Shkruan:Eugen SHEHU/
Plejada e shquar e mbretërorëve shqiptarë, do të ishte e mangët nëse do të mungonte një burrë,ashtu siç mund të quhen të mangëta supet e malit kur mungojnë drurët.Vitet e jetës së tij,sot quhen të ndritura sepse mbi to,bie drita e mirënjohjes së madhe jo vetëm e familjes mbretërore por e krejt shqiptarëve të viseve etnike,ajo mund të mbyllet vetëm fizikisht,ndërsa jetëgjatëtësia morale i kapërcen kufijtë e shekujve.
Xhemla Laçi,lindi më 17 gusht 1912,në kullën e madhe të Laçajve,në Pukë.Lindi në ate djep të lashtë trimërie dhe u përkund prej ninullave trimërore pukjane,të cilat,nga viti në vit,pasuroheshin me ngjarje të reja,me beteja e ngadhnjime të reja,në luftën kundër ushtrive osmane.Mësimet e para i mori në vendlindje.Në vitet 1919-1925,në Pukë u kryen transformime të mëdha,sidomos në rrafsh të zhvillimit të arësimit kombëtar.Burrat trima të malësisë së Pukës, e parandjenë se konsolidimi i shtetit shqiptar,tanimë donte pak trimëri e shumë dije.Ata nuk kursyen as për çeljen e shkollave dhe as për dërgimin e fëmijëve të tyre,nëpër shkolla të tjera.Xhemal Laçi,u shqua që në vitet e para të shkollës në Pukë,për një dashuri të pakufishme për dijet.Në vitin 1927,mbasi ka mbaruar me rezulltate të larta programet shkollore të asaj moshe,me ndihmën e pakursyer të prindërve merr rrugën e Tiranës,për të vazhduar më tej,në gjimnazin e shtetit,ç’prej vitit 1928 e deri më 1932,ai djal me shtat të imët,por me një vështrim gati melankolik të syve,do të brymosej sa me atdhetarinë e falur të mësuesve të vet,aq edhe me respektin e nderimin për monarkinë shqiptare.Tepër i pjekur në mendimet e veta,gjimnazisti Laçi,do të binte sidomos në sy të trupit pedagogjik.Veçmas,atdhetari i shquar Mihal Zallari,do t’i jepte udhën e duhur kureshtjeve dhe ideve të djalit pukjan për monarkinë shqiptare.Vite më vonë,në biseda miqësh,vetë Xhemal Laçi do të kujtonte se profesori i shquar Mihal Zallari,pat influencë tej mase në formimin atdhetar të krejt atij brezi nxënësish në gjimnazin e Tiranës.Me mbarimin e gjimnazit shtetërorë,ngase rezulltatet në mësime të Xhemalit janë shumë të larta,atij i akordohet prej shtetit shqiptar një bursë e plotë,për të vazhduar studimet e larta në Itali.Parapëlqen Akademinë Ushtarake të Romës ku edhe studion plotë dëshirë,me shpresën e madhe që një ditë,do të jetë oficer i aftë në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare.Vitet e gjatë të studimeve në Itali,nuk do të largonin aspak mallin e Xhemalit për pukën,përkundrazi,do të ndiznin më shumë zjarrin e tij.Në shoqërinë e akademistëve të tjerë,si Preng Previzi,Xhemal Aranitasi,Dilaver Dine etj,biri i Pukës do të përmendete kurdoherë me mall për vendlindjen,ku më tepër se këngë dasmash a mortit,ishin kënduar ato të besës së burrit,Xhemal Laçi,donte të ishte burrë,si i këngëve me çifteli të Pukës.Në marsin e vitit 1939,ndërsa ndiqte studimet pasuniversitare në akademinë e lartë ushtarake,Xhemal Laçi,parandjeu diçka të ligë për vendlindjen e tij,Pukën e krejt Shqipërinë.
“Në një mbrëmje me stduentët shqiptarë,Xhemali i vëmendshëm arriti të mësojë se pas dy-tri javësh,do të realizohej bashkimi vëllezërore i gjoja dy vendeve Italisë dhe Shqipërisë.Që ate natë,largohet nga garnizoni ku bënte jetën ushtarake dhe me dokumente që fshihnin identitetin e tij,mundi të hynte në konsullatën shqiptare të Barit dhe t’i bënte të ditur konsullit,këtë plan armiqsorë… “.( Gazeta “ Atdheu “ – Tiranë , 28 maj 1994 ).
Menjëherë pas këtij akti,i bindur se nuk do të kishte vend në bangat e akademisë ushtarake,Xhemal Laçi kthhet në Shqipëri.Fundmarsi i vitit 1939,ishte tejet i trishtueshëm për shqiptarët.Ndonëse shumë prej tyre i besonin mbretit të tyre,të tjerët,të molepsur prej propagandave antikombëtare,përhapnin mes vete shpifjen e ndyrë se Mbreti po e shet Shqipërinë.Për ta ishin krejt të panjohura veprimet dhe demarshet politiko-ekonomike për 10 vjet me radhë të italianëve,të cilët gjetën barrikadë të fuqishme tek mençuria dhe pjekuria e Mbretit të Shqiptarëve.Ata nuk mund të dinin sigurisht se vite më parë,që në ditët e para të marrjes së funksionit të ministrit të jashtëm të Italisë,Konti Ciano,shkruante në memoriet e veta ; “Në këtë vend ne duhet të krijojmë pika të qëndrueshme të ndikimit italian.Kushedi se çfarë na pregadit e ardhmja ? Duhet të jemi të gatshëm të kapim fort,rastet që na paraqiten… Kësaj radhe ne nuk do të tërhiqemi siç bëmë në vitin 1920.Në jugun tonë,kemi asimiluar disa qindra mijëra shqiptarë.Përse të mos ndodhë një gjë e tillë edhe në anën tjetër të Adriatikut ?”( Ciano,” Ciano’s Hidden Diary “ faqe 4 ).
Në Durrës dhe Tiranë,Xhemal Laçi takohet me nacionalistë të tjerë shqiptarë ku bënin me dije ate mbi sulmin e mundshëm italian.Më tej,ai shkon në Pukë,ky dy-tri ditët e para u shmall me të afërmit e më pas nisi të organizojë çetat vullnetare të vendlindjes,për të pritur me luftë okupatorin.Në ditët e para të prillit 1939,falë njohurive të marra në akademinë e lartë ushtarake,Xhemali mundi të organizojë disa forca edhe në qytetin e Shëngjinit,prej nga do të zbarkonin italianët.Gjithsesi,7 prilli u quajt ditë zie për shqiptarët,ngase ata u sulmuan prej 40 mijë ushtarëve fashistë italian të armatosur rëndë të shoqëruar dhe me aeroplanë bombardues.
Me okupimin e shtetit amë prej Italisë fashiste,Xhemal laçi shkon në Tiranë.Miqtë e tij e këshillojnë që ai të shkojë sërisht në itali,dhe pasi të mbarojë plotësiht studimet,të kthehet në atdhe ku mund të jetë më i dobishëm në radhët e ushtrisë italiane.Natyrisht,për Xhemalin ishte e qartë se rezistenca e mëtejshme me armë në dorë,kundër fashistëve italian,s’ishte gjë tjetër,veçse djegie dhe shkatërim i plotë i vendit të vet.Duke folur me autoritete e larta ushtarake në Durrës,se kish vajtur në shtëpi,kinse për të parë prindërit e sëmurë,i hipi vaporit dhe u kthye sërish në Romë.Tashmë rrugët e gjëra e plot drita,bulevardet madhështore të Romës,nuk do t’i hynin në sy studentit nga Puka.Ai diplomohet shkëlqyeshëm dhe e para gjë që u thotë ushtarakëve të lartë të akademisë,ishte që ta linin të shërbente në radhët e ushtrisë shqiptare.Në fund të vitit 1940,Xhemal Laçi shkon në Shqipëri dhe bashkohet me fatin e dhjetra bashkëkombasve të vet,të cilët ndonëse patën ëndërruar të shërbenin në ushtrinë kombëtare shqiptare,komandoheshin tanimë nga oficerë italianë.Që në fillim të karierës ushtarake Xhemal Laçi shprehu pakënaqësinë e tij ndaj oficerëve komandues italian,të cilët “bajnë edhe zollume të kota sepse nuk i njofin karakterin e shqiptarëve”. Ai vendoset në detyrë në garnizonin italian të Shkodrës dhe që në muajt e parë,shquhet për frymën antiitaliane,thirret edhe në komandën e garnizonit por nuk pranon të spjegohet lidhur me ngjarjet e ngritjes së flamurit kuqezi më 28 nëndor të vitit 1942,pothuaj në të gjitha shkollat e qytetit.Në shoqërinë e oficerit tjetër të këtij garnizoni Fuad Dibra,Xhemal Laçi do të rrëfente se përpara idealit të shenjtë të Shqipërisë Etnike,nuk kishin vlerë shkollat e hierarkisë ushtarake.Sipas një plani të fshehtë me Fuad Dibrën, Xhemali dezerton nga radhët e ushtrisë italiane kur ishin me detyrë në Ulqin.Një pjesmarrës i Luftës së Reçit,tregon ; “Në fund të gushtit 1943,ne një grup ballistësh të rinj,ndodheshim në Bjeshkët e Domnit.Aty kishin ardhur thuajse të gjithë oficerët dhe ushtarët shqiptarë të garnizonit të Ulqinit, nën komandën e kolonel Fuad Dibrës.Ky komandant së bashku me Faik Qukun,kohë më parë kishin organizuar edhe oficerët :Sabahudin Resulin,Ram Vojvoda,Bilbil Hajni,Xhemal Laçi dhe Dilaver Dine,dezertimin nga ushtria dhe komanda italiane”.(M.Quku,”Një vështrim i ri mbi luftën e Reçit” – Shkodër 2001, faqe 50-51 ).
Menjeherë pas epopesë së Reçit,Xhemal Laçi shkon në vendlindje,i bindur se duhej të jetonte në legalitet të plotë.Kariera ushtarke e tij,tanimë kishte marrë udhë tjetër.Ndërsa italianët e patën dënuar me vdekje në mungesë,ishin çetat mbretërore dhe nacionaliste të Pukës,të cilat prisnin jo vetëm kulturën ushtarake të birit të tyre,por sidomos urtësinë në gjykimin e situatave.E para portë që u çel në Pukë,për Xhelalin ishte ajo e Abdullah Salihut, e këtij nacionalisti të shquar,kullat e të cilit ishin djegur katër herë nga serbët,malazezët e italianët,madje duke parë atdhetarin e kulluar dhe besën e dhënë të birit të Pukës,ishin me dhjetra e dhjetra,kullat e Pukës,të cilat hapën dyert dhe zemrat për birin e tyre.Prishja dhe shpërfillja e Mbledhjes së Mukjes më 1 gusht 1943, nga komunistët e Tiranës të dirigjuara nga Beogradi,u shoqëruan me një lëvizje të fuqishme nacionaliste dhe antikomuniste.Kuvendi i Lurës më 4 shtator 1943,më pas ai i Lumës 10 shtator 1943,demaskuan qëndrimin antikombëtar të klikës komuniste të Tiranës.Në këto kushte,Xhemal Laçi punoi intenzivisht edhe për një kuvend në Pukë,ku do të lidhje besa për të luftuar deri në fund okupatorin.Plot tri javë ,ditën dhe natën,fjetur e pafjetur,biri i Pukës,shkeli me këmbë edhe kullat më të largëta të vendlindjes së tij,duke agjituar për bashkimin e krejt pukjanëve si kundër italianëve ashtu edhe kundër sllavokomunistëve.Kësisoj në vendin e quajtur Kabash,në thellësi të Pukës,me nismën direkte të Xhemal Laçit dhe Abdullah Salihut,me tre tetor 1943 u zhvillua një tubim madhor,me pjesmarrjen e rreth 500 luftëtarëve të atyre anëve.E veçanta e këtij tubimi,kuptohet që nuk është pjesmarrja kaq e madhe,por fakti që aty muarën pjesë atdhetarë pa dallim feje dhe ideje.Në këtë kuvend burrash,shkuan edhe myslimanë edhe katolikë edhe bajraktarë edhe ballistë dhe mbretërorë por edhe komunistë.Kabashi,në thelb,donte të ripërtëriste Mukjen,duke dashur të lidhte besën midis “të vegjëlve” të popullit.Aty u shpreh qartë dhe hapur se Shqipëria martire,ndodhej e rrezikuar sa nga fashizmi aq edhe nga komunizmi.Pa dashur të hyjë në idetë e kuvendit historik të Kabashit,unë dua të sjell në këto radhë vetëm dy pasazhe të fundit të fjalës së Xhemal Laçit.Pos të tjerave,në këtë fjalë,burri i mençur i Pukës do të thoshte ; “Na duem me vendos sot ligjet e kanunit shqiptar pse po i shofim italianët që duan me na shlye të tanëve.Por na,nuk shohim as ndonjë shpresë tek idetë komuniste,të cilët,duan me na ba vllazën me armiqtë tanë të përjetshëm.Nëse serbët na japin Kosovën dhe Maqedoninë shqiptare,une vet kam me i nderue,por kur ata na therrin vllaznit tanë atje,na s’mundena me i ba miq askurrë,se do ishte turp i madh”.
Pas kuvendit madhorë të Kabashit,vednimet e të cilit “jetuan” deri në janarin e vitit 1945,kapiten Xhemal Laçi,në shoqërinë e shenjtë me legjendarin Abaz Kupi,merr përgjegjsi të reja mbi supe.Ai është ndër nismëtarët për mbajtjen e Kongresit të Parë të Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe me pjekurinë që e karakterizonte,ndikon fuqishëm në propagandimin e ideve dhe detyrave të shtruara nga ky kongres.Tashmë fjala e kapiten Xhemal Laçit,dëgjohet me vëmendje dhe rreth tij burrat e Pukës kanë ç’të mësojnë mbi parimet morale të lëvizjes mbretërore.Tashmë,në rolin e ushtarit shembullorë të Kombit e Mbretit,Xhemal Laçi,viret sa në shënjestër të italianëve,aq edhe të gjermanëve dhe komunistëve.I matur,tejet i guximshëm,në pranverën e vitit 1944,së bashku me Abdullah Salihun,Rehit Meçen dhe Pashk Currin,kapiten Xhemal Laçi,ja nis punës në krejt malësinë e Pukës,për të ngritur aty degën e Partisë Lëvizja e Legalitetit.Ndënëse baza e tij e përhershme ishte lagjja Meçaj e Kabashit,kur kjo lagje u bombardua nga forcat gjermane,kapiten Xhemal Laçi,shkoi në disa shtëpi të veçuara,një orë larg fshatit Kabash.Në këto kulla u zhvendos shtabi luftarak i udhëhequr nga trimi i Pukës,prej nga merrnin urdhërat dhe porositë krejt formacionet legaliste të Pukës e deri ato të Fushë-Arëzit.Është për t’u nënvizuar fakti se çetat mbretërore të këtyre trevave,ndonëse të rregullta dhe të armatosura mjaft mirë nuk u përballën asnjëherë me dy tri çeta nacionalçlirimtarësh,falë porosisë së prerë të Xhemal Laçit ; “Jo luftë me vllaznit tanë !”.Pas dy muajsh veprimtari intensive,duke punuar pothuajse në sy të komandës gjermane të vendosur në Pukë,më 4 prill 1944,në restoranin e Abdullah Salihut,u krijua dega e Partisë Lëvizja e Legalitetit për këtë zonë.Rreth 80 burra përfaqsues të fshatrave përreth,u njohën aty me statutin,idetë dhe detyrat e Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit.Kapiten Xhemal Laçi,duke folur mbi situatat e brendshme u ndal sidomos në lëvizjen komuniste e cila,duke zhvilluar një propagandë tejet të gënjeshtërt,”po don me rrënue shpirtrat e shenjt të shqiptarëve”.Megjithatë, edhe në këtë kuvend,Xhemal Laçi u kumtoi burrave të lirisë,se gryka e pushkës e ushtarit mbretëror,asnjëherë nuk kthehet nga vëllau,edhe kur ky është i mbushur me mëkate detyra e ushtarit mbretëror,është të mborjë kufijtë etnike të Shqipërisë.Por ky qëndrim i matur i mbretërorëve shqiptarë,do të pasohej nga një luftë e ashpër vëllavrasëse e ideuar në Beograd dhe e zbatuar në malet e Shqipërisë.Kështu në 1 qershor të vitit 1944,gjenerali i vetshpallur Enver Hoxha,në një telegram dërguar shtabit të Divizionit të Parë Sulmues,pos të tjerave porosit : “I caktojmë Divizionit të Parë Sulmues,detyrën që të marrshojë drejt Shqipërisë së Mesme dhe asaj të veriut,me objektivat:
1-Të godasë forcat e armikut
2-Të shkatërroje rrugët e komunikacionit
3-Të godase dhe likuidojë Bazin e Canit,Legalitetin dhe forcat e ndryshme të reaksionit”.
( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi 41, dosja 53 , fleta 4 ).
Në qershor korrik të vitit 1944,kapiten Xhemal Laçi,bashkëpunon ngushtë me forcat mbretërore të udhëhequra prej Abaz Kupit.Më pas me porosi të Abaz Kupit, e shpërndanë shtabin luftarak në Kabash,duke mos dashur që në thellësitë e Pukës,të fillojë vëllavrasja.Pas tërë kësaj veprimtarie,qëndrimi i Xhemal Laçit në vendlindje do të ishte shumë i vështirë.Në dokumentat gjarmane të Luftës së dytë Botërore,enkas në ato për Shqipërinë,ndodhet ende një urdhër aresti i komandës gjermane në Pukë për kapitenin Laçi,me motivacionin se “ka lidhur besën e luftëtarëve të Pukës,për të luftuar okupatorin”.Po ashtu,në traktatet që Partia komuniste shqiptare,shpërndante në Pukë,në korrikun e vitit 1944,përmendej edhe emri i “tradhëtarit”Xhemal laçi,kësisoj me ndihmën e disa miqve të tij,shkon në Shkodër dhe prej aty merr rrugën e dhimbshme të mërgimit.
Në Itali,vendoset së pari në kamptet e refugjatëve shqiptarë e më pas duke qenë një akademist i njohur në rrethet ushtarake italiane,merr një punë për të mbajtur frymën gjallë.Dalëngadalë,në 3-4 vjet,punon rreth një libri mbi fatet e shqiptarëve dhe sidomos mbi tragjedinë e mbrame të tyre,sundimin sllavokomunist.E boton këtë libër në Itali,më 1948,duke shfaqur hapur antikomunizmin e tij.Ndërkaq Tirana zyrtare e kish shpallur kriminel lufte dhe pat arshivuar një listë të tërë “kriminelësh” pranë qeverisë italiane,ku pos të tjerave kërkonte ndihmë për rikthimin e tyre në Shqipërinë komuniste diktatoriale,kinse të jepnin “llogari përpara popullit”.Në të vërtetë,qeveria italiane e atyre viteve, e uzurpuar prej komunistëve,bëri disa demarshe për kthimin e nacionalistëve shqiptarë në atdheun e tyre.Por ishin mekanizmat evropiano-perëndimore që e ndaluan një gjë të tillë,duke marrë në mbrojtje refugjatët politikë të Shqipërisë.E vërteta është se pas daljes në dritë të librit,jeta e Xhemal Laçit këcënohej së tepërmi,ndaj ai largohet për një vit në Siri.Ndërsa në verën e vitit 1949,me porosi të Abaz Kupit shkon në Romë dhe merr pjesë në krijimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”.Në radhët e këtij Komiteti,ndonëse kurdoherë pati mosmarrveshje midis shqiptarëve,kapiten Xhemal Laçi,përfaqsoi denjësisht aspiratat dhe alternativat e Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit.Më pas shkon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe krahas punës për jetesë,mban lidhje të forta me atdheun e vet,nëpërmjet nacionalistëve shqiptarë që jo rallë dërgoheshin në Shqipëri me misione të ndryshme atnikomuniste.
Vdekja e Mbretit Zog,në prillin e vitit 1961,do ta trishtonte kapitenin trim të Pukës.Ai merr pjesë në ceremonin mortore dhe që nga ai moment,qëndron me përkushtimin pranë Mbretit të shqiptarëve,Leka i Parë,trashëgimtari legjitim i Fronit Mbretërorë.Për 15 vite me radhë,kudo ku jetoi familja mbretërore,Xhemal Laçi ( tashmë kolonel i obarrit mbretërore) kreu funksione të rëndësishme.Guximtar por edhe i pjekur në çdo moment,biri i Pukës,do të bënte që familja mbretërore dhe sidomos Mbreti Leka i Parë,të ndiheshin të sigurtë përballë rreziqeve të panumërta që dilnin.Në fund të viteve 60-ta,Mbreti Leka i Parë, e dekoron kolonel Xhemal Laçin,me urdhërin më të lartë ; “Oficer i Madh i Urdhërit Skenderbeu “.Në nëtorin e vitit 1975,kolonel Xhemal Laçi,emërohet në funksionin e përfaqsuesit të Naltmadhërisë së Tij,Leka i parë,në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Aty pos të tjerave,mbretërori i shquar do të merrte në duar organizimin,financimin dhe botimin e gazetës “Atdheu” si zëdhënëse e aspiratave dhe ideve demokratike të Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit.Por krejt dëgjuesit e viteve 70,do të mbetet i paharruar zëri i Xhemal Laçit,në valët e radios “Zëri i Amerikës”.Nëpërmjet këtyre valëve të radios demokratike,biri i Pukës,demaskoi fuqishëm dhunën komuniste në Shqipëri,klikën komuniste të Tiranës dhe përpjekjet e tyre për ta fshehur mjerimin e paskajshëm të shqiptarëve.Nga ana tjetër,ai u shndrrua në interpret të mbajtjes,të të drejtave të shqiptarëve në Çamëri,Kosovë e Maqedoninë Shqiptare.Në saje të veprimtarisë së shquar antikomuniste,emri i kolonel Xhemal Laçit,bëhet popullor në krejt rrethet nacionaliste shqiptare në Amerikë.Veçmas,anëtarët dhe simpatizantët e Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit,repsektojnë fjalën e tij,guximin e tij,përkushtimin e madh në kryerjen e detyrave dhe urdhërave mbretërore.Por edhe shteti amerikan nuk qëndroi indiferent.Më 14 qershor 1979,ai dekorohet me dekoratën e lartë “Merita e Lirisë” dhënë prej Legjionit Amerikan.Në fjalën përshëndetëse,ndonëse 67 vjeçar,Xhemal Laçi u kumtoi të pranishmëve në sallë,shqiptarë dhe amerikanë,se “do të jetoj deri në fund me shpresën për një Shqipëri të liruar nga diktatura”.Dhe Zoti e plotsoi dëshirën e madhe të këtij antikomunisti të pashoq.Në gusht të vitit 1992,kolonel Xhemal Laçi,u kthye në atdhe,në shtetin amë,me një shkëlqim të rallë në sy.Ishte 80 vjeç dhe shumë gjëra i ishin zbehur, vetëm dashuria për vendlindjen,jo.Birin e Pukës e presin me mallëngjim prej Shkodre,në Pukë,Laç e Krujë.E rrethojnë me dashuri siç mund të rrethohet vëllai i larguar për decenie me radhë.Por sëmundja dalëngadalë bënte të veten.Kur dikush e këshilloi kolonelin që të shkonte në Amerikë,pse atje kujdesi i mjekëve do të ishte më i madh,me buzëqeshje i lumtur duke u thënë se kish pritur me vite,të vinte në atdhe ku vdekja se frigonte aspak dhe nëse do ta merrte.
Më 27 korrik 1994,pushoi së rrahuri përgjithmonë zemra e kolonel Xhemal Laçit.Me qindra bashkëkombas e përcuallën kolonelin mbretëror,ndërsa Leka i Parë,Mbret i Shqiptarëve,në telegramin e dërguar,pos të tjerave i kumtonte ; “Xhemal laçi,si figurë udhëheqëse e ndritur e Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit, e luftës kundër okupatorit dhe mëshiruesi i ndjenjave më të pastra kombëtare do të mbetet në memndjen e zemrën time si pjestar i denjë i OKLL,si mik i familjes mbretërore shqiptare”.
Xhemal Laçi mbyllte jetën,por i ngelte vepra,tek e fundit,dheu i tadheut të vet u bë shtrati më i ngrohet se një vendi të tjetër.
Bern-Zvicër