Ne foto:Hebrenj të ardhur nga Prishtina të strehuar në Berat në vitet 1942-44./
Bisedë me publicistin e studiuesin Simon Vrusho
Nga Berati : Sulo Gozhina/
BERAT – Në ballin e ndërtesës dykatëshe, ndërtuar në vitin 1943 në lagjen më të madhe të Beratit, “Murat Çelebiu” në rrugën kryesore nwhyrje tw qytetit, çimentohen dhe 4 yje Davidi.
Në këtë banesë, në gusht 1943 pronari i saj, Qerim Kasapi, si dhe hebrenjtë Jozef e Isak Solomon bëjnë propagandë të rrezikshme. Po nje vit mw parw fëmijë hebrenj, nxënës hebrenj në shkollën “Kastrioti”, në Berat kalojnë klasëne parë në vitin shkollor 1942-43.
Vula e Solomonit në Berat..gjendet në dy vende të shenjëta, objekte kulti,shtëpi banimi etj, këto dhe të tjera detaje interesante për nga zbulimi kanë tërhequr vemendjen qytetare, por që ende janë fakte të pa zbuluara e bëra opublike.
Publicisti dhe studiuesi Simon Vrusho ka pasur këto vitet e fundit në fokus të mjaft shkrimeve e botimeve të tij tematikën hebraike në Berat, përqëndruar kryesisht në vitet e pushtimit fashist, ku qyteti i Beratit strehoi dhe shpëtoi mbi 600 hebrenj, duke qenë kështu një rast unik në radhën e emrave të qyteteve të të gjithë hapësirës shqiptare për dendësinë e strehimit të hebrenjve në kohën e Holokaustit. Dhe kjo ka bërë që Berati të mbetet në kujtesë si qytet i hebrenjve. Ai, Simon Vrusho është autor i librit “Hebrenjtë e Beratit”, botuar më 2010, ku qasje e tij ndaj strehimit të hebrenjve është në këndvështrimin e kujtesës gojore qytetare. Pothuaj çdo vit ai ka sjellë fakte të reja, të panjohura, të papublikuara më parë, informacione interesante, detaje domethënëse nga refleksionet e botës hebraike në Berat. Këtë herë vëmendjen e tij e kanë tërhequr elementë të tjerë: siç janë
një sërë vulash Solomoni në objekte kulti, e shtëpi banimi, 4 yje Davidi në fasadën e ndërtesës që i kanë parë të tërë prej rreth 70 vjetësh, por që publikohen, mediatizohen për herë të parë në vitin 2014 ! Po kështu, ai bën të njohur amzën e shkollës “Kastrioti” Berat ku në vitin 1942-43 kanë studiur dhe nxënës hebrenj …
-Z. Vrusho, ju thuajse çdo vit e keni pasur objekt të shkrimeve, studimeve e botimeve tuaja tematikën hebraike në Berat, duke filluar nga prania shumëshekullore e hebrenjve, prej pesë shekujsh në Berat. Ju keni sjellë fakte, argumente, informacione për larminë e pranisë së tematikës hebraike në ikona, në objekte të ndryshme, toponimi, por veçanërisht në strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në vitet e pushtimit fashist e nazist. Çfarë e kanë tërhequr vëmendjen tuaj kohët e fundit ?
-Më ka bërë përshtypje një godinë e veçantë, e ndërtuar nga beratasi Qerim Kasapi.
banor i lagjes së madhe, Mora Çelepi, tregtar që bënte shpesh rrugën e Selanikut. Ai filloi të ndërtonte një shtëpi të re më 1941, të madhe, dykatëshe, pikërisht në rrugën kryesore, në qendër të lagjes, një shtëpi me një arkitekturë fine, një nga ndërtesat që është edhe sot mbresëlënëse. Vijën e sipërme e dominojnë dekoracione, por ai që dominon, zotëron kreun e fasadës, si të thuash në ballë, që përsëritet katër herë, si për t’i vënë theksin, është Ylli i Davidit. Djathtas një mbishkrim: “QERIM KASAPI 1943 . USTA DULE BUZI”
Qerim Kasapi vdiq i ri, në vitin e përfundimit të shtëpisë, pas 3 vjetësh, më 1943. Ishte 45 vjeç.
Për shtëpinë, thonë se ka qenë projekt italian. Usta Dule ishte nga Buzët e Beratit, usta i mirënjohur, i lagjes, por nuk dihet nëse ornamenetet zbukuruese, të cilat mbartin këto simbolika janë të usta Dules apo të projektit, sepse aty ka dhe gjysmëhënë, yll pesëcepësh, dhe, siç e përmendën, Ylli i Davidit që është më intensivi, përsëritet katër herë, më shumë se çdo motiv, ornament apo simbolikë tjetër. Mos ka qenë ide a mendim a sugjerim i vetë Qerim Kasapit ? A mos ka pasur ndonjë mik hebre në Selanik dhe në fasadën e dyqanit të Selanikut ka takuar këtë simbolikë?
Po, sigurisht, Qerim Kasapi, ka njohur, ka takuar, ka biseduar me hebrenj në ato kohë e ato vite pikërisht në Berat dhe është e dokumentuar që ai i ka ndihmuar me të holla hebrenjtë e Beratit. Fqinjë e tij, si Isuf Qojle etj. gjithashtu strehonin hebrenj në ato kohë. Po, Ylli i Davidit në qendër, në Mora Çelepias është i veçantë. Tërheq vëmendjen, vështrimin, interesin, tërheq qëndrimin, ndalimin përballë, tërheq aparate fotografikë, kamera, tërheq turistë… Ka 70 vjet që është çimentuar, që është betonuar aty në fasadën kryesore, por publikimi, çudi, ka munguar.
Çështja e simbolikës hebreje në këtë rast është menduar si shije, çështje arkitekti, çështje e të zot të shtëpisë, çështje hebreu, çështje ustallarësh…Por në fund të fundit mbetet punë ustai, çështje ustai…
-Po nga familjarët, trashëgimtarët e Qerim Kasapit nuk ka të dhëna, kujtime, ç’ruajnë në kujtesë ata?
-Kam takuar prej tyre, natyrisht. Memli Kasapi, nipi, me profesion inxhinier, që thotë: “Ne e kemi ruajtur Yllin e Davidit…se ç’domethënie ruan ajo, kjo është e komplikuar dhe, mbase, do të mbetet mister… Në kohën e diktaturës gjithë fasadën e lyenim me një ngjyrë, si gri, dhe Yjet e Davidit kërkonin përqëndrim për t’i parë, kurse tani, lyer me dy ngjyra, sfondi dhe relievi, kanë shikueshmëri maksimale.“, thotë inxhnier Memli.
Por ka një qasje tjetër që e shpjegon misterin dhe këtë e bën vetë Qermi Kasapi në një mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shkresave që i drejtoheshin Kuesturës Mbretnore në Berat në gusht 1943, nga zv.Prefekti, po i Beratit:
Berat, 17.8.1943 / Kuesturës Mbretnore / Këtu
…..
Pak ditë më pare në banesën e Qerim Kasapit është bërë një mbledhje, ku kanë marrë pjesë dhe dy hebrenj, Jozef Jozefi e Isak Solomoni, që gjenden të internuar në Berat.
Përveç kësaj thuhet me siguri që bëjnë edhe propagandë subversive në qytet e në rrethe se gjoja çetat i presin me dita-ditës që të hyjnë në Berat për të shpëtuar popullin nga ushtria italiane. Lutemi bëni hetime.
Për të kuptuar se si i shikonte qeveria e Tiranës e atyre viteve hebrenjtë e Beratit, mjafton të dimë se Ministri i Punëve të Brendshme në qershor 1942 i drejtohej Prefekturës Berat:
„Në Berat ndodhen një numër i madh çifutësh… Ata përfillen si elementë shumë të rrezikshëm, mbasi rreth këtyre dyshohet se mblidhet një organizim i gjerë subversiv, zhvillojnë propaganda aktive kundër Boshtit. Priten përfundime. Dërgoni relacion mbi sjelljen e tyre të përgjithshme.“ Ky fakt, ky vlerësim përfocohet edhe me një njoftim tjetër, kur nga Tirana, më 6 gusht 1942, Ministria e Brendshme njoftonte dhe kujtonte autoritet në Berat se „Njoftoj se të gjithë personat që internohen në Berat janë politikisht të rrezikshëm…“
Një vit më vonë, nga Berati, më 28.6.1943, i dërgohej për njoftim Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Tiranë informacioni se „Çifutët që përmban lista e bashkangjitur ( 39 çifutë) janë elementë të rrezikshëm, pasi zhvillojnë një propaganda kundër Boshtit dhe kërkojnë me ba organizime subversive me anë e mbledhjeve duke kaluar nga një banesë në tjetrën, ditën dhe natën… Jemi të mendimit të largohen…..”
Përfundimi është i qartë: Ja cilat kanë qenë kushtet, rrethanat, klima, atmosfera, por Qerim Kasapi i mirëpriste hebrenjtë jo vetëm si antifashistë, por edhe në një shtëpi që atyre u dukej dhe si shtëpi hebreje, me ato katër Yje Davidi në krye…
-Pak më parë kujtuat dhe fëmijët, nxënësit hebrenj në Berat, ç’bëhej për edukimin e arsimin e tyre, për argëtimin, lojrat…
-Po, rreth një muaj më parë, doktorantja Jacqueline Silver, nga Fielding Graduate Univeristy, në Santa Barbara, Kaliforni, studiuese, kërkonte të dhëna për shkollimin e fëmijëve hebrenj të strehuar e të shpëtuar në kohën e pushtimit nazist për vendet evropiane dhe veriun e Afrikës. Interesi i saj përqëndrohej për arsimimin e fëmijëve hebrenj që jetonin nën shtypjen naziste mes viteve 1933 dhe 1945. Në këtë kuadër ajo interesohej edhe për Shqipërinë, sesi mund të kenë marrë arsimim këta fëmijë hebrenj të shpëtuar nga fqinjët e tyre johebrenj.
Përsa i përket arsimimit të fëmijëve hebrenj në qytetin e Beratit në vitet 1942-1944, mund të përmend një kujtim të mësuesit Nevzat Lapardhaja ( nuk jeton), i cili , kur ishte dhe vetë fëmijë, në vitin shkollor 1942-43, ka qenë në një klasë dhe me një hebre të vogël, në
klasën e katërt, në shkollën fillore, tek tregu, që atëhere emërtohej shkolla e përzier “Kastrioti”, në qendër të qytetit. Këtë fëmijë hebre, shok klase, Nevzat Lapardhaja e kishte marrë dhe në shtëpinë e tij, por për të banuar hebreu i vogël banonte me gjithë familjen e tij tek një shtëpi afër, tek Resmie Spathara. Ky fakt gjendet dhe libri im, “Hebrenjtë e Beratit”, f.45, botim i vitit 2010. Por, siç duket dhe tek fotografia “Gra hebreje në kursin e gjuhës shqipe në Berat – 1944”, aty janë të pranishëm edhe fëmijë hebrenj. Edhe tek një foto tjetër, “Hebrenj nga Prishtina të strehuar në Berat” janë dhe disa fëmijë hebrenj.
Nga kërkimet e mia rezulton se fëmijë hebrenj janë regjistruar në shkollën e përzier “Kastrioti” ( shkollë në qendër të Beratit) në Berat në klasën e parë në vitin 1942-43 dhe janë kalues. Njëri, Juso Mihal Ruben, me nr. amze 1490, lindur në Prishtinë në vitin 1933, kurse tjetri, Vili Danilo Albahari, me nr. amze 1491, lindur në Beograd më 18.12.1934, Prindërit e tyre figurojnë si emigrant. Ky fakt, zbuluar së fundmi , nuk figuron në librin tim.( Nuk përjashtohet që mjaft fëmijë hebrenj të mbulohen me emra shqiptarësh; të paktën, nga shqyrtimi i Amzës kjo gjë duket e mundshme.)
-Ju keni shkruar rreth strehimit, shpëtimit, mikpritjes beratase për hebrenjtë, bazuar në kujtesën popullore, si të thuash, kujtesë gojore, e cila ka dhe ajo vendin e saj në histori. Ç’ u ka lënë mbresë?
– Do të doja të sillja dy detaje nga ky strehim i hebrenjve: një në qytet, Berat, e tjetra në Molisht, në fshat.
Bari Zeko, farmacist ka lënë kujtimin e tij: „ Ishin tre të fushës së mjekësisë, një mjek, një farmacist dhe një ndihmës farmacist, të ardhur nga Jugosllavia. Me ndërmjetësinë time dhe të drejtorit të spitalit të Beratit, Lluka Muço, nga Vunoi i Vlorës e të dr. Nikolla Dushnikut, doktori u aktivizua ilegalisht në spitalin e qytetit, kurse Rajko S. Baharin e mora në farmaci dhe e paguaja 6 napolona në muaj për t’i siguruar jetesën bashkë me gruan e tij, Rashela.“
Molishti, një nga fshatrat më të mëdhenj, më të ndjerë e më të rëndësishëm të trevës së Beratit, me banorë inteligjentë, të urtë dhe punëtorë, me kurajo dhe mikpritës; një fshat relativisht i pasur, me larmi fisesh e mbiemrash, është një fshat që ka strehuar hebrenj në vitet e Luftës II Botërore, hebrenj që nuk e harruan këtë mikpritje. Vite më vonë, hebrenjtë, dikur fëmijë shkruan se Molishti i priti me mollë, arrë, bajame, rrush, fiq, shegë, ftonj…i priti me aromë pemësh e ata , kur u larguan, morën me vete aromë frutash… dhe aromë kulaçi, pavarësisht se aty, kryesisht hahej bukë misri, por shijen, thërrimen e asaj buke misri hebrenjtë e kujtonin me nostalgji dhe 50 vjet më vonë në restorantet më luksoze të New Yorkut. „Thërrimen e asaj buke misri, – ka thënë njëri syresh, duke kujtuar mikpritjen e familjes Biçaku në Librazhd, – e kemi dhe sot në dhëmballë, sepse ajo është buka
më e shijshme në botë.“ Kjo është shija e bukës shqiptare. Zhulia Kantozi kujtonte se i çuan në Molisht për rreth 3 muaj. U mbushnin përparëset me mollë e lloj-lloj frurash të tjera. U jepnin dhe pekmez. La aty, si kujtim, edhe një fotografi… Mori, siç e përmendën, aromën e frutave, të kopshteve të Molishtit…
-Po vula e Solomonit ?
-Është një Yll Davidi, por që në skajet e gjashtë cepave ka disa elementë, gjethe zambaku apo nga i ashtuquajturi trëndafili i Sharonit, që lidhen me emrin e Solomonit të urtë, ndërtuesit të tempullit të famshëm, identifikuar me emrin e tij. Por kjo vulë, ky simbol, kjo unazë thuhet se lidhet dhe me mjeshtërinë e ndërtuesve të nivelit të lartë. Gjendet në Berat tek porta e Teqesë Helvetive, tek porta e hajatit të Xhamisë Mbret, po në Berat, për të cilat thuhet se i përkasin periudhës rindërtuese të këtyre objekteve të kultit, në fillim të shekullit XIX. Por Vulën e Solomonit e gjejmë edhe në porta e shtëpive të vjetra beratase, si ajo e shtëpisë së dikurshme të të parëve të qytetarit Nexhmedin Pilafi, në qendër të lagjes së vjetër, Vakëf, sot “Jani Vruho”. Edhe kjo mendohet se i përket fillimit të shekullit XIX. N.Pilafi mendon se prania e kësaj vule mund të lidhet me ekzistencën e ndonjë
grupi ndërtuesish të Beratit, të drejtuar apo financuar nga hebrenjtë beratas. Prania e këtij simboli, thonë se përdorej edhe nga ustallarët e Oparit, që vinin shpesh në këto anë. Sidoqoftë, dëshmon edhe për kulturë qytetare, edhe për tolerancë fetare, edhe për mundësi financiare.