Ylli i kinemasë shqiptare Xhevat Limani “Ikonë e Aktrimit Shqiptar” dhe Liza Hoxha luajnë rolet e protagonistëve kryesorë në filmin “Prova” me regji dhe skentar nga Mrika Krasniqi. Përkrah tyre luajnë edhe aktorët e njohur Mirsad Abazi dhe Julian Biba.
NGA ERMIRA BABAMUSTA/
“Pasi lexova skenarin e Mrika Krasniqit m’u duk sikur roli ishte shkruar për mua. Kisha shumë pikëtakime me personazhin dhe dramën e tij të brendshme. Bëmë disa seanca provash me regjisoren dhe ramë dakord të futemi në fazën parapëtgaditore dhe me forca të përqëndruara filluam projektin. Puna hulumtuese me regjisoren ishte një eksperiencë e veçantë. Mrika ishte shumë kërkuese sa u përket skenave me partnerët, situatat e rënda me transformime të shpeshta psikologjoke si dhe në ritmin e brendshëm të veprimeve konkrete në rrafsh natyrshmërie dhe spontaniteti. Mendoj se kemi realizuar diçka të veçantë,” tha Xhevat Limani.
Filmi “Prova” (Proof) është prodhim i kompanisë Nil Production, me drejtor fotografie Ibër Deari. Filmi i dedikohet rreth 20 mijë fëmijëve të Kosovës, prindërit e të cilëve u vranë në luftën e vitit 1999.
“Surprizë për mua ishte drejtori i fotografisë Ibër Deari i cili kishte shumë gjetje që nga groplanet e deri tek planet totale në një mini-hapsirë të ideuar në mënyrë të shkëlqyer nga skenaristja dhe regjisorja Mrika Krasniqi e cila me këtë film të gjatë do trokasë bindshëm nëpēr festivale dhe pse edhe të mos triumfojmë.Jam i bindur s’e kam realizuar një protagonist tejet poliedrik që mund të lë gjurmë. Mendoj se filmi “Prova” është filmi i parë ndër shqiptarët e Amerikës dhe shënon një akt dhe nivel të avancimit të statusit kulturor të Diasporës,” u shpreh aktori legjendar Xhevat Limani për gazetën Dielli. Xhevat Limani është themelues i Teatri Shqiptar në Amerikë. Ka luajtur mbi 100 premiera teatrore. Fitues i Festivalit “Flaka e Janarit” për Rolin më të Mirë Mbreti Kreon tek Aantigona e Sofokliut; fitues i shpërblimit “Aleksandër Mojsiu” me shfaqjen “Shqiptar të jesh apo të mos jesh” sipas Fishtës në Festivalin mbarëkombëtar në Tiranë, fitues i më se 20 shpërblimeve artistike nëpër festivalet kombëtare dhe shtetërore.
Ka luajtur në filmin e Ekrem Kryeziut “Udhë pa kthim”, rolin e Gazetarit, në filmin “Nata” të Esat Musliut rolin Kaska, në filmin “Rrugët që vrasin” të Halil Budakovës rolin e Shefit të UNMIK në Kosovë, në filmin “Kolonel Bunker” rolin e drejtorit të Burgut, në filmin “Jeta private e Pipa Lisë” rolin e Kalimtarit në regji të Rebecca Myller, në filmin “The Journey” të Mike Dusi ku luajti rolin e Profecisë, etj.
Në filmin “PROVA” me skenar dhe regji të Mrika Krasniqit, Xhevat Limani luan rolin e Aktorit kryesor, prof. i Artit dramatik, krahas Liza Hoxha, e cila luan rolin e mbesës “Dea”.
“Liza Hoxha është nxënëse e klasës së VI- në shkollën amerikane në Prishtinë (American School of Kosova) vajza e Ardian dhe Era Hoxha, përndryshe mbesa ime në jetë dhe në film, ku njihet si Dea. Përveç që është nxënëse e shkēlqyer Liza ka talent edhe për aktrim, dizajn dhe pikturë. Përcaktimi i regjisores për Lizën në rolin e Dea-s kishte avantazh raportet tona gjysh-mbesë nga jeta në film. Talenti i Liza Hoxhës do të evidentohet gjithsesi në film,” shtoi Xhevat Limani, protagonisti i filmit Prova.
Sinopsisi i Filmit “Prova”
Gjyshi dhe mbesa e tij, gjatë bombardimeve, mbesin të ngujuar në bodrumin e një ndërtese. Pasi merr vesh se vajzës ia kanë vrarë prindërit, gjyshi pëson një traumë dhe vendos të qëndroj në bodrum edhe pas përfundimit të luftës.
Duke qenë profesor i artit dramatik ai krijon brenda bodrumit hapësira të ndryshme për të argëtuar mbesën e cila gjindet në karrocë invalidesh nga një aksident i pësuar më parë.
Filmi Prova (Proof)
Skenari dhe regjia: Mrika Krasniqi
Drejtor Fofografije: Ibër Deari
Rolet kryesore: Xhevat Limani, Liza Hoxha
Rolet e tjera: Mirsad Abazi, Julian Biba
Filmi “Prova” (2018) është prodhim i kompanisë Nil Production