anët e lumit Tös, do të dinte si të shndërrohej edhe në njërin prej metropoleve kryesore zvicerane të artit, do të dinte të shndërrohej në një nga mrekullitë turistike të Zvicrës.
Udhërrëfyesja jonë tejet e pasionuar Ursula, na tregoi se ne ishim duke shëtitur pikërisht mbi lumin Tös. E ardhmja turistike e qytetit nuk mund të pranonte ta kishte nëpër këmbë më lumin, brigjet e të cilit gjatë Shekullit XIX dhe në fillimet e Shekullit XX populloheshin me ngrehina madhështore industriale. Lumi do të mbulohej dhe kjo do të mundësonte të krijohej një zonë e madhe urbane vetëm për këmbësore, çka do të krijonte kështu edhe një traditë unike.
FAMILJA REINHART INDUSTRIALISTË TË MËDHENJ E MECENATË TË ARTIT
Pikërisht autorët e industrializimit të madh të qytetit shquheshin edhe për dashurinë ndaj artit. Ata ishin ndër koleksionuesit më të mëdhenj të kryeveprave të piktorëve. Një nga familjet që ia ka vënë vulën zhvillimit të qytetit është edhe një ndër përcaktueset kryesore të evoluimit të qytetit drejt fizionomisë së re turistike, pa u shkëputur nga tradita e tij industriale. Vëllezërit Volkart, tregtarë pambuku dhe kafeje, ishin edhe ndër pronarët më të mëdhenj të veprave të artit. Njëri prej tyre, Oskar Reinhart, lindur më 1885, emrin e të cilit mbajnë dy nga muzeumet më të mëdhenj të Wintethurit, ia kushtoi gjithë jetën e tij blerjes së veprave të artit. Kjo familje, në brezin e saj të pestë, nëpërmjet George Reinhart, lindur më 1924, do të ishte një ndër mbështeteset kryesore për krijimin e Muzeut Fotografik.
Ne i vizituam të dy muzeumet e Oskar Reinhartit atë në Stadhaustrasse 6, pesë minuta në këmbë nga stacioni i trenit, si dhe atë në Haldenstrasse 95, ‘Am Römerholtz’ . Si simbole të dashurisë për artin dhe qytetin. E kur do të vijë ajo ditë që kapitalizmi shqiptar të blejë vepra arti me qëllim që të edukojë shijen e të bukurës tek qytetarët e të tërheqë turizmin? Na jepni një datë !
Oskar Reinhart është bir i Theodorit, i një babai që artin e kishte interesin e tij të dytë pas biznesit. Kjo ia mundësoi atij të rritej mes artistëve gjermanë dhe zviceranë, të cilët kishin mecenat pikërisht të jatin e tij. Përkushtimi ndaj artit u shndërrua në ëndërr kryesore të jetës për Reinhartin e ri. Në vitin 1924, kur ai ishte 39 vjeç, ëndrra iu realizua. Ai hoqi dorë nga biznesi i familjes dhe iu kushtua koleksionimit dhe ruajtjes së veprave të artit. Dhe arriti të grumbullojë vepra të disa shekujve, që nga iluminizmi deri tek periudha moderniste dhe postmoderniste.
Shijet artistike të Oscar Reinhart, ashtu si e një pjese të madhe të elitës zvicerane të kohës, u formuan nën ndikimin e mënyrës se si impresionizmi francez u përqafua në Gjermani. Reinhart u magjeps nga përdorimi impresionist i ngjyrës dhe dritës. Prej këndej mori krahë ëndrra e tij për të krijuar një muzeum të veçantë evropian të artit. Natyrisht, ai do t’i kushtonte vëmendje të posaçme impresionizmit francez, por edhe artit të mëhershëm e të mëvonshëm, mjafton që veprat të kenë ngjashmëri të ndryshme në aspektin artistik dhe estetik me impresionizmin. Punimet e grumbulluara janë vepra të rëndësishme që nga neoklasicizmi, tek romantizmi, realizimi, tek vetë impresionzmi dhe postimpresionizmi, duke arritur deri tek kryeveprat e para të Shekullit XX.
INTERMEXO – FËMIJËT SHQIPTARË NË MUZEUMIN E OSKAR REINHARTIT
Në Muzeumin e Oskar Reinhartit në Stadhaustrasse 6 u befasuam nga një sallëz e vogël ku kishin ekspozuar vizatimet e tyre, fëmijë të moshës parashkollore. Në mes të emrave, spikatin edhe plot emra vogëlushësh shqiptarë Ilir, Dardan, Luan, Blerta, Bardha, Liridon. Ne ndalemi të emocionuar përpara vijave, ngjyrave, dritave që kanë dalë drejtpërdrejt nga shpirti i dlirë i artistëve të vegjël, të cilët karrierën e tyre e fillojnë në një nga muzeumet më të famshëm evropianë të artit, falë shansit që ua jep vendi mikpritës, Zvicra.
Drejtori i Muzeut Reinhartit Dr.Marc Fehlmann, si gazetarë na dhuroi një album, ndërsa ne i premtuam se do t’ja dergonim reportazhin tonë për Wintherturin. Dhe natyrisht që do ta mbajmë fjalën.
PO TË VISH NË WINTHERTUR MOS IKË PA VIZITUAR VILËN AM RÖMERHOLTZ
Ashtu si vepruam edhe ne. Nuk ikëm nga Wintherturi pa vizituar Muzeumin e Artit të Oskar Reihhartit në vilën ‘Am Römerholtz’, ku frymëzimi impresionist përcaktoi vizionin e Reinhartit jo vetëm për artin dhe muzeumet e artit.
Ky frymëzim u bë pjesë themelore e mënyrës së tij të jetesës dhe i vuri në mënyrë vendimtare vulën edhe vetë vizionit modern të qytetit të Winterthurit, marrëdhënieve të tij me artin, me institucionet e artit dhe të kulturës, në bashkëjetesën mes përditshmërisë dhe artit.
Dhe mishërim konkret i rolit që pati ky frymëzim tek Reinhart është vetë vila ‘Am Römerholtz’ ku ai e kaloi një pjesë të madhe të jetës, janë raportet e jashtme të kësaj vile me natyrën, me mjedisin e afërt rrethues të vilës, janë raportet e brendshme të saj, të ndërthurura me ato të jashtme. Vila, e ndërtuar nga arkitekti gjenevas Maurice Turrentini,për një industrialist të madh, pasqyronte prirjen e klasave të larta të kohës për të jetuar në rrethinat e gjelbëra të qyteteve, në lartësitë e kodrave. Me një lluks të pa frenuar, por madhështor.
Më 1925, arkitekti, me kërkesë të pronarit të ri, do t’ia shtonte ndërtesës galerinë për koleksionin artistik dhe Reinhartit do të jetonte deri në ditën e fundit të jetës më 1965 nën shoqërinë e Francisco de Goya, Eugéne Delacroix, Camille Corrot, Honoré Daumier, Gustav Courbet, Edouard Manet, PierreAuguste Renoir, Paul Cézanne, Vincent van Gogh, Aristide Maillol e plot e plot të tjerë. I vetëdijshëm se ia kishte lënë qytetit të vet një trashëgimi dhe një vulë të pavdekshme.
Pas vdekjes së të zotit të shtëpisë vila do të përshtatej plotësisht në një muzeum arti.
E rrethuar nga një park i mrekullueshëm me pemë të moshave shekullore dhe skulptura të mrekullueshme të vendosura nëpër lirishtet përqark saj, vila ‘Am Römerholtz’ rrezaton një shkëlqim që nuk njeh zbehje në asnjë stinë e asnjë rrethanë. Drita që vjen nga natyra, përmes sipërfaqeve të mëdha të xhamllëkut, duket e pashkëputur me dritën që i karakterizon punimet e përfshira në këtë muzeum. Kafeja, me një tarracë që ka një vështrim tejet çlodhës drejt pamjeve të papërsëritshme të natyrës, të fton për të krijuar intervale dhe për t’iu rikthyer sallave të muzeut apo kryeveprave të artit, prej të cilave e ke të vështirë të ndahesh edhe pasi i ke kundruar me orë të tëra.
Këtu ia vlen të ndalesh për një gotë verë apo për të drekuar pranë restaurantit që është inkorporuar brënda Muzeumit. Si vepruam edhe ne. Ne ishim dehur edhe pa pirë verë nga mrekullia e kryeveprave të impresionizmit dhe pushteti i artit të madh.
Secili prej dy muzeumeve të tij e ka profilin e vet të veçantë, sikurse i ka lidhjet e veçanta me njeriun që iu dha atyre frymë Oskar Reinhartin. Muzeumi që ndodhet në Stadgarten,i themeluar nga Reinhart më 1951, ndodhet në ndërtesën e gjimnazit të vjetër. Këtu Reinhart grumbulloi vepra të artistëve nga Gjermania, Zvicra dhe nga Austria, të të gjitha rrymave dhe drejtimeve artistike të tre shekujve të fundit. Në këtë muzeum është një nga koleksionet më të pasura të artistëve (piktorë e skulptorë) nga zona gjermanishtfolëse, një koleksion mjaft të pasur nga zona italianofone, si dhe koleksionin më të pasur nga zona frankofone. Viti 2014 do t’iu kushtohet pikërisht këtyre tri koleksioneve. Dhe muzeumi në Stadgarten do të jetë kështu qendër e veprimtarive tejet të rëndësishme. Përshtatja e re që arkitekti Johann Frei ia bëri katit të tretë të ndërtesës më 1995 krijoi hapësirë të re për ekspozita të reja tematike.
Nga 17 muzeume që ka Winterthuri, në tri ditë ne arritëm të vizitojmë vetëm katër prej tyre. U njohëm po ashtu me qendrën e qytetit dhe historinë e tij, me Kishën e Shën Mërisë.
Secili muzeum ka individualitetin e tij krejt të veçantë. Një ndër muzeumet që na ngeli peng më shumë pse nuk e vizituam dot për arsye kohe, është i vetmi lloj muzeumi në botë ku në vend të shprehjes “ju lutem, mos prekni asgjë”, gjendet kudo shprehja “ju lutem, më prek mua, ju lutem, luaj me mua”. Ky është muzeumi i prodhimeve të teknologjive të larta më të fundit. Por ne do të kthehemi prapë në Winthertur, ndërkohë që ju rekomandojmë që të bëheni vizitorë të tij !
DUKE SHIJUAR SHIFRA NGA MISTER TOURISMUS …
Një nga pikat më interesante të programit për gazetarët e APES ishte të shtunën në mbrëmje, më 26 tetor takimi ynë më zotërinë Federico Sommaruga. Mr.Tourismus. Dhe zotërinë Remo Rey, drejtor i Turizmit për qytetin e Wintherturit, të cilit i dedikohet mikpritja e shkëlqyer e Wintherturit ne gazetarëve të APES.
Numri një i turizmit zviceran na bën një pasqyrë të këtij sektori, si dhe shpalos rezultatet më pikante, perspektivat dhe përparësitë e politikës turistike për vitin e ardhshëm e perspektivën më të largët.
Turistët i tërheq në Zvicër klima alpine, pejzazhet mahnitëse, sidomos skjimi dhe alpinizmi. Fillimet e turizmit datojnë nga viti 1811, pikërisht kur alpinistët britanikë shfaqën interes për Alpet Berneze. Gjatë Shekullit XIX dhe pjesës së parë të Shekullit XX Zvicra u parapëlqye për klimën e favorshme për shërimin e sëmundjeve të mushkërive. Ndërkohë ujvarat zvicerane morën famë nga skena e vdekjes së Sherlock Holmes, hetuesit legjendar të trilluar nga Sir Arthur Conan Doyla, më 1893.
Sektori turistik do të jetë pjesë e planifikuar e ekonomisë zvicerane që në vitin 1852, ndërsa nga viti 1934 do të jetë përfundimisht një ndër sektorët më të rëndësishëm të saj. Të ardhurat nga ky sektor përbëjnë rreth 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Zvicrës. Më 2010, për shembull, këto të ardhura ishin rreth 15 miliardë franga, ndërkohë që PPB e Zvicrës ishte 555 miliardë franga. Në këtë sektor punësohen rreth 150 mijë veta.
Z. Sommaruga sjell shifra për vendet me përqindjet më të larta të prejardhjes së turistëve, të cilat janë 16.5% Gjermani, 6.3% Britani, 4.8% SHBA, 3.6% Francë, 3.0% Itali. Ndërkohë që tregu priret të zgjerohet me Azinë Juglindore, përveç Japonisë, tashmë edhe Kina, India e tjerë, si dhe në Amerikën Latine, si Meksika dhe Brazili. Gjithsesi, turizmit zviceran i intereson numri i turistëve, por i interesojnë veçanërisht shpenzimet që bëjnë turistët, ku zënë, shpjegon ai, vendet e para turistët nga Arabia.
Pikat kryesore nga vijnë turistët janë aeroporti i Zyrihut, hekurudhat nga drejtimet e Gjenevës, Zyrihut dhe Bazelit, si dhe autostrada e hekurdha përmes Alpeve, nëpërmjet tuneleve të Gotardit.
Ndërsa pikat më tërheqëse për turistët janë, së pari Ujvarat e Rinit, së dyti, Gropa e Arinjve, së treti Zooparku i Bazelit. Ky i fundit është më i frekuentuari me rreth 1,8 milionë bileta priten në vit.
Turizmi është i jashtëm dhe i brëndshëm, ku turistat zviceranë në Zvicër konkurojnë me ata të huaj. Për vitin 2012 në hotelet e Zvicrës kaluan natën 35 milionë vizitorë, nga këta rreth 16 milionë ishin zviceranë dhe 19 milionë të huaj.
Për vitin 2013 nga janari deri në gusht 2013 është shënuar një rritje në total 5%. Dhe deri në këtë periudhë totali i turistëve ka qenë 25 milionë, nga të cilët 11 milionë zviceranë dhe 14 milionë të huaj.
Duke dëgjuar këto shifra, nuk ke si të mos mendosh për turizmin në Shqipëri, që ka burime të pafundme, në çdo stinë të vitit, por që ndërkohë që ka mbetur ende larg zhvillimit. Sepse një nga kushtet që intrigojnë turizmin është shteti ligjor.
Z. Sommaruga na flet edhe për politikën e investimit në turizëm, sidomos në publicitetin ndaj turizmit, ku natyrisht mediat botërore zënë një vend tejet të rëndësishëm. Zvicra, thotë z. Sommaruga, fton rreth 2500 gazetarë në vit nga mbarë bota, duke përballuar të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit të tyre, pra një investim prej disa milionë frangash në vit.
…DHE VERËN E RE TË NADINE SAXER
Prej këndej me atuobusin shatëll ne do të shkonim të darkonim në restorantin Goldenberg, i cili ndodhet në një ahishtë të dendur, në një nga të shtatë kodrat që e rrethojnë qytetin e Winterthurit. Darka do të niste me një gotë verë e famshme që mban emrin e një talenti të ri të enologjisë, nga një familjet më të famshme zvicerane të prodhimit të verërave. Që mban firmën e Nadine Saxer.
Krahas emrit të themeluesit të kantinës së verërave nga Nefenbachu i Zyrihut, Jürg Saxer, ju do të gjeni tashmë edhe nistoret NS, të cilat i përkasin pikërisht Nadinës, doktore në enologji. Suksesi i verërave të tyre në treg është një ndërthurje e karakteristikave të veçanta të prodhimit në vreshtën e tyre, për shkak të tokës dhe të mikroklimës, me arritjet më të reja teknologjike të kohës. Vera që po shijojmë ne është një verë Kabernet Pinot Noir, tejet e shijshme, aromatike dhe tejet e lehtë. Nadine, me të shoqin Stefan, e përkryen traditën e prindërve të saj,Jürg dhe Yvone Saxer. Ata janë prindër të tri vajzave të vogla, Leanas, Noes dhe Alias. Dhe natyrisht do ta përcjellin traditën edhe tek ata.
Nëse vini në Winthertur mos ikni pa pirë një gotë verë të Nadine Saxer.Gjë e papame!
Kjo verë do të jetë përmasë kryesore e atmosferës tejet të ngrohtë dhe tejet gazmore që do të vazhdonte për orë të tëra, deri në prag të mesnatës. Edhe këtu kemi zënë vende në mënyrë spontane. Do të kemi pranë dy zonjushat tejet të çiltëra dhe të shoqërueshme kanadezen Karine Bah Tahe të revistës Brazil Business Reports dhe amerikanen e bukur me flokë biond Holly Berrigan. Ajo është nga Teksasi. Kur ne i treguam se shqiptarët e adhurojnë presidentin Bush, ajo na pyeti, cilin, ne iu përgjigjëm, që të dy, edhe seniorin edhe juniorin, sepse të dy kanë bërë diçka të hatashme për Kosovën e lirë sot. Zonjusha Holly flet për synimet e saj në fushën e diplomacisë. Ne i themi pse të mos jesh ambasadore e ardhshme në Shqipëri. E pranon me shumë dëshirë. Dhe fillon të shpalosë vizionet e saj për diplomacinë moderne. I themi se me këtë paraqitje do të merrje miratimin e menjëhershëm të komisionit të Senatit të SHBA.
Me zonjën Gabriela Sotomayor nga Notimex, agjencia meksikane e lajmeve, dhe të shoqin Luis Viveros (diplomat) flasim për sfidat e shumta të Meksikës e Amerikës Qendrore sa dhe të Shqipërisë dhe të Ballkanit. Flasim për poetin nobelist meksikan Octavio Paz dhe për poezi të veçanta që ne i kemi përkthyer nga italishtja dhe anglishtja. Radha i vjen të flasim edhe për kalendarin Maya, me prejardhje nga rajoni i Jukatanit të Meksikës, si dhe për panikun global që përhapi e ashtuquajtura parathënie e apokalipsit, që do të pritej të ndodhte më 22 dhjetor 2012. Autorja amerikane Anya Schiffrin shkonte një ditë para skadimit të afatit të apokalpistit në provincën e Jukatanit, Meksikë, dikur pjesë e perandorisë Mayane. Prej andej i shkruante “Washington Postit”: “Ndonëse rusët dhe kinezët po dridhen nga fundi i botës i nesërm, këtu në Jukatan nuk ia vërshëllen njeri interpretimit fatalist të kalendarit Maya.” “Aktivistja kontraverse guatemalase, shkrimtare dhe laureate e çmimit Nobel, Rigoberta Menchu, shkruan Schiffrin, zbarkoi këtu këto ditë dhe i bëri thirrje botës të kuptojë potencialet e kulturës Maya për të ndihmuar ndërtimin e harmonisë globale.” Dhe kolegët meksikanë na tregojnë se me sa humor e përcillnin jukatanasit e tyre atomsferën tragjike që kishte kapluar globin. Dhe është koha për të kujtuar finalen optimiste të një poezie të nobelistit polakoamerikan Ceslav Milosh: “Nuk do të ketë tjetër fund të botës,/ Nuk do të ketë fund tjetër të botës.”
Sërish e sërish vëmendja përqëndrohet tek i zoti i shtëpisë, z. Federico Sommaruga. Me gazmoret e tij, me dollitë që na propozon herë pas here, ai e gjallëron më tej atmosferën tejet familjare që mbretëron këtu.
E diela e 27 tetorit, nuk është një përsëritje e dy ditëve të mëparshme me diell. Bie shi dhe shpesh mjegullat varen mbi qytet, si paralajmërim nostalgjie për qytetin ende pa u larguar prej tij, ende pa e lënë qytetin në vitin e tij të 749të, për ta gjetur dhe rigjetur sërish e sërish në vitin e tij të 750të e më vonë. Të paktën sekush nga ne i ka premtuar kështu në heshtje qytetit mikpritës. Ndërsa me zë të lartë, kur ndahemi me kolegët dhe zotëri Sammarugën, për të marrë trenin seicili prej nesh nëpër drejtimet ku banojmë, nuk harrojmë të përshëndetemi në formën tonë tashmë klishe: Mirupafshim herën tjetër! Tschüss bis bald! A bientôt! Till the next time!